web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Informimi i rusëve për atë që po ndodh realisht në Ukrainë/ Si mund të depërtohet tek propaganda e Putinit

6 Prill 2022, 07:57, Blog CNA

Nga David Satter ?Wall Street Journal?

Presidenti amerikan Xho Bajden ka bërë thirrje për largimin e Vladimir Putin nga pushteti. Por këtë gjë mund ta bëjnë vetëm rusët. Për këtë arsye, përveç furnizimit me armë për Ukrainën, Shtetet e Bashkuara duhet të ndërmarrin hapa për të arritur tek populli rus.

Putin e kupton se për të dominuar në luftën që ka nisur në Ukrainë, ai duhet të ruajë mbështetjen e publikut rus. Ndaj ai po e përdor televizionin shtetëror për t?i bindur rusët nëpërmjet raporteve për mizoritë e supozuara nga nazistët ukrainas të mbështetur nga SHBA kundër rusëve etnikë, sidomos në republikat e vetëshpallura të Donjeckut dhe Luhansk, të cilat thuhet se i mbron ushtria ruse.

Megjithatë, regjimi i Putinit është i izoluar në vendin e tij. Karen Douisha, autore e librit ?Kleptokracia e Putinit?, thotë se 110 njerëz kontrollojnë 35 për qind të pasurisë së vendit. Është pikërisht ky grup njerëzish që po bën luftë kundër Ukrainës dhe që po i manipulon rusët e thjeshtë.

Amerika mund të ketë më shumë fuqi për të ndikuar tek rusët e zakonshëm, sesa mund ta kuptojmë ne tani. SHBA-ja duhet të nisë të krijojë një bazë të dhënash, të pavarur nga siti ekzistues ukrainas, për t?i ndihmuar rusët të mësojnë mbi fatin e ushtarëve rusë të zhdukur në fushën e betejës.

Ministria ruse e Mbrojtjes, njoftoi më 25 mars se deri në atë moment kishin vdekur 1351 ushtarë rusë. Vetë ukrainasit folën për mbi 16.100 të vrarë. Valentina Melnikova, sekretare e Komitetit të Nënave të Ushtarëve, thotë se shpesh komandantët rusë nuk i marrin trupat e ushtarëve dhe i listojnë ata si ?të zhdukur në aksion?.

Ky veprim i justifikon ata për të mos paguar dëmshpërblim për familjet e viktimave, dhe e ul numrin zyrtar të të vdekurve. Shumë prindër nuk e dinë se çfarë ka ndodhur me djemtë e tyre. Ata thonë se nga Ministria e Mbrojtjes nuk ka asnjë informacion.

Njoftimet mbi vdekjen e ushtarëve, shfaqen në mënyrë sporadike në mediat rajonale ruse. Një bazë e të dhënave amerikane, e aksesueshme përmes Radio Liberty dhe faqeve të tjera, nuk do të ishte shteruese, por mund të siguronte më shumë informacion sesa disponohet nga zyrtarët rusë.

Po ashtu SHBA-ja dhe aleatët e saj duhet të njoftojnë se të ardhurat nga pronat e konfiskuara nga oligarkët e lidhur me korrupsionin, do t?i rikthehen popullit rus. Super-pasanikët rusë mund të zotërojnë jahte dhe vila luksoze, pasi ata u bënë të pasur duke përvetësuar paratë e shtetit.

Oligarkia ruse i ka rrënjët në ankandet e ?huasë në këmbim të aksioneve? të vitit 1995, ku kompanitë gjigante ruse iu transferuan biznesmenëve të korruptuar, në këmbim të mbështetjes për fushatën e rizgjedhjes së presidentit Boris Jelcin në zgjedhjet e vitit 1996.

Një shembull i mirë është Roman Abramoviç, tani i mbrojtur nga sanksionet për shkak të rolit të tij si ndërmjetës midis Rusisë dhe Ukrainës. Ai dhe partneri i tij, Boris Berezovski, në vitin1995 blenë kompaninë shtetërore të naftës ?Sibneft?, vetëm për 100.3 milionë dollarë.

Shitja u krye në një ankand, ku ishin eliminuar paraprakisht të gjithë konkurrentët. Shumë shpejt aksionet e ?Sibneft? do të vlenin mbi 1 miliardë dollarë. Në vitin 2005, Abramoviç, që e kishte ndarë kompaninë me Berezovskin, e shiti atë për 13.1 miliardë dollarë.  Abramoviç zotëron 2 jahte, secili me një vlerë prej më shumë se 600 milionë dollarësh. Një projekt-ligj i ngjashëm me Aktin e Jahteve për Ukrainën, dhe që do ta lejonte SHBA-në të shiste asetet e sekuestruara, dhe t?i përdorte paratë për të ndihmuar Ukrainën, është paraqitur tashmë në Kongres.

Edhe pse të ndihmosh Ukrainën është një ide e mirë, kjo nuk do ta ndryshonte qasjen e  opinionit në Rusi. Premtimi për t`i transferuar paratë që e kanë origjinën nga Rusia në një shtet të ardhshëm demokratik rus, do të ishte një pranim publik nga ana e SHBA-së, se drejtësia për qytetarët e zakonshëm të Rusisë është shumë e vonuar.

Së fundmi dhe më e rëndësishmja, SHBA-ja duhet të zbulojë gjithçka që di mbi sulmet me bomba në apartamentet e banimit në shtatorin e vitit 1999, të cilat e ngjitën në pushtet Vladimir Putinin. Për ato 4 sulme u fajësuan çeçenët, dhe u përdorën si një justifikim për të nisur një luftë të re ndaj Çeçenisë.

Putin, që sapo ishte emëruar kryeministër, u vendos në krye të luftës, dhe mbi suksesin e asaj fushate u katapultua në presidencën ruse. Por një bombë e pestë u zbulua në bodrumin e një godine në Riazan, në juglindje të Moskës dhe u kapën autorët e komplotit.

Ata nuk ishin terroristë çeçenë, por agjentë të Shërbimit Federal të Sigurisë. Në një tjetër zhvillim të jashtëzakonshëm, Genadi Seleznev, kryetari i Dumës ruse, njoftoi më 13 shtator se një godinë ishte hedhur në erë në Volgodonsk. Në fakt ajo ngjarje ndodhi vetëm 3 ditë më vonë.

Historia e atyre sulmeve është shumë e rëndësishme, pasi shenjat e përfshirjes së zyrtarëve shtetërorë, janë prova më e fuqishme e qëndrimit të vërtetë të regjimit të Putinit ndaj popullit rus. Sot, ato bombardime janë tema më tabu në Rusi. Por interesi mbi ato ngjarje është shumë i fortë.

Një intervistë e Vladimir Zhirinovskit, një deputet i Dumës, në lidhje me incidentin e Volgodonsk, është parë mbi 15 milion herë në YouTube. Pavarësisht përpjekjeve të regjimit për të shtypur zërat e pavarur në Rusi, shenjat e disidencës janë shumë të qarta.

Maria Ovsjanikova, redaktore në televizionin Channel One, organizoi një protestë në transmetim direkt, duke denoncuar gënjeshtrat që transmetonte vetë televizioni ku ajo punonte. Më 20 mars, në Kaukazin e Veriut, nënat e ushtarëve bllokuan një urë duke kërkuar informacione mbi fatin e djemve të tyre.

Më e rëndësishmja, në ushtrinë ruse ka një lloj linje opozitare të qartë, e cila është e vetmja që mund ta largojë Putinin nga pushteti. Pak para pushtimit, gjenerali Leonid Ivashov, që drejton një grup oficerësh në pension, paralajmëroi se një sulm ndaj Ukrainës do të ishte fundi i Rusisë.

Ai tha se pushtimi i planifikuar, ishte përpjekja e një regjimi të korruptuar për të mbetur në pushtet. Ai i bëri thirrje Putinit të japë dorëheqjen. Deklarata e tij u mbështet nga shumica e bordit të organizatës së tij. Një muaj nga nisja e luftës, gjeneralët rusë janë thuajse me siguri të shqetësuar nga vdekjet e shumta të ushtarëve rusë.

Pas 15 muajsh luftë në Çeçeni në vitin 1996, gjenerali Aleksandër Lebed tha se 30 për qind e ushtarëve rusë ishin gati t`u drejtonin armët njerëzve që i dërguan atje. Pavarësisht përpjekjeve të regjimit për t?i izoluar rusët nga bota e jashtme, informacioni arrin ende të përhapet me ndihmën e celularëve, platformave si Telegram, YouTube etj.

Kjo krijon një mundësi që Perëndimi duhet ta shfrytëzojë. Përveç ndihmës për Ukrainën, ne duhet të bashkëpunojmë me popullin rus. Pavarësisht nga zymtësia e situatës aktuale, opinioni në Rusi mund të ndryshojë në mënyrë dramatike, siç ka ndodhur edhe në të kaluarën.

Përkthyer dhe përshtatur nga CNA.al





Lajmet e fundit nga