web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

"Kushtetuesja" pranoi kërkesën e Begajt/ Berisha e sulmon

17 Tetor 2025, 12:52, Politikë CNA

"Kushtetuesja" pranoi kërkesën e Begajt/ Berisha e sulmon

Gjykata Kushtetuese një ditë më parë pranoi kërkesën e presidentit Bajram Begaj, duke marrë vendim për përcaktimin e të gjitha mandateve të anëtarëve ekzistues.

Në lidhje me këtë vendim ka reaguar sot kreu i PD-së, Sali Berisha, duke sulmuar Gjykatën Kushtetuese duke thënë se ka shkelmuar ligjin e saj.

“Dje është regjistruar shkalla më ekstreme e keqshfrytëzimit, keqadministrimit, keqpërdorimit të Kushtetutës, institucioneve kushtetuese të vendit dhe kjo është bërë me një vendim që do të regjistrohet në muret e kohës, vendimi më i turpshëm në jurisprudencën e këtij vendi.

Do të regjistrohet si akti më skandaloz i monstrës sorosiane, reformës sorosiane të drejtësisë. Gjykata Kushtetuese vendosi shkelmimin e ligjit të saj. Gjykata Kushtetuese vendosi shkelmimin e opinioneve zyrtare të Komisionit të Venecias.

Gjykata Kushtetuese bëhet notere e një serie veprimesh antikushtetuese, antiligjore të eksponentit më kryesor të mafies në drejtësinë shqiptare, me emër Sokol Sadushi dhe presidentit antikushtetues, presidentit më të padenjë në Shqipëri, në Europë dhe më gjerë.

Dje, për të larguar nga Gjykata Kushtetuese armiken Sonila Bejtja, Gjykatëse Kushtetuese, e emëruar në vitin 2020 me dekret të presidentit Ilir Meta, Gjykata Kushtetuese vendos duke shkelmuar mbi ligjin e vet të shpallë jashtë çdo lloj kompetence ndërprerjen e mandatit të saj.

Përcaktimi i Kushtetutës në nenin 125, pika 6, se përbërja e Gjykatës Kushtetuese përtërihet çdo tri vjet më një të tretën e saj sipas procedurës së caktuar me ligj, është transkriptuar, është mishëruar në ligjin organik të Gjykatës Kushtetuese, neni 86, pika 4, në të cilin sanksionet: Përtëritja e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese deri në vitin 2022 do të bëhet sipas skemës së parashikuar më poshtë.

Pra, përtëritja me një të tretën, siç parashikon Kushtetuta, ligjvënësi e ka quajtur të drejtë ta mbajë gjer në vitin 2022.

Cilido që kishte kundërshti për këtë përcaktim të ligjit, që është ligj organik, të Gjykatës Kushtetuese, kishte të drejtën t’i drejtohej parlamentit, i cili mund të amendonte ligjin.

Por këtë nuk e bëri as Sadushi, edhe njëherë, i marrë peng nëpërmjet vetingut, të cilin në kundërshtim me Kushtetutën nuk e bëjnë publike, e mbajnë në sirtar fshehtë KLGJ-ja. Ne sigurisht do e bëjmë publike.

Qoftë vetë Bajram Limioni.

Por edhe Gjykata Kushtetuese kishte të drejtë t’i kërkonte parlamentit jo opinion për kandidaturat, se nuk ka asnjë tagër parlamenti për këtë, siç veproi, por kishte të drejtë t’i kërkonte parlamentit si ligjvënës të përcaktonte qëndrimin ndaj legjislacionit, i cili sa kohë është në fuqi, është në zbatim.

Këtu kemi përveç kësaj, po citoj një vendim të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2011, të qëndisur nga Sadushi, se nuk e meriton të citohet për asgjë së është autori i një puçi brenda institucioneve. Po lexoj Komisionin e Venecias. Duhet të hiqen vitet fikse të fillimit dhe mbarimit të mandateve 9-vjeçare. Gjyqtarët Kushtetues duhet të gëzojnë një mandat të plotë 9-vjeçar. Sonila Bejtja ka filluar detyrën në 2020. Duhet të mbarojë në 2028.

Komisioni i Venecias thotë se gjyqtarët kushtetues duhet të gëzojnë një mandat të plotë 9-vjeçar, edhe nëse janë zgjedhur më vonë apo kanë marrë mandatin e dikujt që është larguar.

Sipas ligjit të Gjykatës Kushtetuese, opinionit të Venecias dhe vetë Kushtetutës, mandati i saj nuk mund të ndërpritet. Kushtetuta thotë se mandati i saj fillon nga momenti kur gjyqtari bën betimin.

Kjo është zero tolerancë ndaj mendimit ndryshe, ndaj pakicës. Zonja Bejtja ishte një zë i pavarur që nderontë parimin themelor të një sistemi. Këtu nuk po bëhet avokati politike, por për rendin kushtetues. Me atë përbërje që ka Gjykata Kushtetuese me njerëz të marrë peng, nuk ka dyshim se Edi Rama kontrollon çdo gjë.

Presidenti shkon e punon në privat duke shkelur në mënyrë flagrante nenet e Kushtetutës. Dy nene. Ky i turrej me fyerje Gjykatës Kushtetuese pse vendosën të anulojnë dekretin e tij për Erion Veliajn dhe relatore për këtë çështje ishte Sonila Bejtja. Ky akt dëshmon rënien e institucioneve të vendit, rënien e Kushtetutës dhe ligjeve. Nuk ka fjalë për të përshkruar këtë skandal të paimagjinueshëm. Ti mendon se mandati i kësaj zonje duhet të jetë 4-vjeçar, por këtë nuk e thotë ligji”, tha Berisha./ CNA





Lajmet e fundit nga