web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Ja si ndahet i tregi i kompanive celulare dhe fikse

8 Nëntor 2014, 23:00, Ekonomi CNA

Shqiptarët komunikojnë me njëri-tjetrin duke mbajtur shumë telefona celularë në xhep për të gjetur operatorin e njëjtë me bashkëfolësin.

Publikimi i Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) për 6-mujorin e parë, tregon se 87% e thirrjeve në rrjetet celulare kryhet brenda rrjetit, duke përfshirë edhe 6% të thirrjeve drejt rrjeteve ndërkombëtare ose telefonata me jashtë. Nëse e heqim këtë pjesë të thirrjeve ndërkombëtare rezulton se rreth 93-94% e thirrjeve brenda vendit kryhen brenda rrjetit dhe vetëm 6-7% e thirrjeve janë jashtë rrjetit, 6% drejt celularëve të tjerë dhe vetëm 1% drejt rrjeteve fiks.

Kjo formë e zhvillimit të tregut ka ngritur barriera të forta për konkurrencën në treg, duke penalizuar hyrësit e rinj në treg dhe duke u dhënë përparësi kompanive të mëdha, sidomos Vodafone, që ka pozicion dominant në treg. Këto kufizime të konkurrencës janë deklaruar edhe nga Autoriteti i Konkurrencës, i cili, me një vendim (303) ka kërkuar uljen e ndjeshme të kostos së terminimit për operatorët e vegjël ndaj operatorëve të mëdhenj në këtë treg, me qëllim nxitjen e konkurrencës së lirë dhe efektive në tregun përkatës.

Autoriteti i Konkurrencës ka kërkuar nga AKEP që të detyrojë zvogëlimin real të diferencës së tarifave off-net/on-net brenda dhe jashtë paketave dhe planeve tarifore specifike për operatorët që kanë pozitë dominuese.

Kjo mënyrë e funksionimit të tregut ka sjellë si pasojë që shumica dërmuese e abonentëve marrin shërbimin e telefonisë me parapagim, pasi e kanë më të lehtë aksesin (numrat thuajse kushtojnë 0 lekë) dhe ndërrimin e operatorëve ndryshe nga marrëdhëniet kontraktuale që kërkojnë disa dokumentacione dhe garanci financiare.

Raportin më të theksuar në favor të parapagimit e ka Vodafone, ku 94% e numrave aktivë janë me parapagim dhe vetëm 7% me kontratë, ndërsa më të balancuar e ka Plus, me 22% të abonentëve me kontratë dhe 78% me parapagim.

Ngopet tregu, ulet numri i abonentëve

Tregu i telefonisë celulare duket se ka arritur ngopjen sa i përket numrit të abonentëve që kanë arritur rreth 5 milionë abonentë. Në një popullsi totale prej rreth 2.8 milionë banorë, duke përjashtuar minorenët dhe moshat e mëdha, rezulton se shqiptarët kanë më shumë se 3 numra për person. Të dhënat e AKEP-it tregojnë se në 6-mujorin e parë të 2014-s, sektori i komunikimeve elektronike ka pasur rënie të numrit të pajtimtarëve të telefonisë celulare si në përdorues aktivë edhe në përdorues të kartave SIM aktive, përkatësisht rreth 5.8% dhe 7.2% në krahasim me fundvitin 2013. E njëjta dukuri vërehet edhe te pajtimtarët e telefonisë fikse, ku reduktimi është rreth 9.2%.

Në fund të qershorit të 2014-s, numri i pajtimtarëve të telefonisë celulare të matur sipas kartave SIM aktive shkoi rreth 4.9 milionë nga 5.3 milionë që ishte në fund të 2013-s dhe numri i pajtimtarëve të matur sipas përdoruesve celularë aktivë (pajtimtarë që kanë përdorur shërbime celulare në 3 muajt e fundit) u reduktua nga 3.7 milionë në 3.5 milionë. Penetrimi i telefonisë fikse dhe celulare ka qenë përkatësisht rreth 9.2% dhe 123%.

Numri i përdoruesve të telefonisë celulare që prej 2010-s e në vazhdim është matur nga AKEP në dy mënyra, sipas përdoruesve aktivë dhe përdoruesve SIM karta aktive, pra është ndjekur e njëjta metodologji si në publikimin e fundit në qershor 2014. Numri i përdoruesve aktivë të telefonisë celulare në fund të 6-mujorit të parë 2014 ka pësuar rënie prej rreth 5.8% krahasuar me fundvitin 2013.

Nga ecuria e përdoruesve aktivë rezulton se për të njëjtën bazë krahasimi, numri i përdoruesve, sipas kartave SIM celulare, është reduktuar me 7.2%. Një tregues tjetër që merr në konsideratë AKEP është dhe raporti i përqindjes së përdoruesve me kontratë dhe me parapagim. Ajo që vërehet është fokusimi i politikave të kompanive drejt përdoruesve me parapagim, dukuri kjo e evidentuar edhe më parë.

Si ndahet tregu?

Sa u përket përdoruesve, AKEP informon se AMC dhe Vodafone kanë rreth 2 milionë abonentë secili, ndërkohë që Eagle Mobile që është bashkuar me ALBtelecom. Tabela paraqet shpërndarjen në përqindje për secilin operator dhe në total të këtij raporti për 6-mujorin e parë të 2014-S.

Krahasuar me fundvitin 2013, ndryshime të konsiderueshme në strukturën e përdoruesve vërehen tek operatori Plus, ku përdoruesit aktivë kanë ndryshuar nga 44% me kontratë dhe 56% me parapagim në 28% me kontratë dhe 72% me parapagim. Operatorët e tjerë kanë pasur ndryshime të vogla të këtij raporti.

Për sa u përket pjesëve të tregut të matura mbi bazë përdoruesish aktivë vërehet se në 6-mujorin e parë të 2014-s operatorët që kanë ndryshime nga periudha paraardhëse janë AMC dhe Vodafone.

AMC ka reduktim me rreth 2 pikë përqindje dhe Vodafone ka rritje rreth 2 pikë përqindje krahasuar me fundin e 2013-s. E kundërta ndodh me pjesët e tregut të matura sipas përdoruesve të kartave SIM aktive për AMC dhe Vodafone, këtu AMC ka rritje dhe Vodafone ka reduktim në krahasim me fundvitin 2013.

Dy operatorët e tjerë, ALBtelecom (EM) dhe Plus, nuk kanë pësuar ndryshim në pjesë tregu për përdorues në krahasim me 2013-n. Ndryshime dinamike ka në pjesët e tregut të matura sipas përdoruesve me kontratë. Edhe te pjesët e tregut të matura sipas thirrjeve dalëse ka ndryshime, por më të moderuara se te pjesët e tregut për përdorues me kontratë.

Rritet përdorimi mesatar

Tregues tjetër që plotëson kornizën e tregut celular është edhe përdorimi mesatar i shërbimit celular. Përdorimi mesatar mujor për përdorues është matur sipas thirrjeve dalëse dhe thirrjeve hyrëse, të matura në minuta për një përdorues. Trafiku i marrë për bazë është ai gjeneruar dhe hyrës pjesëtuar me numrin mesatar të përdoruesve gjatë periudhës përkatëse. Në trafik të gjeneruar kemi trafikun e origjinuar nga vetë përdoruesi dhe në trafikun hyrës është paraqitur trafiku që ka hyrë nga rrjetet e tjera plus atë që ka hyrë nga rrjeti i vet. Mesatarja e komunikimit mujor për një përdorues (sipas numrit të përdoruesve aktivë) për gjysmën e parë të vitit ka qenë rreth 339 minuta dhe 39 SMS të dërguara. Ky tregues, për këtë 6-mujor, ka pasur rritje.

Fiksi, bie numri i abonentëve

Telefonia fikse në 6-mujorin e parë të 2014-s ka pasur rënie të numrit të pajtimtarëve me rreth 9.2% në krahasim me fundin e 2013-s.

Të dhënat e AKEP tregojnë rënien e numrit të abonentëve të ALBtelecom me 7%, duke zbritur në total për herë të parë në më pak se 200 mijë abonentë nga 210 mijë që kishte në fund të vitit 2013.

Abonentët janë ulur edhe për AMC fiks me 15% dhe operatorët e tjerë alternativë me 44%, duke çuar në total numrin e abonentëve të telefonisë fikse në 9% ose rreth 255 358 abonentë, një shifër 20 herë më e ulët se telefonia celulare.

Rritjen më të madhe në telefoninë fikse e ka Nisatel me 15%, duke shkuar në 8217 abonentë, ndërkohë që rritje të lehtë kanë edhe ASC dhe Abcom.





Lajmet e fundit nga