web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Pasaporta bullgare/ Zv.ministri Dimitrovski: Jashtë çdo rregulli europian, po na bëhet presion

8 Shkurt 2025, 16:58, Aktualitet CNA

Pasaporta bullgare/ Zv.ministri Dimitrovski: Jashtë çdo rregulli

Zv.ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut ka marrë pjesë paraditen e sotme në takimin e organizuar mes partive mazhoritare dhe opozitare të këtij shteti dhe përfaqësues nga partia "AMIE".

Në një deklaratë për mediat, Zoran Dimitrovski ka komentuar lidhur me presionin e vazhdueshëm bullgar drejt minoritetit maqedonas, duke u shprehur se qeveria shqiptare ka qenë e detyruar të njihte një minoritet tjetër, i cili nuk ekziston. Zv.ministri ka theksuar se kërkon të punojë së bashku me qeverinë shqiptare për të ndërmarrë të gjitha proceset për integrimin në BE, por edhe për zhvillimin e urës lidhëse mes popullatës shqiptare në Maqedoni dhe asaj maqedonase në Shqipëri.

"Ne jemi në dijeni se edhe qeveria shqiptare është në presion të vazhdueshëm nga qeveria bullgare prandaj dhe para disa vitesh qeveria shqiptare ishte e detyruar të njihte një minoritet tjetër “i nënti”, pra një minoritet tjetër, sipas radhës i nënti në Shqipëri që nuk ekziston me qëllim për të avancuar në proceset e integrimit europian prandaj ne e kuptojmë se në çfarë situate ndodhet qeveria shqiptare.

Ne duam që bashkarisht me qeverinë shqiptare të punojmë për të marrë të gjitha proceset për integrimin europian sidomos edhe për zhvillimin e minoritetit këtu dhe të popullatës shqiptare që jetojnë në Maqedoni domethënë të jetë një urë lidhëse midis dy shteteve", u shpreh ai.

Sipas Dimitrovskit, shteti maqedonas njihet si një ndër shtetet që i ka dhënë më shumë të drejta minoritetit shqiptar që jeton në Maqedoni. Ai shprehet se nuk kanë probleme me qeverinë aktuale për njohjen e identitetit të shqiptarëve në shtetin maqedonas.

"Shteti maqedonas njihet si një ndër shtetet që i ka dhënë më shumë të drejta në të gjitha minoritetet që jetojnë në Maqedoni. Me qeverinë shqiptare ne deri tani nuk kemi asnjë problem lidhur me njohjen e identitetit të shqiptarëve në Maqedoni. Çështja është që standardet europiane tregojnë diçka tjetër dhe këtë që po e bën Bullgaria janë jashtë çdo rregulli të standardeve europiane.", deklaroi ai.

Deputeti Metodija Ilievski nga partia opozitare LSDM, ka bërë thirrje nëpërmjet mediave shqiptare, që organizatat dhe partitë maqedonase në Shqipëri të bashkohen dhe të kenë të njëjtin synim përpara institucioneve të shtetit shqiptar.

"Ne do t’i bëjmë thirrje të bashkohen të gjitha organizatat dhe partitë maqedonase me Shqipëri dhe të kenë të njëjtin synim përpara institucioneve të shtetit shqiptar. Të ndihmojmë të gjitha organizatat maqedonase si qytetarë të Shqipërisë, nëpërmjet institucioneve, me ndihmën ndërkombëtare, për t’i realizuar të drejtat e tyre dhe të mbajnë statusin si minoritet maqedonas në Shqipëri, që njihet edhe nga shteti shqiptar", tha deputeti.

Ilievski është shprehur se partia që ishte në pushtet, bëri një hap serioz në përmirësimin e kushteve të jetesës për maqedonasit e vendosur në Shqipëri, ku gjuha maqedonase u fut në universitetet shqiptare. Ndër të tjera, Ilirvski përmend faktin se hodhën hapa konkretë në njohjen e kulturave të të dyja vendeve. Ai shpreh dëshirën për të ndërtuar një marrëdhënie të mirë ndërpartiake e ndërshtetërore për çështje që ndihmojnë komunitetin maqedonas në Shqipëri, duke mos e konsideruar si shkak konflikti mes dy shteteve, por sipas tij, shqetësimet e minoritetit maqedonas në Shqipëri duhet të zgjidhen në mënyrë demokratike nga institucionet e vendit.

"Partia që dikur ishte në pushtet, që në momentet e para, bëri një hap serioz në përmirësimin e kushteve të jetesës për maqedonasit e vendosur në Shqipëri dhe atëherë ndihmuam që gjuha maqedonase të jetë në universitetet shqiptare, konkretisht në Tiranë dhe Korçë. Dhe atëherë bëmë për herë të parë marrëveshje për artifaktet, ikonat, ndërmjet Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, si një mënyrë që të forcojmë edhe bashkësinë maqedonase në Shqipëri. Ne nuk mund të themi se çfarë bëjnë shtetet e tjera që futen në Shqipëri. Ne duam të ndërtojmë marrëdhënie të mira, edhe ndërpartiake, edhe ndërshtetërore, për çështjen konkrete, që të ndihmojmë komunitetin maqedonas në Shqipëri. Ky nuk është një shkak për konflikt midis Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë. Ne duam vërtet që shqetësimet e minoritetit maqedonas në Shqipëri të zgjidhen në mënyrë demokratike dhe nëpërmjet institucioneve të vendit", theksoi ai.

Dy deklaratat e zyrtarëve të shtetit maqedonas janë dhënë për mediat pas takimit që këto të fundit zhvilluan ditën e sotme në Korccë, me fokusin e vetëm të zhvillimit të marrëdhënieve sa më të mira mes dy komuniteteve./ CNA





Lajmet e fundit nga