web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

"Problemi nuk jam unë"/ Peleshi: Në këtë seancë na solli fryma antagoniste dhe përçarëse

30 Tetor 2025, 11:13, Politikë CNA

"Problemi nuk jam unë"/ Peleshi: Në këtë

Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, ka marrë fjalën në seancën ku po diskutohet kërkesa e PD-së për shkarkimin e tij. Peleshi e nisi fjalën e tij me vrasjen e gjyqtarit dhe solidarizimin që mori në rrjetet sociale vrasësi i tij. Ai tha se zgjodhi këtë shembull për të treguar se fjalimet në Kuvend janë një nga nxitësit e reagimeve të qytetarëve në reagimet në rrjetet sociale.

Kryeparlamentari tha se ajo që solli këtë mocion me debat është fryma përçarëse, ndërsa theksoi se nuk është ai shkaku konkret i kërkesës së PD-së. Peleshi u shpreh se këtë mocion e solli rezistenca e tij për të mos lejuar askënd që të ndryshojë rregullin e sallës parlamentare. Ai theksoi se Kushtetuta, rregullorja apo tradita parlamentare garantojnë të drejtat e deputetit dhe jo keqpërdorimin e këtyre të drejtave.

"Para pak javësh ndodhi një ngjarje e rëndë. Një gjyqtar u qëllua për vdekje në sallën e gjyqit. Nga ai moment e në vazhdim u shfaq një ngjarje akoma më e rëndë, në rrjete sociale pati një numër jo të vogël reagimesh që u solidarizuan me autorin e krimit. Mbase tani dikush pyet: ç’lidhje ka kjo me këtë procedurë shkarkimi të kryetarit të Kuvendit? Bëni pak durim.

Unë do t’i përgjigjem shkakut të vërtetë të kësaj procedure dhe jo pasojës. Shkaku i vërtetë nuk jam unë. Nuk është favorizimi i një krahu kundër një krahu tjetër. Mazhoranca ka folur 291 minuta kundrejt 439 minutave të opozitës (pra 60% të kohës). Shkaku që na ka sjellë në këtë procedurë është fryma antagoniste dhe përçarëse nga e cila nuk heqim dot dorë. Nuk është shkelja e rregullores apo e Kushtetutës. Ajo është vetëm etiketa e përdorur qëllimisht gabim.

Sepse rregullorja nuk të lejon të fyesh, të shash, të akuzosh, të bllokosh foltoren, të pengosh fjalën e deputetëve të tjerë, apo të vendosësh të mos zbatosh masat disiplinore.

Po Kushtetuta? Pak gjasa ka të shqetësohesh për Kushtetutën e Republikës, ta respektosh e ta lexosh me kujdes atë, nëse je gati ta flakësh në ajër e madje ta përdorësh librin e Kushtetutës si gur mbi kokën e kundërshtarit politik. Problemi nuk jam unë, por mungesa e vullnetit për t’u angazhuar në një sjellje të re politike. Në respektim real, jo fals, të Kushtetutës, rregullores dhe traditës parlamentare. Kushtetuta, rregullorja apo tradita parlamentare garantojnë të drejtat e deputetit, por gjithashtu ndalojnë keqpërdorimin e të drejtës.

Keqpërdorimi i së drejtës duhet të jetë vija e kuqe ku mbaron e drejta jonë për të folur e për t’u dëgjuar. Nëse do të biem dakord për këtë, ashtu siç na detyron në fakt Kushtetuta dhe rregullorja - germa dhe fryma, ambicia dhe standardi europian i parlamentarizmit - atëherë nuk do të përballemi më me situata të shëmtuara që pamundësojnë zhvillimin e seancës. Por mesa duket nuk është kaq e thjeshtë. Në këtë mocion për shkarkimin e kryetarit të Kuvendit na ka sjellë rezistenca për të mos lejuar askënd, në pozicionin që unë kam nderin të mbaj sot, të guxojë të ndryshojë këtë sallë nga arenë dhune verbale në arenë të mendimeve alternative dhe politikës konstruktive.

Apo të shkurajojë personalizmin e diskursit politik, si pjesë e kulturës nga e cila duhet të ndahemi. Ndaj le ta veshim këtë sallë, ku edhe unë bëj pjesë prej vitesh tashmë, me përgjegjësitë e vërteta dhe shpesh të pathëna. Kjo kulturë që kultivohet këtu, vret. Vret shpresat e të rinjve. Vret besimin tek e nesërmja. Vret optimizmin. E sado e rëndë që mund të tingëllojë për veshët tanë, unë do ta them: Kjo kulturë e urrejtjes këtu ka pjesën e vet edhe në dhunën në shoqëri!

Duhet të përballemi me këtë të vërtetë të pakëndshme: Parlamenti nuk pasqyron thjesht shoqërinë; ai e formëson atë. Çdo fjalë e shqiptuar në këtë sallë jehon përtej këtyre mureve. Kur qytetarët ndezin televizorin ose shfletojnë telefonin, na shohin ne, përfaqësuesit e tyre të zgjedhur, të angazhuar në diskurs politik. Pavarësisht nëse e pranojmë apo jo, qoftë për mirë apo për keq, ne po u mësojmë atyre se si funksionon demokracia, si duhet të sillemi kur nuk merremi vesh, si duhet të reagojmë kur mendojmë se na shkelet e drejta. Kur merremi me sulme denigruese personale, kur bërtasim kundër njëri-tjetrit, kur i trajtojmë kundërshtarët si armiq në vend që t’i shohim si shërbëtorë të përbashkët të të mirës publike, ne i kthejmë në normë këto sjellje.

Ne u themi zgjedhësve tanë se kjo është mënyra se si duhet të veproni kur nuk ju pëlqen mendimi apo vendimi i tjetrit. Degradimi i diskursit parlamentar krijon efekt kaskadë në të gjithë shoqërinë. Kur përdorim gjuhë nxitëse, ajo bëhet fjalori i argumenteve të tryezës së darkës dhe komenteve në rrjetet sociale. Kur i demonizojmë ata që kanë pikëpamje të ndryshme, ne u japim leje fqinjëve të shohin njëri-tjetrin me armiqësi. Kur manipulojmë me gjysmë të vërteta apo shpifje, ne gërryejmë themelin e përbashkët të fakteve mbi të cilin duhet të qëndrojë debati publik. Incidenca në rritje e gjuhës së urrejtjes, polarizimi në rritje brenda komuniteteve, vullneti në rënie për t’u angazhuar në dialog përtej ndarjeve politike janë fenomene që nuk dalin në vakuum.

Ato lulëzojnë në tokën që ne kemi ushqyer me shembullin tonë. E kemi transformuar parlamentin nga një forum demokratik në një arenë lufte. Seancat që kanë degraduar në përplasje fizike, hedhje sendesh dhe fjalësh kundër njëri-tjetrit, janë në fakt dëshmi të paaftësisë sonë për t’u shkëputur nga kjo kulturë. Reagimi juaj me këtë mocion është asgjë më shumë sesa përpjekje për ta vendosur kryetarin e Kuvendit nën presionin e së shkuarës.

Pra, të vazhdimit të vazhdimit. Unë ju falënderoj që ma jepni mundësinë ta sqaroj edhe njëherë: Unë do të përpiqem dhe do të bëj gjithçka kam në dorë që ky Parlament t’i ngjasojë gjithnjë e më tepër një parlamenti europian. Natyrisht, jo i vetëm, por me të gjithë ata deputetë, të vjetër apo të rinj, nga të gjitha krahët e politikës, që e kanë vullnetin për të parë drejt të ardhmes së Shqipërisë në BE. Atë që nuk ia kam lejuar vetes në gjithë jetën time politike, dhe që përkon edhe me frymën dhe germën e rregullores dhe kodit tonë të sjelljes, të mbetur në letër, unë, brenda së drejtës sime ligjore dhe legjitime, nuk kam si ta lejoj për të tjerët.", tha Peleshi. 





Lajmet e fundit nga