web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Kush mund ta mposhtë Erdoganin në zgjedhjet e qershorit?

5 Janar 2023, 08:34, Kosova & Bota CNA

Kush mund ta mposhtë Erdoganin në zgjedhjet e qershorit?

Nëse zgjedhjet nuk shtyhen, Turqia do të mbajë në qershor të këtij viti zgjedhjet presidenciale dhe ato parlamentare. Edhe pse në pamje të parë mund të duket si një proces normal, një dinamikë e caktuar në këtë vend, nënkupton se këto zgjedhje mund t’i japin fund periudhës së qeverisjes së Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP) me koalicione të ndryshme jozyrtare.

Kjo i bën vendimtare këto zgjedhje. Erdogan duket sot në pikën e tij më të dobët të karrierës së tij politike. Por opozita duket se sikur e ka humbur vrullin që pati në muajt e verës së vitit që shkoi.

Duke pasur parasysh situatën ekonomike dhe sociale të Turqisë, kryebashkiaku i Stambollit, Ekrem Imamoglu, duket se kishte të drejtë kur u shpreh: “Qeveria nuk mund t’i fitojë zgjedhjet në këto kushte, por opozita mund të humbasë”.

Në këtë pikë, është shumë i rëndësishëm emri i kandidatit presidencial që do të dalë nga Tryeza e të Gjashtëve 6 (emri i aleancës 6-partiake të opozitës kryesore turke). Meqë Kemal Kiliçdaroglu, kryetar i Partisë Popullore Republikane (CHP), është njëkohësisht lider i partisë kryesore opozitare dhe përfaqësuesi i partisë me më shumë vota në koalicion, është e natyrshme që të jetë ai që do të përballet me Erdogan.

Kiliçdaroglu iu bashkua procesit të formimit të një opozite më aktive pas Marshit të Drejtësisë që drejtoi në zgjedhjet e vitit 2017. Në këtë kontekst, videot e shkurtra që publikoi, fakti që pas ngjarjeve i trokitën në derë institucionet përgjegjëse për këto ngjarje dhe axhenda e tij, mund të jetë që të gjitha pikë plus për të.

Po kështu, fakti që ai luajti një rol në hyrjen në parlament të Partisë së Mirë (Partia IYI), dhe që bëri bashkë 6 parti me pikëpamje të ndryshme, mund të interpretohet si një pikë plus në favor të tij. Si rezultat i këtyre lëvizjeve, ai arriti një fitore të rëndësishme në fitimin e drejtimit të qyteteve të mëdha në zgjedhjet vendore të vitit 2018 duke u paraqitur me kandidatët e duhur.

Por nga ana tjetër Kiliçdaroglu ka disavantazhe, të cilat i tejkalojnë avantazhet e tij. Së pari dhe më e rëndësishmja, partia e tij CHP është shfaqur e paaftë për të rritur ndjeshëm pjesën e saj të votave që kur ai u bë lider i saj, dhe nuk ka shënuar asnjë fitore kundër Erdogan.

Kush mund ta mposhtë Erdoganin në zgjedhjet e qershorit?

Së dyti, nga fushatat e kaluara zgjedhore, është e qartë se është shumë e madhe mundësia që Kiliçdaroglu të bëjë gabime dhe gafa gjatë fushatës. Për më tepër, Kiliçdaroglu, që nuk i përshtatet profilit të një udhëheqësi karizmatik në politikën turke, që është bërë një kërkesë më e dukshme gjatë epokës së Erdogan, dhe duket që nuk i emocionon turmat.

Përtej këtyre disavantazheve, fakti që Kiliçdaroglu është i besimit islam alevit mbetet ende një problem në Turqi, edhe sepse do të përballej me qeverinë e AKP-së, e cila i përdor vazhdimisht strukturat dhe argumentet fetare për të pasur përfitime politike në një vend me shumicë myslimane sunite.

Që kur Ekrem Imamoglu fitoi për herë të dytë zgjedhjet për bashkinë e Stambollit, kandidimi i tij është një nga çështjet më të debatuara në diskursin publik turk. Sipas shumë ekspertëve, Imamoglu ka edhe profilin e fituesit, duke pasur parasysh mënyrën e të bërit politikë, marrëdhëniet e mira që ka krijuar me sektorë të ndryshëm të publikut, dhe faktin që tashmë ka arritur dy fitore kundër Erdogan.

Por dënimi i tij nga një gjykatë më 14 dhjetor 2022, dhe fakti që ky vendim i hap rrugën përjashtimit të tij nga politika, e ka ndryshuar plotësisht situatën në lidhje me Imamoglun. Dhe kjo situatë mund të ndryshojë fatin e Turqisë.

Nëse nuk marrim parasysh vendimin e gjykatës, mund të themi se dy nga avantazhet më të mëdha të Imamoglu ndaj Erdoganit janë popullariteti dhe mosha e tij e re. Dhe ky popullaritet shtrihet edhe jashtë vendit. Një avantazh tjetër është se ai mund të prodhojë argumente që janë të efektshme gjatë fushatës, dhe që mund të dobësojnë pozitat e Erdoganit.

Njëkohësisht, Imamoglu përdor një gjuhë dhe ka një qasje politike të nevojshme për të fituar votat nga kurdët, sunitët, alevitë, turqit dhe grupet e tjera të votuesve. Këtë mund ta arrijë falë ekipit që ka krijuar në Stamboll. Po ashtu, të pasurit e një CV politike si menaxher i një qyteti të madh si Stambolli, e bën historinë e tij të ngjashme me atë të Erdoganit, gjë që përbën gjithashtu një avantazh.

Mbi të gjitha këto avantazhe, Imamoglu ka edhe një avantazh të rindalimin politik të vendosur ndaj tij nga gjykata. Gjyqësori turk e ka shndërruar në njëfarë mënyre në një hero Ekrem Imamoglun, duke imponuar disa krahasime me historinë e ngjashme politike të Erdoganit në fillimet e tij.

Kush mund ta mposhtë Erdoganin në zgjedhjet e qershorit?
Ekrem Imamoglu

Në këtë kuadër, ai i ka rritur me dorën e tij shanset që kryebashkiaku i Stambollit të bëhet një kandidat për president. Nëse gjyqësori i kontrolluar nga Erdogan vendos përjashtimin e tij nga politika, gjë që do të thotë se ai nuk mund të kandidojë në zgjedhje, Ekrem Imamoglu do të zbulohet si një aktor kryesor në të ardhmen e Turqisë.

Kryetari i Bashkisë së Ankarasë, Mansur Javash, që në sondazhe është paraqitur gjithmonë si kandidati që mund të fitojë lehtësisht kundër Erdoganit, është pak më i kujdesshëm sesa Kiliçdaroglu dhe Imamoglu në lidhje me kandidaturën e tij.

Avantazhi më i madh i Javash, është se ai shihet nga publiku turk si një kandidat i besueshëm, si më i ndershëm dhe më transparent. Është gjithashtu në avantazhin e tij, fakti që ka administruar në një mënyrë transparente punët publike të Ankarasë dhe procesin e tenderimit.

Por ky është gjithashtu një disavantazh, pasi ne nuk e dimë se çfarë mendon Javash për Turqinë në tërësi dhe politikën botërore, dhe çfarë do të bënte ai në skenën kombëtare dhe ndërkombëtare. Ndërkaq Javash ka edhe 2 disavantazhe të tjera.

E para nuk dihet se në çfarë mase mund të arrijë menaxhojë një fushatë presidenciale. Sepse ndaj një kundërshtari si Erdogan, fushata do të jetë shumë e ashpër në çdo aspekt. Nga ana tjetër ka një pikëpyetje e madhe nëse ai zotëron aftësinë e duhur politike për ta përballuar atë.

Së fundi, një faktor tjetër që do të përcaktojë rezultatin e zgjedhjeve, është qëndrimi i lëvizjes politike kurde në Turqi. Origjina nacionaliste e Javash, dhe fakti që ai i përdor ende zyrtarët e ish-Partisë së Lëvizjes Nacionaliste (MHP) në stafin e bashkisë së Ankarasë, mund të bëjë që lëvizja politike kurde të distancohet prej tij.

Në përgjithësi, lëvizja më e logjikshme që pritet nga Tryeza e të Gjashtëve, është shpallja sa më shpejt që të jetë e mundur e kandidatit të saj konsensual, dhe që ky kandidat të zgjidhet në një mënyrë racionale në bazë të kushteve aktuale. Më pak fjalë, rezultati i zgjedhjeve të këtij viti në Turqi, varet nga ajo që bën opozita, në pritje të lëvizjeve që do të bëjë Erdogan për të vijuar qëndrimin në pushtet.

Shënim: Istar Gozaydin, profesor i drejtësisë dhe politikës. Ahmet Erdi Ozturk, studiues në Fondacionin Helen për Politikën Europiane dhe të Jashtme (ELIAMEP).

Përkthyer nga CNA.al





Lajmet e fundit nga