web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Aldor Nini dhe Acromax, sulm të orkestruar CNA-së/ Cukali: Sekser i pushtetit, në shërbim të interesave politike

11 Qershor 2024, 09:08, Acromax / Aldor Nini CNA

Aldor Nini, pronari i kompanisë “Acromax”, ka filluar një sulm të pandalshëm ndaj CNA-së në të gjitha rrjetet tona sociale, me pretendimin se nuk respektojmë të drejtat e autorit.

CNA ka përcjellë për shikuesit një panoramë të qartë të asaj se çfarë po ndodh në këtë sulm të orkestruar ndaj fjalës së lirë.

Në një intervistë për CNA TV, kryetari i Këshillit Shqiptar të Medias, Koloreto Cukali, shprehet se kjo nuk është hera e parë që “Acromax” shënjestron mediat, për të censuruar raportime që bien ndesh me interesat e politikës.

Aldor Nini dhe Acromax, sulm të orkestruar CNA-së/ Cukali: Sekser i
Kryetari i Këshillit Shqiptar të Medias, Koloreto Cukali. Burimi CNA

"Kjo është një praktikë e vjetër tashmë në Shqipëri. Në pamundësi për të ndryshuar narrativën, sepse propaganda këtë punë bën, pra të thuhet një version propagandistik i së vërtetës. Kur shohin që është e pamundur për ta kontrolluar, fusin në lojë të gjitha mekanizmat e tjera të censurës, njëra nga këto është ‘Acromax’. Kjo është histori e vjetër me ‘Acromax’, që në emër të mbrojtjes së të drejtës së autorit, de facto censuron media të ndryshme në momente të caktuara, në lidhje me lajme të caktuara. Problemi qëndron tek ato parti politike kanë bërë kontrata për mbrojtjen e të drejtave të autorit. Nuk e kuptoj, çfarë mund të mbrojë një parti politike? Një parti politike është pronë publike, mbështetet në para publike. Çdo deklaratë e kryeministrit, çdo deklaratë e një kryetari bashkie, apo kryetari partie. Një nga arsyet e dhëna vazhdimisht për censurën në ‘YouTube’ është sepse është imazh i filan televizioni. Jo! Kur kryeministri bën një deklaratë publike, pavarësisht se e bën në një ent privat, ajo deklaratë është publike."

CNA renditi 9 fakte, se si ‘Acromax’ ka bllokuar lajmet tona, pavarësisht se nuk kemi përdorur pamje nga mediat e tjera. Sipas Cukalit, kjo nuk përbën asnjë shkelje nga ana e CNA-së, por është një pretendim i pabazuar nga ‘Acromax’.

"Më bëri shumë përshtypje. Ju keni bërë një lajm mbi diçka të thënë në një televizion, pa shkëputur asnjë video nga ai program. Ky është lajm, nuk ka asnjë shkelje autorësie. De facto ka vepruar pastërtisht si një vegël censure dhe dyshimi shkon se ka shkuar në shërbim të njerëzve, të cilët prekeshin nga ai lajm."

Cukali sqaron si qëndron skema abuzive e Aldor Ninit, i cili e ka regjistruar kompaninë në Gjermani. Kreu i Këshillit Shqiptar të Medias, u bën thirrje pronarëve mediatikë të sulmuar nga Nini, të bëhen bashkë në një betejë ligjore për të mbrojtur fjalën e lirë. 

"Kjo kompani është regjistruar si e huaj, si kompani gjermane, pra ka një akses tjetër pranë platformave si ‘YouTube’. Një akses të privilegjuar në raport me mediat shqiptare. Pikërisht me këtë akses të privilegjuar abuzohet dhe mediat shqiptare në përgjithësi nuk kanë resurse financiare për të hapur gjyqe në Gjermani, apo kudo ku ushtron aktivitetin ‘Acromax’.

Aldor Nini dhe Acromax, sulm të orkestruar CNA-së/ Cukali: Sekser i
Aldor Nini në sallën e gjyqit, burimi CNA

"Praktikisht, kjo kompani ka vepruar dhe vepron e pandëshkuar. Unë do të kisha dashur të shihja të gjitha mediat e prekura, ose një pjesë të madhe të tyre, të prekura nga veprimtaria e ‘Acromax’, të bëhen bashkë dhe të tentojnë ta zgjidhin në mënyrë ligjore, qoftë në Shqipëri, qoftë në Gjermani. ‘Acromax’ është vetëm një vegël, sekseri. Në të gjitha aspektet është sekseri, edhe në mbrojtjen e të drejtave të autorit. Praktikisht bën ndërmjetësin mes një platforme dhe palëve që janë të interesuara për censurën e medias, që përgjithësisht janë njerëzit me pushtet dhe para. "

Sipas Cukalit, në Shqipëri mungon vullneti politik për të përmirësuar lirinë e medias.

Derisa politika shqiptare të gjejë vullnetin për të krijuar kushtet për media të lira dhe të pavarura, CNA do të vijojë të denoncojë me fakte dhe prova çdo abuzim, për t'i ofruar publikut të vërtetat e pacensuruara, e pandikuar nga sulmet e orkestruara./ CNA





Lajmet e fundit nga