web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Kryepiskop Joani mesazh për besimtarët: Nuk ka krishtërim pa kryq dhe sakrificë

15 Mars 2026, 11:46, Aktualitet CNA

Besimtarët ortodoksë kremtojnë të dielën e tretë të Kreshmës së Madhe, e njohur si Falja e Kryqit. Gjatë liturgjisë hyjnore në Katedralen “Ngjallja e Krishtit”, Kryepiskop Joani bëri thirrje për reflektim shpirtëror dhe pranim të sakrificës si rruga e vetme drejt ngjalljes.

Përmes një mesazhi drejtuar besimtarëve, Kryepiskop Joani u ndal te domethënia e Kryqit në mesin e periudhës së Kreshmës.

Sipas tij, Kryqi nuk është vetëm një simbol vuajtjeje, por një burim ngshëllimi dhe shprese për këdo që ndihet i lodhur shpirtërisht.

Ai kritikoi prirjen moderne për të kërkuar një krishtërim pa sakrifica, duke theksuar se "mjekimi" i shpirtit vjen vetëm përmes mohimit të egos dhe pasioneve negative si zilia dhe krenaria.

Kryepiskopi u bëri thirrje besimtarëve të kërkojnë suksesin në sytë e Zotit dhe jo te pasuria apo fama e kësaj bote, pasi humbja e shpirtit është humbja më e madhe e njeriut.

Fjala e plotë e Kryepiskopit Joan

Dhe siç thotë Sinaksari i sotëm, Kisha ngre Kryqin pikërisht për të na kujtuar ne për veprën shpëtimtare të Zotit, për pësimin e Tij, dhe për të pasur një lloj ngushëllimi dhe shprese dhe kurajoje. Dhe madje Sinaksari e përshkruan në mënyrë poetike thotë: ashtu si një njeri që udhëton në shkretëtirë dhe gjen një pemë plot me gjethe dhe qëndron atje për të pushuar duke pirë ujin që ndodhet pranë, ashtu dhe Kisha ngre Kryqin për të pasur ne një shpresë të madhe.

Po përse Kisha thotë që me anë të Kryqit erdhi gëzimi në botë? Njerëzit sot nuk e duan Kryqin. Madje dhe të krishterët duan një krishterim pa Kryq, pa vuajtje, pa sakrifica, pa përpjekje. Nuk mund të ketë dot një krishterim pa Kryq. Nëse ne nuk e pranojmë Kryqin, nuk mund të jemi dot të krishterë të vërtetë.

Kryqi mund të duket shumë i vështirë, por është një mjekim. Prandaj dhe Zoti në Ungjillin e sotëm na thotë një mësim shumë të rëndësishëm për gjithsecilin nga ne. Edhe kur i dimë fjalët, na i kujton përsëri. E thotë këto fjalë: "Kushdo që dëshiron të vijë pas meje, të mohojë veten e tij, të marrë Kryqin e tij dhe të vijë pas meje".

Çfarë duan të thonë këto fjalë për ne sot? E para është shumë e rëndësishme, sepse Zoti nuk na detyron ne, por thotë: "kush dëshiron" ta bëjë. Zoti respekton vullnetin e lirë të çdo njeriu. Ne jemi krijuar nga Zoti të lirë, të lirë edhe për të mëkatuar, ndonëse mëkati do na shkatërrojë ne. Po Zoti na ka krijuar si qenie të lira, e kjo është ajo ngjashmëria dhe ikona e Perëndisë që ndodhet tek ne. Ne jemi qenie dhe persona të lirë për të vendosur realisht se çfarë duam të bëjmë.

Dhe e dyta thotë: "të mohojë veten e tij". Këto fjalë shpeshherë për njerëzit, ndoshta i lexojnë po nuk ndalen. Përse Zoti na thotë ne që të mohojmë veten tonë? Sepse Zoti e jep Kryqin si mjekim dhe Ai e di që vetja jonë është deformuar. Një shenjtor i madh i Kishës e interpreton në këtë formë: Kur Adami mëkatoi, vetja e tij u prish dhe u deformua dhe nuk ishte më vetja e tij. Dhe Zoti na kërkon ne që të mohojmë veten tonë për të mohuar atë pseudo-veten që kemi brenda nesh.

Sepse çdo njeri pa përjashtim, dhe e kam thënë disa herë, krijon një pseudo-vete. Atë që do të jetë ai, ose atë që do ai që të tjerët të shohin tek ky, e nuk është vetja e vërtetë. Kjo është një vete e lidhur me krenarinë. Kur njerëzit shpeshherë e kanë mendjen se çfarë do thonë njerëzit e tjerë për ta, është një krenari shumë e madhe brenda nesh. Dhe Zoti na kërkon ne që ta heqim këtë gjë.

Nëse ne nuk shkëputemi nga pasionet e botës dhe nga të gjithë kënaqësitë që mund të japë bota, ne nuk mund ta pranojmë Kryqin. Kryqi do bëhet për ne një barrë jashtëzakonisht e rëndë. Nëse ne shkëputemi prej tyre dhe e mohojmë këtë pseudo-vete, Kryqi do jetë një gëzim shumë i madh. Prandaj dhe troparet e Kishës thonë: me anë të Kryqit erdhi gëzimi në botë.

Si erdhi me anë të Kryqit gëzimi në botë? Le të meditojmë rreth këtyre fjalëve, se shpeshherë i dëgjojmë dhe nuk ndalojmë. Kryqi ishte një instrument vdekjeje, një vdekje shumë e tmerrshme. Si nëpërmjet Kryqit erdhi gëzimi në botë? Sepse Zoti nëpërmjet Kryqit e mundi vdekjen. Dhe gjithsecili nga ne nëpërmjet Kryqit mund ta mundë vdekjen, për të vdekur mbi të gjithë pasionet që e shkatërrojnë atë.

Shumë gjëra që mund të duken të gjalla tek ne, nuk janë të gjalla. E shumë gjëra që mund të duken të vdekura, nuk janë të vdekura por janë të gjalla. Sa më shumë ne e vdekësojmë pasionet e ndryshme që kemi ne, aq më tepër Kryqi fuqizohet brenda shpirtit tonë.

Zoti na thotë ne që të mohojmë veten tonë e të marrim Kryqin. Të mohojmë veten tonë do të thotë të mohojmë çfarëdo lloj ligësie që kemi ne në shpirt: inate, mëri, zilira, smira dhe gjithçka tjetër që e shkatërron njeriun. Kjo është pseudo-vetja. Prandaj dhe Zoti na kërkon ne fillimisht që ta mohojmë veten tonë, që të shkëputemi nga çfarëdo lloj dëshire që kemi ne në këtë botë që është e shtrembëruar.

Dhe nëse ne shkëputemi nga kjo gjë, Kryqi do fillojë të bëhet i lehtë. Siç thotë Shën Joan Damaskini: "Kryqi thotë është i mistershëm. Nëse ne e kundërshtojmë atë, ai kthehet në një kryq hekuri që na dërrmon ne dhe na hap dyert e ferrit. Nëse ne ta marrim me dëshirë siç na thotë Zoti, ai kthehet në kryq të artë i cili hap dyert e parajsës".

Sepse Kryqi është një mjekim dhe mjekimi është i hidhur, por shërimi është i ëmbël. Prandaj dhe Kryqi nuk është një qëllim në vetvete. Kryqi është një mjet. Nëpërmjet Kryqit vjen gëzimi, nëpërmjet Kryqit u mund vdekja. Nëpërmjet Kryqit Zoti e mundi vdekjen dhe u ngjall. Dhe ky mjet është i rëndësishëm për gjithsecilin nga ne.

Sa më shumë i rezistojmë ne këtij mjekimi, aq më pak ne shërohemi. Ju e shikoni njerëzit çfarë bëjnë për mjekimet fizike, nuk lënë mjek pa shkuar, i harxhojnë të gjitha paratë vetëm që të shërohen. Për shërimin shpirtëror njerëzit nuk bëjnë përpjekje të mëdha. E nëse ne nuk do bëjmë përpjekje për shërimin shpirtëror, atëherë ç’kuptim ka që jemi të krishterë?

Prandaj dhe Zoti e vazhdon fjalën e sotme me këto fjalë: "Kushdo që do të fitojë jetën e tij do ta humbasë. Ai që do humbasë për mua dhe Ungjillin tim do ta fitojë". Çfarë do thonë këto fjalë për gjithsecilin nga ne? Ju shikoni për shembull se si njerëzit i shikojnë njerëzit e tjerë. Kushdo që vë pasuri, kushdo që ka pozita, famë e gjithçka tjetër, quhet i suksesshëm. I suksesshëm për çfarë?

I suksesshëm është vetëm ai njeri që është i suksesshëm në sytë e Zotit, jo në sytë e njerëzve. Mund të grumbullojmë gjëra pafund ne, nuk i kemi fituar po i kemi humbur. Ja njerëzit bëjnë lloj-lloj gjërash me korrupsion, me vjedhje që të vënë pasuri, dhe kujtojnë se e kanë fituar. Madje shumë njerëz rrotull i kanë zili duke parë se sa të pasur janë, sa makina të bukura kanë, sa pushtet kanë e gjithçka tjetër. Në fakt janë të humbur.

Sepse nëse nuk je i pasur tek Zoti, nuk je i pasur. Ajo është një pseudo-pasuri. Ato janë gjëra që nesër pasnesër të gjithë do i lëmë ne. Ai që është i pasur në Zotin është pikërisht ai njeri që i duket sikur e ka humbur. Prandaj thotë Zoti që ai që do e fitojë jetën e tij sipas botës do e humbasë, dhe ai që do e humbasë për Ungjillin dhe për Zotin do e fitojë.

Dhe kjo e dyta është shumë e rëndësishme për gjithsecilin nga ne. Ne padyshim që shumë gjëra i bëjmë nga mësimi i Zotit, por mësimi i Zotit është pak më i gjerë. Ai thotë dhe për "Ungjillin tim", që do të thotë ne duhet të jemi predikues të Ungjillit të Zotit për të hapur lajmin e mirë kudo, për t’ju thënë të gjithëve që ka një mjekim, e ky mjekim është Kryqi, dhe jo të shtyhen mbas dëshirave të botës, mbledhin e grumbullojnë që një ditë të gjithë do i lënë – dikush më shpejt e dikush më vonë.

Nëse ne fitojmë Zotin, e kemi fituar të gjitha. Nëse fitojmë gjithë botën dhe kemi humbur shpirtin tonë, atëherë çfarë do të bjerë keni na thotë Zoti? Çfarë do jepni në këmbim të shpirtit? Dhe kreshma e madhe është një periudhë që ne duhet t’i marrim seriozisht këto fjalë. I dëgjojmë çdo vit, nganjëherë dy-tri herë në vit, e përsëri i harrojmë.

Nëse ne nuk e marrim seriozisht mjekimin, nuk do shërohemi. Çdo njeri e di në sëmundjen fizike, sa me përpikmëri e ndjek ai kurën për t’u shëruar. Le të jetë ilaçi më i hidhur, përsëri do e pijë që të shërohet. Po për shpëtimin dhe shërimin e shpirtit, pse jemi kaq të avashtë për ta pranuar, ose nuk e përdorim fare?

Padyshim që çdo mjekim është i hidhur, po ne kemi nevojë për t’u shëruar. Sepse krishterimi beson që njerëzit janë një qenie e rënë, kanë rënë nga ajo siç ishte krijuar Perëndia. E për t’u ngritur, duhet pikërisht të shërojnë shpirtin e tyre. E që të shërojmë shpirtin duhet mjekimi. Dhe Zoti pikërisht erdhi dhe mori mjekimin pa pasur nevojë për të. Nëse për ne do jetë shumë i hidhur që kemi nevojë se jemi të sëmurë, sa më i fortë ishte për vetë Zotin i cili s’kishte nevojë për atë, po përsëri e mori për të na dhënë dhe ne një shembull e për të na treguar ne rrugën e shpëtimit.

Prandaj e diela e sotme është kaq shumë e rëndësishme. Duke nderuar Kryqin, ne nderojmë misterin e thellë të krishterimit, sepse nëpërmjet Kryqit erdhi gëzimi në botë. Amin!/ CNA





Lajmet e fundit nga