web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Ish-shefi i CIA-s, Leon Paneta/ "Putin duhet të zgjedhë humbjen ose negocimin"

22 Shkurt 2023, 09:19, Kosova & Bota CNA

Ish-shefi i CIA-s, Leon Paneta/ "Putin duhet të zgjedhë humbjen

Leon Paneta nuk ka dyshime në përvjetorin e parë të pushtimit rus të Ukrainës. “2023-shi do të jetë viti në të cilin Putini do të detyrohet të zgjedhë midis humbjes totale, ose negociatave”, - thotë ai pas një takimi me disa kolegë në sektorin e mbrojtjes. Megjithatë, për ta arritur këtë sukses, ish-kreu i Pentagonit dhe CIA-s thotë se “aleatët duhet t'i japin Kievit gjithçka që i nevojitet për t'u mbrojtur, përfshirë avionët luftarakë”.

A e prisnit pushtimin rus të Ukrainës një vit më parë?

Unë e njoh prej kohësh Putinin. E di se kush është dhe si vepron, por nuk kisha menduar se ai është budalla në marrjen e vendimeve të tij. Më befasoi fakti që ai zgjodhi të pushtonte një demokraci sovrane, siç kanë bërë tiranët e tjerë, aktet e të cilëve do të mbahen mend si veprime të atyre që nuk kanë asnjë kuptim historik. Sigurisht, shërbimet sekrete amerikane e parashikuan se ai do ta pushtonte Ukrainën. Ata prisnin një operacion që do të përfundonte shumë shpejt, por në vend të kësaj ukrainasit rezistuan dhe e shmangën suksesin e tij.

Pse e mori këtë vendim kaq absurd?

Me këtë luftë e ka dëmtuar shumë Rusinë. Ai e dinte se do të paguante një kosto të lartë për këtë akt, sepse SHBA-ja dhe NATO do të vendosnin sanksione të mëdha, të cilat kanë dëmtuar ekonominë dhe rusët. Po ashtu, ishte e qartë se ata do t’u jepnin ukrainasve armë dhe do t’i stërvitnin për t’i rezistuar masakrës.

Së fundi, shqetësimi për anëtarësimin e Ukrainës në NATO ka prodhuar efektin e kundërt, sepse jo vetëm sot aleanca është më e fortë se më parë, por ajo do të zgjerohet duke përfshirë Suedinë dhe Finlandën. Për të gjitha këto arsye, zgjedhja e tij nuk ka asnjë kuptim.

Ai e justifikoi sulmin me justifikimin se NATO po zgjerohej drejt Rusisë...

Ajo që bëri me këtë pushtim e justifikon zgjerimin e NATO-s, për të forcuar pozicionet e saj dhe për t’u siguruar që Moska të mos ketë mundësi të sulmojë vendet e aleancës. Ai e rrëzoi gjithë arsyetimin e tij se pse NATO përbënte një kërcënim për Rusinë, sepse në fakt është Rusia ajo që përbën një kërcënim jo vetëm për NATO-n, por për të gjitha demokracitë në mbarë botën.

Pse ushtria ruse dështoi të arrinte qëllimet e saj fillestare?

Gabimi tjetër i Putinit ishte mbivlerësimi i ushtrisë së tij. Ai ishte i sigurt se ata ishin në gjendje ta pushtonin Kievin brenda pak ditësh. Është e qartë se forcat e armatosura ruse nuk janë më ato që ishin dikur. Komanda dhe kontrolli, sistemet e armëve dhe logjistika janë të gjitha të dobësuara. Problemi kryesor i Putinit ishte se si ta forconte ushtrinë dhe në këtë aspekt ai ka dështuar.

Por tani rusët kanë nisur një sulm të ri. Si e shihni atë?

Siç më thonë vazhdimisht shërbimet sekrete, Putini do të vazhdojë gjithmonë të dyfishojë përpjekjet për të kthyer valën e luftës, por realiteti është se ai po humbet. Jo vetëm që dështoi pushtimi fillestar, por më pas ai u dëbua nga territoret që pushtoi në fillim.

Forcat e tij janë dobësuar ndjeshëm. Ai do të përpiqet t’i tregojë botës se Rusia mund të dominojë ende në Ukrainë, por iniciativa është tani në anën e Kievit, SHBA-së dhe NATO-s. Ky vit do të jetë shumë thelbësor. Putini mund të mposhtet totalisht, ose në çdo rast do të detyrohet të ulet në tryezën e bisedimeve.

Pas tankeve, Zelenski kërkon avionët luftarakë F-16...

Në këtë pikë ne duhet t’i japim Ukrainës gjithçka që i nevojitet për të mbrojtur veten. Mua më vjen mirë për dërgimin e tankeve perëndimore, dhe shpresoj që së shpejti të dërgohen edhe sasi të reja raketash, artilerish dhe sisteme të mbrojtjes ajrore. Besoj se në fund aleatët do të japin mbështetjen edhe për dërgimin e avionëve luftarakë.

A mund ta fitojë Ukraina luftën me këto armë?

Ajo duhet të ketë sukses në vazhdimin e përparimit që nisi në verën e vitit të kaluar dhe të nisë një kundërofensivë të re që t’i dëbojë rusët nga Donbasi dhe Krimea. Nëse ka sukses, Putini do të detyrohet të pranojë një nga dy opsionet: humbjen, ose të ulet për të negociuar një zgjidhje. Ky vit është jetik, pasi do të vendosë cila do të jetë e ardhmja.

Nëse mbërrihet te negociatat, cilët do të jenë objektivat?

U takon ukrainasve të vendosin për kushtet e çdo negociate. Ata janë përballur me sakrificat dhe kanë luftuar, ndaj duhet të vendosin se çfarë të negociojnë dhe çfarë paqe të pranojnë.

Pikat fikse për të siguruar stabilitetin në të ardhmen duket se janë integriteti territorial dhe sovraniteti i Ukrainës dhe hyrja e saj në BE, por jo në NATO. A është kjo një perspektivë realiste?

Po. Çështja e anëtarësimit në NATO nuk duhet të jetë pjesë e asnjë negocimi. Tek e fundit, pasi Ukraina të tregohet e suksesshme në mbrojtjen e integritetit të vendit, do të vendoset edhe e ardhmja e saj në lidhje me NATO-n.

Përkthyer nga CNA.al





Lajmet e fundit nga