web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

“Ballkani drejt BE-së, mes reformave dhe pajtimit”/ Mesazhi i Andrei Kovaçeviç nga Pusteci

24 Tetor 2025, 15:19, Politikë CNA

“Ballkani drejt BE-së, mes reformave dhe pajtimit”/ Mesazhi i

Në Pustec, kryetari i Komisionit Parlamentar në Bashkimin Europian për Anëtarësimin e Ballkanit Perëndimor, Andrei Kovaçeviç, dha një mesazh të qartë mbi të ardhmen europiane të rajonit, duke theksuar rëndësinë e reformave, pajtimit dhe bashkëpunimit mes vendeve. Në fjalën e tij, ai nënvizoi se procesi i integrimit është thelbësor si për BE-në, ashtu edhe për vendet kandidate, veçanërisht në një periudhë sfidash gjeopolitike. Sipas tij, vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të pranohen sa më shpejt në Bashkimin Europian, bazuar në përparimin dhe meritat e secilit prej tyre.

"Procesi i integrimit është jashtëzakonisht i rëndësishëm për të dyja palët, si për Bashkimin Europian, ashtu edhe për vendet kandidate. Në këtë situatë të vështirë gjeopolitike në botë, duhet të pranojmë sa më shpejt të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. Sigurisht, çdo vend vlerësohet sipas meritave të veta dhe sipas përparimit të reformave. Për këtë arsye, ne i shohim të gjitha vendet në mënyrë të veçantë."

Kovaçeviç vlerësoi Shqipërinë dhe Malin e Zi si vendet më të avancuara në procesin e integrimit, duke shprehur shpresën që shumë shpejt edhe Shqipëria të mirëpritet si anëtare e plotë e BE-së. Ai theksoi se uniteti politik dhe bashkëpunimi ndërmjet mazhorancës dhe opozitës janë garanci për arritjen e këtij objektivi.

"Shqipëria dhe Mali i Zi janë dy vendet që ndodhen në fazën më të avancuar të integrimit dhe të procesit të negociatave me Bashkimin Europian. Shpresa jonë është që në vitet e ardhshme të mund t’u themi mirëseardhjen si anëtarë të plotë të Bashkimit Europian disa prej vendeve të Ballkanit Perëndimor. Unë shpresoj që ndër to të jetë edhe Shqipëria."

Një pjesë e rëndësishme e fjalës së tij iu kushtua edhe marrëdhënieve ndërfqinjësore. Ai u bëri thirrje vendeve të Ballkanit që të lënë pas ndasitë historike dhe të investojnë në lidhje më të forta ekonomike, kulturore dhe arsimore, duke e konsideruar bashkëpunimin rajonal si çelës për stabilitetin dhe zhvillimin.

"Ballkani duhet ta kapërcejë atë që ndoshta në të kaluarën na ka ndarë dhe sot të investojmë vetëm në marrëdhënie të mira fqinjësore, në lidhje infrastrukturore, ekonomike, tregtare e financiare, në lidhjet mes njerëzve. Të ketë më shumë vizita ndërmjet vendeve të ndryshme të Ballkanit, të rinjtë të kenë mundësinë të arsimohen aty ku dëshirojnë, ndërsa kufijtë të jenë simbolikë, ashtu siç ndodh në vendet e tjera, përfshirë edhe vetë Bullgarinë, e cila tashmë është pjesë e kësaj pjese të zonës Shengen."

Në mesazhin e tij, Kovaçeviç ndaloi edhe te Maqedonia e Veriut, duke apeluar që të përmbushen kushtet për nisjen e negociatave dhe të shmanget çdo lloj tensioni lidhur me çështjet identitare. Ai u shpreh se Bullgaria nuk e pengon rrugëtimin europian të Maqedonisë, përkundrazi e mbështet atë fuqimisht, duke kërkuar vetëm respektimin e barazisë dhe përfshirjen e komunitetit bullgar në Kushtetutë.

"Kjo është plotësisht e realizueshme. Kjo varet nga vetë ju dhe unë e konsideroj Shqipërinë dhe shoqërinë shqiptare si një nga më proeuropianet dhe euroatlantiket. Mendoj se kur shumica dhe opozita kanë të njëjtin qëllim, të kontribuojnë vërtet në anëtarësimin e shpejtë të Shqipërisë në Bashkimin Europian, kjo do të bëhet realitet. Pavarësisht mosmarrëveshjeve politike, kjo çështje duhet t’i bashkojë të gjithë dhe, nga ato që kam vëzhguar në parlamentin shqiptar, si qeveria edhe opozita janë të unifikuara në këtë drejtim."

Në përfundim, Kovaçeviç theksoi se Bashkimi Europian është i gatshëm të mirëpresë të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, me kusht që ato të realizojnë reformat e nevojshme dhe të ndërtojnë marrëdhënie të qëndrueshme paqeje e bashkëpunimi.

"Unë pres që më në fund të nisin edhe ata negociatat për anëtarësim në Bashkimin Europian, sapo të përmbushin kushtet që ka pranuar vetë Republika e Maqedonisë së Veriut. Ne, si Republikë e Bullgarisë, nuk kemi pasur kurrë problem me emrin Republika e Maqedonisë dhe Bullgaria në asnjë mënyrë nuk e pengon anëtarësimin europian të Maqedonisë. Përkundrazi, ne e mbështesim fuqimisht që vendi të ecë përpara. Kjo nënkupton edhe përfshirjen e komunitetit bullgar në Kushtetutë, njësoj si të gjitha komunitetet e tjera përbërëse të shtetit. Gjithashtu kërkojmë që të mos ketë diskriminim ndaj atyre që deklarojnë hapur identitetin e tyre historik bullgar. Një thirrje e qartë se ne i mirëpresim të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor si anëtare me të drejta të plota të Bashkimit Europian, por ato duhet të realizojnë reformat e tyre dhe pajtimin me të kaluarën. Ato vetë duhet të kapërcejnë pengesat që na ndalojnë, e që vijnë nga epokat e shkuara.Në Maqedoninë e Veriut ndiqen edhe mediat shqiptare. I bëj apel mikut tim, Hristijan Mickoski, që pas fitores elektorale dhe pas përfundimit të raundit të dytë për partinë e tij, të lërë pas disa nga parullat e vjetra dhe sa më shpejt të nisin negociatat për anëtarësim në Bashkimin Europian. Ne do t’i mbështesim dhe dëshirojmë anëtarësimin e Republikës së sotme të Maqedonisë së Veriut, ashtu si edhe të Shqipërisë, por çdo vend vlerësohet veçmas, në bazë të përparimit të tij."

Këtë deklaratë, kryetari i komisionit parlamentar në BE për anëtarësimin e Ballkanit Perëndimor, Andrei Kovaçeviç, e dha nga Pusteci, ku mori pjesë në vizitën e mjekëve bullgarë në Qendrën Shëndetësore të kësaj bashkie./ CNA





Lajmet e fundit nga