web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E djathta e Europës

19 Shtator 2025, 22:45, Kosova & Bota CNA

E djathta e Europës

Qëndrimi i së djathtës ekstreme është moderuar, por nuk ka shumë shpresë për reforma që do të nxisin rritjen

Qeveria e Francës dështoi në mocionin e mosbesimit më 8 shtator dhe tashmë vendi ka një kryeministër të ri, që do të duhet të përballet me Tubimin Kombëtar (RN), partinë e ekstremit të djathtë që kryeson sondazhet me një diferencë të madhe.

Franca nuk është përjashtim: e djathta ekstreme është në marshim.

Vëllezërit e Italisë (Fratelli d’Italia) qeverisin Italinë; partia Ligj dhe Drejtësi (PiS) mban presidencën polake. Reform UK kryeson sondazhet në Britani.

Në Gjermani, Alternativa për Gjermaninë (AfD) është kokë më kokë me konservatorët.

Asnjë faktor i vetëm nuk e shpjegon suksesin e së djathtës ekstreme, por gjendja e zymtë ekonomike e Europës ka ardhur në ndihmë. Inflacioni, shkurtimet në shërbimet publike dhe tranzicioni i kushtueshëm në ekonominë e gjelbër e mbështesin kauzën.

Arsyet për të qenë optimistë janë të pakta, me parashikimet që sugjerojnë se prodhimi i kontinentit nuk do të rritet shumë më shpejt se 1% në vit për një kohë të gjatë.

Ekonomia gjermane ka ngecur, pavarësisht lehtësimit të rregullave të saj fiskale nga qeveria. SHBA-ja ka vendosur tashmë tarifa 15% për importet nga BE-ja, të cilat mund të rriten lehtësisht.

Një fluks mallrash të lira kineze kërcënon bizneset europiane. Dhe ndërkohë, radhët e pensionistëve po zgjaten ndërsa normat e lindshmërisë bien.

Si do t’i qaseshin kësaj situate qeveritë e ekstremit të djathtë? Analiza e The Economist e manifestove, fjalimeve dhe politikave sugjeron se lëvizja është bërë më e moderuar në aspektin ekonomik teksa është rritur.

Por sërish ofron pak shpresë për reforma që nxisin rritjen. Ndërkohë, partitë premtojnë mbështetje të mjaftueshme për familjet e reja dhe pensionistët, elektorati i tyre bazë.

Rreziku i madh, për rrjedhojë, është që pozita fiskale e Europës të përkeqësohet edhe më tej, ndoshta duke shkaktuar një përplasje të madhe me tregun e obligacioneve dhe Bankën Qendrore Europiane (BQE).

Në të kaluarën, partitë e ekstremit të djathtë të Europës kishin një axhendë gjithëpërfshirëse, të vështirë për t’u menaxhuar: ato ndërthurin ide të së majtës së vjetër me pikëpamje liberale për ulje taksash dhe derregullim.

“Në fillim ishim heterogjenë për politikat ekonomike, por ka pasur një zhvillim të qartë drejt një pozicioni më të qëndrueshëm”, thotë Leif-Erik Holm, anëtar i AfD-së në Bundestag.

E djathta ekstreme e ditëve të sotme është bashkuar rreth një programi konservator që kombinon mbështetje të kushtëzuar për tregjet e lira me ndihma të gjera për disa.

Nga retorika e tyre, mund të mendoni se ata do ta kufizonin emigracionin. Më 9 qershor Viktor Orbán, kryeministri karizmatik i Hungarisë, e quajti politikën e emigracionit të Europës “një shkëmbim të organizuar popullsish për të zëvendësuar bazën kulturore”.

Problemi është se ekonomia e kontinentit varet nga emigrantët. Pa ardhje të reja dhe orët e kryera nga punëtorët e huaj, prodhimi i Spanjës do të kishte mbetur në vend nga 2019 deri në 2024. Ai i Gjermanisë do të ishte tkurrur me 6%.

Prandaj, kur e djathta ekstreme fiton pushtet ose ndikim, emigracioni vazhdon i paprekur. Pas Brexit, ardhjet në Mbretërinë e Bashkuar nga BE-ja ranë, por u rritën në total.

Në Poloni, nën PiS, ato u rritën nga 86,000 në 2015 në 224,000 në 2021, pastaj u rritën me vrull pas pushtimit rus të Ukrainës. Giorgia Meloni, kryeministrja e Italisë, sapo ka miratuar 500,000 viza pune për tre vitet e ardhshme, përveç 450,000 të dhëna gjatë tre viteve të fundit.

Në vend që të shkurtojnë emigracionin, shumë parti, përfshirë RN të Francës, preferojnë ta bëjnë jetën më të vështirë për emigrantët.

Shumë kërkojnë të imitojnë skemat e vjetra gjermane të “punëtorëve të ftuar”, duke sjellë të huaj pa u ofruar atyre të njëjtat shërbime si vendasve ose pa i integruar në shoqëri.

Jordan Bardella, presidenti i RN, dëshiron “përparësi kombëtare” për shërbimet publike, punët dhe strehimin, dhe një rrugë më të vështirë drejt shtetësisë.

Meloni, së fundmi, inkurajoi zgjedhësit të abstenonin nga një referendum, që do të kishte ulur kërkesën e qëndrimit për shtetësi nga dhjetë në pesë vjet.

Ndërkohë, e djathta ekstreme tani e ndjek euroskepticizmin e saj në mënyrë më të tërthortë. Dikur do të ishte munduar që më shumë vende të dilnin nga blloku.

Por së fundi shumë parti, përfshirë Partinë për Liri të Holandës (PVV) dhe RN, e kanë hequr këtë objektiv. Të tjera, si AfD, lënë të kuptohet se premtimet e tyre për të lënë zonën e Euros janë kryesisht për shfaqje.

Në vend të kësaj, ato tani duan të reformojnë BE-në nga brenda. “Nuk duam të çohemi nga tryeza.

Duam ta përfundojmë lojën dhe ta fitojmë, të marrim pushtetin në Francë dhe në Europë dhe t’ia kthejmë popullit,” ka thënë Marine Le Pen, politikania më e spikatur e RN.

Holm i AfD-së dëshiron të shohë më shumë vendimmarrje kombëtare: “Rregullat e përbashkëta janë mirë, por çdo vend duhet të jetë dakord.”

Edhe pse ka bërë paqe me BE-në, e djathta ekstreme e Europës është kritike ndaj marrëveshjeve tregtare që nënkuptojnë bashkëpunim për emigracionin ose rregullimin, ose që ulin mbrojtjen për fermerët.

Së bashku me presidentin francez Emmanuel Macron, ata kundërshtojnë një marrëveshje mes BE-së dhe Mercosurit, bllokut latinoamerikan, e cila po ratifikohet.

Politika agresive tregtare e presidentit Donald Trump shkakton shumë pakënaqësi, megjithatë politikanët e ekstremit të djathtë kanë prirje ta fajësojnë BE-në për të.

“Marrëveshja tregtare e përfunduar nga Ursula von der Leyen me Donald Trump është një fiasko politike, ekonomike dhe morale”, – shkroi zonja Le Pen.

Shumë parti të ekstremit të djathtë ende mbajnë një qëndrim të ashpër për ndryshimet klimatike, duke kundërshtuar objektivat neto-zero.

“Nëse hamë mish, marrim një avion ose ngasim një makinë me benzinë është diçka që e vendosim vetë. Jo Brukseli”, – lexohet në manifestin e PVV në Holandë.

Megjithatë ata që janë në pushtet kanë prirje të ndryshojnë kurs. Meloni e ka bërë më të lehtë investimin në ekonominë e gjelbër dhe ka racionalizuar rregulloret.

PiS ka mbështetur energjinë bërthamore dhe ka përkrahur burimet e rinovueshme dhe zgjerimet e rrjetit.

Moderimi ekonomik është i mirëpritur, por politikat që nxisin rritjen mungojnë.

Skenarët gjermanë të “punëtorëve të ftuar” mund ta bëjnë emigracionin më të pranueshëm politikisht, por do t’i pengonin emigrantët të arrinin potencialin e tyre të plotë ekonomik.

Një BE që do t’i jepte më shumë pushtet shteteve anëtare do të ishte edhe më problematike.

Një studim i fundit nga Parlamenti Europian përfundoi se integrimi më i madh i tregut për shërbimet mund të rriste tregtinë e brendshme vjetore në mes 8% dhe 10% të PBB-së deri në vitin 2032, nga niveli aktual 6.3%.

Por kjo do të kërkonte legjislacion të përbashkët që cenon sovranitetin kombëtar. Ndërkohë, marrëveshjet tregtare që përjashtojnë bujqësinë ose koncesionet për emigracionin do të kishin vlerë minimale.

Dhe pastaj vijnë shpërndarjet (handouts). Partitë e ekstremit të djathtë duan të shpërblejnë “vendasit për kontributet që kanë dhënë”, thotë Jérémie Gagné i organizatës kërkimore More in Common.

Pensionistët përputhen në mënyrë perfekte me këtë përshkrim. PiS ka anuluar një reformë për rritjen e moshës së daljes në pension në 67 vjeç, duke e kthyer atë në 65 për burrat dhe 60 për gratë. Meloni dëshiron të bëjë diçka të ngjashme në Itali.

Shoqëritë që po plaken kanë nevojë për më shumë foshnja nëse duan të shmangin emigrantët; e djathta e fortë ofron përfitime bujare për këtë qëllim.

Në Poloni, përfitimi për fëmijë Family 500+, i prezantuar nga PiS në vitin 2016, është rritur nga 500 zloty (140 dollarë) në 800 zloty në muaj.

Marlena Mal?g, ish-ministre për Familjen e PiS-it, tha në vitin 2021 se plani i saj demografik bazohej në “politikë pro-familjare, jo tek emigrantët”.

Në Mbretërinë e Bashkuar, Reform dëshiron të heqë kufirin prej dy fëmijësh për kredinë universale, pagesën kryesore të mirëqenies së vendit. AfD premton një subvencion pensioni 20,000 euro për prindërit për çdo fëmijë që ata sjellin në jetë.

Në Itali, Meloni po e drejton anijen fuqishëm. Ajo ka shmangur përplasjet me Komisionin Europian, nga i cili vendi i saj pritet të marrë 54 miliardë euro fonde për rimëkëmbjen nga pandemia.

Por gjetkë politikat e së djathtës ekstreme do të kushtonin një shumë tronditëse.

Në shkurt, Instituti Ekonomik Gjerman dhe Instituti Gjerman për Kërkime Ekonomike llogaritën se planet e AfD-së do t’i shtonin 150–180 miliardë euro deficitit të vendit, i cili vitin e kaluar arriti në 120 miliardë euro.

The Economist llogarit se planet e Reform do të shtonin kosto rreth 200 miliardë paund në vit dhe do të kursenin vetëm 100 miliardë paund (me uljet e taksave që përbëjnë pjesën më të madhe të mungesës së fondeve).

Pretendimi se ulja e shpenzimeve për emigrantët mund të çojë në kursime të mëdha është e ekzagjeruar në mënyrë absurde.

Në Francë, planet e RN do të shtonin një shumë më pak alarmuese prej 14 miliardë eurosh në deficit, sipas llogaritjeve të bëra vitin e kaluar nga Fondacioni IFRAP. Edhe kështu, investitorët janë të shqetësuar.

Kostot e huamarrjes së Francës tani janë në një nivel me ato të Italisë, për shkak të paralizës politike rreth mënyrës së shkurtimit të deficitit prej 5.4% të PBB-së.

Një qeveri e udhëhequr nga RN ka pak gjasa ta ulë atë. Partitë e tjera të ekstremit të djathtë do të përballeshin me probleme të ngjashme, edhe pse më pak akute.

Pa një shtysë rritjeje, perspektiva fiskale do të ishte e zymtë edhe nëse ato do t’i frenonin planet e shpenzimeve.

Me kalimin e kohës, kjo mund të çojë në një përplasje me BQE-në, e cila mbron borxhin e qeverive europiane. Do të vinte gjithashtu qeveritë e ekstremit të djathtë kundër njëra-tjetrës.

Edhe më shqetësuese është ajo që ndodh më pas. “Mos u mashtroni nga mandati i parë”, paralajmëron Christoph Trebesch i Institutit Kiel.

Ai ka studiuar qeveritë e ekstremit të djathtë që nga viti 1945 dhe ka zbuluar se gjatë një periudhe 15-vjeçare ato ulën PBB-në për frymë me më shumë se 10%, krahasuar me qeveritë e qendrës.

“Ekziston rreziku i favorizimit të kompanive të lidhura politikisht, duke ndërtuar një oligarki paralele që nuk ka interes në një treg të lirë, konkurrues”, shton Trebesch.

“Është një model i qëndrueshëm”. Edhe nëse e djathta ekstreme qeveris relativisht mirë gjatë mandatit të parë, dëmi do të jetë i pashmangshëm. Reformat që Europa i ka të nevojshme në mënyrë urgjente nuk do të realizohen./ Monitor.al





Lajmet e fundit nga