web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Osman Mula i përgjigjet Ramës/E rrënove me qëllim që ta prishësh nesër

19 Janar 2026, 14:34, Opinione Osman Mula

Osman Mula i përgjigjet Ramës/E rrënove me qëllim që ta

Nga Osman Mula 

E rrënove me qëllim që ta prishësh nesër.

Ky ishte synimi yt tash e 13 vjet.

Që nuk e sheh RTSH-në nuk shqetësohem, por kur armata e medias, si private dhe ajo publike, të shërben ty, dhe vetëm ty me porosi dhe përcaktim, “o me mua ose në ferr”, kjo më shqetëson mua. Ky është parimi yt. 

Po mirë, nuk je ti ai që porosite dhe u premtove gazetarëve se cilin nga ata të zellshmit prej tyre do ta bëje drejtor të Përgjithshëm të RTSH-së dhe ata pasi të emëroheshin do të bënin stafet që të shërbenin ty?

Edhe të tjerët vepruan si ti, por ti gabove rëndë. Ti krijove një nepotizëm të sëmurë aq sa nga paaftësia e tyre dhe servilizmi ndaj teje të ngopën ose ta neveritën ekranin sa tani je gati t’i hedhësh nga ura (siç e ke zakon ti pasi i shtrydh).

Tani, se kush është Radio Televizioni Publik Shqiptar kjo dihet sepse ka 70 vjet që funksionon dhe për 50 vite ishte stacioni i vetëm, por që mbajti gjallë publikun shqiptar.

Çdo vend i botës ka një televizion publik kombëtar pasi është i një rëndësie të veçantë dhe zhvillon problemet kombëtare, transmeton evenimentet kryesore të shtetit të tij ndyshe nga stacionet private që e kanë në themel konkurrencën dhe thithjen e reklamës në çdo mënyrë. Nuk është detyra e Radio Televizionit Publik t’i shndërrojë emisionet apo programet në Elektrik Blu siç i ke ti disa stacione për zemër ku edhe në banjë vënë kamerë të fshehtë.

Të mos shohësh prej 35 viteve stacionin publik shqiptar nuk është as mençuri dhe as snobllëk i kohës për të treguar se sa modern jam unë. Ti nuk je kryetar opozite sot që mund të thuash nesër “Unë do ta reformoj ose do ta prish Radio Televizionin Publik Shqiptar”.

Ti ke 13 vjet që je në pushtet dhe komandon çdo gjë që është sot në Shqipëri. E mban mend kur në 2014 e shembe televizionin “Agon Chanel” të italianit sepse e pe si kundërshtar.

Që në start e nise gabim, duhet ta respektosh mendimin ndryshe, kjo është demokracia, por ti nuk e pranon se je i dhunshëm. Mban përgjegjësi dhe për RTSH-në se ti i emëron kuadrot drejtuese në RTSH, në KKRT dhe mazhorancën në Këshillin Drejtues të RTSH-së. Të gjithë sektorët i ke me përfaqësues nga ana jote biles dhe 40 projektet e vitit të fundit u realizuan në RTSH nga “beniaminët” tuaj sa në studio aq edhe në podkast duke thithur buxhetin me pagesa të mëdha që e futën institucionin në kolaps financiar.

Mos luaj indiferentin se ti me dashje nuk e sponsorizon Radio Televizionin se as nuk të pëlcet për të. Ti aty do truallin se do të bësh kulla dhe mos i bjer nga Kina që e ke për zemër, por thuaj troç që do ta shemb pasi ke vite që edhe projektin e kullave e mban te zyra jote.

Na dërgove edhe një deputet gjoja kundërshtar tëndin e shoqërove me dy njerëz që t’ia tregonin rrugën dhe e sollën te dera e Radio Televizionit, pasi e pa me vëmendje tha këtu mund të ndërtohen kulla. Ky ishte ai Goni yt, një politikan që sapo fillon karrierën politike e fillon mbrapsht dhe tallet me djersën e qindra e qindra punonjësve që punuan me dekada në atë televizion.

Radio Televizioni është në pronë të vet dhe ka financa të mbrojtura nga taksat e shqiptarëve, është anëtar i EBU-se për të cilin erdhi një delegacion dhe ra dakord për një zhvillim akoma më modern teknologjik si të ruajmë financat dhe si të thithim reklamën, për këtë arsye dërguam një delegacion të kryesuar nga zonja Eni Vasili, Drejtoreshë e Pergjithshme e Radio Televizionit Shqiptar.

Për pak muaj që jemi aty korrigjuam financat, organizuam njësitë dhe departamentet, u deleguam punë të gjithë hallkave në RTSH dhe vendosëm fashë orari pasi transmetimi në TVSH me aq shumë stacione nuk linte gjurmë mbi të gjitha hoqëm nervin psikologjik të frikës që ishte kthyer si rajon policie në Radio Televizion. Njerëzit ishin aq të trembur për të nesërmen.

Ne u rritëm rrogat, i futëm shpresën dhe në monitorimin e kohëve të fundit RTSH-ja u ngrit disa shkallë. Dhe del ti me idenë e një sunduesi dhe vetëm shan e mallkon njerëz që i ke vendosur vetë. Mos u merr me RTSH-në, ktheji sytë kah qeveria jote se gjysmat i ke nëpër burgje.

Kur ne nuk na sheh përse na dërgon grupe me shkresa 3-vjeçare nga stacione që i ke për zemër kur për 3 vjet ata duhet të merren me festivalet kur vetë institucioni ka punonjësit e vet.

-Përse atëherë ti kur nuk e sheh televizionin, e fton këngën fituese në podkastin tënd, siç fton dhe atë fituesin e BIG-ut tënd për të treguar se sa të ndjekin ty. Nuk mund të ma thuash mua as kolegëve të mi që kemi punuar me Kico Fotjallin, Virgjil Kulen, Vera Zhein, Haki Bejlerin, Tefta Radin, Dhimitër Gjokën etj., sepse ato ishin kolosë të mikrofonit dhe jo moderatorë si ti. Atëherë nuk të takon të merresh me atë institucion dhe të mohosh sepse s’të nderon ty. Meqenëse nuk të ndihmon mos i fyej drejtuesit që i solle vetë nuk është e moralshme.

Përse ndihmon stacionet private me buxhete të mëdha dhe me të drejtën e reklamës, me sponsorizime spektaklesh si nga qeveria ashtu dhe bashkia, me shuma marramendëse në çdo vit dhe, ato të ftojnë për t'u shpëlarë dhe të japin ndonjë kupë në dorë që ti t’ia dhurosh ndonjërit që ka fituar nga lotaria kombëtare.

A nuk je ti që i emërove dy drejtorë të Përgjithshëm në RTSH? Njëri përfundoi në burg dhe tjetri kandidat. Kush mban përgjegjësi? Po ata artistë që merr ti në avion dhe i paguan nga qeveria dhe jo vetëm një herë, por në çdo udhëtim për t’i përdorur në çdo fushatë në salla për Diasporën. Bile njërit i dhe gjysmën e parkut te liqeni se gjoja do të bënte recital. Këta artistë i ke dhe në postera rrugësh dhe ai stafi yt servil që ke në Kryeminstri të bën seleksionimin se kush është me ty dhe kush është kundër teje.

Ti nuk pyet për asnjë institucion artistik sepse ti të gjitha i prishe si kinema, teatër kombëtar, cirku, estrada dhe tani së fundmi në RTSH. Të gjithë duam që të reformohet Radio Televizioni Shqiptar. Të gjithë duam reformë, por në RTSH ke mbesa e nipa dhe njerëz me teser dhe pa teser që të shërbejnë ty. Dhe po t’i heqim do të na i kthesh përsëri ti.

Ai institucion do të mbijetojë, edhe pse ti je hakmarrës, konjuktoral, anti-RTSH publik. Ti mendon se këtu mund të fshish gjithçka dhe sytë i ke si ta rregullosh botën. Rregullo veten dhe shtetin se je sot njeriu më i përfolur në Ballkan e Europë për korrupsion shtetëror. Bile, kaq i dashuruar je me veten dhe me kullat saqë dhe portretin tënd e do aty në majë. Po mirë është Skënderbeu aty, nuk ka nevojë për kalorës tjetër.

Na the se ke 35 vite që nuk na sheh, as ne nuk të shohim ty bile unë kam 20 vjet që nuk të ndjek se sa del ti në ekran nuk më lë gishti se shtyp pultin.

Prej vitesh në dhjetor kur ka aktivitete artistike si festivali apo koncerti i Vitit të Ri, çelet ekrani, gëzon si fëmija, gjithçka duket më e bukur bashkë me çantat që mbajnë njerëzit për sofrën e Vitit të Ri, por sa vjen janari dhe fillon parlamenti yt gjithçka venitet, gjithçka rrudhet kjo vjen si rezultat i politikës që nxjerr vrerë.

Po ta kujtoj ish-presidentin e Amerikës, Nixon, kur dha dorëheqjen nga skandali i “watergate”. Dhe në intervistën e parë sapo doli para gazetarëve u shpreh: U tërhoqa si president pasi urrejtja që mbaja thellë në shpirt ndaj medias më mundoi, s’më la të qetë, nuk arsyetoja dot prandaj hapa rrugë. Faleminderit!/ CNA





15:39 Opinione Grigels Muçollari

Kur SHBA të heq vizën!

Kufizimi i vizave amerikane për shtetasit shqiptarë nuk ës...

Lajmet e fundit nga