web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Pse po rriten ndjeshëm rastet e kancerit te të rinjtë?

24 Qershor 2023, 21:25, Shëndeti Sarah Neville & Amy Borrett

Pse po rriten ndjeshëm rastet e kancerit te të rinjtë?

Kur Padi Skoto nisi të ketë dhimbje barku në vitin 2017, mundësia e një kancerit nuk i kaloi në asnjë moment nëpër kokë. Fotografi dhe regjisori britanik i ekspeditave në natyrë, puna e të cilit e çonte shpesh në terrene të thyera ose të rrezikshme, ishte vetëm 34 vjeç dhe krenohej me aftësitë e tij fizike.

Pasi mjeku i familjes e dërgoi në spital për një kolonoskopi, mjeku që e kreu atë e pyeti nëse donte të merrte pjesë në provimin e një testi të ri gjaku, që mendohej të zbulonte më herët tumoret. Ftesa që iu bë iu duk disi e çuditshme. “Më kujtohet që mendoja: Dakord, por do të jem në grupin e kontrollit, pra tek ata që nuk kanë sëmundje të tilla”- thotë Skot.

Por pak javë më vonë mori lajmin e tmerrshëm se vuante nga një kancer në një fazë të avancuar në zorrë, i cili ishte përhapur edhe në mëlçi. Përvoja e Skot nuk është anomalia që ishte dikur. 30 vitet e fundit kanë sjellë një rritje të rasteve të kacereve në moshë të hershme, ose nën 50 vjeç.

Kaq e theksuar është kjo rritje e rasteve, saqë ekspertët kanë nisur ta quajnë një epidemi.

Analiza e “Financial Times” e të dhënave nga Instituti për Metrikat dhe Vlerësimin e Shëndetit në Shkollën e Mjekësisë të Universitetit të Uashingtonit, tregon se gjatë 3 dekadave të fundit shkalla e kancerit në grupin e vendeve të industrializuara G20, është rritur më shpejt për 25-29-vjeçarët sesa çdo grupmoshë tjetër: 22 për qind më shumë midis viteve 1990-2019. Ndërkohë normat për 20-34-vjeçarët në këto vende, janë tani në nivelin më të lartë në 30 vjet. Ndërkaq, rastet në grupmoshat më të vjetra - ato mbi 75 vjeç - kanë rënë nga kulmi që patën rreth vitit 2005. Studiuesit nuk kanë asnjë shpjegim përfundimtar përse njerëzit në kulmin e jetës janë dukshëm më të prekshëm ndaj sëmundjeve kanceroze sesa të rinjtë e brezave të mëparshëm.

Midis të rinjve të moshës 15-39-vjeç, rastet e kancerit të zorrës u rritën me 70 për qind në vendet e G20 po midis periudhës 1990-2019, krahasuar me një rritje prej 24 për qind në të gjitha kanceret, zbuloi hulumtimi i FT.

Një analizë e Shoqatës Amerikane të Kancerit, bazuar në të dhënat kombëtare mbi incidencën dhe vdekshmërinë nga kanceri, tregon se këtë vit 13 për qind e rasteve të kancerit të zorrës dhe 7 për qind e vdekjeve do të jenë tek njerëzit nën 50 vjeç.

Mishel Miçëll, shefe ekzekutive e “Cancer Research UK”, ose CRUK, paralajmëron se mosha mbetet parashikuesi më i madh i rrezikut të kancerit, me rreth 90 për qind e të gjithë kancereve që prekin njerëzit mbi 50 vjeç dhe gjysmën që prekin ata mbi 75 vjeç.

“Por rritja e rasteve tek grupmoshat më të reja është një ndryshim i rëndësishëm, të cilin duhet të përpiqemi ta kuptojmë”- thotë ajo.

CRUK është pjesë e një iniciative të përbashkët kërkimore me Institutin Kombëtar të Kancerit të SHBA-së për të mësuar më shumë rreth shkaqeve të kancerit tek moshat e reja.

Kjo tendencë ka pasoja ekonomike, klinike dhe sociale. Për ekspertët e kancerit, rritja e rasteve të tilla po bëhet një aspekt i pashmangshëm dhe shqetësues i praktikës së tyre. Shahnavaz Rashid, kirurgu përgjegjës për trajtimin e rastit të Skot në Royal Marsden, një spital i njohur i trajtimit të kancerit në Londër, kujton një periudhë 2 javore disa vite më parë kur ai operoi 4 gra nën moshën 40 vjeçare.

Edhe një pacient tjetër i trajtuar kohët e fundit ishte një njeri me një fizik të palestruar, një sportist i njohur në arenën ndërkombëtare në të 30-at. Shkencëtarët që po investigojnë mbi këtë dukuri, janë gjithnjë e më të bindur se ndryshimet në mënyrën e ushqyerit dhe mënyra e jetesës që nisi në mesin e shekullit të kaluar, bartin të paktën një pjesë të përgjegjësisë për këtë situatë.

Dr.Frenk Sinikrop, onkolog dhe gastroenterolog në Klinikën Majo në SHBA me një interes të veçantë mbi kancerin e zorrës tek moshat e reja, thotë se shpeshtësia e sëmundjes është rritur ndjeshëm tek njerëzit e lindur pas viteve 1960. Rritja e numrit të të rinjve që vijnë tek ai për trajtim vitet e fundit ka qenë “shumë alarmante” thotë ai.

Dieta dhe mënyra e jetesës ndaj të cilave janë të ekspozuar fëmijët në jetën e hershme, ka të ngjarë të jetë një faktor që ndikon në këtë rritje, shton ai, duke vënë në dukje obezitetin në fëmijëri, që “është bërë më i përhapur dhe më problematik gjatë 30 viteve të fundit”.

Ndërsa po studiojnë dietën ushqimore, studiuesit po kërkojnë mundësinë që ndryshimet në mikrobiomë - afro 100 trilionë mikrobet që jetojnë brenda nesh, kryesisht në zorrë - po e rrisin ndjeshmërinë ndaj kancerit. Mikrobioma mendohet se luan një rol kyç në shëndetin e përgjithshëm, përfshirë tretjen dhe rregullimin e sistemit imunitar, si dhe mbrojtjen kundër baktereve që shkaktojnë sëmundje.

Po ashtu ajo ndihmon në prodhimin e vitaminave jetike për shëndetin e njeriut. Konsumimi i ushqimeve të pasura me yndyrna të ngopura dhe sheqer, besohet se ndryshon përbërjen e mikrobiomës në mënyra që mund ta dëmtojnë shëndetin e një individi.

Ndërsa këto ndryshime prekin njerëzit e të gjitha moshave, studiuesit besojnë se është shumë domethënëse që rastet e kancerit tek moshat e reja nisën të rriteshin rreth vitit 1990. Ata që kanë lindur në vitet 1960 i përkasin brezit të parë të ekspozuar që foshnje ndaj dietave të modernizuara, si dhe ndryshimeve të stilit të jetesës dhe mjedisit, që filloi të bëhej norma e botës së pasur në vitet 1950.

Fakti që rritjet më të mëdha të rasteve me kancer tek të rinjtë, kanë qenë në varietetet gastrointestinale - kolorektal, si dhe në ezofag, stomak, pankreas, kanalin biliar, mëlçi dhe fshikëz e tëmthit - forcon tezën që e lidh këtë dukuri me dietën.

Disa lloje të tjera kanceri që shihen gjithnjë e më shumë tek të rinjtë, si kanceri i gjirit, veshkave dhe endometrit, plus kanceri i gjakut, mieloma, mund të nxiten si nga obeziteti po ashtu edhe nga gjendja e mikrobiomës, edhe pse atyre u mungon një lidhje e dukshme me sistemin tretës.

Për më tepër, përdorimi i antibiotikëve dhe i ilaçeve në përgjithësi mund të ndikojnë në mikrobiomën e një individi. Rritja e rasteve të kancerit në moshë të re nuk është thjesht një shqetësim për sistemet shëndetësore. Ai është problem serioz edhe për ekonomitë.

Sepse ata që i mbijetojnë sëmundjes janë në rrezik më të madh nga gjendje shëndetësore afatgjata si infertiliteti, sëmundjet kardiovaskulare dhe kanceret dytësore, thonë studiuesit, duke kërcënuar me një barrë më të kushtueshme të kujdesit shëndetësor në të ardhmen.

Simiao Çen, drejtuese e njësisë kërkimore për shëndetin dhe ekonominë e popullsisë në Institutin e Shëndetit Global Haidelberg dhe ndihmës/profesor në Kolegjin Mjekësor të Pekinit, drejtoi një ekip i cili në fillim të këtij viti llogariti se kostoja globale e vlerësuar e kancerit nga vitit 2020 deri në 2050 do të jetë 25.2 trilionë dollarë, e llogaritur kjo me çmimet e vitit 2017. Kjo është e barazvlefshme me një taksë vjetore prej 0.55 për qind mbi Produktin e Brendshëm Bruto në nivel global”. “Nëse kjo tendencë thellohet më tej, atëherë barra mbi ekonomitë do të jetë shumë më e rëndë, sepse ne po humbasim njerëz në popullsinë në moshë pune që mund të kontribuojnë në rritjen ekonomike. Të mbijetuarit e kancerit mund të mos jenë në gjendje të rifitojnë nivelet e tyre të mëparshme të produktivitetit, dhe kjo do të ulë sasinë dhe cilësinë e punës”- thekson ajo.

Pyetja që shqetëson studiuesit dhe mjekët, është nëse rritja e rasteve gjatë dekadave të fundit përfaqëson majën e një ajsbergu shumë më të madh epidemiologjik. Në një studim të fundit, disa studiues paralajmëruan mbi mundësinë që aktualisht kanë fëmijët, adoleshentët dhe të rriturit të përballen me rreziqe më të larta të prekjes nga kancerit gjatë gjithë jetës së tyre krahasuar me brezat e vjetër.

Marrë me shkurtime/ “Financial Times” - Përkthyer dhe përshtatur nga CNA.al





Lajmet e fundit nga