web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Rama: Do të hapim në Vlorë muzeun me veprat e shqiptarëve për shpëtimin e hebrenjve

26 Janar 2026, 16:46, Politikë CNA

Kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së tij në parlamentin e Izraelit foli për bashkëjetesën fetare në Shqipëri, ku tha se secili besim respektohet njësoj. Rama njoftoi ndër të tjera se në Vlorë do të hapet muzeu me veprat e popullit shqiptar për shpëtimin e hebrenjve. 

Kreu i qeverisë theksoi se Shqipëria është i vetmi në vend që doli nga Lufta e Dytë Botërore me më shumë hebrenj të strehuar në territor më shumë sesa kur nisi lufta.

“Unë nuk jam mysliman. Gjysma ime më e mirë është myslimane. Unë jam katolik. Dy fëmijët tanë më të rritur, nga kapituj të mëparshëm të jetës sonë janë të krishterë ortodoksë. Dhe më i vogli, djali ynë njëmbëdhjetëvjeçar, do të vendosë vetë një ditë, por duke parë entuziazmin e tij të papërmbajtshëm sa herë i thuhet se mund të lemë dëshirat tek Muri i Lotëve, ideja se një ditë ai mund të zgjedhë të bëhet hebre nuk është aspak e pabesueshme. Për ne do të ishte krejt në rregull, njësoj siç do të ishte fare në rregull nëse do të zgjidhte të ishte mysliman apo i krishterë. Megjithatë, mos u gaboni. Ky portret i vogël familjar i yni nuk është një veçanti ekscentrike.

Është, në të vërtetë, një histori normale shqiptare. E njëjta gjë vlen për katër komunitetet tona tradicionale fetare, të cilat festojnë ditët e rëndësishme të njëri-tjetrit, dhe për krerët e tyre, të cilët mblidhen rregullisht, ashtu siç u mblodhën për të shoqëruar Presidentin Herzog kur ai vendosi një kurorë në memorialin tonë të Holokaustit në Tiranë, gjatë vizitës së tij historike, si kreu i parë i shtetit izraelit që ka zbritur në tokën shqiptare. 

Është një shpirt i farkëtuar përgjatë shekuj vështirësish, pushtimesh dhe varfërie. Ishte i njëjti shpirt që i nxori shqiptarët e të gjitha besimeve në rrugë, për të pritur dhe përshëndetur Papa Françeskun kur ai vizitoi vendin tonë dhe, me zërin e tij magjepsës dhe shenjtëror, e korrigjoi  termin që ne përdorim shpesh. Jo, tha Ati i Shenjtë, kjo nuk është tolerancë fetare. Kjo është vëllazëri fetare, sepse nuk mbështetet tek durimi, por te bindja e qetë se besimi nuk dobësohet nga prania e një besimi tjetër, por hapet prej tij.

Atij shpirti, ne ia detyrojme krenarinë e njerit prej nderimeve më të mëdha morale: shtatëdhjetë e tre shqiptarë të të gjitha besimeve të njohur si Të Drejtë midis Kombeve, kujtimi i të cilëve ndriçon brenda mureve të dinjitetit njerëzor në Yad Vashem. Dhe me po kete krenari, së shpejti do të hapim muzeun tonë të parë, kushtuar mbrojtjes dhe shpëtimit të hebrenjve në qytetin e Vlorës; dikur qyteti më i madh mesjetar i Shqipërisë, ku në shekullin e gjashtëmbëdhjetë hebrenjtë që iknin nga persekutimi në Perëndim përbënin më shumë se gjysmën e popullsisë së tij.

Të rinjtë tanë dhe vizitorët e shumtë nga e gjithë bota që vijnë në vendin tonë të bukur, ku numri i turistëve izraelitë vitin e kaluar u rrit shumë më shpejt se nga çdo vend tjetër, do të shohin atje me sytë e tyre dhe do të dëgjojnë me veshët e tyre se si, Shqipëria e vogël ka qenë gjithmonë një strehë e sigurt për hebrenjtë, qysh shumë kohë më parë dhe se si shqiptarët e zakonshëm e bënë këtë vend shumë të vogël, të vetmin në hartën e Europës që doli nga Lufta e Dytë Botërore me më shumë hebrenj sesa kishte kur hyri në të.

Askush tjetër në Europë nuk mund të pretendojë një faqe kaq të pastër historie, pa asnjë hebre, pa as edhe një, të dorëzuar te nazistët. Askush më mirë se Shqipëria nuk mund të dëshmojë një të vërtetë të thjeshtë, se qenia mysliman dhe antihebre njëkohësisht, nuk vjen nga besimi në Zot, por nga tradhtia më e neveritshme ndaj Zotit.

Dhe nuk ka nder më të madh, as përgjegjësi më të rëndë, sesa ta dëshmosh këtë të vërtetë këtu, në zemër të Izraelit, në një moment kur lufta e dhimbshme në Gaza, përmes vuajtjes së padurueshme të familjeve të pafajshme, izraelite dhe palestineze, ka hapur një dritare të re mundësie që përpjekjet për ndërtimin e paqes të kenë sukses.”, tha Rama. /CNA





Lajmet e fundit nga