web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Nga problemet me tezat te kërkesat për autoritetet/ Specialisti i arsimit jep mesazhe të forta

8 Qershor 2022, 19:29, Aktualitet CNA
Nga problemet me tezat te kërkesat për autoritetet/ Specialisti i
Profesori dhe specialisti i arsimit, Ardi Stefa

Profesori dhe specialisti i arsimit, Ardi Stefa, ka dhënë mesazhe të forta, teksa ka folur për tezat e provimeve të maturës dhe shqetësimet e ngritura nga nxënësit dhe prindërit.

Në një intervistë për CNA.al, Stefa ka kërkuar të ngrihet zëri për mënyrën se si po hartohen tezat e provimeve të maturës dhe se si vlerësohen nxënësit.

Specialisti i arsimit tha se tezat duhet të hartohen nga një grup mësuesish, të cilët janë të certifikuar dhe kompetentë, ndërsa u shpreh se ato duhet të jenë brenda programit të lëndëve që janë bërë në gjimnaz.

Gjithashtu profesori kërkoi të tregohet më shumë “tolerancë” me nxënësit për faktin se kaluan pothuajse dy vite në pandemi me mësim online.

Do të ishte e mirë të ngrihet zëri, pavarësisht se ndoshta jemi vonë në këtë moment që flasim, tezat duhet të hartohen nga një grup mësuesish, të cilët janë të certifikuar dhe janë kompetentë. Pra, duhet të dihet se nga kush dhe si janë certifikuar këta mësues, hartues të tezave. E para dhe e dyta, duhet të jenë brenda programit të lëndëve që janë bërë në gjimnaz.

E treta, që është shumë e rëndësishme, duhet që në këto teza të hartuara sivjet duhet të merret parasysh edhe fakti që një pjesë e madhe, domethënë dy vjet të shkollës së këtyre maturantëve, pothuajse kaluan në pandemi.

Pra, duhet ndoshta të ketë edhe nga ana shkencore një lloj tolerimi apo një lloj uljeje të marzhit të pikëve, të ketë një lloj 'tolerance' në vlerësimin e tyre. Nuk është normale të kërkohet një gjë e tillë, por duke pasur parasysh që dy vjet këta pothuajse i kaluan në pandemi, atëherë duhet që të ketë një llojë 'tolerance' të tillë”, deklaroi Ardi Stefa.

Nga problemet me tezat te kërkesat për autoritetet/ Specialisti i
Profesori dhe specialisti i arsimit, Ardi Stefa

Gjithashtu, Stefa ngriti zërin për mënyrën e hartimit të tezës së provimit të Gjuhë-Letërsisë, për të cilin tha se është bërë në një mënyrë krejtësisht të gabuar.

Profesori i Gjuhë-Letërsisë deklaroi për gazetaren Brunilda Allkja të CNA.al, se teza duhet hartuar nga të paktën dy autorë, në mënyrë që të plotësojnë mangësitë e njëri-tjetrit.

Një gjë që është e rëndësishme dhe këtë do të dëshiroja ta nënvizonit është se teza e provimit të Gjuhë-Letërsisë është hartuar në një mënyrë krejtësisht të gabuar dhe flas si specialist i lëndës, i fushës. Domethënë, të testosh të gjithë lëndën e Gjuhës dhe Letërsisë me një autor është e gabuar, është penalizuese për nxënësit dhe të përqendrohesh në një test me 17 pyetje vetëm për pjesën e gjuhës dhe 16 pyetje te letërsia edhe kjo është e gabuar.

Duhet parë shpërndarja e pikëve, duhet parë shpërndarja e ngarkesës, duhet parë edhe mënyra se si duhet të përzgjidhet autori. Më mirë do të ishte me dy autorë, me më pak pyetje për secilin, në mënyrë që atë çka mund të lërë mangut një autor, mund ta kompensojë autori tjetër”, nënvizoi ai.

Për sa i përket shqetësimit të nxënësve dhe prindërve për hartimin e më shumë se një teze, në bazë të profileve shkencore dhe shoqërore, eksperti i arsimit deklaroi se kjo kërkesë është e gabuar, pasi nënvizoi se nxënësit i janë nënshtruar të njëjtit programi.

Me sa di unë dhe e kam të saktë këtë, nxënësit e shkollave profesionale, të këtyre me kohë të pjesshme, shkollave arstistike dhe pedagogjike, kanë teza të tjera, nuk kanë nivel vështirësie në Gjuhë-Letërsi apo Matematikë. Ndarja e profileve, nuk presupozon ndarjen e tezave, domethënë që njëri që ka profilin shkencor të ketë tezën shkencore dhe njëri që ka profilin shoqëror, të ketë tezën shoqërore. Nuk e kanë të qartë maturantët këtë dhe janë orientuar gabim.

Teza është një për gjimnazet që janë të përgjithshme. Ndarja në profile nuk do të thotë se duhet bëjnë program tjetër ata. Përderisa ata i janë nënshtruar të njejtit program në gjimnaz, të përgjithshmit duhet të bëjnë të njejtën tezë”, tha ai.

Nga problemet me tezat te kërkesat për autoritetet/ Specialisti i
Profesori dhe specialisti i arsimit, Ardi Stefa

Më tej, profesori u shpreh se teza e njejtë për gjimnazet e përgjithshme, nuk penalizon apo “djeg” asnjë nxënës.

Unë jam mësues i Gjuhës dhe Letërsisë dhe në këtë moment që po flasim jam nga të vetmit që kam ngritur zërin për formulimin e tezave që nga viti 2019 dhe këtej, por nuk digjet.

Një nxënës që është i mirë në matematikë, është i mirë dhe në Gjuhë Letërsi. Nuk duhet të nxisin disa qëndrime që nuk qëndrojnë, disa qëndrime të pabaza të nxënësve që duan t’i paraprijnë mungesës së përgatitjes së tyre. Një nxënës që është i mirë në lëndët shkencore, është padiskutim i mirë dhe në Gjuhë Letërsi.

Kjo sepse testet janë zakonisht logjike. Mund të gjesh gabime sa të duash në to, por janë teste logjike. Përtej anës subjektive në testet e Gjuhë Letërsisë, ato janë teste logjike, domethënë që është një pretendim që nuk më duket se është i drejtë dhe i justifikuar nga ana e tyre.

Pretendimi i tyre dhe shqetësimi i tyre do të ishte i drejtë nëse do të shikojmë që tezat janë jashtë programit të maturës, me gjëra të cilat ata nuk i kanë bërë dhe nuk i kanë trajtuar, por nëse ata i kanë brenda programit, absolutisht nuk duhet që të ketë pretendime të tilla”, theksoi Stefa.

I pyetur nga CNA.al për publikimin e tezave para fillimit të provimit të maturës, ai tha se fenomene të tilla ka pasur dhe do të ketë gjithmonë, por nënvizoi se do të ishte më shqetësuese nëse teza do të dilte nga organet që e hartojnë.

Sipas tij, publikimi i tezës do të delegjitimonte dhe zhvlerësonte krejtësisht të gjithë maturën dhe do të hidhte në erë përpjekjet e nxënësve.

Fenomene të tilla ka pasur dhe unë mendoj se gjithmonë do të ketë, është e pashmangshme një gjë e tillë sepse dikush mund të kalojë një telefon apo të kalojë një orë apo një palë syze që kanë kamera të instaluara në skeletin e tyre, etj., etj. dhe teza të dalë. E rëndësishme është që teza të mos dalë nga organet, të cilat e hartojnë tezën.

Nga problemet me tezat te kërkesat për autoritetet/ Specialisti i
Nxënës duke bërë provim

Pra, në qoftë se do të kishim ndonjë shit-blerje të tezës, atëherë kjo do të ishte shqetësuese dhe do të ishte një fenomen penalizues, i dënuar nga ligji. Por në momentin që ndonjë nxënës në ndonjë qytet, në Tiranë, në Vorë, në Kurbin, ku di unë, në Mirditë, Topojë apo edhe Sarandë, dikush ka kaluar një telefon që e fotografon dhe publikohet teza, atëherë po, ky do të ishte një fenomen shqetësues, por nuk ka të bëjë me institucionet që hartojnë tezën. Kjo ka të bëjë me mënyrën si monitorohen dhe si administrohen provimet, se si janë masat e  sigurisë, etj., etj.

Unë uroj që të mos ketë dalje të tezës, as përpara, as pas dhe as gjatë provimit, do të ishte shumë e gabuar. Është një gjë e papranueshme, është një gjë, e cila duhet në një farë mënyre të ketë dënime sipas ligjeve në fuqi dhe është një proces, i cili nëse do të ndodhë, do të deligjitimojë dhe do të zhvlerësojë krejtësisht të gjithë maturën dhe do të hedhë në erë përpjekjet 3-vjeçare të nxënësve apo përpjekjet 12-vjeçare të një kategorie nxënësish që punojnë. Unë uroj që të mos ketë të tilla, por duhet që të ketë masa të rrepta, duke respektuar pedagogjinë dhe duke respektuar edhe humanizmin”, u shpreh ai për CNA.al

Teksa u ndal te masat e ndërmarra nga autoritetet, profesori kërkoi të mos paragjykohen, ndërsa theksoi se ato duhet të jenë të rrepta.

Vit për vit është thënë që kemi marrë masat më të rrepta dhe vit për vit kanë dalë tezat. Nuk duhet të paragjykojmë, duhet të rrimë e të presim. Për mua masat duhen marrë, duhet të jenë të rrepta në mënyrë që provimi të zhvillohet në një mënyrë normale dhe brenda të gjithë kuadratit ligjor, në mënyrë që të mos zhvlerësohet fare arsimi. Ka marrë goditje të shumta, mos të marrë goditje edhe në maturën shtetërore, këtë vit të paktën, përndryshe do të ishte katastrofë për këta fëmijë”, theksoi Ardi Stefa./ B.A. - CNA.al





Lajmet e fundit nga