web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Sokol Sadushi zbulon shifrat/ 2 mijë individë kanë paditur organet shtetërore për pronat

29 Tetor 2023, 12:27, Politikë CNA

Sokol Sadushi zbulon shifrat/ 2 mijë individë kanë paditur

Kreu i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, ka folur së fundmi për çështjet e pronave, për të cilat tregoi se në institucionin që ai drejton janë rreth 14 mijë dosje.

Sadushi tha se rreth 2 mijë nga këto dosje janë padi të individëve ndaj organeve shtetërore.

Ai theksoi në intervistën me Anila Hoxhën se këto dosje janë ndarë për shqyrtim midis Kolegjit Civil dhe Kolegjit Administrativ.

“Në fakt, për pronat i kemi të ndërthurura sepse çështjet e pronave duhen parë në dy drejtime. Çështjet e pronave që është në konflikt shteti dhe çështjet e pronave që janë ndërmjet individëve. Nëse do të fokusohemi te çështjet me konflikt me palë të paditur organet shtetërore që janë të ndara midis Kolegjit Civil dhe Kolegjit Administrativ shkojnë përafërsisht rreth 2000 çështje. Ndërkohë që një pjesë e konsiderueshme është një mosmarrëveshje që krijojnë midis vetë individëve.

Kjo është në fakt një shifër shumë e lartë duke menduar që pjesa më e madhe në konfliktet në fushën civile janë rreth 14 mijë në tërësinë e tyre ku përfshihen edhe konfliktet familjare, konfliktet tregtare etj. E zënë konfliktet e pronës”, u shpreh kreu i Gjykatës së Lartë.

Megjithatë, Sadushi nuk e shikon me shumë shqetësim sasinë e 2 mijë dosjeve me organet shtetërore, pasi numri i dosjeve e konflikteve mes individëve është shumë më i lartë.

“2 mijë çështje me palë të paditur organet shtetërore, kam parasysh çështjet me ish-komisionin e hetimit të pronave apo me ish-agjencinë e kthimit të pronave tashmë me agjencinë e trajtimit të pronave, sigurisht edhe me pjesën e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, duke pasur parasysh që bëhet fjalë për vitet 2016 e në vijim është një numër i konsiderueshëm, por besoj që nuk është dhe aq i lartë sa numri i konflikteve mes individëve.

Unë shtrova edhe pyetjen nga se vjen dhe ndoshta në radhë të parë është mospasja e një koncepti të qartë apo një respekti për pronën dhe është çështje mentaliteti. Ku çdokush mendon që mund të bëhet pronar me të gjitha llojet e mënyrave dhe kjo ndoshta ka gjetur vend edhe për faktin se organet e administratës publike janë le të themi shkaktaret kryesore të kësaj situate. Pa përjashtuar organet gjyqësore, të cilat e kanë thelluar shumë më tepër këtë konflikt. Kjo është një situatë për të ardhur keq, por ka një diçka që në fund të fundit konfliktet brenda familjes apo brenda fisit duhet të shmangen maksimalisht, mënyrat janë nga më të ndryshmet. Ne duhet të kemi respekt për vetveten dhe për njëri-tjetrin me qëllim që të mendojmë që prona që fitohet me djersë duhet të gëzohet. Arsyet janë sa sociale edhe ekonomike mes familjeve”, deklaroi drejtuesi i Gjykatës së Lartë.

Më tej, Sadushi zbuloi se aktualisht Kolegji Civil është duke përfunduar çështjet e vitit 2015 dhe së shpejti do të kalojë te çështjet e vitit 2016.

“Vitet më të vështira dhe më të ngarkuara janë 2016 – 2017 - 2018, pastaj ka një ulje të ndjeshme të tyre. Nëse ne fokusohemi te këto tri vite jam i bindur se ky numër do të jetë në ulje. Ka një numër të ndjeshëm të çështjeve të konflikteve të pronës brenda vetë individëve, ajo që të vjen keq është fakti që si ka mundësi të ketë kaq shumë konflikte dhe brenda familjes”, vijoi ai./ CNA





Lajmet e fundit nga