web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

BE kërkon që partitë të mos i bëjnë presion KGJK-së për gjyqtarët serbë

23 Korrik 2026, 22:15, Kosova & Bota CNA

BE kërkon që partitë të mos i bëjnë presion

Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë u ka bërë thirrje të gjitha partive politike në Kosovë që të përmbahen nga presioni ndaj Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK).

Në një reagim më 23 korrik, BE-ja kërkoi që anëtarët e KGJK-së të mos i ekspozohen presionit gjatë vendimmarrjes së tyre.

Ky reagim vjen pasi më herët gjatë ditës, eksponentë të partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje kërkuan që anëtarët e KGJK-së të votojnë kundër kthimit të gjyqtarëve serbë që kishin paraqitur dorëheqjet e tyre më 2022.

“Një sistem gjyqësor i pavarur, i paanshëm dhe apolitik është thelbësor për sundimin e ligjit në BE dhe në Kosovë”, tha Zyra e BE-së.

Deputetja e zgjedhur e LVV-së, Arbreshë Kryeziu-Hyseni, shkroi në rrjetet sociale se këta gjyqtarë kishin dhënë dorëheqje me urdhër të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, duke shtuar se “tash të njëjtit – prapë me urdhër të Vuçiqit”, po kërkojnë që të kthehen në detyrë.

“Ka dyshime se pesë anëtarë shqiptarë në KGJK po synojnë t’i kthejnë në punë këta gjyqtarët e Vuçiqit, edhe pse është komplet e kundërligjshme”, shkroi ajo, duke kërkuar që kjo të mos ndodhë dhe dorëheqjet të procedohen tek ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Albulena Haxhiu.

Deputetja tjetër e zgjedhur e LVV-së, Adriana Matoshi, po ashtu kërkoi që KGJK-ja të marrë vendim kundër kthimit të gjyqtarëve serbë në detyrë, sikurse edhe deputeti tjetër i zgjedhur, Mefail Bajqinovci.

Bajqinovci madje tha se edhe kreu i KGJK-së, Rrustem Thaqi, duhet të deklarohet publikisht që kthimi i tyre nuk duhet të lejohet, duke e cilësuar si “shkelje” nëse veprohet ndryshe.

Tashmë shtatë prokurorë dhe staf administrativë serbë janë liruar nga detyra, pasi Haxhiu më 21 korrik nënshkroi dekretet për lirimin e tyre.

Më 21 korrik, ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Albulena Haxhiu, nënshkroi dekretet për lirimin nga detyra të shtatë prokurorëve serbë që kishin dhënë dorëheqje në fund të vitit 2022, në kuadër të largimit kolektiv të serbëve nga institucionet e Kosovës.

Dekreti u nënshkrua një ditë pasi Këshilli Prokurorial i Kosovës refuzoi kërkesën e pesë prokurorëve serbë dhe 15 punonjësve administrativë të Prokurorisë Themelore në Mitrovicë për të tërhequr dorëheqjet e tyre.

Vendimi për lirimin nga detyra të prokurorëve u kritikua nga BE-ja.

Rreth 130 prokurorët dhe gjyqtarët serbë kishin dhënë dorëheqje në fund të nëntorit 2022, në kuadër të largimit kolektiv të serbëve nga institucionet e Kosovës në katër komunat me shumicë serbe në veri - Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.

Ky veprim - i nxitur nga Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë, që mbështetet nga Beogradi - erdhi në shenjë kundërshtimi ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për t’i hequr nga përdorimi targat e automjeteve të lëshuara nga Serbia dhe për t'i zëvendësuar ato me targa të Kosovës.

Por, çështja e dorëheqjeve të pazgjidhura u rikthye në vëmendje pasi, në mes të qershorit, Haxhiu kërkoi nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe Këshilli Prokurorial i Kosovës që “pa vonesa” t’i përmbyllin procedurat lidhur me këto dorëheqje, duke argumentuar se zvarritja e tyre ndikon në funksionimin normal të sistemit të drejtësisë./ Rel





Lajmet e fundit nga