web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Investigimi për inceneratorin e Elbasanit/ U harxhuan miliona euro, ka punuar vetëm 1 ditë e gjysmë

18 Janar 2024, 16:28, Aktualitet CNA
Investigimi për inceneratorin e Elbasanit/ U harxhuan miliona euro, ka
Inceneratori i Elbasanit

Më 5 tetor 2023, pas gati dy vjet hetimesh, Gjykata e Posaçme kundër korrupsionit dhe kundër krimit të organizuar, dha vendimin përfundimtar për të pandehurit e dosjes së inceneratorit të Elbasanit. Ish-ministri i Mjedisit u shpall i pafajshëm për akuzën e “shpërdorimit të detyrës”, por Lefter Koka u deklarua fajtor për akuzën e korrupsionit pasiv dhe pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale. Në total, Lefter Koka u dënua me 5.8 vite burgim ndërsa iu hoq e drejta për ushtrimin e funksioneve publike për një periudhë pesëvjecare.

Gjatë hetimeve, dy prokurorët Arben Kraja dhe Klodian Braho, treguan në dosjen hetimore se Lefter Koka në bashkëpunim me Mirel Mërtirin ngriti një skemë duke përfituar miliona euro nga kompania Albtek Energy dhe Integrated Technology Service, nëpërmjet kompanive fiktive, të cilat faturuan punime që nuk I kryen kurrë në inceneratorin e Elbasanit.

Sipas Prokurorisë, Alqi Bllako nuk kishte rol direkt në inceneratorin e Elbasanit, por për shkak të njohjeve me Klodian Zoton dhe Mirel Mërtirin, ai ndihmoi këta të dy të kryenin procedurat për marrjen e koncensionit të këtij inceneratorit. Ndaj Alqi Bllako u shpall I pafajshëm për inceneratorin e Elbasanit, pavarësisht se vijoi të qëndronte në qeli, për shkak të masës së arrestit për inceneratorin e Fierit dhe më pas atë të Tiranës.

Fajtor për shpërdorim detyre kryer në bashkëpunim, u shpallën dhe anëtarët e komisionit të vlerësimit të ofertave, Pëllumb Abeshi, Bardhyl Çabiri, Serafin Papa (dy të fundit u liruan nga qelia menjëherë për shkak se kishin ezauruar vuajtjen e dënimit) dhe  Jonida Zeqo. Këto, ishin zyrtarët e lartë të dënuar për këtë aferë.

Por, Gjykata e Posaçme dënoi me burg në mungesë edhe bosët e inceneratorëve. Mirel Mërtiri, pronari de fakto i kompanisë Albtek Energy, e cila zbatoi koncensionin e inceneratorit të Elbasanit, u dënua në total me 6.8 vite burgim.

Bashkëjetuesja e Mirel Mërtirit, pronarja de jure e inceneratorit të Elbasanit, Stela Gugallja u dënua me 4.8 vite burgim gjithashtu në mungesë dhe ajo, njësoj si bashkëshorti i saj.

Fajtor u deklarua dhe Klodian Zoto, pronari I kompanisë Integrated Technology Serivce, e cila zbatoi në terren punimet për ndërtimin e landfillit dhe inceneratorit të Elbasanit. Klodian Zoto u dënua gjithashtu me 6.8 vite burgim në mungesë.

Në vendimin e GJKKO, u bë dhe konfiskimi i kompanisë Albtek Energy dhe kompanisë Integrated Technology Service, të Mirel Mërtirit dhe Klodian Zotos, si dhe një sërë kompanish të tjera të Lefter Kokës dhe familjarëve të tij, të cilat përfituan pagesa nga koncensioni i inceneratorit të Elbasanit.

Këto ishin vendimet e dhëna nga GJKKO, për dosjen e parë hetimore për inceneratorët, cilësuar si afera e shekullit. Mirëpo, hetimet për këtë aferë edhe në Elbasan duket se nuk ishin brenda pritshmërive, pasi duket se shumë zyrtarë nuk u hetuan.

Madje, edhe pse sulmoi prokurorin Klodian Braho, Mirel Mërtiri ngriti jo pak pikëpyetje për hetimet e inceneratorit të Elbasanit, teksa foli në emisionin Çim Peka Live në Syri TV.
Përtej akuzave dhe aludimeve të Mirel Mërtirit, në fakt dosja hetimore për aferën e Elbasanit duket e pahetuar e plotë.

Që në nisje të hetimeve, theksohet fakti se për inceneratorin e Elbasanit, ishte pikërisht bashkia e këtij qyteti që kërkoi ndërtimin, duke iu drejtuar Ministrisë së Mjedisit. E madje, në të njëjtën ditë kur bashkia Elbasan protokolloi kërkesën në ministri për ndërtimin e impiantit të mbetjeve me djegie, u krijua edhe kompania Albtek Energy e Mirel Mërtirit, e cila në pak muaj, do të fitonte koncensionin 21.6 milionë euro të inceneratorit.

Gjithashtu, në dosje theksohet fakti se koncensioni u dha në shkelje të ligjeve, pasi Ministria e Financave dhe Agjencia e Prokurimit Publik kërkuan nga Ministria e Mjedisit që koncensioni të bëhej sipas ligjeve të prokurimit  publik. Por këto kërkesa u  anashkaluan, dhe qeveria, me firmën e Kryeministrit Edi Rama, sekretarit të përgjithshëm të Këshillit të Ministrave Ëngjëll Agaçi, kaloi dhe miratoi kontratën koncensionare të inceneratorit të Elbasanit, e cila, siç ka gjetur nga hetimet vetë SPAK, i ka shkaktuar shtetit dëm financiar.

Në këtë pikë, ngrihet pikëpyetja pse nuk u hetuan apo të merreshin minimalisht në pyetje kreu i qeverisë Edi Rama dhe vartësi i tij Ëngjëll Agaçi, të cilët miratuan një kontratë, e cila nuk ishte në përputhje me ligjet në fuqi për prokurimin publik?!

Pikëpyetjen më të madhe, e ngriti vetë Mirel Mërtiri në emisionin Çim Peka Live në Syri TV, kur u shpreh se pse inceneratori i Elbasanit nuk punon, duke kërkuar që këtë shpjegim ta japin SPAK dhe institucionet…
Dhe në fakt, në këtë emision, Plug do të sjellë fakte se inceneratori i Elbasanit, që i kushtoi taksapaguesve mbi 3 miliardë lekë apo më shumë se 21 milionë euro direkte dhe miliona euro të tjera sot, nuk punon…

Në dhjetor të vitit 2021, SPAK vendosi sekuestro mbi kompanin Albtek Energy, ndërsa preu disa urdhër arreste për djegësin e Elbasanit. Masat u dhanë vetëm pak ditë nga data kur pritej që djegësi I Elbasanit, të kalonte në pronësi të shoqërisë ECO-ELB SHA, një shoqëri aksionere e krijuar rishtaz nga 7 bashki të qarkut, ku bashkia Elbasan kishte shumicën e aksioneve.

Pavarësisht masave, transferimi i djegësit nga Albtek Energy te ECO-ELB sha, ndodhi. Dhe nga data 1 janar e vitit 2022, shoqëria Eco-Elb sha mori kontrollin e landfillit të mbetjeve urbane, ndërsa me kontratë qeraje, mori dhe adminstrimin e inceneratorit.

Në atë kohë, supozohej se inceneratori ishte funksional, duke nënkuptuar se digjte mbetjet dhe prodhonte energji elektrike. Këtë gjë, e pohonte në komisionin e posaçëm hetimor parlamentar edhe kryebashkiaku I Elbasanit Gledian Llatja, në shkurt të vitit 2022.

Por teksa bënte këto deklarata në komision hetimor, më herët, disa muaj përpara se të merrte në dorëzim impiantin, kreybashkiaku i Elbasanit ankohej se kishte pamundësi për të përballuar kostot e inceneratorit. Me një e-mail të datës 18 maj të vitit 2021, bashkia Elbasan nuk kishte qartësi për kostot e operimit dhe menaxhimit të projektit. Aty ngriheshin pikëpyetje nëse shteti do të subvenciononte bashkinë për kostot e operimit, nëse do të duhet të rritej tarifa e depozitimit etj. Në po të njëjtin e-mail, ku Ministria e Energjitikës tregonte ankesat e bashkisë Elbasan, dikasteri i drejtuar nga Belinda Balluku shprehej se “duke qenë se jemi shtet letrash”, tregonte rrugën që duhet të ndiqte bashkia Elbasan për të marrë në dorëzim impiantin.

Por, duket se edhe pas këtij e-maili, bashkia Elbasan nuk ka qenë e qartë se çfarë duhet të bëjë. Dhe ka vijuar korenspodencën me Ministrinë e Infrastrukturës. Kjo e fundit me një shkresë të datës 8 tetor 2021, i kthen për të disatën herë përgjigje kryebashkiakut të Elbasanit Gledian Llatja, ku i kujton se bashkia e drejtuar prej tij është pjesë e një studimi të ri fizibiliteti, dhe shqetësimet që ka ky institucion duhet të përfshihen në këtë studim fizibiliteti.

Në fakt Gledian Llatja dhe bashkia Elbasan ishin njohur me kostot e operimit të impiantit.  Pasi në një tjetër email, të datës 18 maj 2021, bashkisë i është dërguar tabela me kostot e operimit të cilat kapnin vlerën e 166 milionë lekëve apo rreth 1.6 milionë euro në muaj. Pas shkresës së muajit tetor që Belinda Balluku i ka dërguar Bashkisë Elbasan, kryebashkiaku Gledian Llatja me një shkresë të datës 11 nëntor 2021, u drejtohet kolegëve të tij në 6 bashkitë e tjera të qarkut, ku u kërkon gatishmërinë për krijimin e shoqërisë ECO-ELB, në mënyrë që ajo të marrë në dorëzim impiantin. Gledian Llatja, duke u parashtruar situatën, në fund të shkresës, u thotë kryebashkiakëve të bashkive të tjera të qarkut, se nëse ata nuk do të pranojnë, impiantin do ta marrë në dorëzim vetë bashkia e Elbasanit. Dhe fill pas kësaj letre, u krijua shoqëria ECO-ELB, në datën 18 nëntor 2021, ose rreth një muaj përpara se të përfundonte kontrata koncensionare dhe Albtek energy të bënte dorëzimin e impiantit te shtatë bashktië e qarkut.

Në fakt, teksa në komision hetimor deklaroi se impianti ishte funksional, Gledian Llatja tregoi gjithashtu se ai kishte nevojë për remont dhe për këtë ishin bërë porosi për pjesë të reja këmbimi.

Ky fakt, tregon se bashkitë morën në dorëzim një impiant jo funksional, gjë e cila konfirmohet edhe nga dokumentat se garancia e inceneratorit kishte përfunduar që në vitin 2018.

Në fakt, pikëpyetjet për funksionimin e inceneratorit të Elbasanit nuk mund të merrnin përgjigje vetëm me deklaratat e Gledian Llatjes në vitin 2022. Në kulmin e fushatës elektorale për zgjedhjet lokale të 14 majit 2023, kandidati për bashkinë e Elbasanit nga radhët e opozitës, Luçiano Boçi, ngriti akuza direkte për mos funksionim të inceneratorit të Elbasanit.

Pas këtyre deklaratave, të bëra nga nënkryetari i Partisë Demokratike, konfirmimi se inceneratori i Elbasanit nuk punonte, do të vinte zyrtarisht nga bashkia e drejtuar nga Gledian Llatja.

Më 2 prill të vitit 2023, nëpërmjet një deklarate shpërndarë në faqen zyrtare të saj, bashkia Elbasan njoftonte se impianti I djegjes së mbetjeve ishte jashtë funksionit prej qershorit të vitit 2022, apo thënë ndryshe, 10 muaj pa punë…

"Pas marrjes në dorëzim nga “ECO-ELB” sh.a., inceneratori ka vazhduar normalisht procesin e punës deri në Qershorin e vitit 2022, përfshirë procesin e incenerimit të mbetjeve dhe prodhimin e energjisë për konsum vetjak. Më pas, impianti i është nënshtruar fazës së remontit periodik teknik. “ECO-ELB” sh.a. ka kryer të gjitha procedurat e nevojshme në zbatim të ligjit për porositjen e pjesëve të cilat duhet ti nënshtrohen remontit. Paisjet e prodhuara me porosi, për shkak të specifikës teknike, tanimë janë në proces kolaudimi dhe impianti pritet të dalë nga faza e remontit e të rivihet në funksion."

Vetëm pak ditë pas kësaj deklarate, në datën 7 prill 2023, kryebashkiaku I Elbasanit Gledian Llatja, pretendon se impianti ishte rikthyer në punë, duke sulmuar zërat kritikë për mos funksionomin e inceneratorit të Elbasanit.

"Impianti i trajtimit të mbetjeve urbane në Elbasan rikthehet në punë me kapacitet të plotë. Kompania shtetërore "ECO-ELB" Sh.a. me aksionerë shtatë bashkitë e qarkut përmbylli me sukses ndërhyrjen e remontit dhe tashmë po kryhet normalisht procesi i selektimit dhe djegies së mbetjeve për të gjitha bashkitë.  Teksa ne punonim për të përmbyllur remontin e impiantit, na u desh të dëgjonim lloj-lloj akuzash. Hodhën vrer e helm në publik. Thelbi i akuzuesve ishte pretendimi i tyre se incenerator në Elbasan nuk ka. Vetëm pak ditë më parë, një mëkëmbës i ricikluar i "foltores", tashmë kandidat nën vulën e partisë së Ilir Metës, hodhi baltën e rradhës ndaj Bashkisë së Elbasanit duke bërë kasandrën e duke njoftuar se Elbasani do të mbytej nga plehrat se nuk ka incenerator. Në fakt, ja ku është impianti. Mund ta shikoni në të gjitha proceset e tij. Qytetarët dinë ta dallojnë gënjeshtrën nga realiteti. Kjo është përgjigja më e mirë! Teksa ata kanë vetëm llafet, ne punojmë! Jam krenar që falë punës që po bëjmë, kemi sot një qytet shumë herë më të pastër. Sigurisht, i tillë do të jetë edhe në 4 vitet e ardhshme."

Këtë deklaratë, Gledian Llatja e shoqëronte me një video, ku tregohen momente nga inceneratori I Elbasanit, por vështirë të kuptohej nëse kyimpiant ishte funksional, apo video dhe teksti I shpërndarë nga kryebashkiaku I Elbasanit, ishin pjesë e propagandës në kulmin e fushatës elektorale.

Zyrtarisht, pas vizitës në impiant, kompania Eco-Elb SHa dhe vetë bashkia e Elbasanit, I thanë emisionit Plug, se impianti është funksional. Por, këto dy institucione nuk shpjegojnë pse landfilli është shndërruar në mal me plehra?

Por, propaganda duket se nuk do të zgjaste shumë. Pas zgjedhjeve, mbrëmjen e 26 gushtit të vitit të kaluar, landfilli i mbetjeve urbane në Elbasan u përfshi nga një zjarr masiv.
Zjarri përfshiu vendepozitimin e mbetjeve urbane, i cili në fakt ishte shndërruar në një mal masiv mbetjesh. Në vendngjarje shkuan dhjetëra forca zjarrfikëse, ndërsa Live situatën dramatike e denoncoi dhe nënkryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë Luçiano Boçi….

U deshën dy ditë të shuheshin flakët, ndërsa pasojat për qytetin e Elbasanit ishin të mëdha. Pas kësaj ngjarjeje, stafi i emisionit Plug, pa nga afër landfillin e inceneratorit të Elbasanit.

Pamjet tregojnë sesi në vendepozitim, mbetjet i ngjajnë tashmë një kodrine massive, e cila vetëm rritet çdo ditë. Madje, siç shihet nga pamjet, tashmë ka nisur edhe mbulimi dhe kompostimi I mbetjeve urbane, të cilat gjasat janë që nuk digjen.

Sipas të dhënave teknike, impianti i mbetjeve urbane në Elbasan, ka një kapacitet ditor djegie deri në 120 ton. Sipas të dhënave, 7 bashkitë e qarkut të Elbasanit, depozitojnë në landfill rreth 140 ton mbetje në ditë, pavarësisht se dhe këto të dhëna janë kontradiktore dhe nuk përputhen. Megjithatë, nëse do I referohemi të dhënave që jep vetë kompania Eco elb sha, në impiant depozitohen rrreth 140 ton mbetje në ditë. Nëse impianti do ishte funksional, siç pretendon bashkia dhe shoqëria Eco-elb sha, atëherë, do të duhet të digjeshin rreth 120 ton mbetje në ditë, të cilat do të duhet të përktheshin në energji elektrike.

Le të ndalemi te kjo e dhënë. Nëse do të digjeshin 120 ton mbetje urbane në ditë, do të duhet të prodhoheshin rreth 61.2 Megvatorë energji elektrike në ditë ose rreth 22.300  megavtorë energji elektrike në një vit.

Por sa energji ka prodhuar inceneratori i Elbasanit?

Për herë të parë, emisioni Plug hedh dritë ekskluzivisht mbi prodhimin e energjisë së impiantit. Në një raport të vitit 2022, të Entit Rregullator të Energjisë, raportohet se Inceneratori I Elbasanit e deklaruar  6792 megavatorë energji elektrike gjatë muajit gusht. Kjo sasi deklarohet për herë të parë në ERE. Pas një konflitkti gjyqësor midis kompanisë ALbtek dhe entit rregullator të energjisë, për përcaktimin e cmimit të energjisë, kompania albtek fiton gjyqin në shkallë të parë. cuditërisht enti rregullator vendos të mos ankimojë vendimin e shkallës së parë, port ë paguajë energjinë e prodhuar që nga vitit 2016. Kjo sasi, për gati 5 vjet e gjysëm është 6792 megavat orë. E cila pot ë shohim bilancet e kompanisë, pra ky koncensionq ë na kyushtoi 21 mln euro, ka prodhuar vetëm 400 mijë euro të ardhura nga shitja e energjisë për pesë vite e gjysëm. Ky moment duhet të ishte një kambanë alarmi për shtetin shqiptar, pasi bashkitë nuk kanë fonde për të përballuar mirëmbajtjen dhe funksionimin e impiantit.

Së treti, emisioni "Plug", ka siguruar të dhënat zyrtare nga shoqëria ECO-Elb sha, e cila tregon se gjatë nga data 1 janar 2022 kur mori në administrim inceneratorin dhe deri në datën 21 shtator 2023, ditë kur ka kthyer përgjigje zyrtarisht për emisionin Plug, inceneratori ka prodhuar vetëm 75.9 megavat orë energji elektrike. Pra, për një periudhë prej 21 muajsh, inceneratori I Elbasanit ka prodhuar vetëm 75.9 megavat orë energji elektrike.

Nga momenti që shoqëria “Eco-elb” sh.a ka marrë në përdorim impiantin e trajtimit tëmbetjeve urbane është prodhuar 75.9 Mwh energji elektrike,ku theksojmë faktin qësistemi turbinë -gjenerator nuk ka qenë në funksion të plotë për shkak të shërbimeve qëka nevojë të kryhen.Për sa i përket periudhës që impianti ishte nën administrimin e “Albtek Energy” sh.p.k ,nuk kemi informacion3. Shoqëria “Eco-elb” sh.a nuk ka shitur energji.

Pra, thënë ndryshe, për 21 muaj me radhë, inceneratori I Elbasanit, ka prodhuar vetëm 75 megavatorë energji elektrike, ose thënë ndryshe, për prodhimin e kësaj sasie energjie, ka djegur në total rreth 140 ton mbetje në 21 muaj. Më konkretisht, inceneratori ka punuar vetëm një ditë e gjysëm gjatë 21 mujave. Këto të dhëna, që publikohen ekskluzivisht nga emisioni plug, tregojnë në fakt se për gati dy vjet impianti I mbetjeve urbane në Elbasan, ka qenë jashtë funksionit. Ndërkohë, mbetet ende pa shpjegim, shifra prej 6792 megavatorë energji elektrike, që supozohet se ka prodhuar gjatë muajti gusht 2022 inceneratori I Elbasanit.

Përtej këtij konfuzioni, vlen të theksohet, se sot, inceneratori I Elbasanit është pothuajse jashtë funksionionit. Sic raporton zyrtarisht shoqëria Eco-Elb sha, ky impiant nuk prodhon energji për shitje, pra nuk transmeton energji në rrjetin e OST, raporton Eco-elb sha për emisionin plug.

Një tjetër e dhënë, që ngre pikëpyetje mbi funksionalitetin e inceneratorit, është sasia e mbetjeve që depozitohen në landfill. Emisioni PLUG ka siguruar të dhëna zyrtare, por kontradiktore mbi sasinë e mbetjeve që depozitohen në landfill. Sipas shoqërisë ECO-ELB sha, në landfillin e inceneratorit të Elbasanit, depozitohen mesatarisht 140 mbetje në ditë nga 7 bashki të qarkut.

Sasia ditore e mbetjeve që depozitohen në landfill sipas ECO-ELB.

Bashkia Elbasan 82 ton/ditë
Bashkia Belsh 6.6 ton/ditë
Bashkia Gramsh 6.7 ton/ditë
Bashkia Cerrik 10.1 ton/ditë
Bashkia Peqin 4.15 ton/ ditë
Bashkia Librazhd 8.95 ton/ditë
Bashkia Prrenjas 6.68 ton/ditë

Pra, sipas ECO-ELB sha, bashkia Elbasan është njësia vendore që depoziton sasinë më të madhe të mbetjeve në ditë në landfill, me rreth 80 ton mbetje në një ditë. Mirëpo, vetë bashkia e Elbasanit, jep të dhëna të ndryshme të depozitimit të mbetjeve në landfill. Për vitin 2022, bashkia Elbasan ka depozituar në landfill 26.666 ton mbetje, apo me një mesatare prej rreth 73 ton në ditë. Deri në 31 gusht të vitit 2023, bashkia Elbasan ka depozituar në landfill 19739 ton mbetje, apo rreth 80 ton mbetje në ditë.

Por, sasia e mbetjeve që bashkia Elbasan ka depozituar në landfill nga viti 2017 deri në vitin 2023, ka ardhur në rënie. Konkretisht, në vitin 2017, bashkia ka depozituar 40235 ton mbetje në vit, ndërsa një vit më pas, kjo sasi është reduktuar me rreth 8 mijë ton. Konrektisht, në vitin 218, bashkia Elbasan raporton se ka depozituar rreth 32260 ton mbetje. Rënia e sasisë së mbetjeve ka ardhur edhe në vitet pasardhëse. Në vitin 2019 dhe 2020, bashkia Elbasan ka depozituar rreth 27 mijë ton mbetje në secilin vit. Ndërsa në 2021, bashkia Elbasan raporton se ka depozituar rreth 23316 ton mbetje, apo sasia më e ulët e depozituar që nga dita e hapjes së landfillit të inceneratorit në Elbasan.

SASIA E MBETJEVE NDER VITE NE LANDFILL

Viti 2017 40235.9 ton
Viti 2018 32260.9 ton
Viti 2019 27846.6 ton
Viti 2020 27004.6 ton
Viti 2021 23316 ton
Viti 2022 26666.6 ton
Viti 2023 19739.85 ton deri më 31 Gusht 2023

Sipas muajve viti 2023

Janar 2023 2534.32 ton
Shkurt 2023 2083.74 ton
Mars 2023 2544.62 ton
Prrill 2023 2452.32 ton
Maj 2023 2628.68 ton
Qershor 2023 2374.9 ton
Korrik 2023 2567.98 ton
Gusht 2023 2553.29 ton

Por, mbetjet e depozituara deri në vitin 2021, bashkitë nuk paguanin. Në fakt, pagesa për këto mbetje ishte pjesë e kontratës koncensionare prej 21.6 milionë eurosh. Ndërsa, pas datës 1 janar të vitit 2022, bashkitë e qarkut të Elbasanit, kanë nisur të paguajnë 25 euro për ton depozitimin e mbetjeve në landfill. Dhe çuditërisht, pas nisjes së pagesës nga bashkitë e Elbasanit, është rritur dhe sasia e mbetjeve të depozituara. Për bashkinë Elbasan, që emisioni disponon të dhëna zyrtare. Në vitin 2022, bashkia Elbasan depozitoi në landfill 26666 ton mbetje, ndërsa deri në muajin gusht të vitit 2022, janë depozituar 19739 ton mbetje, apo rreth 80 ton mbetje në ditë. Për katër muajt e mbetur, nëse do të marrim sasinë mesatare prej 80 tonësh në ditë, supozohet të jenë depozituar dhe rreth 9600 ton mbetje të tjera në ditë, ose në total për gjithë vitin 2023, sasia e mbetejve shkon në më shumë se 29 mijë ton mbetje.

Emisioni Plug kërkoi faturat dhe peshimin e sasisë së mbetejve nga kompania Eco-elb sha, por këto të dhëna nuk na u vunë në dispozicion.

Rritja e sasisë së mbetjeve të depozituara në landfill, menjëherë pasi bashkia nisi pagesat ngre pikëpyetje të mëdha. Aktualisht, nga viti 2022, kur mori në administrim landfillin dhe inceneratorin, shoqëria Eco-Elb sha, ka arkëtuar mbi 235 milion lekë të reja, apo rreth 2.3 milionë euro në dy vjet nga tarifa e depozitimit. Nga pasqyrat financiare të vitit 2022, rezulton se shoqëria ka dalë me rreth 50 milionë lekë të reja fitim bruto, apo 16 milione leke të reja fitim neto. Në QKB, shoqëria, nuk ka të regjistruar pronarë përfitues…

Por, teksa inceneratori ka qenë jashtë funksionit për muaj të tërë, shoqëria ECO-ELB, ka kryer tendera të majm për blerje karburanti, pajisje të ndryshme, vegla pune apo dhe kontraktim kompanish për të dërguar mbetjet nga landfilli në impiant, duke shpenzuar qindra mijëra euro…

Deri më tani, kemi treguar se inceneratori i Elbasanit, më shumë ka qenë jashë funksionit sesa në funksion. Nga dita që është vënë në punë dhe deri më sot, ky impiant, ka prodhuar një sasi minimale energjie, ndërsa mbetjet urbane nuk janë djegur, duke krijuar një tjetër mal plehrash në periferi të Elbasanit. Por, për këtë mal mbetjesh, pak muaj më parë, Kryeministri Edi Rama deklaronte se nuk ekzistonte, pasi sipas tij ishte hequr..

Teksa kreu i qeverisë kërkon ta zhbëjë këtë realitet, faktet tregojnë të kundërtën, plehrat nuk mund të mbulohen, ato sot janë duke shkaktuar një katastrofë të re mjedisore.

Ekspertët kanë qenë kundër këtij projekti që në krye të herës. Ahmet Mehmeti dhe Beqir Kila, dy ekspert mjedisi të njohur të qytetit, tregojnë se sot inceneratori është më i dëmshëm se sa çdo proces tjetër i trajtimit të mbetjeve..

Por, jo vetëm kaq, sipas ekspertit të pushtetit lokal, Agron Haxhimali, Shqipëria nuk ka nevojë për tre incenerator në një rreze të shkurtër largësie nga njëri-tjetri. Pikërisht për këtë shkak, ai sygjeron se zgjidhja do të ishte përdorimi i metodave europaine të trajtimit të mbetjeve, të cilat do të sillnin dhe më shumë të ardhura për vetë bashkitë…

Si përfundim, ngrihen pikëpyetje të mëdha:
Pse nuk u hetua e plotë afera e inceneratorit të Elbasanit?
Pse u shmangën hetimet për zyrtarët që firmosën dhe kërkuan këtë impiant?
Pse sot nuk funksionon impianti i mbetjeve në këtë qytet?
Pse qytetarët e Elbasanit dhe bashkitë e tjera duhet të paguajnë 25 euro për ton mbetje, ndërkohë që nuk marrin shërbimin e parashikuar në kontratë?
Ku shkojnë paratë që paguajnë bashkitë për inceneratorin aktualisht?
A po rrezikohet një katastrofë e re mjedisore në Elbasan?
Pse janë të ndryshme shifrat e mbetjeve, ndërkohë që popullsia e qytetit por dhe e qarkut ka ardhur në rënie gjatë viteve të fundit?/Syri Tv





Lajmet e fundit nga