web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Më e vlefshme se 1000 muaj/ Besimtarët festojnë sot Natën e Kadrit, rëndësia dhe përfitimet

16 Mars 2026, 07:57, Aktualitet CNA

Më e vlefshme se 1000 muaj/ Besimtarët festojnë sot Natën e

Ndërsa muajit të shenjtë të Ramazanit po i vjen fundi, besimtarët myslimanë në gjithë botën festojnë sot Natën e Kadrit.

Nata e Kadrit është nata në të cilën pejgamberi Muhamed a.s., nëpërmjet melekut Xhebrail, i kanë zbritur ajetet e para të Kur'anit, sipas fesë islame. Për këtë arsye, besimtarët e konsiderojnë Natën e Kadrit si një moment të madh historik dhe shpirtëror në fenë islame.

Nata e Kadrit bie gjatë dhjetë netëve të fundit të muajit të Ramazanit, ndërsa shumë dijetarë theksojnë se ajo mund të jetë në një nga netët teke, si nata e 21-të, 23-të, 25-të, 27-të ose 29-të e Ramazanit. Për shkak të kësaj, besimtarët përpiqen që gjatë këtyre netëve të shtojnë adhurimet, faljet dhe lutjet e tyre.

Në këtë natë, myslimanët kalojnë kohë në namaz, lexojnë Kuranin, bëjnë lutje dhe kërkojnë falje për mëkatet e tyre. Besohet se lutjet e bëra në Natën e Kadrit kanë një vlerë të veçantë dhe se Zoti i pranon më lehtë ato.

Shumë xhami mbushen me besimtarë gjatë kësaj nate, ndërsa atmosfera shpirtërore dhe përkushtimi janë të dukshme në çdo vend ku myslimanët mblidhen për adhurim. Për shumë njerëz, kjo natë është një mundësi për të reflektuar mbi jetën, për të kërkuar falje dhe për të forcuar lidhjen me Zotin.

Nata e Kadrit mbetet një simbol i mëshirës, faljes dhe shpresës për besimtarët, duke i kujtuar ata për rëndësinë e besimit, përulësisë dhe veprave të mira në jetën e përditshme.

Përse Nata e Kadrit është e fshehtë?

Ka shumë urtësi në fshehtësinë e kësaj nate. Nëse të gjithë do ta dinim me përpikmëri Natën e Kadrit, vendosmëria dhe vullneti gjatë Ramazanit do të pësonte rënie.

Njerëzit, thjesht do t'i kushtonin rëndësi dhe vëmendje pikërisht kësaj nate, të cilën do ta kalonin në adhurim e punë të mirë dhe kaq. Prandaj, fshehja e saj shihet si një motivim për më shumë përkushtim gjatë gjithë muajit dhe një dyfishim i punëve të mira, sidomos gjatë dhjetë ditëve të fundit të Ramazanit.

E njëjtë me fshehtësinë e Natës së Kadrit, është edhe ora e pranimit të lutjes ditën e xhuma, ashtu siç është dhe fshehtësia e emrit më të madh të Zotit, me të cilin nëse dikush e lut Zotin, i përgjigjet dhe ia pranon lutjen. Këto të tria janë ruajtur të fshehta me qëllim që ne ta lusim dhe adhurojmë Zotin sa më shumë. 

Përfitimet e Natës së Kadrit

Mirësitë e saj janë të pafundme dhe begatitë na ndjekin pas deri vitin e ardhshëm. Në këtë natë përcaktohet jetëgjatësia e njerëzve. Përcaktohet se ku janë të destinuar të shkojnë. Përcaktohet risku, furnizimi dhe skamja. Kush do të kryejë Haxhin, përcaktohet pikërisht në këtë natë.

Në këtë natë zbresin me mijëra engjëj dhe vetë Xhebraili zbret në tokë. Allahu këtë muaj dhe këtë ditë e ka zbritur për të shpërblyer dhe për të adhuruar. Pra, në këtë natë përcaktohet fati i krijesave.

Ajo është një natë, të cilën Zoti e ka përzgjedhur për ta mbushur me madhështi dhe mirësi të veçanta. Siç thuhet në Kur'an, kjo është një natë më e vlefshme se një mijë muaj.

Në të engjëjt e Zotit, të kryesuar nga Xhebraili, zbresin në dynja dhe në të përcaktohet fati i një viti për çdo njeri, si edhe ajo që është një natë e bereqetshme dhe e mbizotëruar nga paqja, deri në agim. Thuhet se në Natën e Kadrit u njoftohet engjëjve ajo që do të ndodhë përgjatë gjithë vitit të ardhshëm.

U quajt Kadër, sepse kjo është një natë e lartë tek i madhi Zot dhe se në të falen gjynahet më së shumti dhe mbulohen të këqijat, pra kjo është natë e Magfiretit-mëshirës. Dijetarët islamë e quajtën “festë ndër më të respektuarat, natë e paqes, e mirësisë së përgjithshme, e shpërblimit të pashembullt”.

Njëra prej madhështive të kësaj nate është edhe hapja e dyerve të qiejve për të pranuar lutjet e atyre që i drejtohen Zotit të tyre që t’u zgjidhur hallet, për t’u larguar vështirësitë dhe për t’u sjellë gëzim. Kjo natë është më e mirë dhe më e vlefshme se një mijë muaj të tjerë. Dhe 1000 muaj bëjnë 83 vjet e 4 muaj.

Çfarë duhet të bëjë një besimtar Natën e Kadrit?

-Të bëjë sa më shumë dua (lutje).

-Të bëjë teube e istigfar (të pendohet për mëkatet dhe të kërkojë mëshirë nga i Madhi Zot).

-Të shtojë tespihët (të përmendurit dhe të madhëruarit e Allahut) dhe falënderimet.

-Të bëjë salavat (lutje) për Pejgamberin a.s.

-Të bëjë bamirësi sa të ketë mundësi.

-Të ruhet nga mëkatet e gjymtyrëve (duarve, këmbëve, syrit, veshit, etj).

-Të mos i kalojë namazet pa xhemat (pra të falet sa më tepër në xhami).

-Të falë namaz nafile dhe tesheh-hud (namaz i natës) më tepër se zakonisht./ CNA





Lajmet e fundit nga