web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Bashkia e Tiranës vijon t’i i fshihet përballjes me CNA

7 Korrik 2026, 17:51, Aktualitet CNA

Bashkia e Tiranës vijon t’i i fshihet përballjes me CNA

Ashtu si kryebashkiaku i arrestuar Erion Veliaj i fshihet përballjes me Gjykatën e Posaçme, edhe Bashkia e Tiranës refuzon të përballet me Komisionerin për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale. Prej 7 muajsh, CNA ndodhet në një betejë të hapur ligjore për të siguruar dokumentacione zyrtare me interes publik, por institucioni vendor vazhdon të përdorë çdo artificë procedurale për t'iu shmangur llogaridhënies.

Ballafaqimi ishte planifikuar të zhvillohej në një seancë dëgjimore të mërkurën, më datë 8 korrik 2026. Por, vetëm një ditë përpara përballjes, Komisioneri për të Drejtën e Informimit njoftoi zyrtarisht shtyrjen e saj. Arsyeja e servirur ishte mungesa e kryetares së komanduar të Bashkisë së Tiranë, Anuela Ristani.

Bashkia e Tiranës vijon t’i i fshihet përballjes me CNA
Njoftimi për shtyrjen e seancës

Ky justifikim e kthen situatën në një absurditet institucional. Nëse një zëvendëskryetare mungon, a nuk ka Bashkia e Tiranës nënkryetarë të tjerë, një sekretar të përgjithshëm apo një ushtri të tërë me juristë për ta përfaqësuar?! Sipas kësaj logjike, bashkia më e madhe në vend "vdes" dhe paralizohet tërësisht kur mungon një individ i vetëm, duke lënë pezull zbatimin e ligjit.

Kjo lëvizje e fundit është një tentativë e qartë e bashkisë për të fituar kohë dhe për të vonuar transparencën. Siç është denoncuar vazhdimisht në shkrimet e mëparshme të CNA, fshehja e informacionit është kthyer në një standard pune për këtë institucion. Ne kemi shkruar edhe publikisht për këto të dhëna dhe i jemi drejtuar Komisionerit, pa dëshiruar të ngremë akuza të parakohshme, por për të bërë një investigim të pastër profesional.

Kërkesa jonë është shumë e thjeshtë: transparencë për kontratat e reklamave që ka dhënë Bashkia e Tiranës në eventet e saj, si dhe transparencë të plotë për të ardhurat që ky institucion ka arkëtuar nga këto aktivitete. Por Bashkia e Tiranës refuzon t’i vërë ato në dispozicion.

Nuk mundet më që një institucion i mbuluar nga skandalet, aferat dhe korrupsioni të tallet me median dhe të fshehë të vërtetën. Çdo zyrtar që ka mbetur ende në atë bashki duhet të ketë të paktën kurajën dhe përgjegjësinë ligjore, ashtu si ata që tashmë na e kanë dhënë informacionin, për të publikuar dhe bërë transparente të dhënat që kërkohen.

Ky detyrim nuk është vetëm ndaj CNA-së, por ndaj qytetarëve të Tiranës, publikut dhe taksapaguesve, të cilët duhet të dinë se kush ka përfituar nga keqmenaxhimi i këtij institucioni apo kush ka gjetur hapësira për të abuzuar dhe mbushur xhepat përmes skemave të rekomanduara nga drejtuesit e kësaj bashkie.

Sipas njoftimit zyrtar, seanca dëgjimore do të caktohet në një moment të dytë pas datës 10 korrik. Megjithatë, asnjë manovër për të shtyrë ballafaqimin nuk do ta mbyllë këtë çështje. CNA do të vijojë t'i kërkojë këto të dhëna deri në momentin e fundit me profesionalizëm dhe çdo zyrtar që mban përgjegjësi për fshehjen e tyre do të duhet të përgjigjet para ligjit, nga i pari tek i fundit, pa asnjë përjashtim./CNA





Lajmet e fundit nga