web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Mbi denigrimin e deputetëve nga veza dhe domatja

5 Korrik 2026, 13:07, Opinione Klodian Tomorri

Mbi denigrimin e deputetëve nga veza dhe domatja

Pasi votuan për të shkatërruar portet e Shqipërisë duke u ngarkuar qytetarëve shqiptarë një faturë mbi 2 miliardë euro, që dikush të fitonte para;

Pasi shtynë 7 herë ligjin për investimet strategjike për të grabitur çdo copë të Shqipërisë;

Pasi kanë bllokuar me votë dhe me ndërgjegjen e tyre të plotë çdo kërkesë të drejtësisë për heqjen e imunitetit ndaj zyrtarëve të lartë nën hetim apo nën akuzë;

Pasi në 14 vjet nuk kanë rrëzuar asnjë nismë apo projektligj të qeverisë që bie ndesh me interesin publik; (edhe Papa i Romës do të kishte bërë ndonjë gabim në 14 vjet)

Pasi janë shndërruar në një instrument robotik i programuar për të zbatuar vetëm dy detyra:

1 - Ngritjen e kartonit për çdo nismë perverse dhe korruptive të qeverisë
2 - Mbrojtjen e shefit publikisht dhe vërsuljen ndaj kujtdo që kritikon shefin e madh

Pasi në 14 vjet kanë ligjëruar çdo grabitje të madhe e të vogël të qeverisë dhe klientëve të saj;

Pasi, pasi, pasi...

Sot po ngrenë shqetësimin e madh kombëtar se goditja me vezë, miell dhe domate po denigron figurën e deputetëve dhe zyrtarëve të lartë të vendit.

Po kush e diskreditoi figurën e deputetit dhe ministrit në Shqipëri? Domatja dhe veza në xhamin e makinës apo këto më sipër? I ndjeri Vasillaq Vangjeli e pati thënë shumë bukur njëherë: a prishet veza e prishur?

Kjo protestë në 35 ditë ka pasur vetëm dy episode të shëmtuara, që duhen dënuar me forcë: goditjen e një oficeri të policisë me gur në kokë para Parlamentit dhe sulmin ndaj komisariatit një ditë më parë.

Ishin njerëz të infiltruar apo një grusht protestuesish të etur për dhunë në mes qindra mijëra qytetarëve model — kjo ka pak rëndësi. Ajo që është e rëndësishme është fakti se çdo qytetar dhe protestues duhet të distancohet dhe t’i dënojë me forcë ato dy akte, ndërsa ata që i bënë apo i organizuan duhet të japin përgjigje para ligjit.

Por mielli dhe domatja nuk janë problemi. Përkundrazi!

Shqipëria kishte rënë në një situatë tragjike, ku për një dekadë qeveria ka qeverisur pa asnjë grimcë frike se mund të humbiste pushtetin. Kjo për shkak të korruptimit të sistemit që mundëson rotacionin në demokracitë e lira dhe për shkak të dobësisë, mëkateve apo edhe komprometimit të opozitës.

Imagjinoni se çfarë bën një pushtet absolut, i cili qeveris për një kohë kaq të gjatë pa më të voglën frikë se do ta rrëzonin. Në fakt nuk ka nevojë fare të imagjinohet, por mjafton të shihet se çfarë kanë bërë realisht.

Kur shkatërron demokracinë, kur shkatërron institucionet, kur i fut gjithë kohën thikën pas shpine interesit publik, atëherë opozita bëhet veza dhe domatja.

Kështu që deputetët dhe ministrat, nëse nuk duan vezët, domatet apo të përballen me qytetarët e zemëruar, duhet të mendojnë mirë kur të ngrenë kartonin. Kaq.





11:00 Opinione Ardi Stefa

Arkivoli në shesh

Arkivoli është një nga simbolet më të forta politike. Mund...

13:05 Opinione Dr.Arben Ramkaj

Nga Nili në Ballkan

Po të ulesh një pasdite buzë brigjeve të Nilit dhe ta lejo...

Lajmet e fundit nga