web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

2023-shi i përgjakur/ Atentatet që tronditën Shqipërinë

1 Janar 2024, 11:30, Kronika CNA

2023-shi i përgjakur/ Atentatet që tronditën Shqipërinë

2023-shi është përgjakur nga disa atentate mafioze. Shumë prej këtyre atentateve kanë dinamikë të njëjtë.

Fillimisht ndiqet për disa ditë objektivi, autorët vijnë me motor ose makinë dhe hapin zjarr dhe në fund gjendet e djegur mjeti i autorëve.

Në disa raste, atentatet kanë dështuar dhe fatmirësisht nuk ka pasur viktima, ndërsa janë të shumta rastet kur janë vrarë me armë disa persona.

Në përfundim të 2023-shit, CNA po sjell një përmbledhje të atentateve që tronditën Shqipërinë.

Masakra e Dan Hutrës

2023-shi i përgjakur/ Atentatet që tronditën Shqipërinë

Kryeqyteti u trondit të mërkurën e 1 marsit nga krimet e 40-vjeçarit Dan Hutra, një ish-i dënuar, i cili vrau 3 gra dhe plagosi tri të tjera, në tri zona të ndryshme të Tiranës.

Fillimisht, me një mjet tip “Benz” të zi, ai shkoi në Astir me një kallashnikov dhe thikë brenda makinës. Dan Hutra plagosi me thikë ish-të dashurën e tij, 40-vjeçaren me iniciale M. G. dhe i mori asaj me dhunë një shumë parash.

Më pas, ai shkoi në banesën e ish-bashkëjetueses së tij në Kodër-Kamëz dhe plagosi më armë zjarri ish-bashkëjetuesen Elena Hysa dhe nënën e saj Kujtime Hysa.

Gjithashtu, ai vrau me armë motrën e ish-bashkëjetueses Mevlute Hysa dhe kunatën e saj Hasime Dafku.

40-vjeçari nuk u mjaftua me kaq, por shkoi në Bathore dhe vrau edhe 31-vjeçaren Etleva Kurti.

Kjo e fundit ishte motra e Vladimir Kurtit, një person ky me të cilin Dan Hutra kishte pasur një debat të ashpër teksa vuanin të dy dënimin në të njëjtin burg.

Autori i pashpirt u arrestua disa orë më vonë dhe nuk shprehu pendesë për vrasjet, madje tregoi se kishte planifikuar të ekzekutonte edhe një person të katërt, një burrë në Vaqarr që e fajësonte për humbjen e jetës së babait të tij.

Dan Hutra ka një skedë të pasur kriminale ku përfshihen vepra të ndryshme penale për përdhunim, pengmarrje, vrasje, 2 tentativa të bujshme arratisjeje, sherret në burg, vjedhje, në total 20 vite histori kriminale.

Atentati i Don Boskos

2023-shi i përgjakur/ Atentatet që tronditën Shqipërinë

Në 12 mars, pak ditë pas vrasjes seriale të grave, në Tiranë u regjistrua një tjetër ngjarje kriminale.

Rreth orës 9:00 të mbrëmjes disa persona me një mjet tip "BMW", me targa të huaja ndaluan para lokalit të Fatjon Muratit, eksponent i njohur për policinë.

Autorët zbritën nga makina dhe qëlluan me breshëri drejt lokalit.

Nga plumbat mbeti e vrarë banakierja, 58-vjeçarja Mimoza Paja, si dhe u plagosën 5 persona të tjerë.

Mes të plagosurve ishte edhe një vajzë 10 vjeçe dhe xhaxhai i Fatjon Muratit, Sahit Murati.

Pas të shtënave autorët hipën në automjet, u larguan me shpejtësi në drejtim të spitalit ushtarak, dhe më pas në autostradën Tiranë – Durrës. Ata devijuan rrugën në mbikalimin e Vorës dhe dogjën automjetin në fshatin Likmetaj.

Brenda automjetit totalisht të shkrumbuar, u gjetën dy armë zjarri të llojit kallashnikov.

Shënjestër e atentatit dyshohet se ishte pronari i lokalit, Fation Murati, kundërshtari i Ervis Martinajt.

Policia identifikoi një nga personat e përfshirë në ngjarje, Nikollë Sherrnikun, i cili ishte arrestuar disa muaj para masakrës. Nga hetimet rezultoi se Sherrniku është personi që u dorëzoi ekzekutorëve targën e automjetit “BMW” seria 5, që dyshohet se u përdor në krim dhe më pas u gjet e djegur.

Targa rezulton të jetë marrë në Gjermani nga Sherrniku, gjë që është konfirmuar përmes letër-porosisë së ardhur nga autoritetet gjermane dhe dëshmisë së një shqiptari që ka shpjeguar se Sherrniku ka marrë 3 targa në Gjermani.

Breshëri plumbash ndaj “Top Channel”

2023-shi i përgjakur/ Atentatet që tronditën Shqipërinë

Në orët e para të mëngjesit të 27 marsit, “Top Channel” u godit nga një sulm me armë.

Ngjarja ndodhi në orën 00:40. Pasojë e këtij sulmi ishte humbja e jetës së punonjësit të sigurisë, Pal Kola, i cili i ka qenë në krye të detyrës.

Nga të shtënat u dëmtua fasada ballore e godinës së televizionit, si dhe dy automjete të parkuara në oborr. 

Policia tha asokohe se autorët kishin ardhur nga rruga dytësore e autostradës Durrës-Tiranë dhe pas breshërisë ishin larguar me shpejtësi përsëri nëpërmjet së njëjtës rrugë, për në drejtim të Durrësit.

Mjeti u gjet i djegur në autostradën Durrës-Rrogozhinë, në vendin e quajtur “Përroi i Agait”.

Autorët e kësaj ngjarjeje ende nuk janë zbardhur, ndërsa policia vendosi 100 mijë euro shpërblim për çdo informacion të vlefshëm që do të çonte në identifikimin e tyre.

Atentati ndaj Gentian Bejtjës

2023-shi i përgjakur/ Atentatet që tronditën Shqipërinë

Rreth orës 00:15 të 4 korrikut u derdhën plumba kallashnikovi në drejtim të banesës së Gentian Bejtjës, personazh i botës së krimit në Fushë-Krujë.

Si pasojë humbi jetën kunati i tij Ramazan Sino dhe u plagosën dy djemtë e mitur të Bejtjës.

Policia në vendin e ngjarjes gjeti 30 gëzhoja kallashnikovi. Pak pas ngjarjes, u gjet i shkrumbuar te Lapidari i Tapizës një “Volkswagen”, i cili rezulton i vjedhur më herët. Brenda tij u gjetën edhe tre kallashnikovë të djegur.

Shënjestër e të shtënave ishte Gentjan Bejtja, i cili i shpëtoi për herë të tretë atentatit.

Për këtë ngjarje ndodhet në burg Valter Bami, ndërsa asokohe u shoqëruan edhe Durim Bami dhe Marklen Haka.

Vrasja e Laertjad Kekajt

2023-shi i përgjakur/ Atentatet që tronditën Shqipërinë

41-vjeçari Laertjad Kekaj u ekzekutua me armë zjarri nga një atentat mafioz mbrëmjen e 9 shtatorit në Vlorë.

Ngjarja kriminale ndodhi pranë kishës ortodokse. 41-vjeçari po kthehej me motor nga banesa e prindërve në lagjen “Pavarësia” për në shtëpinë e tij në lagjen “28 Nëntori”.

Autorët me një mjet tip “Audi” qëlluan me breshëri ndaj Kekajt, i cili u rrëzua nga motori. Viktima tentoi t’ia mbathë në këmbë, por u ndoq pas nga autorët, të cilët nuk u larguan pa e eliminuar.

Ekspertët mjekoligjorë thanë se 6 plumba kishin përshkuar trupin e Kekës, pjesa më e madhe në kokë. Në vendngjarje u gjetën rreth 28 gëzhoja plumbash. Pak pas ngjarjes u gjet dhe një mjet i djegur në fshatin Kotë të Vlorës. Për vrasjen u shoqëruan disa persona, por ende nuk është zbardhur si ngjarje.

Viktima rezulton me precedentë të theksuar kriminalë. Lekaj ka qenë i dënuar për bashkëpunim në një vrasje. Ai ka vuajtur më shumë se 10 vite burg pasi në fillim të viteve 2000 mori peng një kambist dhe e ekzekutoi. Gjithashtu, është akuzuar për vjedhje me dhunë, kishte shumë borxhe në lojëra fati dhe ka qenë pjesë e grupeve kriminale që mund të kenë marrë pjesë në atentate të ndryshme të ndodhura ndër vite në Vlorë.

Atentati ndaj Elton Javorit

2023-shi i përgjakur/ Atentatet që tronditën Shqipërinë

Të enjten e 7 dhjetorit, 41-vjeçari Elton Javori u ekzekutua në Fier vetëm pak metra larg banesës së tij.

Autori u afrua me automjet pranë makinës në të cilën ndodhej 41-vjeçari dhe e qëlloi këtë të fundit me armë sapo uli xhamin.

Zjarrit iu kundërpërgjigj me armë edhe Elton Javori, por nuk mundi të qëllojë agresorin, pasi mori një plumb në kokë. Pranë viktimës u gjet edhe pistoleta.

Pas të shtënave, autori u largua me shpejtësi. Policia identifikoi A. Gashin si autorin e dyshuar të kësaj ngjarjeje, por nuk ka mundur ta vërë në pranga.

Elton Javori është nipi i Medi dhe Demir Backës. Medi Backa, i njohur si anëtar i bandës së Fierit, u vra në vitin 1997, në masakrën e Levanit, me 23 viktima. Ndërsa Demir Backa u eliminua me kallashnikov mbrëmjen e 23 tetorit 2021 në qendër të Fierit.

Shqiptari vret ish-bashkëshorten në Greqi

2023-shi i përgjakur/ Atentatet që tronditën Shqipërinë

Mbrëmjen e datës 28 shtator u ekzekutua me plumb në kokë në Castelfiorentino të Italisë, pak hapa larg Firences, 35-vjeçarja shqiptare, Klodiana Vefa.

Krimi i krye nga ish-bashkëshorti i saj, Alfred Vefa. Ai i bëri pritë 36-vjeçares në mes të rrugës, teksa po kthehej nga puna.

Pasi debatuan verbalisht, Alfred Vefa qëlloi me armë Klodianën, duke e lënë të pajetë.

Autori u largua nga vendngjarja dhe dy ditë më pas u gjet i vetëvrarë në makinë me armën që ekzekutoi ish-gruan e tij.

Klodiana Vefa punonte si kameriere në një restorant pranë vendit ku u vra.

Çifti kishte dy fëmijë, një djalë 17-vjeçar dhe një vajzë 14-vjeçare. Ata ishin divorcuar në Shqipëri disa vite më parë, edhe pse divorci nuk ishte regjistruar ende në Itali për shkak të problemeve burokratike.

Në Castelfiorentino, edhe pse të ndarë, ata jetonin së bashku, në të njëjtën shtëpi.

Edhe sot, nuk është zbardhur ende zyrtarisht shkaku i këtij krimi, ndonëse mendohet se Alfred Vefa ishte xheloz për shkak se ish-bashkëshortja e tij kishte krijuar një lidhje të re.

Familjarët e Klodianës kanë deklaruar për mediat se nuk kanë qenë në dijeni të divorcit dhe për më tepër të lidhjes së re të viktimës.

Vrasja e Liridona Ademajt

2023-shi i përgjakur/ Atentatet që tronditën Shqipërinë

Mbrëmjen e 29 nëntorit trojet shqiptare u tronditën nga vrasja e Liridona Murselit, bashkëshortja e ish-këshilltarit të Behgjet Pacollit, Naim Murseli.

Organizatori i vrasjes së të resë dyshohet se ka qenë vetë bashkëshorti i saj, Naim Murseli, kurse ekzekutori Granit Plava, bashkëfshatar i tij.

Ngjarja ndodhi pak minuta pasi viktima dhe bashkëshorti i saj, së bashku me dy fëmijët e mitur, kishin darkuar në një restorant.

Granit Plava, darkoi në të njëjtin restorant me ta dhe i bëri pritë familjes Murseli kur ata po ktheheshin në shtëpi, duke u shtirur si grabitës.

Sipas dinamikës së ngjarjes, Naim Murseli mori fëmijët dhe u largua, duke lënë pas Liridonën me Granit Plavën. Ky i fundit qëlloi me armë, la të pajetë Liridonën dhe u largua nga vendngjarja.

Ndërkohë, bashkëshorti tentoi të fshehë gjurmën e tij dhe e shiti ngjarjen si vrasje aksidentale gjatë një grabitjeje.

Por veprimet e dyshimta të tij bënë që policia të zbardhte të vërtetën. Ai u arrestua së bashku me Plavën.

Ekzekutori deklaroi se Naim Murseli i kishte premtuar 30 mijë euro për të vrarë Liridonën, 15 mijë euro nga të cilat i kishte marrë para kryerjes së vrasjes dhe 15 mijë të tjera do t’i merrte më pas.

Naim Murseli fillimisht pranoi gjithçka dhe më pas e mohoi, duke dhënë disa versione të ngjarjes.

Në burg për këtë ngjarje ndodhen edhe Kushtrim Kokalla, pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës, si dhe Tomë Dodaj, personi që dyshohet se i dha armën ekzekutorit.

Deri më tani nuk është zbardhur arsyeja se përse Naim Murseli urdhëroi vrasjen e bashkëshortes. Njëra nga pistat është sigurimi i jetës që Liridona Ademaj kishte në një kompani suedeze.

Hasmëria Nikulaj-Lestakaj, 3 viktima në 8 muaj

2023-shi i përgjakur/ Atentatet që tronditën Shqipërinë

Hasmëria mes dy fiseve, nisur prej 27 vitesh, ka shkaktuar 3 viktima gjatë 2023-shit.

Në vitin 1996, në një karburant në dalje të qytetit të Lezhës, ka mbetur i vrarë vëllai i Ardian Nikulajt.

Në atë kohë, vëllai i biznesmenit Nikulaj, Pëllumb Nikulaj, bashkë me Fran Qulajn, punonin në një pikë karburanti.

Një nga pjesëtarët e familjes Lekstakaj ka shkuar për të furnizuar makinën aty dhe në një moment punonjësit kanë nisur të debatojnë me drejtuesin.

Debati ka ndodhur me pretendimin se nuk kishte bërë pagesën e karburantit, 10 mijë lekë të vjetër.

Pas debatit ata janë larguar dhe njëri prej tyre është rikthyer i armatosur disa minuta më vonë duke qëlluar në drejtim të karburantit. Nga të shtënat mbetën të vrarë edhe vëllai i Ardian Nikulajt, Pëllumbi, dhe kolegu i tij, Fran Qulaj.

Pak muaj pas kësaj ngjarjeje, më 29 shtator të vitit 1997, në Balldre të Lezhës u vranë Gëzim Ded Lekstakaj dhe Lauren Ndoc Gjetja, konkretisht dajë e nip. Ndërsa më 30 mars të vitit 1999, është vrarë shtetasi Gjovalin Lekstakaj dhe është plagosur Pjetër Lekstakaj.

Dëshmitar i ngjarjeve ka qenë Klodian Lekstakaj, djali i njërit prej viktimave, Gjovalin Lekstakajt. Klodiani është larguar drejt Anglisë dhe nga atje ka nisur një letërkëmbim me institucionet ligjzbatuese shqiptare, duke kërkuar që të përfitojë statusin e dëshmitarit të mbrojtur, status që i është mohuar.

Klodian Lekstakaj ka pasur disa komunikime me autoritetet e drejtësisë, por deri më tani nuk ka asnjë të dënuar nga policia për këto ngjarje.

Rreth 21 vite pas këtyre vrasjeve, ka filluar një seri hakmarrjesh.

Më 19 prill të 2023-shit u ekzekutua Ardian Nikulaj. Ky i fundit u qëllua me armë në mesditë, në lokalin e tij. Ekzekutor dyshohet se është portugezi Ruben Saraiva, i arrestuar tashmë në Marok.

Për këtë ngjarje janë vënë në pranga në Britaninë e Madhe edhe shtetasit Edmond Haxhia, Stephen Hunt, Thomas Mithan, Harriet Bridgeman dhe Harry Simson, për të cilët akoma nuk ka një vendim ekstradimi në Shqipëri.

Kur kishin kaluar vetëm 3 muaj nga kjo ngjarje, më 19 korrik 2023 u vra Nikolin Lekstakaj.

Ai u qëllua me armë zjarri teksa po dilte nga ambientet e një marketi të vogël ku bleu një pije freskuese, në fshatin Balldren, në aksin Lezhë-Shkodër, ekzaktësisht rreth orës 18:30.

Dy autorët e maskuar kishin organizuar një atentat të mirëfilltë mafioz dhe e kishin vëzhguar viktimën hap pas hapi, edhe pse lëvizjet e këtij të fundit ishin të rralla në Lezhë. Për këtë atentat pati disa të shoqëruar.

Vrasja më e fundit është ajo e Entjan Nikulajt mbrëmjen e 2 dhjetorit. Ai u ekzekutua me armë zjarri, teksa po drejtonte automjetin e tij në aksin Lezhë-Shkodër.

Atentatorët nga një makinë tjetër qëlluan me breshëri kallashnikovi ndaj fuoristradës së bardhë “ML” të Nikulajt. 40-vjeçari u transportua në gjendje shumë të rëndë, në spitalin e Lezhës, ku dhe ndërroi jetë. Në vendngjarje u gjetën rreth 25 gëzhoja automatiku.

Ai mendohet se u mbajt nën vëzhgim për të paktën 2 ditë me radhë dhe u ekzekutua nga vrasës me pagesë. Sërish policia shoqëroi disa persona. Ndërkohë që hetimet vijojnë për të tria ngjarjet kriminale./ CNA





Lajmet e fundit nga