web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Helmut Kohl, Gjiganti i Evropës së fundshekullit XX-të, që realizoi bashkimin e Gjermanisë

18 Qershor 2020, 06:23, Blog CNA

Kancelari i bashkimit gjerman, dhe një figurë madhështore e Bashkimit Evropian dhe e të djathtës, vdiq 3 vjet më parë më 16 qershor 2017 në moshën 87-vjeçare pas një sëmundjeje të gjatë. Helmut Kohl u zgjodh kancelar i Gjermanisë Perëndimore në vitin 1982, dhe drejtoi bashkimin paqësor të Gjermanisë në vitin 1990, pas rënies së Murit të Berlinit një vit më herët.

Ai shërbeu edhe për 8 vite të tjera si kancelar, duke qenë udhëheqësi më jetëgjatë i Gjermanisë që nga koha e Bismarkut, por u tërhoq nga politika pasi humbi zgjedhjet federale të vitit 1998. Si lideri me ndikim i qendrës së djathtë të Unionit Kristian Demokrat, ai emëroi në vitin 1990 në kabinetin e tij të parë të Gjermanisë së bashkuar, një gjermano-lindore të panjohur, të cilën e quajti ?Mädchen? (vajzën) e tij: Angela Merkel.

Në gjurmët e parardhësit të tij Konrad Adenauer, Kohl e modernizoi CDU-në. Ndërkohë në politikën evropiane, ai dëgjoi shqetësimet e shteteve më të vogla anëtare të BE-së. Me gjithë problemet e shpeshta shëndetësore, dhe vështirësinë në të folur, ai mbeti një zë i rregullt në debatin politik gjerman dhe atë evropian.

Po kush ishte Helmut Kohl? Lindi në vitin 1930 në Ludvigshafen nga 2 prindër katolikë, anëtarë të Partisë Naziste, si më i vogli i 3 fëmijëve pas së motrës, Hildegarde dhe vëllait Valter, të cilin ai e adhuronte. Vdekja e parakohshme e Valter, gjatë një sulmi ajror në Normandi në vitin 1944, ishte një ?përvojë që i ndryshoi jetën?, do të shprehej vetë Kohl më vonë.

Kujtimi i vëllait të tij të vdekur, e nxiti të punojë me ngulm për paqe në një Evropë të bashkuar. Edhe pse ishte shumë i ri për t?u rekrutuar në ushtri, ai punoi në një ekip zjarrfikësish të rinj në qytetin e tij të lindjes, para se të evakuohej në Bershtesgaden, në kufirin bavarez me Austrinë.

Ai u regjistrua me forcë në Rininë Hitleriane. Por 5 javë më vonë Hitleri vdiq, dhe Kohl eci mbi 500 km në këmbë për t?u kthyer në shtëpi. Në Ludvigshafen përfundoi gjimnazin, dhe më pas nisi studimet për jurispruidencë dhe historisë në Frankfurt dhe Heidelberg.

Pasi mbrojti doktoraturën në vitin 1958, nisi punë si jurist i një kompanie që prodhonte kimikate në Ludëigshafen. Ai u bashkua CDU-së së Konrad Adenauerit që në vitin 1946 në moshën 16-vjeçare. Një dekadë më vonë, dr.Kohl u zgjodh në kryesinë e partisë së landit Rhineland-Palatinate, dhe në moshën 29-vjeçare, u zgjodh deputet në Landtag ose parlamentin e landit.

Në vitin 1969, u bë kryeministri më i ri i një landi në Gjermani, vetëm 39-vjeç, përpara se të kalonte në politikën federale në vitin 1976 si drejtuesi i grupit parlamentar të CDU në Bon. U bë kancelar pasi rrëzoi përmes një mocioni mosbesimi kancelarin e atëhershëm socialdemokrat, Helmut Shmid.

Kohl arrriti të bindë partinë e Deokratëve të Lirë (FDP) që të braktiste koalicionin qeverisës, duke u premtuar zbatimin e politikave neo-liberale në një koalicion CDU-FDP. Kjo aleancë do të zgjaste 16 vjet, kryesisht falë marrëdhënies së ngushta midis Kohl dhe kreut të FDP, njëherazi ministrit të Jashtëm që vizitoi Shqipërinë që vitet e fundit të regjimit komunist, Hans-Ditrih Gensher.

Kohl pati një përçmim të veçantë për ?mafien? mediatike të Hamburgut, që vuri në dyshim aftësinë e tij intelektuale, dhe u tall me aftësitë e tij retorike. Gjatë gjithë karrierës së tij Kohl,  rezervoi një urrejtje të veçantë për të përjavshmen ?Der Spiegel?, duke refuzuar t?i jepte  asaj intervista.

Kohl pati në vëmendje të veçantë marrëdhënien transatlantike. Ai fitoi shumë kredite në Uashington, duke mbështetur vendosjen e raketave bërthamore me rreze të ndërmjetme në Gjermani, pavarësisht protestave të mëdha që përfshinë vendin.

Ndërkohë kur gjermano-lindorët rrëzuan Murin e Berlinit në nëntorin 1989, dr.Kohl zgjodhi të injorojë Evropën, dhe të ndjekë bashkimin sipas kushteve të tij. Ai u kap gafil nga ngjarjet në Berlin, dhe u kthye me urgjence në atdhe, pas një vizite zyrtare në Varshavë të Polonisë.

Tre javë më vonë, ai prezantoi një plan 10-pikësh për të realizuar sa më shpejt bashkimin e vendit. Lëvizja e tij, i habiti gjermano-lindorët dhe zemëroi liderët e Francës dhe Britanisë, Miteran dhe Theçër, që kishin frikë se një Gjermani e bashkuar do të dominonte Evropën.

Më vonë, Kohl do të kujtonte se samiti i BE-së në Strasburg, i pari pasi rënies së Murit të Berlinit, ishte ?më i tensionuari dhe më pak miqësori? ku ai kishte marrë pjesë ndonjëherë.

Për të kapërcyer shqetësimet e aleatëve, ai ra dakord për kërkesën e Miteran që Gjermania të angazhohej për një bashkim më të thellë ekonomik dhe monetar me BE-në. Bashkimi i dha kancelarit një jetë të dytë politike, dhe ai siguroi një mandat të tretë në dhjetorin e 1990-ës.

Por ?muaji i mjaltit? ishte i shkurtër, duke nisur shumë shpejt fërkimet me gjermano-lindorët mbi shumë aspekte të politikave ekonomike.

Madje në majin e vitit 1991, lindorët e zemëruar e qëlluan Kohl-in me vezë gjatë një vizite në Halle, pasi kishin humbur punë nga privatizimi apo mbyllja e shumë kompanive shtetërore që dilnin me humbje. Kohl luajti një rol thelbësor në bashkimin ekonomik dhe valutor të Evropës.

Traktati i Mastrihtit i vitit 1992 u pasua nga bashkimi i valutave evropiane dy vjet më vonë dhe në majin e vitit 1998-ës, Kohl mbështeti futjen e monedhës së vetme. ?Në lidhje me këtë çështje, unë kam qenë një diktator?- do të shprehej ai më vonë, i vetëdijshëm se heqja dorë nga dojçmarka do t?i kushtonte mbështetjen politike.

Dhe në fakt oferta e tij për një mandat të pestë, u refuzua nga shumica e gjermanëve që preferuan liderin socialdemokrat, Gerhard Shrëder. Ndërkohë karriera e tij mori fund disa muaj më vonë, kur u zbulua që udhëheqësi i CDU kishte një llogari padeklaruar bankare prej 2.1 milionë dojçmarkash nga donatorë të ndryshëm, simpatizantë të CDU.

Drejtimin e partisë e mori për pak kohë Volfgang Shojble, dhe më vonë Angela Merkel. Marrëdhëniet mes saj dhe Kohl u ftohën për të mos u riparuar më kurrë. Kjo pasi Merkel e kritikoi publikisht për disa nga politikat e tij, dhe sidomos për mbështetjen e monedhës së përbashkët, përpara integrimit më të ngushtë politik dhe fiskal.

Duke derdhur vrer, Kohl tha se Merkel ishte aq e papërvojë kur e emëroi si ministre në kabinetin e tij qeveritar në vitin 1990, saqë ajo ?nuk dinte të hante me thikë dhe pirun?. Edhe pse më vonë reputacioni i Kohl u rehabilitua, pensionimi i tij nga politika u shënua nga tragjedi personale dhe shëndeti i keq.

Në vitin 2001, u vetëvra gruaja e tij prej 41 vitesh, Hanelor, pasi ishte e sëmurë nga një alergji e rrallë ndaj dritës së ditës. Kohl nisi të shihej gjithnjë e më rrallë në publik pas vitit 2008, pas një traume të rëndë që pësoi në tru gjatë një rrëzimi aksidental, që i shkaktoi shumë probleme në të folur.

Tre muaj pas aksidentit, ai u martua me Maike Rihter, një ish-zyrtare e kancelarisë, 34 vite më e re se ai, gjë që shkaktoi një përplasje të ashpër dhe të gjatë me 2 djemtë e tij nga martesa e parë, Valter dhe Peter.

Gjatë viteve të fundit të jetës, ai shprehu vazhdimisht frikën e tij se brezat e rinj e kanë harruar çmimin e unitetit evropian:brutalitetin e luftës që ai kishte parë në moshë të re. Në vitin 2014 ai deklaroi për ?The Irish Times? në vitin 2014 se nuk kishte asnjë alternative ndaj Evropës së bashkuar:?Uroj që për popullin tonë, Evropa të bëhet edhe një herë një çështje zemre, në mënyrë që të mund të vazhdojmë të ndërtojmë shtëpinë tonë evropiane?./ Irishtimes.comPërshtatur nga CNA.al





Lajmet e fundit nga