LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Negociatat me Putinin, të pamundura/ Lufta merr fund vetëm me humbjen e tij

13 Dhjetor 2022, 08:33, Opinione Boris Johnson

Negociatat me Putinin, të pamundura/ Lufta merr fund vetëm me humbjen

Mua nuk më intereson sesa shpesh detyrohem që ta them: Lufta në Ukrainë mund të përfundojë vetëm me humbjen e Vladimir Putinit. Forcat ruse duhet të shtyhen përtej kufirit de facto të para 24 shkurtit. Nuk ka asnjë mënyrë që Volodimir Zelenski apo populli ukrainas të pranojnë një rezultat tjetër.

Dhe kjo është logjike pas vuajtjeve që kanë duruar. Po ashtu nuk mund të ketë një marrëveshje paqeje në këmbim të lëshimeve territoriale, edhe nëse Putin do ta ofronte atë dhe edhe nëse do t’i zihej besë, teksa ai ka vërtetuar të kundërtën. Meqenëse lufta mund të përfundojë vetëm në një mënyrë, pyetja është se sa shpejt do të mbërrijmë tek fundi i pashmangshëm.

Është në interesin e të gjithëve, përfshirë edhe të vetë Rusinë, që ky konflikt të marrë fund sa më shpejt që të jetë e mundur. Jo në vitin 2025, as në vitin 2024, por vitin e ardhshëm. Bota nuk mund të vazhdojë ta shohë ukrainasit që terrorizohen çdo orë e çast me raketa dhe dronë.

Negociatat me Putinin, të pamundura/ Lufta merr fund vetëm me humbjen

Është një gjë neveritshme në aspektin moral që miliona njerëz po mbeten natë pas nate pa ngrohje, drita apo ujë, për të mos përmendur pastaj vrasjet e vazhdueshme dhe pa asnjë dallim të civilëve. Dhe sa më gjatë që Vladimir Putin vazhdon me sulmet e tij të pakuptimta, aq më gjatë do të vazhdojë edhe kriza e ekonomisë globale.

Në lidhje me pasojat e krizës ekziston rreziku serioz i vetëkënaqësisë. Për të gjithë ata që mbështeten tek gazi rus, ky dimër do të jetë shumë i vështirë, edhe pse falë përpjekjeve të jashtëzakonshme organizative për të kursyer energjinë, ne do ta kalojmë atë.

Problemi më i madh do të jetë dimri i ardhshëm, i viteve 2023-2024, kur rezervat do të jenë mbaruar dhe do të jetë më e vështirë për t’i rimbushur. Terminalet e gazit të lëngshëm natyror të sapo-vënë në punë nuk do të jenë ende funksionalë.

Disa vende evropiane po nxitojnë të ndërtojnë më shumë kapacitete të impianteve eolike në det të hapur, por as ato nuk do të jenë gati në kohë. Dhe sigurisht nuk do të kemi më në dispozicionit termocentralet bërthamorë. A do të presim duarkryq, derisa Putin të ketë rifituar një pjesë të ndikimit të tij?

Unë gjykoj se është koha për të diskutuar urgjentisht se çfarë mund të bëjë më shumë Perëndimi për t’i ndihmuar ukrainasit të arrijnë objektivat e tyre ushtarake, ose të paktën për t’i dëbuar rusët nga të gjitha territoret e pushtuara këtë vit. Kjo është e vetmja bazë e besueshme mbi të cilën mund të nisin negociatat në të ardhmen.

Negociatat me Putinin, të pamundura/ Lufta merr fund vetëm me humbjen

Ukrainasit kanë kurajon e nevojshme për të pasur sukses. Ata e kanë treguar këtë gjë.

Por kanë nevojë vetëm për pajisjet ushtarake. Kontributi amerikan ka qenë tashmë i jashtëzakonshëm, të paktën 17 miliardë dollarë ndihmë ushtarake. Mbretëria e Bashkuar është zotuar të japë rreth 2.3 miliardë paund.

Edhe vendet e tjera e kanë shtuar ndihmën. E di që këto shpenzime janë të dhimbshme në një kohë të kufizimit fiskal, por koha është para dhe sa më gjatë të vazhdojë lufta, aq më shumë do të paguajmë në formën e mbështetjes ushtarake. Prandaj le të ndajmë barrën dhe të përshpejtojmë përfundimin e luftës.

Së pari le t’u japim ukrainasve ndihmën që u nevojitet kundër sulmeve ajrore. Kievi ka nevojë për mjete ajrore pa pilot, për të zbuluar vendndodhjen e bazave të lëshimit të dronëve dhe raketave, si dhe raketa kundërajrore për t’i asgjësuar ato.

Dronët kanë të njëjtin motorë si skuterët Vespa, ndaj avionët që i rrëzojnë ata nuk ka pse të jenë të shpejtë. Siç më tha një ukrainas “punë do të bënte edhe avionët Spitfires”. Ne në Britani nuk prodhojmë më Spitfires por shumë vende kanë avionët të tillë, ndaj duhet të ndihmojnë.

Thuhet se Putin ka filluar të vendosë bombat luftarake konvencionale tek raketat me mbushje bërthamore, dhe kjo tregon se atij po i mbarojnë dronët dhe raketat. Ky është vetëm një supozim, por nuk kemi luksin të presim për ta zbuluar.

Negociatat me Putinin, të pamundura/ Lufta merr fund vetëm me humbjen

Siç më tha kohët e fundit ish-këshilltari i sigurisë kombëtare i SHBA-së, HR McMaster, ukrainasit duhet të jenë në gjendje që të heqin “shigjetat” dhe duhet të jenë në gjendje të dëbojnë edhe “shigjetarin”. Ata kanë nevojë për sisteme me rreze më të gjatë goditëse, si ATACMS, që do t’u jepnin mundësinë të godasin bazat e lëshimit të raketave.

Po ashtu u duhen makina të blinduara dhe tanke për të rimarrë sa më shpejt territorin e pushtuar.

Unë e di kundër-argumentin që tashmë është bërë i bezdisshëm se rritja e ndihmës për Ukrainën rrezikon përshkallëzimin e konfliktit. Ne nuk guxojmë të rrezikojmë të godasim “ariun rus”. Sigurisht për arsye shumë logjike, pasi gati një viti të këtij konflikti të tmerrshëm, e shohim se çfarë marrëzie totale është kjo.

Vladimir Putin e di se nuk mund të përdorë armë bërthamore apo armë të tjera të shkatërrimit në masë. Pasi i di mirë pasojat. E vërteta është se është ai që i frikësohet përshkallëzimit. Nuk ka pasur asnjë kërcënim nga NATO që e “provokoi” atë për të pushtuar Ukrainën.

Ishin dekadat e plogështisë dhe të pavendosmërisë së Perëndimit ndaj statusit të Ukrainës, ato që e joshën atë të bënte gabimin e tij. Perëndimi e ka shlyer këtë dështim me një shfaqje mahnitëse të koherencës dhe unitetit që nga fundi i shkurtit. Por sot ne duhet të jemi më të fortë dhe më të guximshëm. Për hir të botës, le t’i ndihmojmë ukrainasit e guximshëm që të përfundojnë punën, dhe sa më shpejt aq më mirë.

Shënim:Boris  Johnson, kryeministër i Britanisë së Madhe në vitet 2019-2022

Përkthyer nga CNA.al

Lajmet e fundit nga