web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Skemat financuese: Si të përfitoni para nga shteti

10 Tetor 2015, 11:42, Aktualitet CNA

Janë rreth gjashtë skema financimi që po synojnë të mbështesin sipërmarrjen e vogël dhe të mesme në Shqipëri. Për një pjesë të tyre, buxhetet janë shpërndarë plotësisht, ndërsa ka edhe projekte që kërkojnë rishikim, pasi nuk kanë arritur që të zbatohen, siç është ai i grave në sipërmarrje. Në kushtet e vështirësive ekonomike të luftës për të mbijetuar, biznesi duhet të ndërgjegjësohet dhe të shfrytëzojë ato mundësi që i ofrohen për të përfituar nga grantet apo kreditë me terma të butë që qeveria vë në dispozicion përmes programeve që drejtohen nga Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve.

Ka kaluar rreth një vit që nga hyrja në fuqi e strategjisë së biznesit dhe investimeve 2014-2020. Nëpërmjet saj synohet krijimi i një klime biznesi, që lejon sipërmarrësit të zhvillohen dhe rriten nëpërmjet përmirësimit të financimit, nxitjes së konkurrueshmërisë së SME-ve dhe inovacionit. Ndërsa pritet që masat për uljen e informalitetit dhe sigurimin e konkurrencës së ndershme në treg do të japin një efekt të rëndësishëm në rritjen e numrit të bizneseve të reja. Nëpërmjet draft-strategjisë së biznesit dhe investimeve synohet që deri në vitin 2020, të arrihet një rritje e ndërmarrjeve aktive në treg me 10.6%; rritje e numrit të të punësuarve me 34%; rritje të eksporteve me 67,7% dhe rritje të IHD-ve me 46%.

 

Biznesi të përfitojë nga skemat e financimit

Flet Daniel Guçe, drejtor i Departamentit të SME-ve dhe Zhvillimit të Eksportit, AIDA

Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme janë një nga shtyllat kryesore të ekonomisë shqiptare, çfarë projektesh zbaton aktualisht AIDA dhe si ka qenë kërkesa e biznesit për përfshirjen në to?

Agjencia e Zhvillimit të Investimeve po zbaton aktualisht gjashtë skema financimi për mbështetjen e Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme.

Një nga fondet më të reja është ai ?Start up? për ndërmarrjet që janë nga 1-2 vjet si biznese aktive. Për përfitimet nga ky fond, biznesi sjell pranë AIDA-s një plan biznesi dhe ndihmohen në shumën 300 mijë lekë. Produktet që mund të përfitojnë nga skema financiare, janë: materiale promovuese, konsulencë, apo edhe nevoja të tjera, qofshin këto edhe logjistike. Aktualisht pranë Agjencisë numërohen 6 aplikime, ndërsa janë 5 subjekte të disbursuara. Kohëzgjatja e këtij programi është katër vite. Biznesi brenda tre muajve duhet të kenë përfunduar të gjitha procedurat sipas planit që ka paraqitur dhe menjëherë më pas nis disbursimi i grantit. Granti është i ndarë në dy këste që në total kapin shifrën 300 mijë lekë. Në fillim disbursohet 50% e shumës që ne mbulojmë dhe pjesa tjetër kur paraqiten faturat, që tregojnë veprimtarinë e kryer. Në një projekt rreth 70% e kostove mbulohen nga AIDA dhe pjesa tjetër nga vetë subjekti që ka aplikuar. Për të gjitha projektet bëhet një shpërndarje gjeografike dhe sipas sektorëve.

Ne, prej dy vjetësh, realizojmë takime edhe me partnerë të tjerë ndërkombëtarë si GIZ, PNUD apo dhomat e tregtisë për të promovuar këto skema financiare te biznesi. Pikërisht këto kanë ndikuar në ngritjen e disa programeve, pasi ne gjenim se një pjesë e bizneseve ishin pa NIPT (kryesisht ato të artizanatit) dhe kërkonin mbështetje për të ngritur kapacitete e tyre (marrja e kasave etj).

Një tjetër Fond i ri është ai i Grave Sipërmarrëse, që ka qenë aktiv, por që deri tani nuk ka pasur aplikime. Është një fond që ka në fokus gra, të cilat janë ose administratore ose pronare të një biznesi dhe që bazohet në financime me bazë kredie. Skema parashikon kredi nëpërmjet institucioneve mikro jobankare. Çdo e interesuar mund të marrë një kredi, por jo më shumë se 1 milion lekë dhe 50% të normës së interesit e mbulon agjencia dhe 50% e mbulon klienti. Kjo kredi duhet të shlyhet brenda periudhës 4-vjeçare, kohë në të cilën shtrihet edhe programi.

 

Çfarë është menduar për ta bërë këtë program që të funksionojë, duke qenë se nuk ka pasur aplikime?

Ne kemi menduar që ta rishikojmë Fondin e Grave Sipërmarrëse, duke parë mundësinë për ta lidhur edhe me institucionet bankare në mënyrë që të bëjmë të mundur uljen normës së interesit, duke qenë se është konsideruar disi e lartë. Është vendosur një normë interesi limit që është 16%, ku 8% paguhen nga AIDA dhe 8% nga vetë sipërmarrja. Avantazhi në rastin e financimit nga institucionet e mikrokredisë është se nuk është e nevojshme që të vendoset kolateral, ndryshe nga bankat. Ne kemi parë të udhës rishikimin e kësaj skeme për të parë sesi mund të bëhet funksionale dhe jemi duke parë mundësitë.

 

Një tjetër fond??

Po, është ai i Konkurrueshmërisë që zbatohet prej tre vjetësh dhe është më i madhi. Për çdo projekt që pranohet, fondi në dispozicion është 1.4 milionë lekë dhe agjencia mbulon deri në 70%. Ashtu si në rastin e fondit ?Start-up?, 50% e fondit disbursohet në fillim dhe pjesa tjetër në fund. Mbulon një sërë aspektesh, duke filluar nga certifikimi ISO, konsulencën, materialet promovuese, pjesëmarrjen në panaire ndërkombëtare, trajnime të stafit dhe shërbime të tjera. Bizneset duhet të jenë për të paktën 2 vjet aktive dhe duhet të kenë bilanc pozitiv. Për periudhën 2014?2015 është disbursuar në masën 100%. Ka pasur 21 kompani që kanë aplikuar dhe kanë përfituar nga ky fond në vitin e kaluar, po këto janë edhe shifrat për 2015-n. Bizneset që kanë përfituar nga ky fond i përkasin kryesisht sektorëve, si: fason, industria e agropërpunimit, riciklimi i plastikës, bimëve medicinale, përpunuesit e peshkut, etj.

 

A duhet të bëhet më ?agresive? fushata e ndërgjegjësimit te bizneset për t?i bërë më të prekshme këto fonde?

Ne kemi shfrytëzuar çdo aktivitet të organizuar nga dhomat e tregtisë, shoqatat e ndryshme, donatorët, partnerët ndërkombëtarë për të promovuar te biznesi këto fonde. Shpeshherë dalim në terren për të bërë promovime. Po kështu, gjatë vitit realizojmë anketime me biznesin, ku prezantojmë edhe skemat tona financiare. Jemi përpjekur që të jemi pjesë e të gjitha panaireve kombëtare ku bëjmë edhe informimin. Më duhet të kujtoj që dy vjet më parë, pranë AIDA-s zbatohej vetëm një Fond, ai i Konkurrueshmërisë. Në lidhje me kompanitë jemi bërë më shumë fleksibël dhe rregulloret janë hartuar për të qenë në funksion të biznesit dhe nuk kanë qenë shumë të ngurta. Në rastin e Fondit të Konkurrueshmërisë, në fillim ai ka qenë 1 milion lekë dhe disbursimi bëhej në masën 50%, ndërsa sot ka arritur në 1.4 milionë lekë dhe masa e mbulimit 70%.

 

Po për sa i përket Fondit të Inovacionit dhe atij të Artizanatit?

Ky fond u ka shërbyer bizneseve që të identifikojnë përmes audituesve/ekspertëve nevojat teknologjike. Për vitin 2014 ishin rreth 28 kompani përfituese. Fondi në dispozicion për çdo sipërmarrje është 500 mijë lekë në formë granti. Këto shuma mund të përdoren edhe për pjesëmarrje në panaire. Një kompani e cila në momentin kur identifikon nevojën e saj, ajo mund të gjejë te një panair.

Ndërsa Fondi i Artizanatit ose i Ekonomisë Kreative nisi të jetë aktiv vitin e kaluar. Çdo projekt financohet në masën 500 mijë lekë dhe mbulohet në masën nga 60-80% dhe mund të përdoret për certifikim produktesh, për pjesëmarrje në panaire kombëtare, materiale promovuese, konsulencë etj. Vitin e kaluar kanë fituar 13 sipërmarrje, ndërsa deri tani janë 9 kompani që kanë përfituar nga kjo skemë.

 

Vetëm pak kohë më parë, qeveria miratoi skemën ?Voucher? për t?i ardhur në ndihmë biznesit, çfarë është ajo?

Në total do të akordohen rreth 9 milionë lekë, për një periudhë trevjeçare, duke nisur që nga ky vit. Deri tani nuk kemi pasur aplikime. AIDA parashikon që për këtë program të ndërmarrë fushata ndërgjegjësuese, duke qenë se është në fazën e pilotimit për të parë sesi do të funksionojë në Shqipëri.

Ne na është ofruar për zbatim modeli i BE-së.

Biznesi identifikon një nevojë dhe për të pasur konsulencën e duhur mund të aplikojë për këto fonde. Qeveria ka menduar që gjatë këtij viti të parë të vihet në dispozicion një fond i ulët rreth 1 milion lekë për të parë sesi do të zbatohet. Ne synojmë që të fusim te biznesi kulturën e konkurrueshmërisë, për ta bërë atë të gatshëm për eksport.

 

Eksporti, analiza sektoriale për të zbuluar mundësi të reja

Nga ana tjetër, AIDA synon që të promovojë produktet ?made in Albania?, jo vetëm në tregun e brendshëm, por edhe në panairet ndërkombëtare. Gjatë dy viteve të fundit është bërë e mundur që të çohen në panaire ndërkombëtare, si ai i Kinës, Izraelit, Japonisë, Gjermanisë etj. rreth 50 kompani. Vëmendja është përqendruar te tregje si ai gjerman apo amerikan.

Në panairin e Kinës, kompanitë shqiptare kanë arritur të realizojnë kontrata eksporti. Pavarësisht kapaciteteve jo të duhura që kemi, do të synohet që biznesi të mund të futet në këto tregje. Kryesisht bëhet fjalë për produkte, si ?vaji i ullirit, mjalti, bimët mjekësore, çaje të ndryshme dhe erëzat që janë edhe më të favorizuara. Kriteret më të forta, pa dyshim i ka BE-ja ndaj dhe AIDA tenton t?i kushtojmë më shumë vëmendje prezencës në panairet aziatike. Turqia është një tjetër treg i synuar, veçanërisht për bimët mjekësore. Nuk duhet të harrojmë këtu që Shqipëria është ndër vendet e para në rajon që eksporton PET-in (shishet plastike që vijnë nga riciklimi). Për të bërë të mundur që Shqipëria të jetë eksportuese, por edhe konkurruese, Agjencia ka nisur të bëjë disa analiza sektoriale, si ajo për agroturizmin. Synohet të krijohet një ide me e qartë se ku janë të vendosura fermat turistike, cilat janë kapacitetet dhe për të pasur një hartë të qartë.

Një tjetër analizë po bëhet për sektorin e lëkurë-këpucës, për të cilin dikur Shqipëria i plotësonte vetë nevojat e tregut të brendshëm me lëndë të parë. Sot, kjo gjë bëhet e mundur vetëm në masën 10%. Ne po shikojmë të gjitha mundësitë që cikli të mbyllet brenda vendit dhe të mund të dilet për eksport. Parashikohet që brenda dhjetorit të këtij viti të përfundojnë analizat për këta dy sektorë e më pas do të vazhdohet me të tjerë. Me partneritete të tjera do të bashkëpunohet për zbatimin e tyre në terren dhe ngritjen e skemave financiare që mund të lehtësojnë funksionimin e tyre.

Një tjetër sektor, siç është ai i fasonit asistohet nga AIDA me një zyrë me një ndalesë. Sipas drejtorit të Departamentit të SME-ve dhe Zhvillimit të Eksportit, ky sektor informohet për kontrata të ndryshme që mund të vijnë nga Bashkimi Europian, pra nuk realizohet vetëm financimi përmes granteve, por edhe gjetja e partnerëve ndërkombëtarë. ?Ka raste kur kompanitë mbeten në sezone boshe dhe nuk kanë punë dhe ne ua ofrojmë këtë mundësi. Çdo muaj realizojmë rreth 50 telefonata me biznesin fason, të cilat i pyesim për ecurinë apo për problematikat e nevojat. Më pas, analizojmë gjendjen dhe e relatojmë te Ministria e Zhvillimit të Ekonomisë, Tregtisë, Turizmit dhe Sipërmarrjes?, thotë z. Guçe. Sipas tij, problemet kryesore dhe më të shpeshta kanë të bëjnë me rënien e kontratave. ?Ka ndryshuar sezonaliteti. Dikur fasoni ka qenë me tri sezone, ndërsa tani ky numër është reduktuar në dy e në këto kushte, biznesi fason duhet të ndryshojë ciklin. Ka pasur edhe probleme energjetike. Italia, si vendi i parë për nga prezenca e këtyre kompanive, ka shënuar rënie të kontratave, por nuk ka tentativa për t?u larguar nga vendi ynë. Këtë vit janë shtuar kompanitë turke që kanë shprehur interes dhe një pjesë janë vendosur në vendin tonë.

Fasonët me më shumë probleme janë ato të vendosura kryesisht në Korçë dhe Gjirokastër. Ne, si agjenci kemi mundur të shpëtojmë disa kompani që kanë pasur kontrata me Greqinë dhe i kemi vendosur me partnerë të tjerë, si italianë apo turq. Në qytetin e Gjirokastrës, këto ditë është hapur një fason i ri ku janë punësuar rreth 70 veta dhe punojnë për tregje si Gjermania. Megjithatë duhet thënë se incentivat që ka ndërmarrë qeveria kanë bërë të mundur që ky sektor të ruajë qëndrueshmërinë?, tha z. Guçe. Sipas tij, kërkesat më të larta janë në sektorin e lëkurë ? këpucëve, ku sot numërohen rreth 500 kompani që operojnë në vend.

 

Intervistoi: E.Bedalli

 

Fondet nën menaxhimin e AIDA-s

Fondi i Konkurrueshmërisë 

Është një nga fondet që operon për të katërtin vit radhazi pranë Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve (AIDA). Qëllimi i fondit është të ndihmojë kompanitë shqiptare të depërtojnë me produktet e tyre në tregje të huaja, duke siguruar mbështetjen e nevojshme financiare për aktivitete që do të ndihmojnë në zbatimin e planit të tyre për eksport. Shuma maksimale që mund të përfitojë një subjekt është 1.4 mln lekë.

Fondi i Ekonomisë Kreative

Ka për qëllim zhvillimin e sektorit të artizanatit dhe zejtarisë në Shqipëri, duke krijuar një mjedis të favorshëm për aktivitete më të qëndrueshme ekonomike dhe krijimin e vendeve të reja të punës. Shuma maksimale që mund të përfitojë një subjekt është 500,000 lekë.

Fondi në Mbështetje të Grave Sipërmarrëse

Është një nga fondet e reja që AIDA menaxhon këtë vit. Qëllimi i tij do të jetë rritja ekonomike e sipërmarrjeve femërore, duke nxitur investimet e reja nëpërmjet rritjes së financimeve nga institucionet financiare jobankare dhe shoqëritë e kursim-kreditit. Shuma maksimale që mund të përfitojë një subjekt është 100,000 lekë.

 

Fondin në Mbështetje të Sipërmarrjeve të Reja ?Start-Up?

Është fondi tjetër i ri, i cili ka për qëllim mbështetjen e bizneseve të sapokrijuara ?Start- Up? në Shqipëri, nëpërmjet subvencionimit financiar të drejtpërdrejtë, duke përmirësuar klimën dhe kushtet operuese të tyre, me synim krijimin e bazave për një zhvillim ekonomik të qëndrueshëm, si dhe krijimin e vendeve të reja të punës. Shuma maksimale që mund të përfitojë një subjekt është 300,000 lekë.

 

Fondi i Inovacionit

Për të gjitha ndërmarrjet SME, që janë të interesuara që të avancojnë linjën e tyre teknologjike. Shuma maksimale që mund të përfitojë një subjekt është 400,000 lekë.

MONITOR





Lajmet e fundit nga