web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Dëftesat tregtare për produktet bujqësore/ Salla: Krijojmë një instrument të ri financimi për fermerët

16 Korrik 2026, 12:05, Aktualitet CNA

Dëftesat tregtare për produktet bujqësore/ Salla: Krijojmë

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, ka prezantuar në Kuvend projektligjin për “Dëftesat tregtare mbi produktet bujqësore”, një nismë që synon të krijojë një mekanizëm të ri financiar për mbështetjen e fermerëve dhe zhvillimin e sektorit bujqësor.

Gjatë fjalës së tij, Salla tha se projektligji i përgjigjet një nevoje të evidentuar prej vitesh nga fermerët, bizneset agro-ushqimore dhe institucionet financiare, duke krijuar mundësi më të mëdha për akses në financim gjatë periudhës së prodhimit.

Sipas ministrit, fermerët shpesh përballen me kosto të larta në fillim të ciklit bujqësor, ndërsa të ardhurat sigurohen vetëm pas korrjes dhe shitjes së produktit. Përmes këtij mekanizmi, produkti bujqësor do të mund të përdoret si garanci financiare edhe përpara se të hidhet në treg.

“Ky projektligj formalizon një praktikë që ekziston prej vitesh dhe i jep asaj siguri juridike, transparencë dhe besueshmëri më të madhe”, deklaroi Salla në Kuvend.

Projektligji parashikon dy forma kryesore të dëftesave tregtare: për produktet bujqësore të ardhshme dhe për produktet e prodhuara e të magazinuara. Këto instrumente do të mund të shërbejnë si kolateral për sigurimin e financimeve.

Një element i ri i parashikuar në ligj është administrimi elektronik i procesit përmes portalit e-Albania. Dëftesat do të regjistrohen në një sistem elektronik të posaçëm dhe do të lidhen me regjistrin e barrëve siguruese, me qëllim rritjen e sigurisë në marrëdhëniet financiare.

Ministri theksoi se përfituesit e këtij mekanizmi do të jenë fermerët, furnizuesit e inputeve, grumbulluesit, përpunuesit, eksportuesit dhe institucionet financiare, pasi krijohet një kuadër më i qartë për bashkëpunimin mes tyre.

Sipas Sallës, nisma synon të modernizojë sektorin bujqësor shqiptar dhe ta afrojë atë me praktikat europiane, ku financimi i bujqësisë mbështetet jo vetëm te subvencionet, por edhe tek instrumentet financiare që nxisin investimet dhe zhvillimin e tregut./ CNA





Lajmet e fundit nga