web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

“Nuk mjafton denoncimi, duhet të ofrojmë alternativë bindëse”/ Intervista e plotë e Agron Dukës

10 Qershor 2024, 20:35, Politikë CNA
“Nuk mjafton denoncimi, duhet të ofrojmë alternativë
Kryetari i PAA, Agron Duka

Kryetari i Partisë Agrare Ambientaliste, një parti e qendrës, që është në opozitë, mendon se opozitës i duhet një strategji e re për të shndërruar në vota pakënaqësitë e qytetarëve për korrupsionin e qeverisë. I pyetur edhe për reportazhet e RAI3, z.Duka, tha se ato janë afera të cilat ne i dimë, por qeveria dëgjon më shumë kur ato i thuhen në gjuhë të huaj.

-Z.Duka, një betejë e “madhe” e qeverisë me median italiane, Kanalin RAI3. Rama e akuzoi televizionin edhe për sulme rraciste ndaj Shqipërisë dhe shqiptartëve. Çfarë komenti keni ju?

-Vërtet u bë shumë zhurmë, por mendoj se zhurma u bë sepse kryeministri donte ta bënte. Mesa duket i mësuar me gazetarë që ua jep pyetjet vetë, ai u mërzit shumë që një gazetar i huaj refuzoi të pinte kafe me të para intervistës. Pastaj, ajo puna e racizmit kundër nesh besoj se nuk ka njeri ta besojë. Dokumentari atakonte atë vetë dhe disa njerëz të afërt të tij si të dyshuar për korrupsion, s’ka lidhje kjo punë me shqiptarët dhe Shqipërinë, e aq më shumë me racizëm. Rama donte thjeshtë të merrte solidaritetin e shqiptarëve që të bënin shqiponjën me duar të dilnin në mbrojtje të tij.

-Po përse një kanal televiziv Italian duhej të shënjestronte kryeministrin e një vendi tjetër?

-Kështu tha Rama, por unë dëgjova qe kryeministrja Meloni vetë, kur erdhi në Shëngjin, tha se ata e kanë me mua, dhe Rama u bë objekt sulmi sepse po ndihmon qeverinë e saj dhe Italinë. Këto janë makinacione politike. Ajo që dihet është se RAI3 po ndjek një aferë të dyshuar të qeverisë italiane me kampin e Shëngjinit, dhe për të treguar se me kë po bashkëpunon Melioni, i hyri edhe lidhjeve të korrupsionit të qeverisë tonë me organizatat kriminale apo politikanë të korruptuar italianë.

-Z.Duka, jo vetëm reportazhet e RAI-t, por edhe vala e akuzave dhe arrestimeve për korrupsion, a po prodhojnë politikë? Dmth, ndërsa shqiptarët mësojnë më shumë për korrupsionin e qeverisë, a është rritur mbështetja për opozitën?

-Në fakt kështu do të duhej të ndodhte. Por s’jam shumë i sigurtë që ka ndodhur edhe pse sondazhet nuk janë shumë të besueshme. Unë s’e di se çfarë mendon një burrë apo një grua në shtëpinë e tyre kur shikojnë lajmet që tregojnë se çfarë bën qeveria e tyre, por në sipërfaqe nuk e shikoj këtë lloj “revolte” të njerëzve. Të themi të drejtën, në çdo vend tjetër qytetarët do të dilnin masivisht në rrugë po të mësonin se çfarë kanë bërë në bashki me taksat e tyre, apo se çfarë ka bërë qeveria e tyre.

-Përse ky lloj pasiviteti, i besoni ju teorisë se shqiptarët janë nështruar, s’kanë më nerv për të reaguar, duan vetëm të ikin, pra janë dorëzuar?

-Tani, që ka nga këto elementë dëshpërues, ka. Të paktën sondashet e tregojnë se më shumë se gjysma e popullisë duan të ikin nga vendi. Por ka edhe arsye të tjera. Rënia dhe plakja e popullisë, lodhja nga politika etj. Por nuk mendoj se është kjo gjithçka.

-Çfarë ka tjetër? Jeni ju dakord me shprehjen. “Qeverinë s’e duam, por as tek opozita s’kemi besim”?

Kjo do të ishte trishuese që një popull të mos dojë, apo të mos besojë as qeverinë as opozitën, se atëherë do të kishin të bënim me një krizë të thellë morale, jo thjeshtë ekonomike.

Por unë mendoj se edhe opozita ka barrën e vet në këtë realitet, pra që nuk arrin të frymëzojë qytetarët e pakënaqur që duan të ikin nga vendi i tyre, dhe nuk zgjedhin të punojnë për ta ndryshuar realitetin këtu. Opozita po bën denoncimet e aferave korruptive dhe po e bën mirë. Pork jo nuk mjafton për të marrë pushtetin. Kjo mjafton për ta dobësuar kundërshtarin.

Neve na duhet të prodhojmë një alternativë qeverisëse të besueshme. Opozita duhet të nxjerrë në vijën e parë njerëz që ngjallin besim dhe frymëzim tek publiku. Duhet të dalin njerëz që të mos i kapë kush prej xhakete e ti thotë “ti ke vjedhur paratë e taksave të mia”.

Nese nuk nxjerrim një ekip njerëzish të besuar, të ndershëm dhe të pa shantazhueshëm, rrotacioni do të jetë i vështirë. Nuk është e lehtë. Ne nuk kemi përballë një parti, por një shtet të tërë që është vënë në shërbim të partisë. Por duhet të fitojmë besimin e njerëzve. S’ka rrugë tjetër./ CNA





Lajmet e fundit nga