web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Shkrimi i Mero Bazes per Koco Kokedhimen

28 Korrik 2014, 14:49, Politikë CNA

PËRTEJ ARSYEVE GREKE PËR HIMARËN 

(Ose një lojë luftash mes Koços dhe Vangjelit)

Nga Mero Baze

Ka një debat të nxehtë mes Shqipërisë dhe Greqisë lidhur me zgjerimin e Bashkisë së Himarës drejt një komune të Labërisë. Debati është serioz dhe problemet që i vijnë Shqipërisë nga debate të tilla janë shpesh irracionale dhe të mbështetura tek emocionet. Tani situata ka shkuar shumë larg, dhe kur mendon pse ka ndodhur e gjithë kjo, nuk gjen shumë arsye racionale.

Përtej fiksimit grek të Himarës, unë nuk jam i bindur se banorët e Komunës së Vranishtit kanë ndonjë përfitim që të nisen nga Lumi i Vlorës, të bëjnë nja 50 km rrugë të vështirë për të shkuar në Himarë. Nuk gjej as ndonjë projekt- ide racionale të lidhjes së rrugëve mes Labërisë dhe bregdetit, që do ishte njëfarë justifikimi. Por mbi të gjitha nuk gjej ndonjë arsye jo greke ose jo antigreke për ta bërë gjithë këtë rrëmujë.

Sipas gjithë gjasave, zgjerimi i Himarës drejt Labërisë është një ide e Koço Kokëdhimës si deputet fuqiplotë i Bregdetit. E kam dëgjuar retorikën e tij patriotike për Bregun dhe s?kam gjetur ndonjë arsye bindëse. Orientimi i debatit tek fakti a është greke a është shqiptare Himara, është fyes dhe burim i gjithë këtij konflikti idiot që po i kushton shumicës. Himara është një trevë historike shqiptare, ku banojnë plot pro-grekë e plot anti-grekë të tërbuar. Rrallë në ndonjë vend të Shqipërisë gjen aq pranë në një shkallë pallati apo në dy porta përballë dy banorë ku njëri të hiqet si i lindur mes të Athinës e tjetri sikur është djalë i Skënderbeut. Ashtu është Himara dhe ashtu duhet marrë. Nuk është e grekëve, por as ka pse jetë e anti-grekëve. Është e atyre që kanë lindur aty dhe atyre që do shkojnë të jetojnë aty.

Futja e debatit të ndarjes territoriale tek debati se çfarë është Himara, është në thelb racist dhe anti-shqiptar. Dhe në këtë debat e ka futur retorika e panevojshme e prodhuar nga individë të shumicës, që mendojnë se problemet që hapin si deputetë dhe politikanë irracionalë, do t?i mbulojnë me patriotizëm banal.

E vërteta është që Himara është një komunitet racist edhe vetë. Ata nuk janë aq të hapur dhe miqësorë me pjesën tjetër të Labërisë dhe kanë një konservatorizëm si identitet të tyre. Provokimi i këtij identiteti në emër të greqizimit dhe anti-greqizimit i hedh benzinë zjarrit dhe deformon realitetin.

Nga ana tjetër, Vangjel Dule e ka gjetur Himarën si bark shpëtimi jo aq për himariotët, por për autoritetin e tij jo fort të lakmueshëm në Athinë. Dule është një politikan serioz si shqiptar dhe jo serioz për pakicën greke. Ai nuk arriti ta mbajë të bashkuar minoritetin dhe ka më pak vota se deputetët e pakicës greke, që konkurrojnë me parti shqiptare, plus që ka krijuar problemin me Mega-n. Pra, Dule, njësoj si Koço, kishte nevojë për krizën e Himarës. Ai donte patjetër të shfaqej në Athinë në krah të Venizelos, për t?u thënë grekëve të Shqipërisë që mua më keni të dërguarin e Zotit.

Por Himara dhe Vranishti nuk kanë as hallin e Dules dhe as të Koços. Ata kanë hallet e tyre. Vranishti është Labëri dhe Labëria në këtë ndarje territoriale është copëtuar në tre pjesë pa asnjë logjikë. Një pjesë ka ikur me Selenicën, një pjesë me Vlorën, një pjesë më Himarën. Dhe persekutimi i Labërisë në Vlorë dhe në PS e qarkut të Vlorës është më shumë se kaq. Nuk ka përfaqësues real të Labërisë në Kuvend nga PS, ka një raport të shformuar mes tyre dhe bregdetasve, dhe ka dhe një persekutim të tyre në postet publike. Labëria ka nevojë për respekt dhe paritet dhe jo për t?u përkëdhelur lebërve sedrën se ua kemi hequr pushtetin, por po u japim Himarën. Nuk besoj se kjo është një gjë racionale. Labëria është treva që prodhon histori dhe politikë tek çdo bari që kullot delet më shumë se meditimet e Koços në shëtitoren e Bllokut apo Sarandës. Ndaj është mirë të mos keqpërdoret duke e copëtuar dhe duke e përdorur vetëm për luftë dhe konflikte. Nuk është kjo që ka nevojë Labëria. Respektojoni ata në shtëpinë e tyre, dhe nuk keni pse ngjallni racizëm ndaj tyre duke i konsideruar zaptues të Himarës.

Kjo është një situatë e papërgjegjshme, që duhet të marrë fund me guxim. Përplasja artificiale e Himarës me Labërinë dhe poshtërimi i Labërisë duke e përdorur si mish për top, duhet të marrë fund me guxim. Edi Rama duhet t?i japë fund papërgjegjshmërisë për t?i lënë në dorë të një deputeti vizionin dhe të ardhmen e Bregut. Loja e luftës mes Koços dhe Vangjelit, është për interesa të tyre, jo të Labërisë dhe Himarës. Himara aty ka qenë ku është dhe socialistët e kanë fituar duke pasur Bollanon e Berishën përballë. Arsyet elektorale nuk ekzistojnë as për Koçon, as për Vangjelin. Për të dy ekzistojnë arsye të autoritetit personal dhe ata duan të faktorizohen përmes konfliktit Himarë- Labëri. Tani po duket më qartë se kurrë. Njëri ikën e shkon në Athinë të ankohet tek ?Papa mu?, tjetri bën si babai i kombit dhe rrihet me lebërit socialistë realisht nga Vlora në Sarandë.

Shumica duhet të dalë nga ky ngërç me guxim. Ka deputetë të shumicës nga Bregu që kanë më shumë frikë Koçon se poshtërimin e Labërisë dhe Himarës për interesa të tij dhe Vangjelit. Gjiknuri është i zënë me HEC-et, Petrit Vasili me 70- vjetorin e Çlirimit, Edi Rama falë Zotit me Zahon, por në fakt janë duke parë se si ndizet e djeg një zjarr për interes të askujt.

Berisha dhe PD janë më të qartë në këtë pikë dhe po e përdorin këtë konflikt klientelist kundër Shqipërisë, duke u dukur të moderuar dhe logjikë në raport me politikën irracionale të shumicës, që ka mbetur në dorë të Koços dhe Vangjelit.

I njëjti mistrecllëk është dhe deformimi i parimeve të ndarjes territoriale duke hequr dy fshatra nga Livadhjaja duke ia bashkuar Konsipolit, apo duke marrë lebërit e lagjes Baba Rexhepi në Sarandë e duke ia bashkuar Himarës vetëm pse ata nuk i do Koço.

Ky është një bilanc i papërgjegjshëm i diktimit të vullnetit të një njeriu mbi fatet e një reforme dhe fatet e shumicës. Edi Rama dhe Ilir Meta duhet të gjejnë guximin e duhur të përballen seriozisht me këtë problem. Nuk ka pse prodhohet krizë për arsyet e Koços dhe Vangjelit. Labëria duhet respektuar në shtëpi të vet ku po poshtërohet, dhe Himara në shtëpi të vet, ku realisht po turbullohet. Nuk ka as arsye elektorale, as politike dhe as kombëtare në këtë sherr. Është një konflikt i shpikur për t?u dukur patriot shqiptar Koço Kokëdhima dhe patriot grek Vangjel Dule. Ose siç thonë lebërit, ?njëri hyn, njëri del, njëri Koço, tjetri Vangjel?. Është një lojë luftash ku shumica duhet të refuzojë të bëhet pjesë me kosto të panevojshme. Jepuni lebërve atë që duan lebërit, dhe mos i trajtoni ata si plaçkë për luftë. Në fakt është luftë për plaçkë!





Lajmet e fundit nga