web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Covid-19 do të godasë më fort ekonomitë e vendeve në zhvillim

14 Qershor 2020, 07:53, Blog CNA

Nga Martin Wolf ?The Financial Times?

?Covid-19, është goditja më e rëndë që ka pësuar ekonomia globale që prej një shekull dhe në kohë paqeje?. Për më tepër, recesioni ekonomik aktual ?është i pari që nga viti 1870, që është shkaktuar nga një pandemi?. Që të dyja deklaratat vijnë nga një raport i fundit i Bankës Botërore.
Ky raport hedh dritë mbi shkallën e dëmit të kësaj pandemie mbi ekonominë botërore. Kurrë më parë nuk mund të ketë pasur një nevojë kaq të madhe sa sot, për një reagim ambicioz dhe bashkëpunues. Mjerisht, për një kohë të gjatë këto cilësi kanë munguar.

Një nga përfundimet e dukshme të raportit, është shkalla e pasigurisë mbi atë që na pret në të ardhmen. Ne e dimë që jemi në mesin e një rënie të jashtëzakonshme ekonomike globale. Por nuk e dimë se sa e thellë dhe e vazhdueshme do të jetë kjo rënie, dhe as se sa do të zgjasin efektet e saj negative.
Tek e fundit, jemi ende në një fazë të hershme të administrimit të pasojave që po sjell kjo sëmundje. Dhe kjo është veçanërisht e vërtetë për vendet në zhvillim, ku Covid-19 sapo ka nisur të japë goditjen e saj të plotë.
Masat për ta frenuar përhapjen e pandemisë, janë veçanërisht të vështira për t?u zbatuar në këto vende, duke pasur parasysh varësinë shumë të madhe që kanë shumë qytetarë nga puna që bëjnë në sektorin informal, por dhe nga kapacitetet e kufizuara shëndetësore dhe fiskale të qeverive.

Avantazhi i tyre i vetëm, është rinia relative e popullsisë së tyre. Megjithatë, administrimi i sëmundjes është vetëm një pjesë e sfidës me të cilën po përballen tani vendet në zhvillim. Shumë prej tyre janë shumë të brishta ndaj tronditjeve që pëson ekonomia globale.
Dhe kjo e fundit do të jetë me përmasa shkatërruese. Ato e kanë pësuar në shkallë të ndryshme nga një rënie globale, një rënie e madhe e çmimit të mallrave, nga rreziqet në tregjet financiare, nga një rënie e madhe e dërgesave monetare nga jashtë, një rënie e ndjeshme e të ardhurave nga turizmi, si dhe një rënie e madhe e tregtisë botërore.
Shumë prej këtyre vendeve ka të ngjarë të detyrohen të shpallin falimentimin. Për më tepër, ndikimi në ekonomitë e tyre, nuk ka të ngjarë të jetë i shkurtër në kohë. Shumë ekonomi dhe miliarda njerëz ka të ngjarë të vuajnë pasojat. Ky mund të jetë fillimi i shumë viteve të humbura.

Shumë gjëra do të varen nga pasojat ekonomike. Banka Botërore tregon se gama e rezultateve të mundshme për rritjen ekonomike globale këtë vit (me kursin e këmbimit të tregut) është midis -3.7 dhe -7.8 për qind. Për tregun dhe ekonomitë në zhvillim, rënia do jetë midis – 0.5 dhe -5 për qind.
Banka Botërore pret një rikthim të rritjes ekonomike në vitin 2021, midis 1.3 dhe 5.6 për qind në botë, dhe midis 2.7- 6.4 për qind në ekonomitë në zhvillim. Kjo do të thotë, që në këto të fundit, prodhimi ka shumë të ngjarë të mos rikthehet në nivelet e vitit 2019 përpara vitit 2022.
Qëndrueshmëria e humbjeve varet nga natyra e ?plagëve?. Siç vë në dukje raporti, ?recesioni i madh është shoqëruar me humbje të medha dhe të vazhdueshme në prodhim?. Nivele të ulëta të përdorimit të kapacitetit, i pengojnë investimet dhe lënë një trashëgimi të kapacitetit të vjetëruar.

Pritshmëritë e rritjes së dobët në të ardhmen, dekurajojnë investimet dhe bëhen kësisoj një profeci vetë-përmbushëse. Periudhat e gjata të papunësisë, shkaktojnë humbje të aftësive, dhe mund t?i pengojnë përgjithmonë punëtorët që të kërkojnë një punë. Shumë biznese do të zhduken përgjithmonë.
Përtej kësaj, në vendet në zhvillim, kriza kërcënon financimin e programeve të rëndësishme të shëndetit dhe mirëqenies sociale. Humbja e mbështetjes financiale për shumë njerëz, mund të shkaktojë dëme të mëdha afatgjata në shëndetin e tyre, dhe pasoja të tjera negative për punëtorët dhe familjet e tyre.

Shumë prej tyre mund të vdesin nga sëmundje, që nuk kanë lidhje me pandeminë. Edhe arsimimi i shumë fëmijëve mund të jetë i dëmtuar përgjithmonë. Kërcënime të tjera të rëndësishme afatgjata, përfshijnë reagimet politike dritëshkurtra.
Ashtu si në vitet 1930, mund të ketë një zhvendosje të përhershme larg ekonomisë së tregut dhe tregtisë ndërkombëtare. Politikat vetë-mposhtëse të zëvendësimit të importit, te ndjekura nga shumë vende në zhvillim pas Luftës së Dytë Botërore, i patën rrënjët e tyre në fatkeqësitë e asaj epoke.
Sot, cilësohet si një gjë e mençur të kritikosh globalizimin dhe integrimin ndërkombëtar
të zinxhirëve të furnizimit. Por, siç e thekson raporti, që të dyja ato janë dëshmuar si
?motorë? të fuqishëm të zhvillimit ekonomik. Mos harroni se ne kemi parë një rënie të jashtëzakonshme të përqindjes së njerëzve në varfëri ekstreme, nga 43 për qind në vitin 1980, në 10 për qind në 2015.

Thelbësore në këtë moment është shmangia e dëmeve të qëndrueshme dhe gabimeve të përhershme. Një deklaratë e përbashkët e liderëve të G20-ës vuri në dukje se kriza mund të zhysë 420 milionë njerëz në varfëri ekstreme. Për më tepër, shton ajo, 80 për qind e fëmijëve janë shkëputur nga shkolla.

Ndërkohë nevojitet më shumë ndihmë. FMN ka argumentuar se vendet në zhvillim kanë nevojë për një ndihmë prej 2.5 trilionë dollarësh, shumë më tepër sesa janë aktualisht në dispozicion. Zbutja e mëtejshme e borxhit, është një domosdoshmëri për vendet më të varfra dhe ato në zhvillim, që janë shumë të ngarkuara me borxhe.
Kur brezat e ardhshëm ta analizojnë këtë krizë, a do ta shohin atë si një pikë kthese vendimtare, dhe nëse po, në cilin drejtim? A do të arrijnë ata në përfundimin, që ne e kuptuam që një pandemi është një krizë e përbashkët, e cila ka nevojë për një reagim efektiv dhe bashkëpunues?
Apo në të kundërt, do të arrijmë në përfundimin se kemi lejuar dobësimin e kapacitetit tonë për bashkëpunim dhe përparim ekonomik? Ne nuk e dimë përgjigjen e tyre. Por ajo do të varet nga çka ne vendosim dhe bëjmë sot. Dhe ne e dimë se çfarë duhet të bëjmë:të veprojmë, së bashku./Përshtatur nga CNA.al





06:28 Blog

Amerika që duam

Nga Ahmed Charai “National Interest”* Imazhet dramatike që k...

Lajmet e fundit nga