web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Procesi i integrimit/ Rama: Kemi ende rrugë për të bërë derisa të jemi pjesë e BE-së

12 Maj 2026, 11:18, Aktualitet CNA

Kryeministri Edi Rama ishte i pranishëm në firmosjen e marrëveshjes për linjën e re të financimit ndërmjet Bankës Europiane të Investimeve dhe Intesa Sanpaolo Bank Albania, për të mbështetur bizneset e vogla e të mesme shqiptare në inovacion, digjitalizim, teknologji dhe investime të gjelbra.

Gajtë fjalës së tij, Rama u ndal te procesi i integrimit të Shqipërisë në BE.

Kryeministri theksoi se BE ofron njohuri që askush tjetër nuk i ka dhe Shqipëria do të përfitojë nga shansi që i ofrohet.

Rama nënvizoi se Shqipëria ka ende rrugë për të bërë derisa të jetë pjesë e BE-së, por ndërkohë janë bërë hapa që kanë të bëjnë me marrëdhënien mes individit dhe shtetit, duke transformuar shërbimet.

“Nuk ka alternativa përkundrejt lirisë individuale dhe shtetit të së drejtës. Shqipëria kurrë nuk ka pasur një plan B dhe nuk i ka hedhur sytë në një drejtim tjetër. E kemi mësuar në kurriz që çdo plan B apo C është një plan pa liri individuale dhe pa barazi para ligjit. Nuk duam as ta çojmë nëpër mend kthimin në atë kohë.

Po shfaqen aktorë të tjerë ndryshe, por thelbi është aty. Thelbi është i pranishëm: ka vetëm një qytet që shkëlqen për atë që ne duam më fort, liria jonë dhe nevoja për të jetuar nën sundimin e ligjit, dhe ky qytet për ne është BE.

Pse afganët dhe irakianët nuk ia dolën? Arsyeja është se nuk kishin BE-në si horizont të tyre, si burim dijeje dhe si partner në përpjekjen për të ndërtuar një shtet funksional. Liria nuk mjafton, sepse mund të fashitet. BE ofron njohuri që askush në botë nuk i ka; ky është bekimi dhe shansi ynë, dhe duam të përfitojmë nga kjo gjë.

Keni të drejtë që po na ndihmoni, keni të drejtë që besoni te ne. Jemi një vend që ka probleme, por kemi bërë rrugë të gjatë për të ardhur këtu ku jemi. Ka ende rrugë për t’u bërë derisa të jemi pjesë e BE-së, por kemi bërë hapa që kanë të bëjnë me marrëdhënien mes individit dhe shtetit, duke transformuar shërbimet tona.

Një platformë digjitale e qeverisjes, ku qytetarët 95% të shërbimeve i marrin me një klikim. Jemi krenarë që kemi kryer një transformim të jashtëzakonshëm të Prokurimit Publik. Jemi vlerësuar nga SIGMA si sistemi më i mirë i prokurimit publik, sistem mesatar me shtetet e BE-së.

Pres me padurim të forcojmë bashkëpunimin me Bankën Europiane të Investimeve për të marrë sa më shumë të jetë e mundur nga dija juaj dhe për t'ju bërë të investoni më shumë në Shqipëri. Mirënjohës që mesa duket e morët seriozisht kërkesën për të investuar më shumë në kulturë, pasi është ajo që na lidh më shumë me Europën. Na bën të kuptojmë se Europa është diçka për të cilën ja vlen të investohet”, tha Rama./ CNA





Lajmet e fundit nga