LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Jevgeni Prigozhin, njeriu që mund të sfidojë Putinin për pushtet

31 Janar 2023, 08:25, Blog CNA

Jevgeni Prigozhin, njeriu që mund të sfidojë Putinin për

Duket se më në fund presidenti rus, Vladimir Putin, e ka vënë re se lufta në Ukrainë ka krijuar një konkurrent të rrezikshëm për pushtetin e tij: Jevgeny Prigozhin, themeluesin e kompanisë private ushtarake, Grupi Vagner, trupat e të cilit po luftojnë përkrah ushtrisë ruse.

Në varësi të këndvështrimit të gjithsecilit, Prigozhin mund të konsiderohet ose si “njeriu i vitit” ose si “zuzari i vitit”. Sipas shumë burimeve në Moskë, Putin është i bindur se mund ta dobësojë Prigozhin, që është përplasur shpeshherë me shtabin e përgjithshëm të ushtrisë.

Megjithatë, efekti mund të jetë i kundërt, pasi shumë njerëz e shohin aktualisht Prigozhin si favoritin më të mundshëm për ta pasuar Putinin në krye të vendit. Që në fillim të luftës kundër Ukrainës, Vladimir Putin u sigurua që rivalët e tij për pushtetit të mos shfaqeshin në skenë, dhe bëri shumë përpjekje që konflikti të mos krijonte një udhëheqës ushtarak popullor, i cili mund të përbënte një kërcënim për pushtetin e tij.

Dhe deri më sot kjo strategji e tij ka funksionuar. Për shembull, në verën e vitit 2022, gjenerali ambicioz Aleksandër Llapin ishte protagonist i një fushate të vogël promovuese në internet që e lavdëronte atë. Por kjo gjë i kushtoi menjëherë vendin e punës.

Një sulm mediatik i shkurtër në kohë, por i fuqishëm, nisi kundër tij, filloi nga Prigozhin, që kontrollon një sërë call-center-ash që merren enkas me sulme të tilla. Sipas burimeve të mia pranë administratës ruse, në atë moment Putin e perceptoi Prigozhin vetëm si një kundërpeshë ndaj gjeneralëve.

 

Jevgeni Prigozhin, njeriu që mund të sfidojë Putinin për
Jevgeni Prigozhi

 

Presidenti rus e shihte ende Prigozhin si njeriun e tij, si një vegël të bindur dhe shumë të lehtë për t’u përdorur. Megjithatë, vitet e fundit Jevgeni Prigozhin ka bërë një karrierë shumë të papritur. Në fillim, ai njihej si “kuzhinieri” i Putinit, pasi arriti të fitonte tenderin për ofrimin e drekës në shkollë për fëmijët rusë në të gjithë vendin.

Më pas ai krijoi njësinë e përhapjes së shpifjeve, Agjencinë e Kërkimeve në Internet, teksa u veçua në hetimin e prokurorit special Robert Myler për ndërhyrjet presidenciale në zgjedhjet e 2016-ës. Prigozhin u bë i famshëm si themeluesi i Grupit Vagner, mercenarët e të cilit luftuan në Afrikë, Siri dhe tanimë në Ukrainë.

Vetëm këto arritje i garantuan atij marrjen përsipër të detyrave më delikate të Putinit. Por këtë vit, Prigozhin kaloi në një stad tjetër, duke i tejkaluar të gjithë miqtë e tjerë të Putinit në shkallen e pushtetit. Dhe këtu përfshihet Ministri i Mbrojtjes Sergei Shoigu; Sekretari i Këshillit të Sigurimit, Nikollai Patrushev; kreu i kompanisë shtetërore në sektorin e mbrojtjes, Rostec, Sergei Çemezov; dhe miku më i ngushtë i Putinit, Juri Kovalçuk.

Prigozhin i ka anashkaluar të gjithë ata, dhe duket se është sot lojtari më i rëndësishëm në Rusi. Ai është njëkohësisht faktori politik më popullor, të cilit i druhen zyrtarët më të lartë dhe biznesmenët rusë. Ngritja meteorike politike e Prigozhin, nisi verën e vitit të kaluar kur ai filloi të vizitonte burgjet ruse dhe të rekrutonte të burgosur për ushtrinë e tij private, duke u ofruar falje atyre që luftojnë në vijën e frontit në Ukrainë: 6 muaj shërbim dhe më pas liri.

Për ta bërë këtë, atij iu desh të merrte lejen e agjencive kryesore ruse të sigurisë: Shërbimit Federal të Ndëshkimit, një shtet brenda një shteti në Rusi, pastaj FSB-së, Ministrisë së Brendshme, Prokurorinë e Përgjithshme dhe Komitetin Hetues. Të gjitha këto grupe kanë një status të veçantë, raportojnë vetëm te presidentit Putin, dhe askush nuk guxon që të debatojë me to.

Jevgeni Prigozhin, njeriu që mund të sfidojë Putinin për

Por më pas situata ndryshoi. Prigozhin mund të lironte çdo të burgosur, dhe kompetencat e tij në këtë aspekt janë tani të pakufizuara. Shenja tjetër e statusit të ri të Prigozhin, ishte përballja e tij e hapur me Ministrinë e Mbrojtjes dhe shtabin e përgjithshëm të ushtrisë ruse. Ky konflikt ishte një fenomen i ri për sistemin politik rus. Dikur disa vartës të Putinit nuk mund t’ia lejonin vetes të sulmonin publikisht vartësit e tyre.

Por vitin e kaluar gjërat ndryshuan. Kur nisi pushtimi total i Ukrainës, Putini ishte i fiksuar pas luftës. Burimet thonë se ai është interesi i tij i vetëm. Vetëm njerëzit që janë në vijën e parë të frontit kanë qasje të drejtpërdrejtë te Putini, ndërsa ish-anëtarët e rrethit të brendshëm që përfunduan në prapavijë u bënë më pak të rëndësishëm.

Prigozhin arriti të krijojë për vete imazhin e luftëtarit më efikas. Ai nuk është në varësi të Ministrisë së Mbrojtjes, nuk është i përfshirë në sistemin e burokracisë ushtarake, dhe i përcakton vetë detyrat, synimet dhe afatet. Sipas burimeve të mia, Putini ishte dakord me këtë gjë.

Madje e lejoi Prigozhin të kritikonte në mënyrë të vrazhdë dhe publikisht gjeneralët e tjerë. Putin ka pak vlerësim për këta të fundit, prandaj nuk e kritikoi themeluesin e Grupit Vagner. Vjeshtën e vitit të kaluar, Jevgeni Nuzhin, një ish-i burgosur rus që dezertoi në Ukrainë pasi u rekrutua nga Grupi Vagner dhe përfundoi sërish në Rusi pas një shkëmbimi të burgosurish, u vra duke u goditur me një vare.

Një video e kësaj masakre u shfaq në nëntor, dhe me shumë gjasa ishte menduar si një paralajmërim për të gjithë dezertorët e ardhshëm. Çuditërisht, kjo lloj barbarie ka shumë mbështetës. Dyqanet në Rusi filluan të shesin “Wagner Sledgehammers”, vare me logon e grupit, si dhe suvenire me të njëjtat simbole.

Prigozhin, që dha një deklaratë në mbështetje të vrasjes së Nuzhin, u shndërrua në një hero popullor. Politikanët dhe biznesmenët më radikalë janë distancuar prej tij. Ata me të cilët bisedoj shpesh më thonë se lideri i Çeçenisë, Ramzan Kadirov, që më parë kishte një komunikim të drejtpërdrejtë me Putinin, raporton tani te Prigozhin.

Biznesmeni Konstantin Malofeev, pronar i kanalit ultra-konservator "Tsargrad TV", që e mbështeti sulmin rus ndaj Donbasit në 2014, si dhe ideologu i fashizmit modern rus, filozofi Aleksandr Dugin, e vlerësojnë Prigozhin. Përveç kësaj, grupi i tij i ndikimit përfshin udhëheqësit e të ashtuquajturave republika të Donjeckut dhe Luhanskut.

Në përgjithësi, ky është klani më me ndikim në Rusinë e sotme, pasi në sytë e Putinit, ata që janë në front, bartin peshën më të madhe të konfliktit. Për më tepër, Prigozhin është bërë edhe hero i gazetarëve të çështjeve ushtarake që e quajnë vetën “patriotë” (ata që punojnë për mediat propagandistike dhe që i shprehin hapur pikëpamjet e tyre fashiste).

Por Prigozhin duket tashmë si një lojtar politik krejtësisht i pavarur. Ai nisi të luftonte kundër guvernatorit të Shën Petersburgut, Aleksandër Begllov, një bashkëpunëtor i vjetër i Putinit. “Herët a vonë, njerëz si zoti Begllov do të shtypen si insekte nga shoqëria jonë!”- shkroi ai së fundmi në rrjetet sociale. Në fund të vitit të kaluar, shumë biznesmenë dhe zyrtarë të Moskës besonin fuqimisht se Prigozhin ishte një kërcënim real.

“Vareja është një mesazh për të gjithë ne!”- më tha një oligark. Për disa muaj gjatë vitit të kaluar, qarkullonte dendur pyetja se përse Putini nuk i tregon vendin Prigozhinit, siç ka bërë me shumë të tjerë. Më 10 janar, ky i fundit raportoi në kanalin "Telegram" të kompanisë së tij se militantët e Vagner kishin marrë kontrollin e qytetin ukrainas Soledar.

Kjo ishte fitorja e tij më e fuqishme propagandistike, dhe prova bindëse se Vagner është një nga njësitë ruse më të mira për luftim. Burimet e mia në Moskë më thonë se disa zyrtarë të rangut të lartë filluan të diskutojnë - gjysmë me shaka dhe gjysmë seriozisht - nëse ishte koha e duhur për t’u betuar për besnikëri ndaj Prigozhin para se të jetë tepër vonë.

Ministria e Mbrojtjes pretendoi se pushtimi i Soledar ishte arritje e tyre, gjë që u mohua menjëherë nga Prigozhin dhe korrespondentë të shumtë të luftës. Për propagandistët, një fitore kaq e parëndësishme shkaktoi një triumf absolut. Ja cili është një nga komentet karakteristike: “Trupat e Grupit Vagner sulmuan qytetin rus Soledar dhe vranë të gjithë pushtuesit. Nuk pati asnjë rob.

Të gjithë u vranë si qen të tërbuar. Prandaj, Jevgeni Viktoroviç Prigozhin është një politikan i vërtetë rus. Ai thotë atë që dëshiron të dëgjojë populli i mirë rus, dhe bën atë që presin rusët nga ushtria e tyre”.

Me sa duket pikërisht në atë moment Putin e kuptoi se Prigozhin mund të ishte paksa shumë popullor. Prandaj ai ngriti në detyrë armiqtë kryesorë të Prigozhin, gjeneralët Llapin dhe Valeri Gerasimov, dhe emëroi gjeneralin Gerasimov si komandant të operacionit në Ukrainë. Kjo është loja tradicionale burokratike e zotit Putin, e cila deri dje ka qenë efektive, por këtë herë mund të mos funksionojë.

Shumë rusë, të trullosur nga propaganda, janë të zhgënjyer që ushtria ruse nuk po fiton në Ukrainë. Kievi nuk u pushtua brenda pak ditësh siç ishte premtuar. Duke emëruar gjeneralin Gerasimov si komandant suprem të luftës, Putin po merr përgjegjësinë për të gjitha disfatat e mëvonshme.

Dhe kjo nuk e dobëson aspak Prigozhin, që nuk e kritikoi në publik këtë emërim. Kjo do të thotë se në të ardhmen e afërt, ai mund ta sfidojë presidentin, dhe Putin mund të mos jetë më në gjendje t’i kundërvihet ish-kuzhinierit të tij.

Shënim: Mikhail Zygar, ish-kryeredaktori i televizionit të pavarur rus "Dozhd", dhe autori i librit “Të gjithë njerëzit e Kremlinit: Brenda oborrit të Vladimir Putin”.

Përkthyer nga CNA.al

11:15 Blog Edmond Laçi

Sot, Viti i Ri Hënor

Mëngjesi i 22 janarit në Pekin i ngjan skenarit të një...

Lajmet e fundit nga