web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

REPORTAZH-Historia e rrallë e Xhenaro Siminit/ Mjeku italian që braktisi Italinë për Shkodrën

16 Korrik 2021, 11:38, Kulturë CNA

Xhenaro Simini është një mjek italian leçez, me shpirt revolucionari dhe patriotizëm të fortë i cili braktis Italinë e cila e dënoi me vdekje për qasjen e tij politike dhe pas një udhëtimi të gjatë e sprovues përfundon në Shkodër.

Jemi në vitet 1800, kur Shqipëria është ende nën Perandorinë Osmane.

Djali i tij Giacinto Simini shkroi një libër duke hedhur dritë mbi Shkodrën, historinë, jetën dhe kulturën e pasur të qytetit në shekullin e 19-të por edhe shumë personazhe të huaj dhe vendas të asaj kohe me një peshë të madhe.

Vite më parë libri u botua në gjuhën italiane ndërsa tashmë është përkthyer edhe në gjuhën shqipe.

Promovimi i këtij libri kushtuar mjekut revolucionar italian Xhenaro Simini që i shpëtoi dënimit me vdekje në Itali dhe gjeti atdheun e dytë në Shkodër duke bërë jetën që ëndërronte u bë në muzeun kombëtar ?Marubi? kjo për faktin se Pietro Marubi, edhe ai një italian i vendosur në Shkodër ka të njëjtën histori thuajse.

Libri ?Një patriot leçez në Shqipërinë Osmane?, kushtuar Xhenaro Siminit dhe shkruar nga i biri Giacinto që u përkthye në gjuhën shqipe nga pedagogia e gjuhës italiane në universitetin e Shkodrës Alma Hafizi vjen si bashkëpunim i Berk me Qendrën Albanologjike dhe Shejzat Plejade nën kurimin e Ardian Ndrecës dhe i botuar nga Anna Shkreli.

Kuratori i librit ?Një patriot leçez në Shqipërinë Osmane?, studiuesi Ardian Ndreca tregon se si është njohur me kujtimit e të birit të Xhenaro Siminit, Giacinto Simini ndërsa bën dhe një vështrim historik e kulturor. 

?Jam njohur me Giacinto Simini kur isha 20 vjeç se Ernest Koliqi në 1974 në fund të jetës së tij tek një numër i Shejzave, nipi i Siminit kishte botuar një pjesë të kujtimeve.

Kur doli botimi në italisht shkova dhe i thashë që duhej ta kishit përmendur se një parabotim e ka bërë edhe Koliqi por nuk e dinin këtë gjë. Simini është një figurë atipike ashtu siç është e pazakontë Shkodra osmane në ato vite.

Ne jemi mësuar me klishe, të shikojmë mesjetën, periudhën osmane si diçka vetëm negative por edhe atëherë njerëzit kanë ngrënë, kanë pirë, janë shumuar, kanë shkuar në shkollë pra jeta ka vijuar edhe atëherë në fushën politike të asaj kohe. Simini paradoksalisht është një person që ikën prej persekutimit në Itali dhe vjen në një vend që është i Perandorisë Osmane?, shprehet studiuesi Ndreca.

Më tej studiesi Ndreca shton se ?Jemi në vitin 1548 kur Europa është e mbërthyer nga revolucionet. Prej në Transivalni e deri në Skoci është një valë revolucionare dhe kjo valë revolucionare ndez zemrat e njerëzve dhe kalon nga e gjithë Europa.

Simini bën pjesë tek ato patriot italian të cilët duan bashkimin e Italisë kundër atyre që paraqesin një regjim shtypës plus edhe regjim që varet prej një monarku të huaj si Borbonët dhe jo një italian.

Simini sakrifikon shumë, sakrifikon familja e tij, sakrifikon nëna e tij të cilës shkojnë dhe i thonë se dëgjo djalin tënd e kemi vrarë dhe ajo qan dhe vdes pas pak kohësh por në fakt djali i saj nuk ishte i vrarë.

Ka shumë që si Simini ikin nga Italia për të gjetur shpëtim jashtë dhe paradoksalisht shkojnë ose në Korfuz në ishujt e Dalmacisë ose Shqipërinë e asaj kohe, Shqipërinë osmane. Arsyeja përse erdhëm tek Marubi për ta prezantuar këtë libër është se edhe vetë Pietro Marubi ka një histori të ngjashme me Siminin.

Edhe Marubi ikën nga Piaçenza dhe ikin për të gjetur azil në një vend tjetër dhe ky vendi që ofron azil, qetësi dhe liri është Perandoria Osmane por këta persona kur erdhën në Shqipëri sollën edhe tharmin revolucionar.

Unë jam i bindur se ka një lidhje shkak-pasojë në atë ardhjen e tyre në Shqipërinë e asaj kohe osmane dhe rritjes së temperaturave revolucionare në mjediset intelektuale shqiptare.

Këta persona sjellin me vete dhe ne e kemi të qartë sot se Marubi janë pjestarë të lëvizjes revolucionare dhe sjellin edhe këtu tharmet e lëvizjes revolucionare dhe po ashtu profesionaet e tyre, njëri mjek siç është Simini dhe tjetri fotograf siç është Marubi dhe i kultivojnë profesionet. Janë shumë të dashur dhe të vlerësuar nga qytetarët shkodran nga të tri besimet?, thotë studiesi Ndreca.

Shkodra për Xhenaro Siminin bëhet një atdhe i dytë vijon më tej studiuesi Ndreca.

?Shkodra për ta bëhet  një atdhe i dytë. Xhenario Simini thërret edhe babën e vet dhe i thotë hajde në Shqipëri pasi i kishte vdekur nëna edhe pse Italia në atë kohë ishte shtet i njohur dhe nuk kishte më pushtim sepse monarkia ishte stabilizuar dhe kjo tregon se Simini Shqipërinë e ka një atdhe elektiv, një atdhe të parazgjedhur të tij.

Kjo do të thotë se Shkodra e asaj periudhe që e shohim edhe prej librave, dokumenteve apo fotove të Marubit është e mbushur me njerëz të huaj.

Ka nga Austria, Polonia, Gjermania, Rusia, Egjiptian, Turqia dhe është një qytet kozmopolit. Gjithë këta persona kanë ardhur për shkaqe krejt të ndryshme dhe disa kanë ardhur për arsye politike për të provuar fatet e tyre në kushte të reja.

Shkodra i jep të gjithë këtyre një mundësi për të qenë vetvetja, integrohen dhe shumë prej tyre janë shkrirë më pas me tabanin e Shkodrës, janë martuar me gra shkodrane, kanë lindur fëmijët dhe kanë ruajtur mbiemrat.

Këta persona janë të shumtë dhe kemi të huaj që vijnë për të gjetur një jetë me më liri, në kushte më normale në krahasim me vendet e tyre dhe integrohen në Shkodër duke gjetur një atdhe të dytë dhe japin një kontribut për këtë qytet.

Marubi është pjesë e Shkodrës, Simini është më pak i njohur por tek ky libër do gjeni përveç rindërtimit historik që i ka bërë lëvizjes revolucionare anti borbonike, keni për të gjetur edhe një moziak të Shkodrës të gjysmës së dytë të 1800-ës. Janë disa dëshmi  të cilat kanë humbur pothuajse.

Ndoshta ndonjë faqe të ngjashme e gjeni në ndonjë roman të Vaso Pashës ose ndonjë faqe të Luigj Gurakuqit ose të Zef Jubanit apo dikujt tjetër por në mënyrë kaq të detajuar, kaq kapilare dhe me figura të ndryshme revolucionare të huaja të cilët shkojnë aty ku thërret fati i tyre por kudo që shkojnë çojnë me vete idetë e tyre revolucionare.

Rilindja jonë kombëtare është ndikuar prej këtyre personave dhe kemi marrë shumë prej tyre dhe kanë qenë një tredynjo ndërmjet asaj që po lindte në Shqipërinë osmane që po përkeqësohej me atë që do të ishte e nesërmja, pra edhe shkolla françeskane, edhe jezuite edhe këto që janë gjithë laik ndikohen prej ideve revolucionare të asaj periudhe?, tregon ai.

Përkthyesja e librit ?Një patriot leçez në Shqipërinë Osmane? në gjuhën shqipe, pedagogia Alma Hafizi thotë se që në vitet 2000 kur libri në gjuhën italiane u promovua në Shkodër vendosi që ta përkthente por pas pak muajsh studiesja Galeti ndërroi jetë për të ardhur deri në ditët e sotme kur libri u përkthye pas disa bisedave në qarqet intelektuale të qytetit të Shkodrës.

?Është e vërtetë që Simini nuk është shqiptar por ai në Shkodër gjeti sigurinë fizike, qetësinë shpirtërore që vetëm atdheu ta jep. Në Shkodër ai dizenjoi profilin e tij profesional, në Shkodër ngriti çerdhen aq të ngrohtë familjare, në Shkodër zbatoi të gjitha parimet që ishin moto e jetës së tij, barazi, liri dhe arsim dhe në Shkodër vendosi që të jepte frymën e fundit dhe ishte një zgjedhje e tij me vullnet të lirë dhe t?i dorëzohej gjithësisë dhe përjetësisë.

Kur studiuesi Amarelia Galeti që ishte edhe kuruese e botimit të librit në gjuhën italiane erdhi në Shkodër për të promovuar librin në një aktivitet në bashkëpunim mes departamentit të romanistikës të universitetit të Shkodrës dhe konsullatës italiane në fakt emri i Siminit nuk ishte i panjohur.

Unë kisha dëgjuar për këtë personalitet dhe për hir të profesionit që unë ushtroj përhapje e kulturës dhe gjuhës italiane unë u intrigova shumë.

Së pari e kam dëgjuar në vitin 2000 në seminarin e katërt ndërkombëtar i organizuar nga i ndjeri profesor Mentor Quku ?Shkodra ndër Shekuj? ku doktor Ramiz Hafizi kishte sjellë një studim shkencor mbi historinë e kirurgjisë në Shkodër dhe në fakt i referohej një studimi të mëparshëm të vitit 1962 i doktor Kadri Kërçikut i cili kishte shkruar një tekst mbi zhvillimin e shëndetësisë në shekullin  XVIII-XX në Shkodër. Në fakt përshkrimi nuk është i gjatë në të dy studimet, është punim shkencor dhe është një gjysëm faqe përshkrim por në vitin 2003 kur doli një kolanë e veprave të Ernest Koliqit unë pata rastin të njihem me një material më të zgjeruar mbi familjen Simini në veprën

?Doktori? dhe besoj se një pjesë e tekstit që sot po promovojnë është e sjellë edhe në tekstin e Koliqit.

Idea për përkthimin e këtij libri ka lindur menjëherë sapo e ndjera studiuesja Galeti bëri prezantimin e librit në Shkodër dhe që atëherë ishte një projekt ide për ta sjellë në shqip dhe kishte një imapkt tek të pranishmit, ishin intelektual dhe studiues të qytetit por fatkeqësisht ajo ndërroi jetë pak muaj pasi u kthye nga Shqipëria dhe rastësisht në fototekën Marubi asokohe unë ndodhesha me një tjetër shkrimtar italian dhe përpara fotografisë së Marubit erdhi një bisedë me drejtorin e muzeut Marubi për ta përkthyer. Sot është bërë realitet?, thotë përkthyesja Hafizi.

Më tej ajo shton se ?Libri mund të lexohet nga disa këndvështrime.

?Mund të shihni një protagonist revolucionar siç është Simini, arsye për të cilën emigroi dhe u gjend në Shkodër por më përpara mendohet se mund të jetë ndalur dikund në rrethin e Kurbinit në bazë të përshkrimit që bën vetë Simini dhe ka qëndruar në një familje funksionarësh sepse ka ushtri që i sillet rrotull dhe ka paisje ngado por shpreh në një farë mënyrë edhe kodin e pashkruar të mikëpritjes shqiptare.

Me atë arrogancën e tij janë për t?u nënvizuar tri pyetje që bën, nga vini, kush jeni, ku do të shkoni, pra kodi i shqiptarëve ?shtëpia është e Zotit dhe e mikut?, ai nuk interesohet shumë se kush ishin personat sa e kishte meraikun të ushtronte legjimitetin që i jepte kodi shqiptar, të siguronte fjetjen dhe bukën e asaj dite.

Në këmbim të një favori që mjeku Simini i bën duke i shëruar të bijën ai i rekomandon që të vinte në Shkodër pasi Durrësi ishte zonë e rrezikuar me kufijtë e rrezikshëm të asaj kohe të perandorisë austro-hungareze dhe i thotë që në Shkodër të takojë Sulejman Hotin, një personalitet me shumë peshë, me shumë influencë në lidhje miqësore edhe me Pashain ndërkohë Simini mund të integrohej fare mirë dhe me dy bashkëudhëtarët e tij italian.

Pasi vjen në Shkodër situate është krejt ndryshe, Shkodra ka një tjetër frymëmarrje, Shkodra është port-qytet i Perandorisë, Shkodra është një tokë në ndërmjetësi mes Perandorisë Osmane dhe mes Perëndimit, pra Europës dhe Shkodra është një qendër me shumë pika reference kulturore, në Shkodër kishte pesë konsullata, kishte komunitete tregtare të pasura dhe komunitete të huaja që ishin integruar mjaft mirë dhe Simini gjeti vetveten në këtë qytet duke u vendosur përfundimisht deri në fund të jetës së tij?, thotë Hafizi.

Drejtori i Muzeut Kombëtar të fotografisë ?Marubi?, Luçian Bedeni është një prej nxitësve kryesor për përkthimin e librit kushtuar mjekut Xhenaro Simini në gjuhën shqipe.

?Sot kemi një libër vërtetë të veçantë sa i përket një figure që asnjëherë më përpara pothuajse nuk është përmendur, një italian tjetër si Marubi në Shkodër. Unë kam patur një koincidencë të veçantë se si kam rënë në gjurmët e këtij libri.

Gjatë hulumtimeve të mia për Marubin shpesh herë më rezultonte në dokumentet e gjetura në arkivat e Italisë por edhe të Shqipërisë emri Xhenaro Simini.

Shpesh si një italian që shkruante letra kundër konsullit italian të Shkodrës sepse kishte ankesat e tij, shpesh në lidhjet miqësore me Marubin apo edhe me disa italian të tjerë, diku tjetër si kumara i martesës së Pietro Marubit dhe kështu u bëra kurioz duke kërkuar më tepër për këtë personazh dhe rastësisht gjeta një libër një Patriot leçez në Shqipërinë otomane që ishte ditari i përkthyer i këtij italiani.

E gjeta atë libër në bibliotekën e universitetit të Shkodrës dhe duke kërkuar në internet kuptova se familjarët e këtij italiani kishin ardhur në Shkodër për të bërë promovimin e këtij libri në italisht përpara shumë vitesh por që kishte kaluar pa rënë në sy. Atëherë, menjëherë duke patur dëshirën e madhe për ta përkthyer bisedova me Ardian Ndrecën dhe pedagogen Alma Hafizi. Besoj se është një libër fantastik kur ta lexoni?, shprehet Bedeni.

Botuesja e librit të përkthyer në gjuhën shqipe Anna Shkreli shprehet se ky libër ishte një surprizë për të kur u njoh me përmbajtjen.

?Momenti i parë kur unë jam njohur me Siminin është përmes një fotografie që shfaqet herë pas here që është edhe publiciteti i parë shqiptar. Fotografia është një fotomontazh dhe ne shohim Giacinton, të birin i cili është në tre pozicione të ndryshme, njëra është me këmbë të prerë dhe duke mbajtur këmbën, njëra është mjeku me sopatë në dorë dhe tjera është me kostum popullor.

Unë e kam parë këtë fotografi për herë të parë në një ekspozitë që u bë para disa vitesh këtu tek muzeu Marubi dhe kjo ishte momenti i parë i Siminit në memorien time, për herë të dytë më erdhi nga Ardian Ndreca i cili më solli librin.

Duhet thënë që ky libër është i kolanës së pestë në Rradhonjtë e Shejzave e cila është një kolanë shumë e gjërë në fakt por ende si kriter ka shkrimtarinë e mirë shqipe. Megjithatë libri ka qenë një surprizë për mua kur erdhi në fillim duke u nisur nga katër librat e tjerë pararendës të kolanës të cilët në përgjithësi janë letërsi specifike.

Pra është letërsi shumë e mirë por është në mish dhe kërkon një lexues më specifik?, shprehet botuesja Anna Shkreli.

Ajo më tej vijon duke treguar arsyet përse të gjithë duhet ta lexojnë këtë libër.

?Ka qenë surprizë se sa libër interesant është dhe sa dinamik është në sensin që kur nisa ta lexoja mu duk realisht sikur po lexoja një roman aventure çka nuk është e zakontë në libra të tillë që përgjithësisht janë të ndërtuar nga tre burime të ndryshme si në rastin e këtij libri që janë, material arkivore të ministrisë së punëve të jashtme, kujtimet e Giacinto Siminit dhe kujtime nga faktor kryesor të jugut të Italisë.

Këto libra janë shumë informative, shumë interesant, japin shumë kontekst historik, politik, social por tentojnë të jenë pak të avashtë ndërkohë që gjithëçka e këtij mjeku që dënohet, arratiset dhe shkon në një vend tjetër, ikën në Greqi, pastaj në Korfuz, më pas hyn në Durrës dhe pastaj kalon në pjesën tjetër të Shqipërisë duket sikur po lexon pjesë nga Konti Monte Kristos, pra ka këtë lloj dinamizmi.

Përkthimi nga Alma Hafizi është shumë i mirë dhe version shqip është shumë më i përmirësuar sepse ka edhe imazhet e kuruara nga Luçian Bedeni.

Unë u çudita se ç;është ky revolucionar kaq i jashtëzakonshëm që ka këtë jetë kaq të trazuar dhe vjen në këtë vend dhe atëherë kur në vendin e tij bie paqja dhe mund të kthehet ai vendos ta mbyll jetën e tij në një vend si Shqipëria që sapo i kishin nisur trazirat dhe përkthyesi e studiuesi Zef Paci më tha veç një njeri me kaq trille mundet që të bëjë një publicitet dhe një fotografi të tillë dhe në fakt është e vërtetë. Ky trilli i këtij personazhi gjatë gjithë jetës së tij në Shkodër në libër del 100%.

Mendoj që një nga pikat më të forta të librit që përveç informacionit, përshkrimit të peisazheve urbane fantastike të Shkodrës, me ura druri, me ato kopshtijet mbi të gjitha është fakti se është një libër shumë argëtues. Duhet lexuar sepse është shumë i bukur?, thotë me tej Shkreli.

Anna Shkreli thotë se Simini ?gjen një Shkodër interesante të shekullit të 19-të.

?Lidh miqësi të ngushtë me Marubin, fotografin, aq sa është dëshmitar në dasmën e tij. Si mjek arrin të fitojë besimin e parisë shkodrane, dhe më pas rrëfen çfarë ndodh.

Ai është njeriu që hyn në shtëpitë e tyre, i kanë borxh jetën dhe si i tillë, i biri, përshkruan hyrje daljet në këto mjedise shkodrane që janë mjedise private por që përbëjnë historinë e qytetit. Simini tregon lëvizjet që bënë austriakët, financimin që iu bënë shkollave jezuite e saveriane.

Dhe tregon se si në thelb, gjithë ajo që vinte më pas si lëvizje politike në Shqipëri ishte një konvergjencë forcash i këtyre faktorëve ndërkombëtarë që ishin në Shkodër dhe bënin një lojë paralele në gjurmët e fundit të Perandorisë Osmane.

Ai ndjehet shumë mirë në Shkodrën e 1900-ës, sepse Simini, pati mundësi të ikte por zgjodhi të mos ikte. Erdhi dhe vdiq në Shkodër, ndërsa i biri u kthye në Itali? shprehet Shkreli.

E pranishme në promovimin e librit ?Një patriot leçez në Shqipërinë Osmane? ishte edhe ministrja e kulturës Elva Margariti./CNA.al

 





Lajmet e fundit nga