web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Ligjet e kopjuara nuk e shpëtojnë drejtësinë e kalbur

7 Maj 2017, 07:20, Aktualitet CNA

Sfera legjislative e drejtësisë rishikohet shpesh, sepse nuk zbatohet

Analistë dhe njohës të fushës së drejtësisë thonë se tanimë është koha e fundit që, krahas problemeve të tjera, t’i trajtojmë edhe problemet që kanë të bëjnë me pavarësinë tonë në nxjerrjen e ligjeve, të cilat në fakt i reflektojnë rrethanat dhe kushtet tona specifike, zhvillimore dhe të gjithë traditën tonë, por edhe modelin tonë të demokracisë, në mënyrë që ato ligje të jenë të aplikueshme, të kuptueshme dhe të zbatueshme. Por, përse drejtësia nuk rregullohet duke kopjuar ligje nga vendet e tjera, dhe në anën tjetër, veç kësaj, a do t’ua lehtësojë punën e prokurorive dhe gjykatave në Kosovë aktivizimi i Gjykatës Speciale, ngase nëse kjo e fundit fut në ‘grep’ njerëzit më të pushtetshëm të këtij vendi, që janë njëkohësisht në krye të lidhur ngushtë me krimin e korrupsionin në të gjitha sferat e institucionet e shtetit dhe për rrjedhojë janë edhe pengesa më e madhe për sundim e zbatim të ligjit, atëherë piramida kriminale dhe fuqia kërcënuese e krimit do të fillojë të bjerë e të zbutet, dhe kësisoj edhe drejtësia vendore do ta ketë më të lehtë për t’u marrë me të tjerët e inkriminuar për ta pastruar shtetin nga krimi e korrupsioni galopant!? Profesori universitar Mazllum Baraliu, në një prononcim për gazetën “Kosova Sot”, ka thënë se është fakt notor dhe i pakontestueshëm se meqë jemi shtet i ri, ne kemi një përvojë fillimisht të mbikëqyrjes ndërkombëtare disa vite, nga 99-ta e këndej, pastaj edhe kaq vite pavarësi, ne as atëherë dhe as gjatë kohës së tranzicionit ndërkombëtar dhe vendor, në këtë rast pas shpalljes së pavarësisë, ne, siç tha, nuk kemi arritur që në tërësi të jemi autentikë dhe të pavarur.

Reforma, një dështim

Sipas Baraliut, edhe tani në kohën e shtetit tonë të pavarur, ne kemi ligje që në fakt shkruhen nga të tjerat në gjuhë të huaja, konkretisht në gjuhën angleze dhe pastaj përkthehen në gjuhën shqipe dhe atë boshnjake dhe miratohen nga Kuvendi. ” Pra, është koha e fundit që, krahas problemeve të tjera, t’i trajtojmë edhe problemet që kanë të bëjnë me pavarësinë tonë në nxjerrjen e ligjeve, të cilat në fakt i reflektojnë rrethanat dhe kushtet tona specifike, zhvillimore dhe të gjithë traditën tonë, por edhe modelin tonë të demokracisë, në mënyrë që ato ligje të jenë të aplikueshme, të jenë të kuptueshme dhe të zbatueshme”, ka vijuar më tej ai. Ndërsa, sa i përket asaj se a do t’ua lehtësojë punën e prokurorive dhe gjykatave në Kosovë aktivizimi i Gjykatës Speciale, ngase nëse Specialja fut në ‘grep’ njerëzit më të pushtetshëm të këtij vendi, që janë njëkohë- sisht në krye të lidhur ngushtë me krimin e korrupsionin në të gjitha sferat e institucionet e shtetit, e për rrjedhoje janë edhe pengesa më e madhe për sundim e zbatim të ligjit, atëherë piramida kriminale dhe fuqia kërcënuese e krimit do të fillojë të bjerë e të zbutet, Baraliu thotë se është thjesht evidente që gjatë gjithë kësaj periudhe të sipërpërmendur ne si shtet dhe shoqëri nuk kemi arritur që të krijojmë një sistem të reformuar të drejtësisë dhe as të përgjithshëm institucional dhe nuk kemi arritur, siç tha, që atë ta ndërtojmë në premisa dhe në themele të pavarura dhe asnjëherë të fuqizimit, profesionalizimit dhe mbizotërimit të shtetit të së drejtës, në kuptimin e realizimit të drejtave të qytetarëve nëpër gjykatat dhe prokuroritë tona. “Meqë këtë nuk e kemi bërë dhe përse s’e kemi bërë sigurisht se ka shumë faktorë dhe njëra nga rrethanat dhe faktorët ka të bëjë me faktin që gjykatat dhe prokuroritë tona, pra institucionet e drejtësisë dhe gjyqësisë, nuk kanë qenë të gatshme çdoherë të ballafaqohen profesionalisht, dhe as kurajë nuk kanë pasur mbase të themi profesionale dhe qytetare që të ballafaqohen me rastet e rënda dhe të vështira që kemi pasur të ngritura, qoftë nga drejtësia ndërkombëtare, në këtë rast prania e misionit teknik të EULEX-it, por qoftë nga prokuroritë tona”, potencoi ai.

Duhet kurajë për zbatimin e ligjeve

Profesori tjetër universitar, Nexhmedin Spahiu thotë se secili shtet dhe shoqëri ka veçoritë dhe ritmin e zhvillimit dhe ligjet duhet t’i përshtaten atij ritmi të zhvillimit.”Edhe Kosova do të duhej t’i ketë ligjet e veta, të veçanta, por problemi është se ata që janë duke i bërë ligjet në Kosovë nuk po i bëjnë në mënyrë profesionale, por në mënyrën ‘shkel e shko’ ,duke e kopjuar një pjesë të ligjit nga një vend dhe një pjesë të një vendi tjetër dhe kësisoj ata nuk po prodhojnë ligje origjinale për Kosovën, por ligje të cilat janë miks i ligjeve ekzistuese nëpër vendet e ndryshme të BE-së dhe kjo është edhe më keq sesa për t’i kopjuar ligjet e një vendi të veçantë të një shteti”, potencoi ai. Avokati Emrush Kastrati ka nënvizuar se Gjykata Speciale në një masë mund ta ndihmojë prokurorinë dhe gjykatat vendore ndaj gjykimit të krimeve të supozuara të luftës, për shkak të ndjeshmërisë së rasteve, pasi siç shihet Prokuroria e Gjykatës Speciale mbase do të prekë edhe figura të larta të udhëheqjes së UÇK-së. ” Megjithatë, nuk pres ndonjë spektakël të veçantë nga Gjykata Speciale, por mbetet të shihet se sa do të ketë sukses dhe sa do të jetë efikase ajo”, ka shtuar ai. Ndërsa, sa u përket ligjeve, Kastrati thotë se është e vërtetë se ato kryesisht janë marrë nga shtetet me standarde të larta të legjislacionit, siç janë SHBA-ja dhe ato të BE-së, por një pjesë e madhe shpeshherë janë marrë edhe nga Kroacia.”Nuk konsideroj se ligjet e tilla, që janë të hartuara dhe aprovuara në Kosovë, se nuk janë të përshtatshme, pasi shumë pak ka nuanca ku nuk mund të kuptohen, por në përgjithësi nuk kam hasur se ka ndonjë vështirësi. Pra, ligjet e tilla janë me standarde ndërkombëtare, vetëm na nevojitet kurajë dhe profesionalizëm për t’i zbatuar ato dhe për të ecur përpara”, deklaroi për gazetën “Kosova Sot” avokati Emrash Kastrati./kosova sot





Lajmet e fundit nga