web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Ja pse Serbia duhet të njohë sa më shpejt pavarësinë e Kosovës

16 Gusht 2020, 06:22, Blog CNA

Nga James Jay Carafano & Luke Coffey ?National Interest?

Serbia ka qenë edhe më parë në këtë pozitë. Në kohërat e lashta, Ballkani Perëndimor ndodhej në vijën ndarëse midis Perandorisë Romake dhe kufirit të pafundmë në Lindje.

Më vonë, rajoni shënonte pikën ku plekseshin interesat e fuqive të mëdha si Rusia Perandorake, Perandoria Austro-Hungareze dhe ajo Osmane.

Por të ndodhesh në udhëkryqin e interesave të fuqitë e mëdha, nuk të bën domosdoshmërisht një fushëbetejë të tyre. Përkundrazi, kjo gjendje mund të nxisë paqe dhe prosperitet. Sot, Serbia ka një mundësi unike për një rivendosje strategjike, që mund ta vendosë vendin dhe rajonin në rrugën e duhur për një të ardhme më të mirë.

Dhe rruga nis me krijimin e hapësirës për njohjen e Kosovës si shtet. Në ndërtimin e një Evropë të plotë, të lirë dhe në paqe, Ballkani Perëndimor është padyshim një biznes i papërfunduar. Integrimi rajonal është i dobët.

Ndërsa Sllovenia dhe Kroacia janë anëtare të Bashkimit Evropian, perspektivat e të tjerëve për anëtarësim duken të largëta. Potenciali për konflikt është ende aty. Krimi transnacional dhe korrupsioni janë një problem madhor. Rusia vazhdon ndërhyrjen e saj të vazhdueshme në rajon, ndërsa Kina po synon të ushtrojë më shumë ndikim atje.

E megjithatë ?zemra? e përçarjes së rajonit, qëndron kryesisht në tensionin midis Serbisë dhe Kosovës, që shpalli pavarësinë e saj në vitin 2008. Politika e jashtme serbe, vazhdon në mënyrë aktive të nxisë vendet të mos e njohin Kosovën si shtet, dhe tenton të pengojë vazhdimisht pjesëmarrjen e Kosovës në organizatat ndërkombëtare.

Zgjidhja e dallimeve me Kosovën, mund të jetë çelësi për ngritjen e Serbisë si një forcë e rëndësishme në zhvillimin e rajonit dhe stabilitetin. Edhe pse merr shumë më shumë investime dhe ndihma nga Perëndimi, Serbia është mbështetur tradicionalisht më shumë në marrëdhëniet me Rusinë dhe Kinën.

Por si aleate, si Moska ashtu edhe Pekini nuk kanë bërë aq sa priste Beogradi. Që të dyja e marrin Serbinë si një aleate të përhershme. Ndaj duke mos forcuar lidhjet e saj me Perëndimin, Serbia po e zvogëlon vlerën e saj strategjike si shtet. Çështja nuk është se kë zgjedh ajo si aleatë.

Gjithçka ka të bëjë me shndërrimin e Serbisë në një lojtare rajonale më të vlefshme dhe më të përgjegjshme. Dhe nga ana tjetër, me shfaqjen e saj si një forcë më pozitive në balancimin e interesave të fuqive të mëdha në rajon. Dhe rruga më e shpejtë dhe më produktive që Serbia të ekuilibrojë marrëdhëniet e saj me Perëndimin, është normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën.

Asnjë hap tjetër, nuk do të ishte më konstruktiv. Si Shtetet e Bashkuara, ashtu edhe Bashkimi Evropian, duhet të vlerësohet për ndërmjetësimin e një afrimi të ardhshëm midis Serbisë dhe Kosovës. Nëse kjo çështje mund të zgjidhet, atëherë ajo mund ta transformojë rrënjësisht të ardhmen e Ballkanit Perëndimor.

Sa i përket Kosovës, e ardhmja e saj varet qartazi tek integrimi i plotë në komunitetin transatlantik. Kosova e di këtë gjë, ndërsa Serbia po harxhon kot kohën dhe burimet e saj, nëse mendon se Kosova do ta braktisë ndonjëherë këtë rrugë.

Ndërsa Kosova duhet të përpiqet ta mbajë hapur dhe konstruktiv dialogun me Serbinë, ajo duhet të vazhdojë të gjejë rrugët për të ecur përpara. Tashmë ajo ka marrë vendimin e zgjuar për të nisur ndërtimin e ushtrisë së saj kombëtare, në mënyrë që përfundimisht të kualifikohet për t?u anëtarësuar në NATO.

Ndërkohë, shteti i ri duhet të gjejë mënyra kreative për të bashkëpunuar me NATO-n. Kreativiteti është thelbësor, pasi disa nga llojet e deri djeshme të bashkëpunimit nuk janë më të mundura. Për shembull, pjesëmarrja me aleatët në misionet në Afganistan, mund të duket se është një veprim i natyrshëm.

Tek e fundit, ky është një moment i rëndësishëm për Afganistanin, dhe mbështetja ndërkombëtare shtesë tani do të vlerësohej dhe mirëpritej. Për më tepër, dërgimi qoftë edhe i një kontigjenti të vogël paqeruajtësish, do t?i jepte mundësi Kosovës të zgjeronte përvojën e saj ushtarake.

Natyrisht, është problemi i 5 vendeve evropiane – Spanja, Sllovakia, Qipro, Rumania dhe Greqia – që nuk e njohin ende Kosovën. Të gjithë përveç Qipros janë anëtare të NATO-s (ndërkohë Qipro është pjesë e BE-së). Ky është një faktor, që e pengon Kosovën të dërgojë trupa në Afganistan, dhe njëherazi e ndërlikon rrugëtimin e saj transatlantik.

Ndërkohë, Kosova duhet të vazhdojë të gjejë mënyrat për të pasur një furnizim më të sigurt dhe të pastër me energji, në një arkitekturë rajonale energjetike më të fortë dhe të qëndrueshme. Për shembull një opsion është ndërtimi i një gazsjellësi të propozuar Shqipëri- Kosovë, që do të lidhë Kosovën me pjesën shqiptare të gazsjellësit Trans-Adriatik, që është në vetvete pjesë e Korridorit Jugor të Gazit, që e çon gazin nga Kaspiku në Itali, dhe më pas në pjesën tjetër të Evropës.

Nisma e Tre Deteve (3SI), paraqet ndërkohë shumë mundësi për Kosovën. Ajo duhet të hyjë në dialog me vendet e 3SI për të eksploruar mundësitë e partneritetit, sidomos në hapësirën e infrastrukturës digjitale. Pra, konkurrenca e sotme e fuqive të madhe, nuk ka pse të ndikojë domosdoshmërisht në dëm të Ballkanit Perëndimor.

Përkundrazi, ajo i jep Serbisë dhe Kosovës një mundësi për të sjellë paqe dhe një prosperitet më të madh në rajon. Tek e fundit, Ballkani Perëndimor, bëhet një zonë bashkëpunimi dhe jo konkurrence, duke dëshmuar kështu vlerën e tij për të gjitha palët. Tani është e domosdoshme që të dyja vendet të forcojnë marrëdhëniet me Perëndimin, dhe rruga më e mirë është që ta kuptojnë të ardhmen si 2 vende që jetojnë përkrah njeri-tjetrit në paqe dhe njohje reciproke./ Përshtatur nga CNA.al





Lajmet e fundit nga