web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

EMRAT/ Akuzat e Ahmetajt për inceneratorin e Tiranës

2 Shkurt 2024, 09:39, Aktualitet CNA
EMRAT/ Akuzat e Ahmetajt për inceneratorin e Tiranës
Arben Ahmetaj

Ish-zv.kryeministri Arben Ahmetaj, në intervistën televizive me Çim Pekën, përmendi emrat dhe akuzoi politikanë dhe biznesmenë dhe persona publikë si të përfshirë në aferën e inceneratorit të Tiranës. 

Ahmetaj në asnjë moment nuk hezitoi të përmendte kryeministrin Edi Rama apo edhe kreun e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliajn. Ish-zv.kryeministri pretendoi se nuk ka marrë pjesë në asnjë procedurë për 3 inceneratorët e Elbasanit, Fierit dhe Tiranës dhe se nuk ka lidhje me këto afera korruptive, pasi nuk ka hedhur asnjë firmë. 

Emrat dhe akuzat që përmendi Arben Ahmetaj: 

Edi Rama

Sipas Ahmetajt, kryeministri Edi Rama ka bërë rolin e prokurorit dhe gjykatësit ndaj tij, ndërkohë që pretendoi se kreu i qeverisë ka qenë një nga ideatorët e inceneratorit të Tiranës. Ahmetaj theksoi se kryeministri Edi Rama ka si qëllim që të mbyllë aferën me inceneratorin e Tiranës, vetëm me akuzat ndaj tij, por ai theksoi se kjo gjë nuk ka për të ndodhur kurrë.  

"Qendrat janë Kryeministria dhe Bashkia (e Tiranës). Njëri thotë më ka zhgënjyer se do të krijojë idenë se ky është personi. Tjetri thotë ideja e atij ka qenë. Ky vërtet nuk ka firmosur, por ky e meriton ta hajë. Domethënë një 'show' hollivudian", nënvizoi ish-z.kryeministri.

Erion Veliaj

Ish-zv.kryeministri Arben Ahmetaj akuzoi kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, si personin që ka ngritur goditjen ndaj tij dhe se shkon nëpër ambasadat në Tiranë dhe thotë se ideja për inceneratorin ka qenë e Ahmetajt.

Ai theksoi se kryebashkiaku Veliaj është pronari faktik i inceneratorit të Tiranës. 

Në akuzat ndaj Ramës dhe Veliajt, ish-zyrtari i lartë nënvizoi se nëse do të bëhej një hetim i vërtetë për inceneratorin e Tiranës, shqiptarët do të llahtariseshin, por akuzoi SPAK-un se nuk po bën hetim të vërtetë. 

Ahmetaj dha edhe një mesazh të qartë për kryeministrin Edi Rama, duke theksuar se nuk do të lejojë që të bëhet “kokë turku” për të.

Ben Blushi

Ahmetaj nënvizoi se lidhjet për goditjet ndaj tij shkojnë nga Edi Rama te “Top Channel”, te Ben Blushi, te Mirel Mërtiri dhe një gazetar gjobaxhi. 

"Besoj se me ndonjë batutë do t’ju përgjigjet kryeministri, ndonjëherë kur ta pyesni, do t’ju bëjë batutën e radhës të dardhave, mollëve dhe pjeshkave që vërtiten aty. Dhe në mbledhje të kryesisë tha, u kërkoj ndjesë shqiptarëve, nënave dhe motrave, por edhe të gjithë qytetarëve, ka përdorur shprehjen; do të shkojë në të s’ëmës ai që prish unitetin e partisë. Kërcënimi i parë. Njerëzit që më njohin, shpesh e dinë se jam edhe impulsiv. Kam qenë në dilemë të madhe, por që në 24 atë ditë vendosa të mos flisja. Mendova që mosha ime, gati 55 vjeç, nuk duhet të jem më impulsiv dhe besoj se kam bërë mirë se do të kisha thënë gjëra që në qetësi të plotë nuk do t’ia falja vetes për humbje etike. Unë do të veja në të s’ëmës dhe ky do të më çonte mua në të s’ëmës. Le të bëjë dhe të qeverisë me batuta sa të dojë. Në vazhdim, siç ju thashë që unë nuk isha pjesë e dosjes Elbasan dhe Fier, dhe u sajua pjesa e mercenarit. I është dhënë dosja e mercenarit te 'Sofra e Ariut'. Atë dosje ndoshta dikur, ndoshta, e ka pasur, nuk i bie më qafë, Mireli. Mireli ia ka dhënë Blushit. Blushi ia ka dhënë Ramës", u shpreh Ahmetaj. 

"Top Channel"

Ish-zv.kryeministri tha se “Top Channel” e ka sulmuar me urdhër të kryeministrit Edi Rama pa ndalim. Ai sqaroi se më herët ka pasur një marrëdhënie shumë të mirë me Dritan Hoxhën. 

Sipas tij “Top Channel” dhe disa media të tjera janë bërë mercenare të njerëzve të një megaafere dhe e kanë sulmuar për llogari të tyre.

 "'Top Channel' e filloi goditjen gjatë periudhës që kishte gjyqin në Gjykatën e Lartë për pronësinë. Ky është një kapitull tjetër që ndoshta do të takohemi sërish dhe do të flasim. E mbajti tre muaj. Vuri reklamë në 'Big BBrother' Fëmija im i madh ka kaluar një periudhë shumë të gjatë në depresion. U llahtaris me 20 shoqe kur e pa. Cili ishte korrupsioni im? Tre muaj nuk ka mbajtur luftën e Kosovës, ai televizion, luftën e Ukrainës, më mbajti mua. Në njërën anë më thoshin, shiko se ai ka qenë armiku ynë. Unë historikisht kam qenë mik i ish-pronarit. Madje periudhën që fatkeqësisht humbi jetën, në 2007, po diskutonim të hynim bashkë në biznes, kur unë isha jashtë politikës. Pra nuk kam qenë ndonjëherë armik i 'TCH'”, nënvizoi ish-zv.kryeministri.

Gazetari gjobaxhi

Një gazetar gjobaxhi i vënë nën hetim nga Prokuroria e Posaçme dhe i lidhur me Elton Kacidhen e Veliajn, është përmendur dje nga Ahmetaj. Sipas ish-zyrtarit të lartë, ai është një mercenar, instrument i paguar dhe i përfshirë në skema me oligarkë. 

"Ramës i ka humbur dhe e ka gjetur, Adriatik Doçi, mercenari. Lidhje shumë interesante. Pyeti, tani drejtorin e ujësjellësin e Tiranës që është sot, Kacidhja, çfarë e lidh me Adriatik Doçin, dreka dhe darka. Mos ndoshta përgatitje për goditjen ndaj prokurorëve. Çfarë e lidh dreka dhe darka para dy javësh. Çfarë e lidh ujësjellësin e Tiranës, me Adriatik Doçin. Apo ajo që e lidh Doçin me oligarkët te resorti i 'Rolling Hills'. Çfarë e lidh. Nuk është për t’u diskutuar nga unë, se është përdorur si instrument i paguar. Dhe menjëherë filloi 'Top Channel'", u shpreh Ahmetaj. 

Si urdhëroi Edi Rama sulmet e "Top Channel" për ministrat e tij

Ahmetaj ngriti akuza të forta edhe ndaj "Top Channel", pasi tha se kjo media e ka sulmuar me urdhër të kryeministrit Edi Rama. Sipas tij, lidhjet për goditjet ndaj tij shkojnë nga Rama te “Top Channel”, te Ben Blushi, te Mirel Mërtiri dhe një gazetar gjobaxhi. 

 Ai përmendi “Top Channel”-in si një nga mediat e paguara nga inceneratorët.

“Unë isha i akuzuar nga opinioni publik pra, në populizmin penal shqiptar, unë po goditesha me gurë nga dritaret e ‘Top Channel’, apo nga të gjitha mediat e paguara nga inceneratorët. Mercenarë, vullnetarë, të paguar, të sponsorizuar, të gjithë. Unë habitem se si, kur del nëpër letra se je paguar nga inceneratorët dhe të dalësh të bësh sikur po lufton korrupsionin është çmenduri. Megjithatë ky është një diskutim dhe kapitull tjetër. Pra, po të hetohet Tirana, shqiptarët nuk do të habiten, por do të llahtarisen. Do të shkojë shumë lart”, nënvizoi ish-zv.kryeministri.

"Eco Park"

Arben Ahmetaj lëshoi akuza direkte ndaj kryeministrit Edi Rama lidhur "Eko Park"-un në Durrës. Gjatë emisionit Ahmetaj zbuloi se një person i afërt i kryeministrit Edi Rama ishte pjesë e këtij projekti.

"E morën zbatimin e projektit ata që e kishin bërë. Pse u bë pa tender. Pse nuk u nxor një urdhër për rindërtimin, njerëzit ishin jashtë, që të bëheshin pa tender, pse. A kishte më emergjencë? Jo. Pse plehrat dhe 'Eko Park'-u duheshin bërë pa tender. Pse budalla ka qenë Alqi Bllako që nuk e firmosi", u shpreh ai. 

Blerim Hoxha

Ish-zv.kryeministri përmendi emrin e një biznesmeni shqiptaro-zviceran, Blerim Hoxha (të denoncuar më herët nga CNA), i cili sipas tij ka 40% të aksioneve të inceneratorit të Tiranës, por që emri i tij deri më sot nuk ka dalë dhe askush nuk e ka përmendur.

“Unë kam besimin të konsoliduar se Mirel Mërtiri nuk është më pronari. Ia kanë marrë, e kanë syrgjynosur për t’ia marrë. Po i pyes gazetarët që rrinë te SPAK-u, pse një biznesmen shqiptaro-zviceran ka 40% të inceneratorit të Tiranës? Blerim Hoxha i ka me letra. Çfarë ka bërë kjo kompani, si i ka marrë dhe si i ka paguar, çfarë lidhjesh kanë qeveritarët dhe biznesi në Shqipëri”, u shpreh ai.

Kërcënimet me jetë

Ahmetaj tha se është kërcënuar 3 herë. Ai deklaroi se rasti i parë ka qenë kur e telefonoi një person i panjohur nga burgu.

“Unë jam kërcënuar 3 herë nga njerëz të panjohur. Një herë në telefon nga burgu dhe dy herë drejtpërdrejt. Për të qenë i sinqertë, kur më kërcënuan te gruaja që mbante fëmijën tim, me fëmijën tim te liqeni nuk e lashë më të më ikte medemek si trim i madh se shkoi te fëmija. Hera e fundit ka qenë te rrethi te Liqeni, aty ku isha me qira. Por kanë qenë kërcënime të frymëzuara politikisht”, nënvizoi ai./CNA 

 





Lajmet e fundit nga