web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Aplikimet për skemën e subvencioneve/ Fermerët dhe blegtorët në Korçë: Ndihma financiare, e domosdoshme

26 Maj 2026, 13:21, Aktualitet CNA

Fermerët dhe blegtorët në qarkun e Korçës kanë nisur aplikimet për skemat kombëtare të subvencioneve për vitin 2026, ndërsa shumë prej tyre thonë se ndihma financiare është e domosdoshme për të përballuar kostot e larta të fermave dhe vështirësitë ekonomike.

Megjithatë, një pjesë e fermerëve ankohen për procedurat dhe kostot shtesë për mbledhjen e dokumentacionit. Banorët e zonave të thella malore shprehen se rruga dhe shpenzimet e transportit ua vështirësojnë procesin e aplikimit.

“Ne jemi dhe larg në zonat malore edhe na ndihmojnë. Shumë jo, po që, bereqaves. Jam nga zona e Marjanit. Është e vështirë mbledhja e dokumentacionit, është rrugë e largët, 7 mijë lekë i do makina. Edhe këtej pastaj po duan këto procedurat. Kosto e shtuar është”, është shprehur një blegtor.

Ndërkohë, fermerë të tjerë që kanë investuar në blegtori e shohin skemën si një mbështetje të rëndësishme për sigurimin e bazës ushqimore për bagëtitë gjatë dimrit.

“Mbarështojmë dhitë alpine franceze. Unë tani kam ardhur mbas 15 vitesh nga Amerika dhe po mbarështoj këtë lloj kafshe. Subvencionimi është hera e parë që po ndodh. Këta 1,500 lekë të reja për kokë subvencionojnë. Deri diku është mirë, sigurojmë gjysmën e bazës ushqimore për periudhën e dimrit”, ka thënë një tjetër.

Ai tregon se të gjitha bagëtitë janë të matrikuluara dhe të vaksinuara, ndërsa sfida mbetet plotësimi i kriterit minimal prej 50 krerësh.

“Sot na thanë që sasia duhet të jetë deri në 50 krerë. Ne na dalin 49. Për një kokë. Tashi kemi gjendje, do ta matrikullojmë dhe atë dhe do të vijmë ta aplikojmë”, shton ai.

Ndërsa për fermerët me sipërfaqe të vogla toke, përfitimi nga skemat mbetet i vështirë për shkak të kritereve dhe procedurave burokratike.

 “Nuk e përfitoj, se unë pesë dynym tokë kam. Duhet të kesh 30. Duhet të shkosh të bësh dokumentet, kontratën e qirasë. Nuk ma leverdis mua. Sa të vij vërdallë, më mirë pa hiç”, tha fermeri.

Edhe blegtorë të tjerë që kanë hapur fermat së fundmi thonë se subvencionet janë një ndihmë e madhe për të vazhduar aktivitetin.

“Faleminderit shumë për këto që po bëjnë, këto subvencionimet. Sot do aplikoja për blegtorinë. Kam 49 dhi, për një s’përfitojmë. Tani kemi por i kemi të pamatrikulluara, do t’i matrikullojmë dhe ato. Shumë na ndihmon për çdo gjë”, shprehet një tjetër blegtor.

Sipas Drejtorit të Drejtorisë së Bujqësisë në Korçë, Vullnet Gjolla, skemat e vitit 2026 sjellin ndryshime që synojnë përfshirjen e më shumë fermerëve dhe përafrimin me skemat e Bashkimit Evropian.

“Ndryshon dhe ulet numri i gjedhëve që përfitojnë nga kjo skemë, nga 10 krerë në 5 krerë dhe rritet masa e përfitimit nga 10 mijë lekë të rinj në 12 mijë lekë të rinj për gjedh. Për të imtat, numri ulet nga 100 në 50 kokë për fermer dhe masa e përfitimit rritet nga 1.200 në 1.500 lekë”, tha Gjolla.

Ndryshime ka edhe për bletarinë, si dhe për skemën e mbështetjes për sipërfaqet bujqësore.

“Për kosheret e bletëve, nga 50 koshere ulet në 25 koshere për fermer dhe rritet masa e përfitimit nga 1.000 lekë në 2.000 lekë për koshere. Ndërsa për skemën e sipërfaqes, nuk do të kemi më naftë për hektar, por lekë për sipërfaqe”, shtoi ai.

Gjolla thotë se qëllimi është nxitja e bashkëpunimit mes fermerëve dhe rritja e aksesit në financime.

“Jemi drejt përafrimit të skemave të Bashkimit Evropian. Po bëjmë përpjekjet maksimale që këto skema të përafrohen me skemat e BE-së”, u shpreh Gjolla.

Autoritetet bëjnë thirrje që fermerët të aplikojnë pranë pikave të shërbimit në njësitë administrative, ndërsa shpresat mbeten edhe tek hapja e skemës së IPARD-it, që konsiderohet më gjithëpërfshirëse për sektorin e bujqësisë dhe blegtorisë.  /CNA





Lajmet e fundit nga