web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Kryhet ndërhyrja e rrallë në Spitalin e Shkodrës/ Apeli i mjekëve

4 Shkurt 2025, 13:17, Aktualitet CNA

Kryhet ndërhyrja e rrallë në Spitalin e Shkodrës/ Apeli i

Spitali rajonal i Shkodrës për herë të parë ka bërë një ndërhyrje të rrallë në Shqipëri, stentimin e arteries karotide tek një pacient me ishemi cerebrale.

Një prej mjekëve që mori pjesë në këtë operacion të veçantë për sistemin shëndetësor shqiptar, kirurgu Besmi Grizhja, thotë se nëse në vazhdimësi do të ketë mbështetje logjistike të avancuar atëherë është e mundur që në spitalin e Shkodrës këto operacione të jenë më të shpeshta.

“Një arritje që kemi bërë bashkë me kolegët e tjerë, një stentim të arteries karotide sepse është hera e parë që bëhet nga mjekët e spitalit të Shkodrës. Kjo ndërhyrje u bë tek një pacient që fatmirësisht fillimisht u diagnostifikua nga neurologët me një stenozë të arteries karotide, për një ishemi cerebrale tranzitore, fatkeqësisht i papërshtatshëm për kirurgji, por ne vendosëm opsionin e trajtimit endovaskular.

Sigurisht një rrugë e re, por shumë bashkëkohore e trajtimit të ishemive cerebrale. Nëpërmjet kësaj arrihet që të ulet rreziku i një ishemie tjetër që do të ishte potencialisht invalidizuese për pacientin dhe me një kohë të qëndrimit spitalor shumë të reduktuar krahasuar me kirurgjinë tradicionale dhe mënyrat e tjera të trajtimit të ishemive.

Sigurisht që pacienti ka dalë nga spitali në gjendje shumë të mirë. Ajo që duam të themi është që kjo procedurë të mos mbetet rastësore ose në numra njëshifror, por sigurisht edhe në vullnetin dhe dëshirën e drejtorisë për të mbështetur më tepër këtë gjë të re që sigurisht është shumë avantazhuese për gjithë rajonin dhe për avantazhet dhe benefitet jo vetëm sociale dhe klinike të pacientit por sigurisht edhe shumë më ekonomike sesa një ndjekje në dinamikë me ilaçe e të tjera.

Dua të falënderoj mjekët për gatishmërinë sepse bashkëpunimi i gjitha hallkave të spitalit është në nivele të kënaqshme dhe mund të themi se ofrojmë të njëjtin shërbim si jashtë Shqipërisë për këtë gjendje shëndetësore duke mos lënë asnjë gjë mangët.

Në sistemin publik shqiptar ndërhyrje të tilla mund të jenë raste me pikatore, sigurisht që nuk diskutojmë këtu për spitale private dhe specifikat e tyre por në sistemin publik janë shumë të rralla, besoj jo më shumë se 2-3 raste.

Për të pasur ndërhyrje të tjera të ngjashme në spitalin e Shkodrës ka nevojë për mbështetje logjistike shumë më të avancuar në fakt sesa për sëmundjet e tjera. Sigurisht nuk është ndonjë kosto shumë e madhe krahasuar me përfitimet që kanë pacientët në kohë dhe në gjendje klinike por patjetër që duhet të rishpërndahen dhe të riprioritizohen fondet.

Kjo ndërhyrje në spitalin tonë është plotësisht e arritshme dhe mund ta them pa frikë se ofrojmë të njëjtin shërbim si jashtë Shqipërisë dhe në zbatim të protokolleve europiane të sëmundjeve vaskulare për trajtimin e stenozave të arteries karotide.

Rreth 30% e ishemive cerebrale lidhen me stenozat karotide dhe duke llogaritur që shtrimet në neurologji janë mbi 100 në vit do të kemi rreth 30 pacientë që kanë nevojë për ndërhyrje medoemos. Krahasuar me një trajtim të ngjashëm në sistemin jopublik kostoja spitalore mund të shkojë dikund tek çereku por në sistemin publik pacientët nuk paguajnë sepse e mbulon spitali”.

Mjeku kardiolog Enkelejd Lohja që po ashtu ishte pjesë e kësaj ndërhyrjeje të rrallë në spitalin e Shkodrës thotë se ky operacion në të ardhmen mund të kthehet në një procedurë të zakonshme.

“Procedura invazive që kemi bërë është një gjë e rë që është bërë në spitalin e Shkodrës. Unë bashkë me kolegët merrem çdo ditë me angloplastikë të arterieve koronare, pra stentimin e enëve të gjakut të zemrës dhe kjo që kemi bërë me stentimin e arterieve karotide është një gjë e re për ne që mund të jetë një praktikë e zakonshme siç është stentimi i artierieve koronare. Patjetër që protokollet mjekësore janë të qarta por mund të vijë koha të trajtohen arteriet koronare dhe arteriet karotide të bëhen të zakonta”.

Pacienti që bëri këtë ndërhyrje në spitalin e Shkodrës ndodhet në një gjendje të mirë shëndetësore ndërsa për një kohë të shkurtër doli nga spitali. Pas trajtimit të këtij rasti reagoi edhe ministrja e shëndetësisë Albana Koçiu duke përgëzuar mjekët e Shkodrës për këtë rast.

“Për herë të parë, në Spitalin Rajonal Shkodër është kryer me sukses stentimi i arteries karotide, një procedurë e avancuar endovaskulare që ofron një alternativë më pak invazive për pacientët me rrezik të lartë. Ky rast përfshinte një pacient 84-vjeçar, i diagnostikuar me TIA (Atak Iskemik i Përkohshëm), i cili nuk ishte i përshtatshëm për ndërhyrje kirurgjikale tradicionale.

Ky sukses përfaqëson një hap të rëndësishëm përpara për Spitalin Rajonal të Shkodrës, duke e pozicionuar atë si një qendër që ofron protokolle të plota dhe trajtime të avancuara për sëmundjet vaskulare.

Ky angazhim tregon përkushtimin e spitalit në sigurimin e shërbimeve mjekësore të specializuara dhe cilësore për pacientët. Mirënjohje për ekipin mjekësor: Dr. Besmir Grizhja, Dr. Enkelejd Lohja, Dr. Gledis Zaimi dhe Dr. Genc Nurja dhe stafin infermieror, përfshirë Ermal Dibrën, Afrim Bashin dhe Ilir Dizdarin”, shkruan ministrja Koçiu në rrjetin social "Facebook"./ CNA





Lajmet e fundit nga