web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Intervista/ Stoltenberg:Pse përplasja SHBA-Francë nuk do ta përçajë NATO-n

27 Shtator 2021, 07:04, Blog CNA

?Foreign Policy?

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg, shprehet në një intervistë për ?Foreign Policy? se një nga mësimet kryesore që duhet të nxjerrë aleanca nga misioni i saj 2-dekadësh në Afganistan, është se duhet të jetë gati për të përdorur sërish forcën ushtarake nëse sulmohet, për të luftuar terrorizmin ndërkombëtar.

I pyetur mbi mosmarrëveshjen e fundit midis Shteteve të Bashkuara, Britanisë dhe Francës mbi marrëveshjen për t`i shitur disa nëndetëse Australisë, Stoltenberg thekson se SHBA nuk duhet të zgjedhë midis ndërtimit të lidhjeve me aleatët e saj në Paqësor ose Atlantik.

Sa dëm mendoni se i ka shkaktuar NATO-s përplasja e fundit midis Francës, Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë së Madhe? A është ai i riparueshëm?

Unë jam absolutisht i sigurt se ata aleatët do të dinë t?i zgjidhin mosmarrëveshjet mes tyre, dhe se zënka e fundit nuk do ta dëmtojë apo dobësojë aleancën. Pasi është në interesin e aleatëve evropianë dhe aleatëve tanë në Amerikën e Veriut qëtë mbeten të bashkuar.

Kjo është në interesin tonë të sigurisë kombëtare. Një NATO e fortë, është diçka pozitive për Evropën, por edhe për Shtetet e Bashkuara. Mosmarrëveshje ka pasur edhe më parë. Ne kemi 30 vende anëtare. Sigurisht që ndonjëherë mes tyre ka mosmarrëveshje. Por historia na ka mësuar se aleatët tanë në NATO e njohin mirë vlerën e të qenit bashkë.

Presidenti amerikan Xho Bajden personalisht është shumë i përkushtuar ndaj NATO-s. Ai

e njeh shumë mirë aleancën,dhe ka dëshmuar një vullnet real për t`i rindërtuar partneritetet dhe aleancat. Nuk ekziston asnjë kontradiktë midis rindërtimit të aleancave, forcimit të NATO-s dhe në të njëjtën kohë ndërtimit të aleancave dhe partneriteteve të reja në rajonin e Azi-Paqësorit. Është e mundur që të bëhen të dyja në të njëjtën kohë. NATO gjithashtu ka vendosur të punojë më ngushtësisht me vendet e rajonit të Azi-Paqësorit.

Le të ndalemi tek Afganistani. 20 vjet luftë, 2 trilionë dollarë të shpenzuara, përfunduan me fitoren e talebanëve. Ligjvënësit amerikanë duan një hetim. A duhet të bëjë të njëjtën gjë edhe NATO?

Edhe ne duhet të ngremë disa pyetje të vështira. Sigurisht që kishim nevojë të ishim të qartë dhe të sinqertë në lidhje me leksionet e nxjerra nga Afganistani. Po ashtu unë them se sakrificat që u bënë atje nuk ishin të kota. Ne shkuam në Afganistan për t?i dhënë fund përdorimit të tij si një strehë e sigurt për terroristët ndërkombëtarë.

Për 20 vjet, nuk ka pasur asnjë sulm terrorist kundër një aleati të NATO-s të organizuar apo planifikuar nga Afganistani. Ndërkohë, prania jonë ushtarake atje e ka ndihmuar gjithë bashkësinë ndërkombëtare, Kombet e Bashkuara, Bashkimin Evropian, për të mbështetur përparimin social dhe ekonomik në Afganistan.

Ajo që po ndodh në Afganistan tani është një tragjedi për afganët, sidomos për gratë. Por

kjo nuk do të thotë se përpjekja jonë ishte e kotë. Ne arritëm shumë në luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar dhe ndihmuam në mbështetjen e përparimin social dhe ekonomik.

 A bëri NATO ndonjë gabim apo ndonjë llogaritje të gabuar gjatë misionit të saj të gjatë në Afganistan? Dhe a ka ndonjë leksion që duhet të mësojë?

Është ende herët që të arrijmë në përfundime të caktuara. Por unë mendoj se leksioni i parë është që ne duhet të jemi gati për ta përdorur sërish forcën ushtarake në rast se do të jetë e nevojshme. Unë isha kryeministër i Norvegjisë në vitin 2001, dhe të gjithë aleatët e mbështetën përdorimin e forcës ushtarake kundër terroristëve të Al Kaedës në Afganistan. Natyrisht, përdorimi i forcës do të jetë gjithmonë zgjidhja e fundit. Leksioni i dytë është se

na është kujtuar edhe njëherë fakti, se është më e lehtë ta fillosh sesa të përfundosh një luftë.

Në asnjë moment nuk ishte i lehtë largimi nga Afganistani. Ne jemi përballur gjithnjë me dilema të vështira, siç ndodhi këtë verë kur aleatët vendosën t?i japin fund pranisë sonë ushtarake në Afganistan. Por ndërkohë kemi shënuar arritje të rëndësishme në luftën kundër terrorizmit, duke mbështetur arsimin dhe progresin social dhe atë ekonomik.

Një leksion tjetër është se parandalimi është më i mirë sesa ndërhyrja. Sa më shumë që mund të bëjmë duke trajnuar forcat lokale, ndërtuar kapacitete lokale, mbështetur shtetet dhe udhëhequr ata të luftojnë vetë terrorizmin në vendin e tyre, aq më mirë do të jetë. Pasi vendosja e trupave dhe fillimi i operacioneve luftarake nuk është kurrë një opsion i lehtë, edhe pse ndonjëherë është i nevojshëm.

Sa të shqetësuar jeni për krizën humanitare dhe refugjatët në Afganistan? A do të bëhet sërish Afganistani një strehë e sigurt për grupet terroriste?

Ne do të vazhdojmë përpjekjet tona për të parandaluar që Afganistani të bëhet edhe një herë një terren përgatitor për grupet terroriste. Talebanët kanë premtuar se kjo nuk do të ndodhë. Dhe ne do të përdorim fuqinë që kemi – ekonomike, politike, diplomatike – mbi talebanët, për t?i detyruar ata që ta mbajnë këtë premtim.

Njëkohësisht, NATO ruan aftësitë për t?i goditur grupet terroriste nga distanca mbi horizont. Aleatët e NATO-s, dhe veçanërisht Shtetet e Bashkuara, e kanë treguar më parë se mund të godasin grupet terroriste pa pasur mijëra trupa në terren.

Le të kalojmë tani tek Rusia, e cila organizoi kohët e fundit stërvitjen më të madhe ushtarake në 4 dekadat e fundit, Zapad 2021, pranë kufijve të NATO-s. A përbën kjo stërvitje një kërcënim për NATO-n?

Ne nuk shohim ndonjë kërcënim të menjëhershëm ndaj aleatëve të NATO-s. Por në të njëjtën kohë, ne jemi duke i monitoruar nga afër këto stërvitje të mëdha ushtarake ruse, dhe vazhdojmë që t?i bëjmë thirrje Rusisë që të jetë transparente, dhe t?i përmbahet rregullave të miratuara mbi transparencën dhe njoftimin mbi këto stërvitje ushtarake.

Këto stërvitje janë një model për dislokimet ushtarake ruse, por edhe një gatishmëri nga ana e Moskës për të përdorur forcën ushtarake, siç e pamë në Gjeorgji në vitin 2008 dhe në Ukrainë në vitin 2014, kur u aneksua në mënyrë të paligjshme Krimea, si dhe tek përpjekjet e vazhdueshme të Rusisë për të destabilizuar Ukrainën Lindore.

NATO i është kundërpërgjigjur këtyre sjelljeve, duke zbatuar parimin e mbrojtjes kolektive që nga Lufta e Ftohtë. Ne e kemi trefishuar madhësinë e Forcës së Reagimit të NATO-s. Për herë të parë në historinë tonë, ne kemi grupe beteje që gatshme për t?i përdorur për operacionet parandaluese, dhe të gjithë aleatët tani po investojnë më shumë për mbrojtjen.

Përkthyer dhe përshtatur nga CNA.al





Lajmet e fundit nga