web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Kallëzuesi juridik i Gonit

1 Qershor 2025, 17:21, Satire Boris Miska

Kallëzuesi juridik i Gonit

Goni i kishte mbetur vetëm e ‘Drejta familjare’ pa dhënë. Ishte lëndë e mbartur, të cilën ai duhej ta kapërcente që në vitin e dytë. Megjithatë, kishte ecur deri në të katërtin cikël me familjaren e pa kaluar, ishte student në universitetin privat ‘Uarasi’, i ati biznesmen nuk kishte ngurruar asnjëherë të jepte donacione në Fakultetin Juridik, ku studionte i biri. Kjo ishtë një nga arsyet që askush nga pedagoget nuk guxonte ta rrezonte në provime. Pagat e tyre në shume raste vareshin nga paratë që derdhte pa kursim babi i Gonit. 

Sofokliu, pedagogu i së Drejtës familjare, i lutej çdo ditë Gonit që të vinte ta jepte atë dreq lënde, por djali i shmangej me justifikimin se: Nuk jam akoma gati profesor, do të them vetë. 

Sofua ikte sërisht i frikur se dikur do ja kërkonin llogarinë përse nuk e kishte marrë në provim studentin e vitit të katërt! 

Dhe vërtetë, kjo ndodhi një ditë! 

Babai i Gonit tek pinte kafe me rektorin hapi muhabetin e perspektives së djalit, pasi të mbarojë fakultetin. 

-Çfarë do më sugjerosh për çunin, e pyeti!

-Gonin e kemi student të ekselencës zoti Zeqo, i ka mbetur edhe një lëndë tek e cila ai s’ka hyrë sepse nuk ka qenë i përgatitur për notë maksimale, pedagogu e lavdëron shumë. Biles ai e ka propozuar ta mbajmë asistent tek katedra e tij, pas mbrojtjes së diplomës. Presim vetëm fjalën tuaj dhe sigurisht edhe dëshirën e vetë Gonit.

Zequa edhe pse e dinte kapacitetin e të birit, i cili vetëm konsumonte kohë e para, nuk e kishte parë kurrë me libra në dorë, apo të haptë një herë laptopin që ja kishte blerë të markës së fundit, me programe nga më modernet, u tërhoq në karrige në mburrje se po merrte shpërblimin që i takonte.

Ditën tjetër porosia e dekanit e kapi në befasi Sofokliun, pedagogun e së Drejtës familjare. Sofo duhej ta angazhonte të birin e zotit Zeqo, ta mbante pranë dhe ta përgatiste që shumë shpejt ai ta futej në auditore me studentët për të dhënë leksion e seminare.

E kërkoi asistentin që sapo ja kishin komunikuar dhe e gjeti duke pirë cigare poshtë në hollin e fakultetit. 

-Urime i tha djalit, i cili kur e pa u kujtua se akoma e kishte në prapambetje lëndën e tij.

-Do fillojmë që nëser, dua prej tëje një kallëzus që ta përdorim në provimin së drejtës familjare të vitit të dytë juridik. Do jemi të dy bashkë, ti edhe do vëzhgosh provimin me shkrim edhe do plotësosh kallëzusin tënd, është rast i mirë për ta mbyllur me lëndën që ke lënë prej vitesh.

Goni u hutua për momentin dhe s’po dinte çfarë ti thoshte, ai sapo e kishte bërë edhe roje provimi edhe student njëkohesisht dhe prej kësaj mori pak panik.

-Mos u shqetëso, i rrahu shpatullat Sofokliu, kur pa që Goni mbeti në hutim. Çdo gjë do shkojë mirë, jemi bashkë.

-Ok nëser në ora 10 fiks!

-Suksese!

Ej çuna, e hapi i pari muhabetin Goni sapo u rehatuan në një nga lokalet e natës tek Blloku, sot m’tha presori se m’kon majt asistent ke familjarja, pranej sonte do pim për qejfin tonë, do paguj un. Futi dorën në xhep dhe hapi buzet e portofolit, brenda të cilit u zgerdhinë si dhëmbet e bardha një tufë me euro qindshe.

Ueeee, brohoritën të gjithë me duart përpjetë prej gëzimit.

Para se me thirr gocat e banakut du i menje prej jush, foli sërish Goni pasi ra entuziazmi i djemve që sapo morën haberin prej shokut.

Presori do prej meje i kallzus me shkrim se kemi provim me juridiksat e të dytës ke familja.

Nga të gjithe çunat vetëm njëri studionte dhe punonte për ta paguar vetë shkollën e lartë, të tjerët harxhonin paratë e prindërve me makina luksoze, lokaleve të natës dhe me femra të bukura, tymosnin edhe bar.

Ky ishtë Beni, çun king dhe i zgjuar, i shoqërisë që çdo gjë po e çante vetë, shokët e deshën se ishte i kendshem dhe i muhabetit, i ecte shumë me femrat.

Askush s’ja kishte haberin se çfarë ishtë kallëzuesi, biles as vetë Goni që e kerkoi në tavolinë.

Ta zgjidh unë, e qetësoi shokun Beni, duke i ra ke gjoksi.

I shikon ato dy femrat ke cepi, janë motra, të dyja kanë qenë të martume, janë nda prej burrave dhe kan nga nji çun secila, kujdestarinë e të dy fëmijeve gjykatat ua kanë lenë burrave.

Ky është kallzusi!

Goni u habit se sa shpejt e kapi problemin shoku i tij. Ndërroi karrige me Kolin dhe u afrua pranë Benit, nxorri celularin dhe ju lut t’ja shtjellonte më mirë.

Ta shkruj këtu nëser e ftilloj në laptop dhe ia postoj presorit.

Shkruaj atëherë, foli i qetë Beni!

Kallëzues në provimin e të drejtës familjare.

Tani jepi kryeradhë dhe e shtjellojmë, e udhëzoi me gishtin mbi ekran.

Jemi para dy çështjeve civile me temë divorcin e bashkëshortëve, kujdestarinë e fëmijëve dhe detyrimin financiar për pensionin e ushqimit.

Goni shkruante në celular dhe po habitej nga dija e shokut, i cili studionte për informatikë dhe nuk kishte hapur asnjëherë një libër juridiku.

Seancat gjyqësore zhvillohen në dy shtete të ndryshme ( psh njëra në Tiranë dhe tjetra në Uashington, bie fjala)

Vendimi i të dyja proceseve është pothuaj i përafërt.

Pranim divorci, të dyja motrave ua heq kujdetarinë e femijeve. Ajo u jepet baballarëve.

Përcaktohet për secilën kuota e detyrimit, kuptohet e bazuar në të ardhurat që kanë deklaruar.

Përgjigjet janë katër alternativa. Këto dy vendime të dhëna nga dy gjykata të ndryshme, në dy shtete të pavarura ndaj dy motrave janë:

-Rastësi!

-Korrupsion në drejtësi!

-Problem genëtik!

-Nuk e di!

Shtjelloni përgjigjen për çdo opsion që mendonin.

Kaq, e qetësoi në fund shokun.

Goni vendosi celularin në tavolinë dhe u kthye ta perqafonte Benin i cili ia kishte zgjidhur në pak minuta problemin.

Tani çuna poriositni ç’a t’ju dojë ….! 

Përdori një fjalë banale nga ato të zhargonit që në tavolinë nxirrte kokë në çdo tre katër llafe.

Në pak sekonda sheshi i trapezës me shkëlqim u zu nga gota e shishe të ndryshme, celularët, paketat e cigaret.

Beni pinte gjithnjë birrë të lehtë, preferonte Coronën, deshte që të nesërmen të ishte në formë për orët e mësimit dhe i aftë për disa orë punë.

Me dorën në shishen e ftohtë u hodhi nga një shikim të dyja motrave. E madhja ishte më shkurtër dhe e shëndetshme, ndërsa e vogla ishte e gjatë, bustin e mbante drejtë, me flokë të mbledhura, e ftohtë dhe gjithnjë me një buzeqeshje të kontrolluar pas së cilës ishte e vështirë t’ja lexoje mendimin. Në lokal i thërrisnin ‘Ikona’.

E shikoni atë, u kishte thënë një ditë dikush në tavolinë që e njihte, dikur kishte punuar me të.

Duket si Monaliza, pa dashnor, por është e frikshme dhe nëtëdhjetë e nëtëshe!

Beni nuk i pati kushtuar rëndësi këtij opinioni, por sot që i formuloi kallzusin Gonit se di pse deshte ta gjente vetë arsyen e vërtetë të binjakëzimit në dy vendime.

E vogla që e thërrisnin ‘Ikona’ sapo ishte kthyer nga jashtë, kishte jetuar disa vite e martuar e ndarë dhe djalin e kishte lënë andej me të atin.

Mbeti tek mendimi se ndoshta të dyja kanë dashur të jenë të lira në jetën e tyre dhe i kanë braktisur fëmijët. 

Nuk shkoj më tej në hulumtimin e natës se djemtë e tërhoqën në muhabetin e tavolinës, kishin filluar të flirtonin e hidhnin rromuze me ca goca ngjitur dhe duhej Beni që gjithnjë ishtë karremi me të cilen peshkonin më të bukurat e lokalit.

Goni hodhi në laptop kallëzuesin e Benit, që e shkruajti mbrëmë në celular dhe ia postoi profesor Sofokliut në email-in e tij.

Pedagogun e ngacmoi shumë gjetja e Gonit, po e lexonte dhe mbeti i befasuar nga mënyra e të formuluarit, diversiteti i gjykimit dhe origjinaliteti i kallëzuesit, ishte specifike. Kishte brenda trazim dhe përmes saj ai mund të nxirrte konkluzione për mendimin juridik të pavarur të çdo studenti në fushën e së Drejtës familjare.

Kallëzues të ketij standardi as ai vetë nuk arrintë të formulonte, i duheshin disa ditë të mendonte, shpesh edhe i kerkonte të gatshme nga ato që vite më parë i kishin konsumuar kolegët e tij.

E printoi në 16 kopje, nga një për çdo student dhe në oren e caktuar u nis për në sallën e vogël ku po e prisnin studentët.

Tek dera gjeti Gonin, ishte veshur ndryshe, me kostum dhe një këmishë sportive, dukej tjetër dhe kjo e ngrohu Sofokliun. Fillimi nuk kishte qenë aspak zhgënjyes si dështimet në tentativat e tij për ta marrë në provim djalin e biznesmentit që jepte donacione për Fakultetin Juridik në universitetin privat ‘Uarasi’.

E vuri përpara Gonin dhe të dy hynë në auditor. Studentët po e shikonin Gonin e vitit të katërt dhe nuk e dinin se ai ishtë graduar asistent i Sofokliut në të Drejtën familjare.

Pas prezantimit ndanë fletët me kallëzuesin e Benit për çdo student dhe sallën e pushtoi heshtja. Sofo rrinte tek katedra duke lexuar diçka në portalet e celularit, ndërsa Goni kalonte mes rrjeshtave të tavolinave tek duke vëzhguar ecurinë e provimit.

Koha kaloi shpejt, një nga një u dorëzuan të gjitha fletët me përgjigje dhe të identifikuara sipas kërkesave në anën e pasme të saj.

Në darkë pasi konsumoi vaktin që ia kishte përgatitur e shoqja e Sofokliu nxorri nga çanta fletët e provimit dhe filloi t’i korrigjonte.

Përgjigjet ishin nga më të ndryshmet, kishte arsyetime bindëse, kërkime shkaqesh, shumë ia hidhnin fajin korrupsionit në drejtësi, një pjesë dyshonin që bashkëshortët të kishin paguar për ato vendime, disa shprehnin papërgjegjshmërinë e nënave të reja për tu kujdesur për fëmijët që kishin lindur. Në tërësi argumentat qëndronin, kishin nuancë juridike dhe bazoheshin në gjykime të ftohta të mbështëtura në leksione dhe përvojën e jetës.

Një fletë nuk kishtë bërë asnjë arsyetim, kishte shkruar vetëm një koment në kuadratin e shpjegimit; Xhins k….. profesor. Fjalën e pistë e kishte bërë me pika, por kuptohej se për çfarë fliste. Nuk kishte emër, ishtëe 16-dhjeta fletë, 15 përgjigjet ishin plotësuar nga studentët e grupit, aq sa ishin.

Sofokliu qeshi, kuptoi se ishte shkrimi i Gonit, studentit asistent që s’kishte pranuar deri atëhere ta jepte provimin e familjares./CNA





13:37 Satire

Klubi i budallenjve

Politika ka prodhuar njerëz të korruptuar, ka prodhuar ind...

18:48 Satire Boris Miska

Kiço Pela

Në shkallët e atij institucioni kishte vite pa u ngjitur, ...

22:33 Satire Lolita

Letër nga burgu 3

Gëzuar 7 marsin të dashur mësues të 40 shkollave të ndërtu...

17:55 Satire Lolita

Letër nga burgu 2

Të dashur miq dhe armiq, kolegë dhe ish kolegë të SPAK-ut ...

16:43 Satire Lolita

Letër nga burgu

Të dashur qytetarë, ndërtues, këngëtarë, gazetarë me rroga...

12:08 Satire Boris Miska

Breçkat e turistes

Po shkonte ora dhjetë e askush nga djemtë e Breshkës nuk l...

Lajmet e fundit nga