web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Pse miqësia na bën më të shëndetshëm

4 Prill 2023, 08:12, Kuriozitete Christine Ro
Pse miqësia na bën më të shëndetshëm
Foto ilustruese

Beni Shejks duhet të racionojë energjitë kur bëhet fjalë për miqtë e tij. “Unë anuloj vazhdimisht takimet me miqtë e mi”, e pranon ai. Ai ka një punë që kërkon shumë energji. Është një komedian 'stand-up' me banim në Notingem të Britanisë së Madhe. Po ashtu, ai ka probleme të shëndetit mendor dhe ka pësuar një paralizë cerebrale.

“Për shkak të gjendjes sime, e kam të vështirë të mbaj shumë miqësi. Unë jam i lodhur shumicën e kohës, sepse më merr shumë kohë puna në kompjuter”- shton ai. Fatmirësisht miqtë dhe partnerja e tij e kuptojnë nevojën e tij për të qëndruar rregullisht vetëm (e cila ndryshe nga vetmia, është vullnetare).

Miqtë e ndihmojnë atë në shumë mënyra, nga kujtesa për të pirë ilaçet, deri te mbështetja e tij gjatë krizave të shëndetit mendor. Por kjo ndihmë shkon në të dyja drejtimet. Për shembull, së bashku me mikun e tij, Mark Nikolas, ai ngriti gjatë pandemisë së COVID-19 një grup në rrjetet sociale me humoristë dhe artistë të tjerë me aftësi të kufizuara.

“Tani ne mbështesim 25 njerëz, të cilët nëse janë të mërzitur ose kanë nevojë për mbështetje, mund t’i dërgojnë një mesazh faqes dhe njëri prej nesh do ta mbështesë menjëherë”, - shpjegon Shejks. Ndërsa përvojat e jetës së tij janë unike, Beni nuk është i vetëm në përjetimin e shumë prej vetive shëruese që ka miqësia.

Nga një gjendje psikologjike e përmirësuar, deri te një shëndet kardiovaskular më i mirë, miqësitë kanë përfitime shumë të qarta mbi mendjen dhe trupin tonë. Edhe pse historikisht ato janë trajtuar si më pak të vlefshme sesa marrëdhëniet romantike dhe familjare.

Gazetarja shkencore, Lidia Denuort, e cila ka shkruar një libër mbi shkencën e miqësisë, mahnitet se si izolimi social ndikon mbi sistemin imunitar të njeriut. Kur dikush është i vetmuar, qelizat e bardha të gjakut e ndryshojnë sjelljen e tyre, duke çuar në më shumë inflamacion dhe në një reagim të dobët të sistemit imunitar.

Por nuk është vetëm sistemi imunitar. Njerëzit e integruar nga ana sociale, priren të kenë një jetë më të gjatë dhe më të shëndetshme. Ata janë më pak të rrezikuar të kenë hipertension. Po ashtu miqësia me të tjerët mund t’i ndihmojë njerëzit të flenë më mirë dhe madje të shërohen më shpejt, siç e tregon edhe një studim.

Anasjelltas, miqësitë e tensionuara janë parashikues të rëndësishëm të sëmundjeve kronike.

Në disa raste shkëputja sociale përbën një rrezik më të madh për vdekshmërinë e hershme, sesa fajtorët e zakonshëm si pirja e duhanit dhe kolesteroli i lartë. Një pjesë e kësaj varet nga lidhjet sociale dhe mbivendosjet e shumëfishta midis shëndetit mendor dhe fizik.

Lidhjet midis aspekteve të ndryshme të shëndetit janë më se të dukshme edhe për Dona Tërnbull, menaxhere e zhvillimit të komunitetit për “Voluntary Action Camden", një organizatë bamirësie në veri të Londrës. “Në përgjithësi pranohet se izolimi social do të përkeqësojë shumë çdo lloj problemi shëndetësor. Nëse nuk jeni aktiv në aspektin shoqëror, shpeshherë nuk jeni aktiv as fizikisht”, - thotë Tërnbull.

Por nuk është domosdoshmërisht i vërtetë fakti që miqësia është më e mirë për shëndetin sesa llojet e tjera të lidhjeve të forta sociale. Ato që janë të qëndrueshme, pozitive dhe reciproke.

Një studim i Saida Heshmati, psikologe në Universitetin Klarmont në SHBA, dhe i kolegëve të saj sugjeron se “pavarësisht se nga vijnë këto akte të vogla dashurie, apo nga çfarë marrëdhënie vijnë, cilësia e këtyre ndërveprimeve është shumë e rëndësishme. Kjo do të thotë se kur je i sëmurë mund të marrësh kujdes nga një anëtar i familjes, por mund ta marrësh edhe nga një mik, dhe kjo përcjell sërish dashuri”, - deklaron ajo.

Historikisht është lënë pas dore roli pozitiv i miqësisë mbi shëndetin tonë. Por dekada kërkimesh tregojnë se kjo gjë është e gabuar.

“Miqtë meritojnë më shumë respekt, dhe nuk duhet të jenë gjithmonë të fundit në listën tonë për sa u përket prioriteteve”- paralajmëron Denuort.

Madje në disa raste, miqësia mund të jetë më mbrojtëse sesa martesa ose familja. Një analizë e bazuar në të dhëna e marra nga 97 vende të botës, zbuloi se ndërsa vlerësimi i familjes dhe miqve lidhej me shëndet më të mirë dhe me më shumë lumturi në përgjithësi, për të moshuarit, miqësitë ishin edhe më të rëndësishme për shëndetin dhe lumturinë.

Heshmati thotë se midis kulturave të ndryshme, miqësia është një lloj ndërvarësie vullnetare që ndryshon me kalimin e kohës, ku të dy individët ndjekin qëllimet e tyre sociale dhe emocionale. Por ka të ngjarë që ajo të ndikohet nga pritshmëritë kulturore. Për shembull nëse ndërveprimet duhet të jenë më spontane apo të bazuara në rituale dhe në detyrime më të formalizuara, dhe nëse besnikëria dhe besimi kanë më shumë rëndësi sesa autonomia dhe rritja personale.

Denuort shton se miqësitë janë tepër të rëndësishme për ndërtimin e identitetit të adoleshentëve, më pak të spikatura për të rriturit e moshës së mesme, dhe disi për të moshuarit. Për këtë Heshmati i referohet teorisë së lidhjes socio-emocionale, e cila thotë se ndërsa njerëzit plaken dhe ndryshon perceptimi i tyre mbi kohën, bëhen më përzgjedhës për ndërveprimet e tyre sociale.

Cilësia e miqësive tona ka rëndësi, sidomos kur njerëzit janë në moshë madhore. Por të dobishme janë edhe miqësitë e rastësishme. Lidhjet e dobëta janë më të dobishme për të zgjeruar qasjen tonë në informacion, ndërsa miqësitë e forta janë ato që ofrojnë mbështetjen kryesore.

E dobishme është edhe pasja e një shumëllojshmërie miqësish. Pasja e një shumëllojshmërie më të gjerë marrëdhëniesh shoqërore, duket se është më e mirë për shëndetin tonë dhe madje mund të përmirësojë aftësinë tonë për të shmangur gripin. Por Heshmati thotë se miqësitë më të dobëta mund të jenë ende të vlefshme, për sa kohë që njerëzit janë në të njëjtën nivel sa i përket pritshmëritë e tyre mbi to./ Përshtatur nga CNA.al

Marrë me shkurtime





Lajmet e fundit nga