web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Dy fjalë për mazhorancën e minorancës dhe legjitimitetin e zgjedhjeve

9 Nëntor 2025, 17:23, Opinione Ardi Stefa

Dy fjalë për mazhorancën e minorancës dhe legjitimitetin e

Në një bashki me 200 mijë banorë me të drejtë vote, në kutitë e votimit shkojnë vetëm 40 mijë qytetarë. Një pjesëmarrje prej 25%. Nga këta, 30 mijë votojnë një kandidat, dhe 10 mijë tjetrin. Në fund, kandidati me 30 mijë vota shpallet “fitues” dhe për katër vite merr drejtimin e qytetit. Aritmetika është e qartë, por moralisht nuk shkon: Me vetëm 15% të votave të qytetarëve të tij, ai do të qeverisë 100% të tyre.

Në letër, gjithçka duket në rregull: demokracia duket se ka funksionuar, zgjedhjet u mbajtën, votat u numëruan, fituesi doli me “shumicë”. Por në thelb, kjo është një demokraci e zbehur, një demokraci pa pjesëmarrje ose, ndryshe, paradoksi i demokracisë sonë numerike: një mazhorancë brenda një minorance merr mandatin për të qeverisur shumicën absolute që nuk foli fare. Një pushtet që del nga apatia, jo nga vullneti. Një qeverisje që mban mbi supe jo peshën e besimit qytetar, por boshllëkun e pjesëmarrjes.

Dhe atëherë lind pyetja: Nëse 85% e qytetarëve nuk përfshihen në vendimmarrje, atëherë për çfarë demokracie e “pushtet të popullit” flasim? A është kjo vërtet legjitime? A është legjitim një pushtet që buron nga një pakicë? Jo ligjërisht, sepse ligji ia njeh fitoren, por moralisht, politikisht dhe qytetarisht? A mund të quhet “përfaqësues” dikush që përfaqëson vetëm një në gjashtë qytetarë?

Demokracia, nuk është vetëm procedurë, por edhe pjesëmarrje. Kur tre të katërtat e qytetarëve zgjedhin të mos votojnë, nga mosbesimi, apatia apo neveria, sistemi nuk mund të mburret me legjitimitet. Ai mburret thjesht me formalitet. Sepse, në fakt, qeverisja që del nga një pjesëmarrje kaq e ulët është një mandat i dhënë jo nga populli, por nga një fragment i tij. Një “mazhorancë e minorancës”, e cila teknikisht është fituese, por moralisht dhe politikisht është e cunguar.

Ky është një defekt strukturor i demokracisë moderne, e cila shpesh mat suksesin me procedurë, jo me përfshirje, njeh rezultatin numerik, por nuk pyet për substancën e përfaqësimit. Shpall fituesin, pa pyetur pse tre të katërtat e qytetarëve zgjodhën të mos marrin pjesë. Nuk pyet pse njerëzit e ndjejnë votën si të pavlefshme,

Në thelb, mazhoranca e minorancës është treguesi më i qartë i një sistemi të sëmurë: qytetarë të lodhur, të zhgënjyer, të dorëzuar. Demokracia është kthyer në ritual, akt formal, një ditë votimi pa shpirt, ku pushteti legjitimohet me heshtje, jo me pjesëmarrje.

Ndoshta ka ardhur koha të mendojmë ndryshe. Të gjendet një mekanizëm që e detyron sistemin të kërkojë legjitimitet real, jo thjesht formal. Të mos mjaftohemi me numra, por të kërkojmë legjitimitet të vërtetë demokratik. Të vendosim prag minimal pjesëmarrjeje që një proces të quhet i vlefshëm. Të kërkojmë mekanizma që e detyrojnë politikën të dalë nga kornizat e propagandës dhe të trokasë te çdo derë, te çdo qytetar. Të kthehet besimi, qytetari të ndihet pjesë e vendimit, sepse pa besim, vota nuk ka vlerë.

Në të kundërt, do të vazhdojmë të kemi një demokraci që funksionon vetëm në letra, qytete të qeverisura nga mazhoranca e minorancës, ose më saktë nuk qeveriset nga vullneti i qytetarëve, por nga indiferenca e tyre dhe ku heshtja e shumicës bëhet vula e një legjitimiteti të rremë dhe kjo, sado “demokratike” në formë, është thellësisht e padrejtë në përmbajtje./CNA





21:37 Opinione Lutfi Dervishi

Hipokrizia...

E vlerësojnë për "kontributin në PS", ndërkohë që PS-ja e so...

Lajmet e fundit nga