web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Re të zeza mbi popullsinë e Shqipërisë, projeksionet parashikojnë rënie të ndjeshme dhe plakje

17 Qershor 2023, 09:36, Aktualitet CNA

Re të zeza mbi popullsinë e Shqipërisë, projeksionet

Përtej problemeve të tjera që lidhen me tranzicionin e gjatë, varfërinë që nuk po çrrënjoset dhe demokracinë e brishtë, çështja më e mprehtë me të cilën po përballet vendi është demografia.

Reduktimi i popullsisë dhe plakja e saj u shndërruan në shqetësimin kryesor të bizneseve vitet e fundit, por duket se perspektiva është më e errët dhe masat e rikuperimit nuk japin rezultate në afat të shkurtër.

Në janar të vitit 2023, INSTAT raportoi se popullsia e vendit u reduktua edhe me mbi 31 mijë persona në krahasim me janarin 2022 dhe 145 mijë persona më pak se më 2011, kur u krye Censi i fundit.

Një projeksion i fundit i Organizatës Ndërkombëtare për Migracion (IOM) për popullsinë 2021 – 2050 tregoi se numri i përgjithshëm i popullsisë së Shqipërisë do të arrijë brenda një kufiri realist midis 2,06 dhe 2,3 milionë banorësh deri në vitin 2050.

Projeksionet e reja kanë vend për marzhe të larta gabimi në varësi të zhvillimeve në emigracion dhe normave të fertilitetit, por të dhënat janë shumë të sakta për ecurinë e popullsisë mbi 65 vjeç. Projeksionet e reja të IOM, pavarësisht se nuk janë zyrtare, tregojnë popullata e fëmijëve 0-19 vjeç do të pësojë rënie me 47% deri në vitin 2050, ndërsa popullsia mbi 65 vjeç do të zgjerohet me 56%.

Rënia e popullsisë është e dukshme, por mungesa e të dhënave të sakta për grupmoshat dhe shpërndarjen gjeografike i bëjnë më të forta efektet negative dhe më të vështira zgjidhjet. Shtyrja e censit dhe mungesa e projeksioneve të sakta për pritshmërinë e treguesit të popullsisë i kanë përfshirë në një zonë të errët bizneset.

Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Nikolin Jaka, i konsideroi thelbësore të dhënat e sakta për popullsinë, pasi informacioni mbi numrin dhe strukturën e popullsisë është jetik për planet dhe aktivitetin e biznesit.

Ekonomisti i njohur, Selami Xhepa, bëri thirrje për një trajtim serioz të çështjeve që lidhen me kapitalin human. Sipas tij, reformat strukturore mbeten thelbësore për të krijuar një mjedis nxitës jo vetëm për investimet private, por edhe për rritjen e produktivitetit të punës. Politikat mbështetëse për investitorët duhet të riformatohen për arritjen jo thjesht të objektivave sasiorë, por të disa objektivave cilësorë që ndikojnë në mirëqenien e shoqërisë, si thelbësorë për rritjen e popullsisë, – këshilloi Xhepa.

Projeksionet e reja të popullsisë, Shqipëria 2 mln banorë më 2050

Rezultatet e parashikimit të popullsisë nga një grup i madh ekspertësh vendas e të huaj, që u udhëhoq nga IOM – Albania, tregojnë se numri i përgjithshëm i banorëve në Shqipëri ka gjasa të ulet thuajse në mënyrë lineare gjatë tri dekadave të ardhshme.

“Nëse supozojmë se popullsia e vendit në fund të vitit 2020 ishte 2,83 milionë banorë, numri i përgjithshëm duhet të arrijë në nivelin prej 2,34 milionë banorësh brenda një kufiri realist midis 2,06 dhe 2,64 milionë banorësh deri në vitin 2050”, – sipas projeksionit të IOM.

Sipas ekspertëve, arsyet e kësaj rënieje janë lindshmëria e ulët dhe në rënie, për shkak të tkurrjes së numrit të nënave dhe fertilitetit të ulët. Numri relativisht i lartë dhe në rritje i vdekjeve të shkaktuara nga rritja e numrit të personave të moshuar dhe humbjet që do të vijnë nga emigracioni do të çojnë në rënien e popullsisë së vendit.

Ekspertët e IOM arritën në përfundimin se ndryshimi i pritshëm përfaqëson rënien e numrit të përgjithshëm të popullsisë me rreth 17% me pasiguri të skajshme 7% dhe 27% në fund të periudhës 30-vjeçare të mbuluar nga parashikimi. Në terma absolutë, popullsia ka të ngjarë të tkurret me 33-45 mijë persona në vit, gjatë viteve 2021-2050.

Në dy dekadat e fundit, zhvillimet reale në popullsinë e Shqipërisë kanë qenë më negative se skenari pesimist. P.sh. në projeksionet e INSTAT të 2019-2031, popullsia e Shqipërisë, sipas skenarit të rritjes së ulët do të ishte 2,80,109 banorë më 2023, por vetë INSTAT në matjet vjetore, raportoi se ishin rreth 47 mijë banorë, ose 1.6% më pak se parashikimi pesimist.

Mosha mediane arrin në 49 vjeç më 2050

Projeksionet e IOM tregojnë se mosha mediane (mesorja që ndan popullsinë në dy pjesë të barabarta) do të arrijë në 49 vjeç deri në vitin 2050, sipas variantit mesatar të parashikimit. Popullsia femërore e Shqipërisë duhet të jetë mesatarisht rreth 50 vjeç. Popullsia mashkullore pritet të jetë thuajse dy vjet më e re (48 vjeç) se ajo femërore deri në fund të periudhës së parashikimit.

Sipas ekspertëve, ky ndryshim në moshën mesatare midis meshkujve dhe femrave është logjik. Ai rrjedh nga dy fakte: Një përqindje natyrore më e lartë e djemve mes të sapolindurve dhe vdekshmëria përtej parashikimeve të pritshme e meshkujve të të gjitha moshave, duke sjellë numër më të madh të femrave në moshat më të mëdha.

Mosha mediane e popullsisë nisi rritjen pas vitit 1979. Në këtë vit, sipas të dhënave të INSTAT, mediana e popullsisë ishte 20 vjeç. Nga viti 1979 deri në vitin 2022, mosha mediane është rritur me 18.8 vite.

Projeksionet e INSTAT për vitet në vijim tregojnë për plakje të mëtejshme të popullsisë. Deri në vitin 2060, mosha mediane pritet t’i ketë kaluar të 50 vitet.

INSTAT raportoi se mosha mediane e popullsisë ishte 38.8 vjeç në vitin 2022, por projeksionet e reja tregojnë se do të arrijë në 49 vjeç në vitin 2050, sipas një skenari normal të parashikimit të fundit nga IOM.

Shqipëria është ende një nga popullsitë me moshë më të re në Europë, por po plaket me ritme shumë më të shpejta se shtetet e tjera. Sipas të dhënave të Eurostat, popullsia shqiptare e grupmoshës deri në 14 vjeç është “tkurrur” me 3.1% pikë përqindje, në periudhën 2014 -2021, duke kryesuar listën e 37 vendeve për të cilat janë publikuar të dhënat.

Shqipëria është ende sot një nga popullsitë më të reja në Europë, me një moshë mediane 38.8 vjeç, por pas disa dekadash pritet që të jetë popullsia më e plakur, jo vetëm në Europë, por në të gjithë botën.

Llogaritjet janë bërë nga njësia e përpunimit të të dhënave “Visual Capitalist”, që ka analizuar të dhënat e divizionit të popullsisë të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB). Sipas parashikimeve, 49% e popullsisë së Shqipërisë do të jetë 65 vjeç e lart deri në vitin 2100, pesha më e lartë në botë dhe dyfishi i mesatares globale deri në atë vit.

Grupi i të rinjve nën 19 vjeç ulet me 47%, ai mbi 65% rritet me 56%

Projeksioni i fundit për popullsinë në mënyrë më të detajuar tregon se numri i fëmijëve dhe adoleshentëve (0-19 vjeç) nga 656 mijë në vitin 2020 do të bjerë në rreth 350 mijë pas 30 vitesh (2050), ose 47%.

Rënia relative e pritshme do të jetë rreth 22% gjatë dekadës së parë dhe 19% dhe 16% në dy dekadat në vijim. Përqindja e kësaj kategorie moshe ndaj popullsisë së përgjithshme do të zvogëlohet me 8 pikë përqindjeje ndaj totalit të popullsisë, nga 23,2% kohët e fundit në 15% në mesin e këtij shekulli.

Në të kundërt, numri i të moshuarve ka të ngjarë të rritet. Kjo rritje do të jetë mjaft intensive në dy dekadat e para. Popullata e moshuar mbi 65 vjeç ose 430 mijë persona në vitin 2020 do të rritet në rreth 670 mijë persona deri në vitin 2050, ose me 56%.

Ekspertët e IOM vlerësojnë se një zhvillim i tillë do të jetë një sfidë reale për të gjithë sistemin shoqëror të vendit dhe qëndrueshmërinë e tij. Grupi i ekspertëve pohon se projeksionet mbi ecurinë e përgjithshme të popullsisë mund të mos jenë të sakta, por ecuria e popullsisë në moshë madhore është treguesi më i besueshëm.

Flukset emigratore dhe norma e fertilitetit mund të bëjnë të padobishme parashikimet për lindjet dhe grupet e të rinjve, por kontigjentët e pleqve janë të sakta. Arsyeja është se të gjithë të moshuarit e ardhshëm (+65 vjeç) tani janë +35 vjeç e lart.

Pjesëmarrja e këtyre personave në migrimin ndërkombëtar dhe probabiliteti i emigrimit (të përhershëm) është tashmë i pakët.

Ndër kategoritë e të moshuarve, pesha do të zhvendoset nga të moshuarit më të rinj te më të plakurit. Në vitin 2020, të moshuarit mbi 85 vjeç përbënin 15% të popullsisë mbi 65 vjeç, por pas 30 vjetësh, ata do të jenë 35%.

Të moshuarit e moshës së mesme (75-84 vjeç) nga 23% të popullsisë mbi 65 vjeç më 2020 do të arrijnë në 29% në vitin 2038 dhe më pas do të zbresë në 21% në vitin 2050.

Pjesa e të moshuarve të rinj (65-74 vjeç) pritet të ulet nga 61% e totalit të popullsisë mbi 65 vjeç në vitin 2020 në 44% në vitin 2050. Një zhvillim i tillë duhet të vijë si rezultat i dinamikës së pabarabartë të nëngrupeve të moshuarve.

Popullsia në moshë pune do të zvogëlohet dhe do të plaket

Popullsia në moshë pune gjithashtu do të zvogëlohet dhe plaket sipas projeksioneve të reja të popullsisë. Në 30 vitet në vijim, mosha mesatare e saj duhet të rritet nga 41.7 në 46 vjeç.

Nëse pranojmë përkufizimin standard europian të moshës ekonomikisht produktive (20-64 vjeç), mund të themi se kjo madhësi e segmentit të popullsisë arriti afërsisht 1.74 milionë njerëz në fund të vitit 2020.

Pas 30 vjetësh, deri në fund të vitit 2050, kjo madhësi e kategorisë së moshës duhet të zvogëlohet në rreth 1.32 milionë banorë, ose 24% më pak.

Rënia më e lartë absolute ka të ngjarë të ndodhë në vitet 2030, kur Shqipëria do të humbasë, kryesisht përmes migrimit dhe plakjes demografike, gati 200 mijë persona në moshë produktive. Përqindja e popullsisë në moshë produktive ishte 61.6% e totalit të popullsisë në fund të vitit 2020 dhe do të arrijë më pak se 57% në vitin 2050.

Sipas të dhënave të INSTAT, më 1 janar të vitit 2023 popullsia në moshë pune pësoi rënie vjetore me 1.8%. Në raport me vitin 2019, popullsia në moshë pune u reduktua me rreth 101 mijë persona dhe aktualisht është 1,864,062 persona.

Reduktimi i fuqisë punëtore është gjithashtu më i fortë se projeksionet pesimiste të INSTAT. Nga 1 janari 2019 deri më 1 janar 2023, rënien më të fortë shihet ta ketë grupmosha 20-24 vjeç, me më shumë se 17%.

Rënia në këtë grupmoshë reflekton emigracionin e lartë të të rinjve jashtë vendit. Më tej, rënie të madhe ka pësuar popullsia në moshën 15-19 vjeç, kur në vitin 2023 numërohen 35 mijë persona më pak se në vitin 2001.

Popullsia në moshë pune ka shënuar rënie për të gjitha grupmoshat deri në 59 vjeç, përveç 35-39 vjeç kur kishte rritje me 7.1% në krahasim me 1 janar 2022. Më tej shihet se vetëm forca e punës në prag pensioni (60-64 vjeç) ka shënuar rritje me 8.7%.

Parashikimet e reja tregojnë se vëllimet e migracionit përtej kufijve të Shqipërisë do të ulen me shumë gjasa, për shkak të rënies së numrit të popullsisë dhe plakjes, që çon kryesisht në një numër gjithnjë e më të vogël të grupmoshave të reja që janë edhe baza e potencialit migrator.

Fluksi i rëndësishëm dalës i të rinjve parashikohet edhe gjatë kësaj dekade me flukse neto të emigrimit me -26 mijë persona në vit deri më 2025.

Ekspertët e kontraktuar nga IOM pohojnë se është e qartë se ndryshimet në numrin dhe strukturën seks-moshë të popullsisë së Shqipërisë do të kenë pasoja me ndikim të gjerë, që do të prekin thuajse çdo aspekt të jetës së shoqërisë.

Këto ndryshime do të ndikojnë pa dyshim te fushat kryesore me interes publik, si financat publike, sigurimet dhe ndihma sociale, sistemi shëndetësor publik dhe tregu i punës./Monitor

 





Lajmet e fundit nga