web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Seancë e ngarkuar në Kuvend/ Shqyrtohen sot 24 pika të rendit të ditës

16 Korrik 2026, 08:20, Aktualitet CNA

Seancë e ngarkuar në Kuvend/ Shqyrtohen sot 24 pika të rendit

Kuvendi i Shqipërisë mblidhet këtë të enjte më 16 korrik, në orën 10:00, në seancë plenare, ku në rendin e ditës janë përfshirë 24 pika, mes tyre interpelanca me ministrin e Financave, Petrit Malaj, si dhe shqyrtimi i një sërë projektligjesh dhe projektrezolutash.

Pas miratimit të procesverbalit të seancës së kaluar dhe njoftimeve, deputetët do të zhvillojnë interpelancën e kërkuar nga deputetja Jorida Tabaku me ministrin e Financave.

Më pas, Kuvendi do të shqyrtojë disa projektligje që prekin sektorin e bujqësisë, përfshirë projektligjin "Për dëftesat tregtare mbi produktet bujqësore", projektligjin "Për censin e bujqësisë", si dhe ndryshimet në ligjet për menaxhimin e kimikateve, akuakulturën dhe mbrojtjen e tokës bujqësore.

Në rendin e ditës janë gjithashtu ratifikimi i marrëveshjes për bashkëpunim teknik mes Shqipërisë dhe Gjermanisë për vitin 2025, marrëveshja e huas me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për rehabilitimin e hekurudhës Tiranë–Durrës dhe ndërtimin e lidhjes hekurudhore me Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës, si dhe ratifikimi i Konventës për Byronë e Konferencës Evropiane të Aviacionit Civil.

Deputetët do të shqyrtojnë edhe ndryshimet në ligjin "Për librin në Republikën e Shqipërisë", si dhe projektvendimin për emërimin e një anëtari të Këshillit të Statistikave.

Në vijim të seancës pritet të miratohen projektrezolutat për vlerësimin e veprimtarisë së institucioneve për vitin 2025, përfshirë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Bankën e Shqipërisë, Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare, Institutin e Statistikave, Autoritetin e Komunikimeve Elektronike dhe Postare, Radiotelevizionin Shqiptar, Autoritetin e Mediave Audiovizive, Entin Rregullator të Energjisë dhe Entin Rregullator të Ujit.

Seanca plenare do të përfundojë me diskutimet për çështje jashtë rendit të ditës./ CNA





Lajmet e fundit nga