web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

A është i mundur një grusht shteti kundër Putinit?/ Ja çfarë na mëson historia e Rusisë

9 Prill 2022, 08:37, Blog CNA

Nga Amy Knight ?Washington Post?

Vladimir Putin nuk është përballur kurrë me një sfidë serioze ndaj pushtetit të tij. Por lufta e tij katastrofike në Ukrainë mund ta ndryshojë këtë gjë. Shanset për një kryengritje popullore kundër Kremlinit mbeten të ulëta.

Një sondazh i fundit i bërë në muajin mars nga Qendra e pavarur e sondazheve Levada, tregon se 83 për qind e rusëve e miratuan punën e Putinit, nga 71 për qind në muajin e kaluar. Shumica e rusëve kanë një qasje minimale në informacione jashtë propagandës së kontrolluar nga shteti, dhe kushdo që guxon të dalë të protestojë në rrugë përballet me ndëshkime të ashpra.

Kërcënimi më i mundshëm për sundimin e tij vjen nga brenda regjimit. Historia e Rusisë na ofron disa ide. Që kur bolshevikët e morën pushtetin në vitin 1917, ka pasur 2 grushte shteti të suksesshme: përmbysja e shefit të frikshëm të policisë sekrete të Stalinit, Lavrenti Beria në qershorin e vitit 1953, dhe rrëzimi i Sekretarit të Parë të Partisë Komunist Nikita Hrushov në tetor 1964.

Përveç ekzekutimit të Berias dhe 6 bashkëpunëtorëve të tij, këto grushte shteti ishin relativisht pa shumë gjakderdhje. Në të dyja rastet, mbështetja e shërbimeve të sigurisë dhe ushtrisë sovjetike, ishte vendimtare për suksesin e tyre.

Pas vdekjes së Stalinit në marsin e vitit 1953, anëtarët e tjerë të Presidiumit, të udhëhequr nga Hrushovi, u alarmuan për fuqinë e tij në rritje dhe politikat anti-staliniste të Berias. Por heqja qafe e këtij të fundit ishte një sfidë e madhe, pasi drejtonte Ministrinë e fuqishme të Punëve të Brendshme (MVD), që komandonte si policinë po ashtu edhe shërbimet e sigurisë.

Komplotuesit ishin në gjendje të mbështeteshin tek udhëheqësit ushtarakë sovjetikë, përfshirë Ministrin e Mbrojtjes Nikolai Bulganin dhe Marshallin Georgi Zhukov, të cilët kishin një antipati të madhe ndaj Berias dhe MVD-së.

Ndaj ata mbështetëm arrestimin e Berias, që shkoi pa dyshuar në një takim midis udhëheqësve më të lartë të thirrur me nxitim. Ndonëse operacioni ishte i suksesshëm – Beria u gjykua dhe u pushkatua në dhjetor të atij viti – ai ishte shumë i rrezikshëm dhe grupi i Hrushovit u përball me një rrezik të madh, pasi mund të hasnin në kundërshtimin e mundshëm nga kampi i Berias në ditët pas arrestimit të këtij të fundit.

Por ata ia dolën – të bindin 2 zëvendësit në dukje besnikë të Berias, Sergei Kruglov dhe Ivan Serov përmes premtimeve për promovim në karrirë, që të tradhtojnë shefin e tyre dhe të ruanin qetësinë në radhët e oficerët e MVD-së.

Përmbysja e Hrushovit 11 vjet më vonë ishte një operacion po aq i rrezikshëm për Leonid Brezhnjevin dhe kolegët e tij të Byrosë Politike, të cilët mendonin se Hrushovi po i tejkalonte kufijtë e udhëheqjes së tyre kolektive.

Thuhet se Brezhnjevi ishte aq i tmerruar se mos plani i tij do të dështonte, saqë truproja i tij personal do t?i kalonte netët jashtë derës së shtëpisë së tij me një armë automatike në duar. Pastaj pati shumë të lëkundur. Përpara se të binin dakord që të ndiqnin planin e Brezhnjevit, anëtarët kryesorë të Byrosë Politike Aleksei Kosigin dhe Mikail Susllov kërkuan garanci që komploti të kishte mbështetjen e ushtrisë dhe të KGB-së.

Shefi i KGB-së Vladimir Semiçasni luajti një rol kryesor. Ai e takoi Hrushovin në aeroport pas kthimit të tij nga pushimet në Detin e Zi dhe e informoi se ishte shkarkuar nga të gjitha funksionet. I rrethuar nga një grup rojesh të KGB-së, Semiçasni e paralajmëroi Hrushovin të mos bënte rezistencë.

Hrushovi, i cili e kishte emëruar vetë Semiçasnin në krye të KGB-së dhe e konsideronte atë një aleat të ngushtë, u ndje shumë i tradhtuar, por e pranoi fatin e tij dhe transferimi i pushtetit ndodhi pa probleme.

Përpjekjet për të rrëzuar Putinin, do të kërkonin një mbështetje aktive ose pasive nga 3 organizata kryesore – ushtria, FSB (pasardhësja e KGB-së) dhe Garda Kombëtare (Rosgvardiya). Dhe Putini ka aleatë të fortë në të gjitha këto institucione.

Shefi i FSB-së Aleksandër Bortnikov i përket klanit të ish-oficerëve të KGB-së nga Shën Petersburgu, dhe është një mbrojtës i drejtpërdrejtë i Putinit dhe i shefit të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, Nikolai Patrushev, të cilin Bortnikov e zëvendësoi si shef i FSB-së në vitin 2008.

FSB ka trupat e veta speciale, dhe një rrjet të gjerë oficerësh të kundërzbulimit që mabjnë nën vëzhgim të rreptë ushtrinë. Edhe pse nuk është nga Shën Petersburgu apo një veteran i KGB-së, ministri i Mbrojtjes Sergei Shoigu ka bashkëpunuar ngushtë me Putinin prej vitesh, fillimisht si Ministër i Emergjencave dhe që nga viti 2012 në detyrën e tij aktuale si Ministër mbrojtjes.

Putin dhe Shoigu e kanë shfaqur publikisht miqësinë e tyre, dhe janë filmuar teksa pushonin së bashku në Siberinë Lindore, vendlindja e Shoigut. Edhe në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të Rusisë në shkurt, Shoigu, ushtria e të cilit numëron rreth 900.000 njerëz personel aktiv, e miratoi me zell pushtimin e Ukrainës. Shefi i Gardës Kombëtare Ruse Viktor Zolotov, është njeriu që ka ndoshta besimin më të madh të Putinit.

Zolotov u takua për herë të parë me Putinin në fillimin e viteve 1990 ndërsa punonte si truprojë për shefin e Putinit, kryebashkiakun e Shën Petersburgut, Anatoli Sobçak. Gjatë viteve 2000-2013, ai drejtoi Shërbimin e Sigurisë Presidenciale, agjencia përgjegjëse për mbrojtjen personale të presidentit.

Kur Putin themeloi Gardën Kombëtare në vitin 2016, ai vendosi në krye pikërisht Zolotov. Trupat e Ministrisë së Brendshme u transferuan në këtë agjenci të re, së bashku me forcat e tjera speciale, duke i dhënë asaj një forcë prej rreth 340.000 trupash dhe kompetencat maksimale për të mbajtur nën kontroll elitën ruse.

Megjithëse duket se për momentin Putin i ka ?krahët e ngrohta?, fatet e Berias dhe Hrushovit kanë treguar se besnikëria mund të ndryshojë kur Kremlini zhytet në krizë. Bortnikov mund të bëhet një Semiçasni, dhe të ndryshojë anë për të shpëtuar lëkurën e tij.

Përballë një koalicioni kundërshtarësh të Putinit, Shoigu dhe Zolotov mund të mendojnë të largohen nga anija që po fut ujë, ashtu siç bënë togerët e Berias. Por një gjë duket e sigurt: çdo përpjekje për grusht shteti kundër Putinit do të ishte ndoshta operacioni me rrezikshmërinë më të lartë në historinë e Kremlinit.

Shënim:Amy Knight, është autore e 6 librave mbi historinë dhe politikën ruse, përfshirë librin e fundit ?Urdhrat për të vrarë:Regjimi i Putinit dhe vrasjet politike?.

Përkthyer dhe përshtatur nga CNA.al





Lajmet e fundit nga