web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Fundi i pritshëm mjeran i diktatorëve/ Stalini, Hitleri, Mao dhe të tjerët

20 Dhjetor 2019, 07:13, Kosova & Bota CNA

Udhëheqësit autoritarë që marrin në dorë pushtetin, vdesin rrallë të shtrirë në paqe në shtretërit e tyre, të rrethuar nga familja dhe miqtë. Edhe Stalini dhe Mao, që patën një vdekje nga shkaqe natyrore, ishin afër fundit të jetës njerëz të vetmuar dhe plot paranoja.

Historia tregon se diktatorët që e marrin pushtetin përmes dhunës, detyrohen që ta ruajnë pushtetin duke ushtruar edhe më shumë dhunë. Dhe kjo nga ana tjetër, krijon akoma më shumë armiq, të cilët duhet të eliminohen. Nëse një diktator mundet ta marrë pushtetin, edhe të tjerët mund të bëjnë të njëjtën gjë, dhe kjo rrit perspektivën e një goditjeje pas shpine.

Ka gjithmonë rivalë, shpeshherë po aq të pamëshirshëm, që presin t?u zënë vendin. Në shumë raste, paranoja merret si e mirëqenë, pasi diktatorët shohin kudo armiq realë dhe imagjinarë. Si Sekretar i Përgjithshëm i Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, Josif Stalini, urdhëroi arrestimin nga policia sekrete të mbi 1.5 milionë njerëzve.

Ata u morën në pyetje, torturuan, dhe në shumë raste u ekzekutuan gjatë viteve 1934-1939. Ai vijoi të shihte komplote kudo, teksa miliona të tjerë u pushkatuan ,ose u dërguan në kampet e punës edhe në 2 dekadat e ardhshme. Por kultura e frikës përreth Stalinit, ndikoi edhe në mënyrën e vdekjes së tij.

Më 1 mars 1953, ai u gjet i shtrirë në dysheme, i lagur me urinën e tij. Një enë gjaku i kishte plasur në tru, por askush nuk kishte guxuar ta shqetësonte në dhomën e tij të gjumit. Edhe ndihma mjekësore u vonua, pasi njerëzit pranë tij kishin frikë se mos alarmonin kot mjekët. Stalini vdiq më 5 mars 1953.

Një paranojë e ngjashme e kaploi edhe udhëheqësin komunist kinez Mao Ce Dun. Gjatë dekadës së fundit të jetës së tij, ai u bë kaq paranojak, sa që ndërmorri enkas të ashtuquajturin Revolucion Kulturor, duke i hedhur njerëz kundër njëri-tjetrit. Ajo fushatë makabre, shkatërroi jetën e dhjetëra miliona njerëzve.

Kur bashkëpunëtori i tij i ngushtë Çu Enlai u diagnostikua i sëmurë me kancer, Mao refuzoi të lejojë kurimin e tij, ndaj Çu vdiq në janarin e vitit 1976. Vdekja e vetë Maos, ndodhi 8 muaj më vonë, më 9 shtator 1976. Stalini dhe Mao, vdiqën nga shkaqe natyrore, por jo të gjithë diktatorët patën një fat të tillë.

Pas pushtimit aleat të Siçilisë në vitin 1943, Këshilli i Madh Fashist, u kthye kundër diktatorit Benito Musolini. Në korrik, Mbreti Viktor Emanueli III, urdhëroi arrestimin e Duçes. Asnjë anëtar i partisë fashiste nuk u rebelua ndaj këtij akti, pavarësisht se ishin betuar dikur ta mbronin deri në vdekje udhëheqësin e tyre.

Musolini u burgos në Ishullin e Ponzës pranë brigjeve të Italisë kontinentale. Por trajtimi poshtërues i një aleati të ngushtë, ishte një sinjal alarmi se çfarë mund të ndodhë kur rrëzohet nga pushteti një diktator. Ndaj lideri nazist Adolf Hitleri, organizoi një operacion të guximshëm, duke e liruar Duçen, dhe i dhënë atij mundësi të formojë një administratë të re fashiste në veri të Italisë.

Fundi i Musolinit erdhi 2 vjet më vonë, kur ai dhe disa nga ithtarët e tij, u kapën nga partizanë antifashistë pranë Liqenit të Komos. Më 28 prill 1945, ai u pushkatua, dhe trupi i tij u var kokëposhtë në sheshin kryesor të Milanos. Edhe aleati i Musolinit, pati një fund tragjik, por jo si pasojë e armiqve të tij.

Gjatë muajve të fundit të luftës, Hitleri u tërhoq në bunkerin e tij të nëndheshëm në Berlin, i ndërtuar nën godinën e re të kancelarisë. I vendosur të shkaktonte rrënimin e një Gjermanie, që ai mendonte se nuk e meritonte udhëheqjen e tij, ndaj urdhëroi që lufta të vazhdonte deri në fund.

Më 20 prill 1945, në ditëlindjen e tij të 56-të, predha e parë e armikut goditi Berlinin. Disa ditë më vonë, përreth bunkerit nuk mbeti asgjë tjetër veç rrënojave. I tmerruar nga përdhosja e trupit të pajetë të Musolinit, Hitleri urdhëroi që trupi i tij i pajetë të digjej. Më 30 prill, ai kreu vetëvrasje, bashkë me gruan e tij Eva Braun.

Në vitin 1961, vetëm 100 metra larg ish-bunkerit të Hitlerit, u ndërtua një barrierë betoni. Muri i Berlinit, u pa nga Gjermania Lindore si një zgjidhje për të frenuar largimin masiv të qytetarëve të saj drejt Perëndimit. Kur muri u rrëzua në nëntorin e vitit 1989, u shembën edhe shumë përmendore diktatorësh.

Deri atëhere mendohej se diktatorët, ishin të pamposhtur. Ata kishin robëruar shpirtrat e qytetarëve, dhe formësuar mendimet e tyre. Thuhej se ata sikur i kishin magjepsur popujt  që sundonin. Por në fakt, nuk pati kurrë ndonjë magji. Ajo ishte thjesht frikë, dhe kur kjo e fundit u zhduk, u shemb e gjithë ngrehina e regjimit.

Rasti i liderit komunist rumun Nikolae Çaushesku, është emblematik. Më 21 dhjetor 1989, ai u shfaq në ballkonin e selisë së Partisë Komuniste në qendër të Bukureshtit, për të folur në një tubim masiv të organizuar në mbështetje të regjimit. Vetëm 4 ditë më parë, ai kishte urdhëruar forcat e tij të sigurisë të qëllonin mbi demonstruesit antiqeveritarë në qytetin e Timishoarës.

Ai nisi të fliste, kur pas disa minutash, njerëzit në pjesën fundore të turmës, filluan ta fishkëllejnë dhe tallin. Udhëheqësi ngriti dorën, duke kërkuar qetësi, por kontestimi vazhdoi. Shumë shpejt tubimi degradoi në trazira, çka e detyruar udhëheqësin dhe gruan e tij Elenën, të largoheshin nga aty me helikopter.

Ata u gjykuan shkurtimisht disa ditë më vonë, dhe në fund u pushkatuan. Rënia e Bashkimit Sovjetik në vitin 1991, sinjalizoi një valë revolucionesh kundër diktatorëve në mbarë botën.

Një valë e re erdhi me Pranverën Arabe, teksa disa regjime u rrëzuan ose u diskretituan rëndë në vitin 2011.

Diktatorin libian Muamar Gadafi, një nga diktatorët më të brutalë, pati pas më shumë se 40 vjetësh në pushtet, një vdekje të dhunshme në tetorin e 2011-ës. Ai u kap nga forcat rebele në përpjekje për t?u arratisur. U rrah, u poshtërua, dhe në fund u ekzekutua.

Në disa raste, tiranët ia kanë dalë të vendosin në pushtet pasardhësit e tyre, duke trashëguar indirekt mbretërimin e tyre. Fransua Duvalje, ishte president i Haitit për 14 vjet. Ai u pasua nga i biri Zhan Klod Duvalje, që u rrëzua nga pushteti në vitin 1986. Por padyshim, Koreja e Veriut është shembulli më i suksesshëm i një dinastie familjare.

Lideri aktual Kim Jong-un, pasoi në detyrë gjyshin dhe më pas babain e tij. Në gjithë vendin, monumentet e njohura si ?kullat e përjetshme të jetës?, i kujtojnë popullit se Kim Il-sung dhe Kim Jong-Il janë ?përjetësisht me ne?. Është një lloj ngushëllimi i vogël, por nëse rekordi historik na thotë ndonjë gjë, edhe fundi i tij do të jetë gjithashtu mjeran dhe tragjik./ Historyextra.com-Përshtatur nga CNA.al





Lajmet e fundit nga