web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Tensionet në Zvërnec/ Rama "thyen heshtjen": E tmerrshme që disa roje ulërinin si kafshë, policia t'i kishte arrestuar në vend

1 Qershor 2026, 10:22, Politikë CNA

Tensionet në Zvërnec/ Rama "thyen heshtjen": E tmerrshme

Ashtu siç e kishte lajmëruar, kryeministri Edi Rama në mbledhjen e Grupit Parlamentar të PS-së ditën e sotme ka mbajtur dhe një qëndrim për protestat dhe përplasjet e ndodhura në Zvërnec dy ditë më parë.

Rama tha se edhe ai vetë nëse do të ishte në vendin e protestuesve do të rreshtohej kundër qeverisë dhe kryeministrit, sepse është e tmerrshme që disa roje private të ulërijnë si kafshë në sy të Policisë së Shtetit. Kryeministri tha se protestuesi ishte në të drejtën e vet dhe ata që e morën zvarrë duhet të arrestoheshin në vend nga policët që ndodheshin aty.

Rama u shpreh se edhe ai vetë ndoshta do të kishte bërë më keq, po t’i kishin thënë se shteti u ka falur tokën të huajve. Duke u ndalur te projekti në Zvërnec, Rama tha se nuk i duhet karrigia e pushtetit nëse i duhet të heqë dorë nga vizioni për qeverisje.  

 

Edhe unë po njësoj do të revoltohesha dhe do të rreshtohesha kundër qeverisë dhe kryeministrit. Sepse do të më dukej e tmerrshme që disa roje private në sytë e policisë së shtetit tim të ulërinin si kafshë dhe të merrnin nga jashtë brenda një njeri në të drejtën e vet dhe ta tërhiqnin zvarrë dhe pastaj policia të thoshte se i zvarrituri u fut vetë brenda. Ndërkohë që duhet t’i kishte arrestuar aty në vend ata që e morën zvarrë protestuesin.

U mirëkuptoj dhe ndoshta do të kisha bërë më keq se ju po të më thoshin se ajo tokë është e shtetit dhe se shteti po ua fal të huajve. Kam parë dhe legjenda se shteti po ia fal atë tokë Izraelit që të sjellë palestinezë.

Po të më thoshin se ajo ishte zonë e mbrojtur dhe qeveria e hoqi nga mbrojtja, po të më thoshin se në vend të flamingove do të pastrohen paratë e zeza të mafies ndërkombëtare etj., etj., ato që u kanë thënë. Janë shkruar duke ngritur një dallgë zemërimi deri duke bërë thirrje për të mbrojtur atdheun në rrezik. Unë e kuptoj shumë mirë këtë dhe zemërimin tuaj, pyes veten a duhet t’ua tregoj anën tjetër të kësaj medalje. Apo mos duhet të them më falni, gabuam, projekti do të anulohet dhe ju të qetësoheni dhe të shijoni fitoren e një kauze që nga ana juaj e medaljes është vërtet fisnike. Ndërsa unë pasi të bëj këtë, të rri në karrige, të shtyj kohën e pushtetit me shijen e hidhur të një humbjeje të madhe për Shqipërinë. Po pse duhet ta bëj këtë? Për pushtetin? Për karrigen apo për baltën që e marr në fytyrë dhe që më vjen përditë mbi të gjallët dhe të vdekurit e shtëpisë sime?

Ç’më duhet karrigia nëse unë duhet të heq dorë nga vizioni që kam ndarë me ju. Dhe pasnesër në vend të atij investimi të bëhet copëtimi i radhës, Golemi i radhës. Se aftësia dhe kuraja për ta rikthyer Shqipërinë te Golemi është e gjallë dhe e gatshme”, tha Rama.





Lajmet e fundit nga