LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Pas inceneratorëve, qeveria projekton edhe 113 milionë euro për plehrat në Elbasan dhe Fier

23 Gusht 2023, 15:20, Aktualitet CNA

Pas inceneratorëve, qeveria projekton edhe 113 milionë euro për

Një draft-dokument i “Politikave Prioritare” zbulon se qeveria po planifikon të shpenzojë edhe 113 milionë euro për menaxhimin e mbetjeve në Elbasan dhe në Fier për t’u rikthyer te strategjia e riciklimit – e braktisur në vitin 2014 me koncesionet korruptive për ndërtim inceneratorësh.

Qeveria shqiptare po planifikon të shpenzojë për dy vitet e ardhshme edhe 113 milionë euro për menaxhimin e mbetjeve për qarkun e Fierit dhe Elbasanit, pavarësisht se koncesionet e mëparshme prej 50 milionë eurosh për ndërtim inceneratorësh janë nën gjykim për veprat penale të korrupsionit dhe pastrimit të parave.

Një draft-dokument i qeverisë shqiptare i “Politikave Prioritare” për periudhën 2024-2026, që BIRN disponon, rendit si projekte “Unike me rëndësi kombëtare” të investimeve publike edhe krijimin e zonave funksionale për mbetjet në Elbasan dhe Fier.

Për Elbasanin parashikohet një investim i ri prej 50.1 milionë eurosh, ndërsa për Fierin 63 milionë euro.

Të dyja projektet janë kategorizuar si të maturuara, çka nënkupton se është kryer studimi i fizibilitetit dhe janë në fazë të avancuar të përpilimit të dokumenteve teknike.

Kryeministri Edi Rama refuzoi gjatë një konference për shtyp të mërkurën të dëgjonte pyetjen e BIRN dhe t'i përgjigjej asaj për paratë shtesë të planifikuara, edhe pas skandalit të korrupsionit me inceneratorët, duke sugjeruar që pyetja t'i dërgohej me shkrim. Një kërkesë për koment dërguar nga BIRN në zyrën e shtypit të Ramës ka mbetur pa përgjigje prej 48 orësh.

Draft-Dokumenti, i cili pritet të miratohet nga Këshilli i Ministrave, është përgatitur nga Agjencia Shtetërore e Programimit Strategjik dhe koordinimit të Ndihmës (SASPAC), në varësi direkte të Kryeministrit, që drejtohet nga ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj.

Vetë Beqaj është në hetim nga Prokuroria e Posaçme për kontratën e partneritetit publik privat për sterilizimin e pajisjeve kirurgjikale.

Edhe pse në këtë dokument nuk jepen arsye për nevojën e investimeve të reja në menaxhim mbetjesh në këto dy zona, burime pranë qeverisë thanë se ato janë bazuar mbi një studim fizibiliteti të hartuar nga ekspertë të huaj dhe vendas me financim nga fondet IPA të Bashkimit Europian.

BIRN arriti të sigurojë studimin e bërë për qarkun Fier, ku parashikohen investime në infrastrukturën e menaxhimit të mbetjeve për t'u rikthyer në strategjinë e mëparshme që stimulon riciklimin – strategji e cila u braktis nga qeveria “Rama” me vendimet për të shpenzuar qindra miliona euro për incenerim.

Gjithashtu, studimi parashikon mbyllje të disa landfilleve të vjetra dhe zgjerim të atyre ekzistuese, si dhe investime rajonale; ndërtim objektesh për riciklim, stacione transferimi, objekte kompostimi dhe landfill për inertet, me një prioritet të qartë drejt riciklimit dhe jo djegies.

Sipas ekspertëve hartues, inceneratori i Fierit nëse vihet në punë do të ketë një jetë funksionale 15-25 vjet dhe “prioritizimi i riciklimit do të nënkuptojë drejtpërdrejt një ulje të konsiderueshme të nevojës për djegie”.

Sipas skenarit të menaxhimit që propozon ky studim, kostot e investimeve për qarkun Fier kapin shifrën e  60.4 milionë eurove (60,403,480) të shtrirë në një periudhë 20-vjeçare. Inceneratori i Fierit u ka kushtuar taksapaguesve shqiptarë rreth 32 milionë euro, por nuk është vënë asnjë ditë në punë dhe ende nuk djeg mbetje.

Studimi sjell dhe një analizë të politikave të menaxhimit të mbetjeve që ka ndjekur qeveria shqiptare duke theksuar se incenerimi, jo vetëm nuk parashikohet të zgjidhë problemin me mbetjet, por shkel dhe direktivat europiane për ekonominë qarkulluese, pasi nuk është zbatuar hirearkia e menaxhimit të mbetjeve, ku djegia është në fund të piramidës.

Incenerimi u mbrojt fort nga kryeministri Edi Rama, si një zgjidhje përfundimtare e problemit me plehrat duke dhënë në një hark kohor të pak viteve 3 kontrata koncensionare qindra miliona euro për ndërtim inceneratorësh në Elbasan, Fier dhe Tiranë.

Të tria këto objekte janë sot nën sekuestro shtetërore me urdhër të Prokurorisë së Posaçme (SPAK), hetimet e së cilës kanë ngritur akuza për një duzinë zyrtarësh shtetërorë me akuzat e korrupsionit, pastrimit të parave dhe shpërdorimit të detyrës, ndër ta dhe ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj dhe ish-ministri i Mjedisit Lefter Koka.

Hartimi i draft-planit të qeverisë për projektet me rëndësi kombëtare, sipas agjencisë, është bërë në bazë të vendimeve dhe udhëzimeve të qeverisë për menaxhimin e investimeve publike dhe prioriteteve të qeverisë në projekte konkrete në nivel kombëtar dhe rajonal.

“Kjo listë shërben si referencë për ministrinë përgjegjëse për financat dhe njësitë e qeverisjes qendrore, në kuadër të përfshirjes së projekteve të investimeve publike në Programin Buxhetor Afatmesëm (PBA) apo buxhetin vjetor,” thuhet në dokumentin e SASPAC.

Sipas argumentimit të përdorur në dokument, kur projektet janë mbi vlerën kufi të vendosur me udhëzimin e ministrit të Financave dhe ato do të klasifikohen si projekte investimi me rëndësi kombëtare dhe i nënshtrohen procesit të vlerësimit për përfshirjen e tyre në Listën Unike të Projekteve me Rëndësi Kombëtare.

“Këto projekte investimi përfshihen në PBA-në apo buxhetin vjetor në përputhje me hapësirën fiskale, vetëm pasi të jenë bërë pjesë e listës unike të projekteve me rëndësi kombëtare, të rankuar dhe të miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave."

Në këtë listë, projektet e kategorizuara me status të “maturuar” janë 62 projekte në infrastrukturë, digjitalizim, mjedis, etj., me një vlerë totale prej afro 8 miliardë eurosh.

Vetëm për sektorin e Mjedisit parashikohen të hidhen 388 milionë euro në total, duke përfshirë në këtë sektor investimet në ujësjellës-kanalizime dhe menaxhim mbetjesh, landfillet./Reporter.al

Lajmet e fundit nga