web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Studimi i fundit/ Ushqimi tejet i përpunuar e përshpejton rënien e aftësive njohëse te njerëzit e moshës së mesme dhe të tretë

4 Shkurt 2023, 08:42, Shëndeti CNA

Studimi i fundit/ Ushqimi tejet i përpunuar e përshpejton rënien

Shkencëtarët e kanë ditur prej vitesh se dietat e pashëndetshme, sidomos ato që përmbajnë shumë yndyrë dhe sheqer, mund të shkaktojnë ndryshime të dëmshme në tru dhe të çojnë në dëmtime të aftësive njohëse. Shumë nga faktorët që kontribuojnë në rënien e aftësive njohëse janë jashtë kontrollit të një personi, si gjenetika ashtu edhe faktorët socio-ekonomikë.

Por kërkimet e vazhdueshme tregojnë gjithnjë e më shumë se një dietë ushqimore e keqe, është një faktor rreziku për dëmtimet e kujtesës gjatë plakjes normale, dhe e rrit ndjeshëm rrezikun e zhvillimit të sëmundjes së alzheimerit.

Dy studime të kohëve të fundit në shkallë të gjerë, sugjerojnë se ngrënia e ushqimeve super të përpunuara mund ta përshpejtojë rënien e aftësive njohëse të lidhur me moshën, dhe të rrisë rrezikun e zhvillimit të demencës.

Ushqimet ultra të përpunuara kanë tendencën të kenë sasi më të vogël në lëndë ushqyese dhe fibra dhe nivele më të larta të sheqerit, yndyrës dhe kripës në krahasim me ushqimet e papërpunuara ose të përpunuara minimalisht. Disa shembuj të ushqimeve ultra të përpunuara përfshijnë pijet me sodë, biskotat e paketuara, patatinat, ushqimet e ngrira, frutat e thata me aromë, kosi me fruta, pijet alkoolike të distiluara dhe ushqimet e shpejta.

Edhe bukët e paketuara, përfshirë ato të pasura me drithëra integrale, klasifikohen në shumë raste si ultra të përpunuara për shkak të aditivëve dhe konservuesve që përmbajnë. Nga ana tjetër nuk ka gjasa t’i gjeni shumicën e këtyre ushqimeve në kuzhinën tuaj në shtëpi.

Studimi i fundit/ Ushqimi tejet i përpunuar e përshpejton rënien

Por mos i ngatërroni ushqimet ultra të përpunuara me ushqimet e përpunuara, të cilat e ruajnë ende shumicën e karakteristikave të tyre natyrore, megjithëse kanë pësuar një formë përpunimi, si për shembull perimet e konservuara, makaronat e thata apo frutat e ngrira.

Në studimin e publikuar në dhjetor të vitit të kaluar, studiuesit krahasuan shkallën e rënies së aftësive njohëse gjatë rreth 8 viteve midis grupeve të njerëzve që konsumuan sasi të ndryshme të ushqimeve super të përpunuara.

Në fillim të studimit, mbi 10.000 pjesëmarrës që jetonin në Brazil raportuan zakonet e tyre dietike të 12 muajve të mëparshëm.

Më pas, për vitet në vijim, ata vlerësuan nivelin e aftësive njohëse të pjesëmarrësve me teste standarde të kujtesës dhe funksionit ekzekutiv. U pa se ata që kishin një dietë që përmbante më shumë ushqime ultra të përpunuara në fillim të studimit, treguan pak më shumë rënie të aftësive njohëse, krahasuar me ata që hanin pak ose aspak ushqime ultra të përpunuara.

Studimi i dytë me rreth 72.000 pjesëmarrës në Britaninë e Madhe, vlerësoi lidhjen midis ngrënies së ushqimeve ultra të përpunuara dhe demencës. Te grupi që konsumonte sasinë më të madhe të ushqimeve ultra të përpunuara, afro 1 në 120 njerëz u diagnostikuan me demencë gjatë një periudhe 10-vjeçare. Ndërsa për grupin që konsumonte pak ose aspak ushqime ultra të përpunuara, norma ishte 1 në 170.

Studimi që shqyrtoi marrëdhëniet midis shëndetit dhe ushqimeve ultra të përpunuara, përdori klasifikimin NOVA, i cili është një sistem kategorizimi i bazuar në llojin dhe shtrirjen e përpunimit industrial të ushqimit. Disa nutricionistë e kanë kritikuar klasifikimin NOVA, për shkak të mungesës së përkufizimeve të qarta të përpunimit të ushqimit, gjë që mund të çojë në një klasifikim të gabuar.

Studimi i fundit/ Ushqimi tejet i përpunuar e përshpejton rënien

Ata thonë se rreziqet e mundshme shëndetësore nga konsumimi i ushqimeve ultra të përpunuara, mund të shpjegohet me nivelet e ulëta të fibrave dhe lëndëve ushqyese dhe nivelet e larta të yndyrës, sheqerit dhe kripës në dietë, dhe jo nga sasia e përpunimit.

Dhe është fakt që shumë ushqime ultra të përpunuara janë të pasura me aditivë, konservues ose agjentë ngjyrues, ndërkohë që kanë edhe veçori të tjera të një diete të pashëndetshme, si sasia e paktë e fibrave dhe lëndëve të tjera ushqyese. Prandaj mbetet e paqartë nëse ngrënia e ushqimit që i është nënshtruar më shumë përpunimit, ka një ndikim negativ shtesë në shëndet përtej cilësisë së ulët të dietës.

Për shembull, mund të hani një burger dhe patate të skuqura në një fast-food, që do të ishte i pasur me yndyrë, sheqer dhe kripë dhe ultra i përpunuar. Por mund ta përgatisni të njëjtin vakt në shtëpi, që gjithashtu mund të jetë i pasur me yndyrë, sheqer dhe kripë, por që nuk do të ishte ultra i përpunuar.

Prandaj nevojiten më shumë kërkime për të përcaktuar nëse njëra është më e keqe se tjetra.

Edhe kur nuk ndodhin proceset që çojnë te demenca, truri i plakur pëson ndryshime biokimike dhe strukturore, të cilat shoqërohen me përkeqësim të aftësive njohëse.

Por për të rriturit mbi 55 vjeç, një dietë më e shëndetshme mund të rrisë gjasat për të ruajtur një funksionim më të mirë të trurit. Në veçanti, dieta mesdhetare dhe dieta ketogjenike shoqërohen me një nivel më të mirë të aftësive njohëse në moshat e thyera.

Dieta mesdhetare bazohet në konsumin e ushqimeve me bazë bimore dhe yndyrave të shëndetshme, si vaji i ullirit, farat dhe arrat. Dieta ketogjenike përmban një nivel të lartë yndyrë, por ka pak karbohidrate, teksa burimi kryesor i fibrave vjen nga perimet. Të dyja dietat minimizojnë ose e eliminojnë konsumin e sheqerit.

Që të dyja këto dieta e reduktojnë inflamacionin e dëmshëm. Edhe pse ai është një përgjigje normale imune ndaj lëndimit ose infeksionit, inflamacioni kronik mund të jetë i dëmshëm për trurin. Studimet kanë treguar se sheqeri dhe yndyra e tepërt mund të kontribuojnë në inflamacionin kronik dhe ushqimet ultra të përpunuara mund të përkeqësojnë gjithashtu inflamacionin e dëmshëm.

Një mënyrë tjetër përmes së cilës dieta dhe ushqimet ultra të përpunuara mund të ndikojnë në shëndetin e trurit është përmes boshtit zorrë-tru, që është komunikimi që ndodh midis trurit dhe mikrobiomës së zorrëve ose komunitetit të mikroorganizmave që jetojnë në traktin tretës.

Studimet kanë treguar se dietat ketogjenike dhe ato mesdhetare, e ndryshojnë përbërjen e mikroorganizmave në zorrë në mënyra që përfitojnë nga personi. Konsumimi i ushqimeve ultra të përpunuara shoqërohet gjithashtu me ndryshime në llojin dhe bollëkun e mikroorganizmave të zorrëve që kanë efekte më të dëmshme.

Përkthyer nga CNA.al





Lajmet e fundit nga