web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Kush e drejton Korçën? Shkrimi i plote

14 Korrik 2014, 10:31, Opinione CNA

Një pyetje që e gjen lehtë përgjigjen pas një shëtitjeje në qytetin e serenatave. Ta thonë kudo, ta shprehin nën zë. Askush nuk e shkruan, askush nuk flet hapur. Pasojat i detyrojnë njerëzit të kalojnë në heshtje një përgjigje që gjithkush e di dhe që së fundmi mori formën përfundimtare, që kërkohej t?i jepej prej vitesh.

Kjo për shkak të institucionit të fundit që nuk ishte dorëzuar. Këtu flasim për opozitën dhe më konkretisht për PD. Flasim për institucionin e kryetarit të PD në Korçë sepse shumë prej strukturave të saj dhe drejtuesve në Këshillin bashkiak apo gjetkë ishin dorëzuar me kohë, apo më thjesht janë shitur tek ?Drejtuesit?.

?Drejtuesit? janë Niko Peleshi dhe shokët e tij, PS dhe PD thjesht janë nën ?thundër?.

T?i kthehemi përgjigjes dhe fakteve konkrete. Korça drejtohet dhe komandohet nga Niko Peleshi dhe shokët e tij. Shumë e ngjashme me filmin ?Tomka dhe shokët e tij?.

Historia fillon me hyrjen e Peleshit në politikë në vitet 2000. Ai bashkohet së bashku me ortakët e tij në biznes dhe shokët e fëmijërisë në partinë e sapokrijuar nga Genc Pollo në Korçë, degën e PDR, parti e cila i shkaktoi humbjen PD dhe opozitës në vitin 2001. Në Korçë PDR u formua nga një biznesmen pijesh alkolike, një njeri përjetësisht qejfmbetur nga PD kur ajo është në opozitë.

Grupi i shokëve që shisnin kompjuterë të përdorur nga Gjermania, të cilat i sillte Peleshi, si dhe biznesi me një dyqan rrobash nga Turqia janë hapat e shokëve në biznes, shoqëri që fillon të strukturohet edhe në politikë.

Një biznesmen i njohur në Korçë i cili është edhe miku i Peleshit, e propozon dhe e zgjedh këtë të fundit, kryetar të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Korçë, megjithëse si biznesmen Peleshi ishte ende në variantin Kioskë.

Pak kohë më pas, Biznesmeni përplaset me Gjergji Duron, kryetarin e atëhershëm të bashkisë Korçë të cilin e kishte pasur drejtor dhe e kishte mbështetur në garën për bashkinë. Përplasjet çuan në braktisjen e Duros dhe mbështetjen e Niko Peleshit, si zgjidhje për të ardhmen. Këtë të fundit e propozon si kandidat për kryetar bashkie nga PD në vitin 2003, ndërkohë shokët e tij (Aldo, Raqi, etj.),vazhdonin me Pollon e PDR, shanin lart e poshtë Berishën dhe opozitën se nuk do vinte kurrë në pushtet dhe se koha e PD kishte marrë fund. Në fakt në PD, pati një debat për Peleshin edhe ne kryesinë e PD, në mbështetje të tij ishin drejtues lokale dhe figura kryesore ne PD. Këta e shikonin Niko Peleshin si njeri me të ardhme politike, por militantet, strukturat dhe vetë Berisha e refuzuan këtë kandidaturë duke vendosur pedagogun Robert Damo i cili rezultoi fitues pas braktisjes së Duros nga Biznesmeni, dhe bojkoti i socialisteve. Damo është quajtur edhe shkatërrimtari i PD, ai u soll si bajraktar dhe pati shumë akuza për korrupsion: ajo e blerjes nga një biznesmen i majtë për pastrimin e qytetit ishte skandali më i fortë që e çoi në largim nga PD.

Loja nuk mbaron me kaq, Peleshi dhe shokët e tij vazhdojnë çdo përpjekje për të ecur në politikë, lëvizja e fundit është që komandanti i grupit, vetë Peleshi të vihej në krye të PD: propozohet në disa seksione, por puna ngelet vetëm këtu. Menjëherë reagon Ben Blushi, i cili e ?rrëmben? Peleshin dhe e vendos prefekt të Korçës, i premton të ardhme politike si deputet apo kandidat për bashkinë e Korçës. Këtu grupi mendon ?shpërndarjen? në forca të ndryshme politike. Peleshi nuk mund të quhej i majtë ? megjithëse kishte pasur të atin partizan, nga familja ai trashëgonte prona e pasuri, nga nëna ishte nga familjet më të pasura në Mborje. Pra nuk kishin rëndësi forcat politike, rendësi kishte qëllimi i tyre, kapja e politikës për të marrë drejtimin e qytetit.

Me mbështetjen e Blushit, Niko Peleshi ngulitet në PS, Aldo Mano në PDR dhe më pas në PD, kështu loja dhe skema është më e sigurt. Grupi nuk ngelet kurrë pa pushtet dhe mund të marrë kontrollin e Korçës. Sotiraq Filo nga ana tjetër është një punëtor dhe vegël e vogël e Peleshit, ashtu sikundër Aldo Mano që duhet t?ia dedikojë komandantit të tij karrierën politike, pasi shkoi të bëhej prift dhe ishte Peleshi ai që e ndaloi, sot do kishim një tjetër skemë në qytet; ndoshta Manua do ishte një prift i mirë dhe i urtë, por Nikua këtë e dinte mirë që nuk i duhej, pasi nuk i funksiononte skema dhe e përdori e keqpërdori në politikë.

Në vitin 2005, fitorja e PD e gjen Manon kandidat për deputet nga PDR dhe Nikon prefekt të shkarkuar. Ky i fundit fillon garën për bashkinë e Korçës duke u bërë më parë mes sherresh e debatesh kryetar i PS në Korçë, duke punuar orë e çast me pazare, përplasje dhe qoka të njerëzve në pushtet.

Mano ishte njeriu që bënte autostradë punën për Peleshin duke emëruar në arsim miq dhe njerëz të tij, të afërm, të njohur apo jo – fjala e Nikos ishte ligj. Në zgjedhjet e vitit 2007, Aldo Mano shmanget nga fushata e PD, bën fushatë të çmendur për mikun e tij Peleshi duke deklaruar se ?e kam Nikon shok fëminie, nuk mund t?i dal kundër!?. Urdhër në çdo takim për drejtorët e shkollave dhe arsimtarët: Votoni PDR, votoni Nikon!

Peleshi arrin një fitore spektakolare dhe historike. Votat e Manos dhe shokëve te tij shkatërrojnë ëndrrën e PD për të rifituar Korçën. Një garë me plot pabesi e tradhti brenda PD, reflektohen inate dhe qejfmbetje; më shumë si politikanë, drejtuesit vendorë të PD sillen si batakçinj të pangopur. Grupi i shokëve kishte filluar të funksiononte, Biznesmeni dhe Peleshi morën Bashkinë e Korçës: Peleshi për herë të parë, Biznesmeni për herë të dytë – e kishte fituar në vitin 2000 me Gjergji Duron.

Tani duhej Aldo Mano në krye të PD. Dështon një tentativë për shkarkim të Manos si drejtor arsimi në Korçë, pasi akuzohej për mitëmarrje; Genc Pollo kthen urdhrin dhe grupin nga Ministria e Arsimit në Librazhd, Polli ishte tashmë shumë afër Berishës.  

Aldo vazhdon punën dhe bashkëpunimin e tij me Peleshin, tek ekipi i ?Skënderbeut? janë të dy, lokalin e kanë të dy, në kafe e takime të dy: Peleshi në krye të bashkisë, Mano vazhdon punën në arsim ku vazhdojnë përfoljet për emërime militantësh të PS afër Peleshit dhe mitëmarrje, 2 mije euro një vend pune. Ndërkohë në bashki është shfaqur edhe fytyra e mjerë e Sotiraq Filos, i cili rri roje në bashki dhe bën punët e porositura. Peleshi vazhdon hallet e biznesit dhe shton fitimet personale. Sukses është dhe përfundimi i një vile që kushton të paktën 250 mijë euro.

Koha kalon dhe në PD afron momenti i zgjedhjeve të brendshme. Peleshi fut Aldo Manon, në garë përballë Gjergji Papës. PDR tashmë ishte shkrirë dhe rruga për në krye të PD, ishte më se normale. Muaj të zgjatur fushate dhe Aldo megjithëse shpallej fitues kudo, thyen turinjtë duke marrë më pak se 30% të votave.

Grupi këtu goditet, por përpjekjet vazhdojnë: Mano me çdo kusht duhet të kapë pjesë tek mazhoranca. Pas zgjedhjeve të vitit 2009, me mbështetjen e Pollos dhe pas veprimeve e qokave me Fahri Balliun e të tjera figura në PD, Berisha e vendos prefekt, ashtu si miku i tij Peleshi 5 vite më parë. Megjithëse ishte kundërshtuar nga Ridvan Bode dhe Gjergji Papa, njeriu i Peleshit merr prefekturën e Korçës.

Grupi merr majat e drejtimit, Peleshi ka bashkinë dhe Mano është mëkëmbësi i qeverisë në Korçë.

Këtu fillon skenari për të ringritur Peleshin në fron më 2011. Mano bën gjithçka për të kandiduar për bashkinë, megjithëse strukturat dhe drejtuesit lokale ishin tërësisht kundër. Ai ishte kandidaturë e përfolur dhe problematike, gjithsesi siguron mbështetje në qendër dhe është kandidat përballë Peleshit, komandantit të tij dhe udhëheqësit shpirtëror të grupit. Nuk shkon asnjëherë në asnjë debat. Ka frikë të përballet: e tmerron ideja se po luan për të humbur.

Për të shpëtuar lëkurën, fillon akuzat: ?Nuk po mbështetem nga strukturat e PD?! Këto të fundit dhe militantët i dinin dhe i kuptonin shumë nga ato që janë shkruar më lart, nuk kishin forcë dhe energji për t?u përballur në një garë që ishte mbyllur pa filluar, kur në fakt po luhej një film politik me skenar, regji të Peleshit ku aktor i dytë ishte shoku i tij, Aldo Mano.

Për të bërë një fushatë larg PD, Mano merr një zyrë jashtë selisë së PD, ku bën dhe shtabin, diçka në dukje normale, por asnjë ditë nuk hyn dhe nuk pranon që të zhvillojë mbledhje në selinë PD, duke dashur të tregojë se ai është larg së djathtës dhe kandidon si i pavarur. Ai do të duket mbi palët, kërkon mbështetjen e Biznesmenit, i cili i njihte mirë shokët e vjetër dhe i qëndron besnik Peleshit.

Një klloun dhe një pseudokompani shfaqen në Korçë, Mano i ka vetëshpallur këshilltarë, është Henri Çili (emri i vërtetë Naim, ndërruar pas viteve ?90) i UET dhe një student i gjatë, totalisht klloun, i panjohur, delirant, sharlatan dhe tërësisht injorant në politikë. Kërkuan mijëra euro të bënin fushatën, as e kishin idenë çfarë ndodhte në realitet. Shkruanin letra dhe orare të cilat i ndryshonin sipas qejfit, shkruanin fjalime pa thelb e pa mesazh, në Korçë bënin vetëm turizëm. Shkuan deri aty sa e lanë kandidatin pa imazh dhe sollën një staf mediokër dhe pa vlera. Në fund ia shitën imazhin në Elbasan, imazh i krijuar nga një kompani private prestigjioze, nga vetë PD. Imazhi i përgatitur nga PD u shit nga stafi i këshilltarëve, për të marrë eurot e refuzuara për t?u paguar nga PD, pasi kllouni dhe çunat e Çilit e kishin bërë fushatën një lëmsh të vërtetë.

Diku ju plasi skandali, një nënë i tha Manos në një takim: ?Shyqyr që na ardhe, Andrea, se ai Aldua më mori 2 mijë euro për nusen e djalit!?. Këtu fushata kishte rënë dhe Peleshi tashmë ishte i sigurt në fitoren e tij.

PD dhe shumë prej njerëzve të saj përpiqeshin me energji e shpirt ta mbanin në këmbë, por akuzat për korrupsion dhe ortakëri me Peleshin e çonin kandidatin poshtë e me poshtë.

Peleshi nga ana tjetër vazhdonte punën i sigurt. Ai kishte provokuar përplasje dhe debate me një projekt për qendrën e qytetit. Këshilli i bashkisë Korçë kontrollohej nga PD dhe po qëndronte fort ndaj Peleshit, i cili në mënyre antiligjore zbërthen rrugët dhe nis provokimet. Mano nuk mund të bëjë asgjë, ai e di që komandanti i tij ka diçka më shumë dhe ka frikë të përballet. Në fushatë, nga frika se nuk fitonte dhe nuk kthehej dot nuk dha as dorëheqjen nga posti i prefektit. Qëndron larg, hedh pseudoteza për Korçën të cilat në fund dalin boshe. Komandanti mund ushtarin me mbi 2500 vota. Gjithçka kalon në qetësi, Peleshi vazhdon në bashki dhe Mano vazhdon në prefekturë.

Zgjedhjet e viti 2013 e shohin Manon koordinator në Lagjen 4, ku me punën e tij ?të devotshme?, vetëm në një lagje i sjell PD-së 50% të votave minus në bashki. Ai tani punon për të realizuar qëllimin që kishte kur filloi politikën, i futur nga Peleshi e CO. Humbja e PD do e çonte në opozitë dhe kishte çdo mundësi të merrte kalanë e PD, që aty ai katapultohej deputet. Kalaja nuk ju dorëzua kurrë ?Peleshit & Co.?, deri pak ditë më parë.

Skema funksionon dhe menjëherë sapo fillon fushata në PD pas dorëheqjes së liderit historik Sali Berisha, Niko e orienton shokun e tij të luajë pas krahëve, të afrohet me Bashën që duket se po merrte drejtimin e PD, në fakt grupi ka dhe një avantazh, kllouni i fushatës së Manos ishte avokat në bashkinë e Tiranës, ku kishte marrë termin e ri nga administrata, ishte pagëzuar si ?Mr. Bean? për paraqitjen dhe sjelljen e tij prej karagjozi.

Aldo fillon spiunllëqet dhe pabesitë, Basha fiton në Korçë një nga zonat më të nxehta dhe Mano është me fituesin: ?Unë e bëra kryetar Bashën në Korçë!?, ?Unë jam fitues, do shikoni se çfarë do bëj!?.

Niko shkon zv/kryeministër duke lënë një garë të hapur nga pas. Rishfaqet ushtari i urtë Sotiraq Filo. PD tenton të përballet me dinjitet dhe paraqet një kandidaturë shumë serioze dhe të fortë si ajo e Sotiraq Stratobërdhës, figurë intelektuale me taban qytetar dhe i djathtë i vërtetë. Sërish Mano duhet të japë shenjat për kryetarin e grupit të tij: punon fort që Stratobërdha të jetë shumë poshtë dhe PD në minimumin historik. Në lagjen ku punonte Mano, PD del 70% me 30% duke humbur keq: shenja u dha, shoku i grupit merr bashkinë Korçë, Niko Peleshi është zv/kryeministër, PD ka nevojë për rinovim. Aldo tashmë e ka rrugën e hapur.

Askush nuk e kuptonte, ose më saktë bënte sikur nuk kuptonte se çfarë po ndodhte. Peleshi le trashëgimtar në bashki, por i duhet dhe opozita. Falënderon mikun e tij Mano, me një veprim spektakolar.

Në doganën e Kapshticës pushohet 80% e personelit, midis tyre ndodhet edhe vëllai i Manos, por ndërhyrja e Peleshit e çon përkohësisht në Tushemisht ku vazhdon ende punë. Drejtori i ri i arsimit merr urdhër të mos preken njerëzit e Manos, nga ana tjetër vjen urdhri për drejtorët në institucione. ?Çdo njeriu të PD që është në punë dhe mbështet Aldon, t?i jepet garanci që do qëndroje në punë?, është urdhri i Peleshit. Sinjalet janë të forta, nga ana tjetër Mano ka mbështetjen e Genc Pollos, i cili do të jetë kandidat në Korçë; ai mund të sigurojë Manon të dytin në listë. Rruga është bërë autostradë, Enno Bozdo (Eno me dy ?në?), shkon i deleguar në mbështetje të Aldo Manos, ka një sinjal garancie që Bozdo nuk do preket nga qeveria e PS dhe nuk do ketë dosje në prokurori nëse Aldo merr PD dhe nxjerr në fund edhe një kryesi të mjerë. Skema funksionon. Ndihma e Peleshit dhe Bozdos nxjerrin Manon fitues. Tashmë e vetmja kala e Nikos dhe shokëve te tij ka rënë. PD është në duart e Aldo Manos, bashkia ne duart e Sotiraq Filos, ?komandant? Niko Peleshi është nr. 2 në qeveri.

Korça tani nuk drejtohet më nga partitë politike apo grupime të interesave që përplasen për zhvillimin e qytetit. Korça sot është nën komandën e Niko Peleshit e CO, i cili ka çdo pushtet në duar dhe një opozitë të dobët që përpiqet të ringrihet, por sakatohet nga ortakët e Nikos.

Për të mbajtur shokët e tij, ai çon dy investime 4.5 milion dollarë te cilat po menaxhohen në interes të tij dhe shokëve te tij, nga ai vetë, Raqi, etj. Aldo po pret dhe punon në interes të Raqit, duke shmangur qëndrimet publike për këto investime aq të kundërshtuara nga PD dy vite më parë. Për e justifikuar gjithcka rikthen kllounin në Korce i cili del në një deklaratë mediash ku as vetë nuk kuptoi cfarë tha, sepse nuk dinte asgjë cfarë ndodhte. Aldo justifikohet tek Niko, e sollën nga qendra ja shikoje PD spo flet. Niko i shkel syrin nga larg mikut të tij në krye të Partisë Demokratike në Korçë.

Sot Korça drejtohet nga Niko dhe shokët e tij, Niko e CO kanë kapur gjithçka, çdo institucion, plani i dikurshëm tani është realitet. E dhimbshme por e vërtetë.





22:40 Opinione

Për(Mbahu) Lazarat!

Nga Mero Baze Policia ka marrë kontrollin mbi lartësitë e La...

Lajmet e fundit nga