web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Rritja e pagave si manovër elektorale/ Nga Denion MEIDANI

28 Tetor 2016, 10:10, Aktualitet CNA

Me përmbysjen e sistemit monist, në fillimet e tranzicionit, Shqipëria ishte vendi ku largimet migratore ishin ndër më të mëdhatë midis vendeve ish socialiste, madje me mjete nga më të  çuditshmet dhe mënyra nga më të rrezikshmet. Por, edhe pse u duk sikur situatat e dikurshme, tepër të dhimbshme, u konsideruan si të kapërcyera, Shqipëria e kohëve të fundit po krijon një rekord të ri tani midis vendeve të Ballkanit. Madje, në rajon, sipas statistikave, ajo është vendi, që radhitet si i pari për nga dëshira e rinisë për t?u larguar nga sytë-këmbët prej atdheut të tyre. Për më tepër, këto largime janë ende në rritje edhe në periudhën e fundit. Bile, nga debatet në komisionin e jashtëm parlamentar ka rezultuar se, vetëm gjatë vitit 2015,  numri i shqiptarëve, që kanë kërkuar azil politik në vendet e BE-së, e ka kaluar shifrën prej 67mijë. Ky trend, për fat të keq, po njeh sërish rritje.

Por, dhimbja dhe keqardhja bëhet akoma më e madhe, kur lexon të dhënat e Eurostat-it se mbi 80% e azilkërkuesve kanë qenë nën moshën 35 vjeçare. Kjo flet jo vetëm për largimin e rinisë, por dhe për situatën shqetësuese të papunësisë midis brezit të ri në Shqipëri! Po kështu, një migrim i tillë, ky varfërim në moshat më aktive është dhe një kambanë alarmi, sepse dobësimi i mëtejshëm i kësaj force pune në një të ardhme të afërt do të ketë efektet e veta tepër negative në zhvillimin ekonomik, në vetë tregun e punës, në skemën e pensioneve dhe sigurimeve sociale, në të ardhurat e kontributet përkatëse. Vlen të përmendet, po ashtu, se këto shifra kanë tejkaluar me shumë herë parashikimet e INSTAT-it për këtë periudhë. Mesa duket, në studimet e tyre nuk ishte integruar mirë  ?faktori rilindje? në ekuacion!…

Po të konsiderojmë edhe dëmin ekonomik në këtë trevjeçar, mund të radhisim dhe mjaft biznese financiare, minerare, naftë-nxjerrëse, sipërmarrje rafinimi e tregtimi, etj. në një krizë të thellë. Ato kanë ndaluar investimet e rrudhur punësimin, madje disa prej tyre kanë falimentuar apo shitur aktivet e aksionet. Po ashtu, jo pak sipërmarrje import-eksporti po lëngojnë, ca nga trembja e tërheqja e konsumatorit, ca nga trysnitë në rritje të tatimorëve e inspektoriateve parazitare të shumta. Por, nga ana tjetër, kemi lulëzim kompanish off-shore, që u kanë lënë borxhe gjigande taksapaguesve. Ato kanë xhiruar e xhirojnë miliarda e më pas zhduken pa lënë gjurmën më të vogël. Kemi dhe lulëzim të koncesioneve e partneriteteve korruptive, që kanë marrë si peshqesh monopole shtetërore me aktivitete të qenësishme dhe me një fitim të madh e të garantuar. Sigurisht, ndryshe nga propaganda rilindase, kemi edhe rishfaqje dhe fuqizim të ?orientuar? të aktivitetit të lojërave të fatit, madje dhe në qendër të qyteteve nga ku gjoja, ose duhet të mbylleshin, ose duhet të largoheshin.

Po ashtu, kemi rritje eksponenciale të taksimit, akcizës dhe barrës fiskale ndaj një pjese të biznesit dhe, të njëjtën kohë, duke krijuar të gjitha lehtësirat korruptive për atë pjesë tjetër pranë sektit rilindas, sidomos ata që kontribuojnë një pjesë në çdo përballje elektorale. Ndërkohë kemi rritje të borxhit publik me mbi 11-12% që nga viti 2013, pavarësisht se u propagandua si rritje për ringjallje ekonomike, por rezultoi krejt e kundërta. Pra, kemi sot 720 milion euro më pak rritje të PBB-së se vetë parashikimi i  qeverisë vetëm për vitin 2016. E tillë ka qenë situata pothuajse për çdo vit rilindas. Po të shtojmë këtu dhe gati deflacionin dhe papunësinë në rritje, na bëhet e plotë disfata në qeverisje. Kjo është ajo që solli rilindja dhe reformat e saj, përfshirë dhe teatrin fillestar me zyrat e punës, të ribojatisura për efekte propagandistike gjatë vitit të parë.

Pra, edhe pse kemi një ekonomi të orientuar drejt konsumit, shfaqet po aq me frikë e hezitim në konsum! Dhe kjo është gati fatale! Për këtë arsye shfaqen kudo mungesa të dukshme, mos përformim e tkurrje, deri lëngim të sipërmarrjes vendase nën barrën fiskale gjithmonë në rritje. Më e keqja është se taksimi në rritje dhe mbledhja e sforcuar gjysmake e të ardhurave nuk është përkthyer në ulje të borxhit të brendshëm apo atij të jashtëm. E dukshme është nga ana tjetër mungesa e vizionit, orientimit dhe ndërtimit të bizneseve të reja në prodhim, përpunim e shërbime. Dhe ndërkohë, nevoja është gjithnjë më e madhe për to, mbi të gjitha, për ato që do të mund t?i jepnin një shtytje ekonomisë, apo të zëvendësonin ato biznese deri dje me peshë në PBB, por që sot fatkeqësisht janë në ngopje, si p.sh. biznesi në fushën e ndërtimit, apo dhe biznese të tjera në ngërç për shkak të krizës në vend.

Teksa kjo është panorama e zymtë e ekonomisë vendase dhe e vetë gjendjes së sipërmarrjes në Shqipëri, Ministri Financave vepron i motivuar për qëllime elektorale. Ai vetë po paralajmëron lëvizje për rritje të pagës minimale të tatueshme me mbi 35%, por dhe për t?i përdorur këto para për rritje page me të paktën 10% në sektorin publik. Siç e ka shpjeguar më së miri dhe gazetari Erebara, në Shqipëri, deri më sot ?ajo që supozohet se është rritje page minimale, që prej një dekade është në fakt rritje taksimi real mbi punonjësit më të varfër të shoqërisë.? Punëtori de facto vazhdon të marrë një pagë më të vogël se ajo që përcaktohet me ligj, dhe ndërkohe i rritet barra fiskale e kontributeve, siç i rritet dhe vetë sipërmarrësit nga ana e tij.

Pra, për shkak të mosfunksionimit të hallkave kontrolluese të shtetit, në mjaft raste, rezulton apo do të rezultojë që një punonjës, që merr më pak para do të detyrohet të punojë më shumë sepse sigurisht sipërmarrësit abuzivë do të gjejnë alternativa për të kompensuar rritjen e pjesës së kontributeve ndaj tyre. Sidomos, duke shtuar zakonisht ngarkesën e punës për të njëjtin nivel pagese. Mjafton këtu që të kujtojmë landfillin e vdekjes, ku jo vetëm ishin të punësuar të mitur si Arditi i gjorë por dhe fakti se ai dhe punonjës të tjerë paguheshin më pak se paga minimale. Dhe, ndërkohë, një ish ministër pune dhe çështjesh sociale, sot një kryetar bashkie bënte thirrje publike që sa më shumë hallexhinj të vinin dhe të punësoheshin në landfillin ?rilindas?, duke bërë qokën e radhës apo luajtur politikën show të ditës, dhe duke harruar detyrën e tij, përfshirë kontrollin minimal paraprak për të parë nëse garantoheshin ligjet mbi kushtet e punës, sigurisë, higjienën, pagën minimale e me radhë.

Në fakt, duke rritur nivelin e pagës minimale të tatueshme zyrtare, siç tregon dhe z.Erebara, influencohen edhe pagat e larta gati tërësisht në sektorin privat, deri duke i rritur atyre me 5 fish kontributin bazuar në ligjet në fuqi ku ?sanksionohet që kontributet për sigurime shoqërore mbahen për të gjitha pagat, deri në pesëfishin e pagës minimale.?

Pra, në rastin më të keq, rritet barra fiskale dhe kontributet për të varfrit e shumë të varfrit dhe ata pak profesionistë në sektorin privat, që i kanë rezistuar tundimit për t?u larguar, për të jetuar dhe dhënë kontributin e tyre profesional gjetkë. Ndërsa, në rastin më të mirë, kjo reformë e paralajmëruar ul ndjeshëm konkurrencën dhe mbase nxit largimin e kompanive, që deri tani po punësojnë me qindra mijëra punëtorë, siç janë ata në call center apo ata në industritë e përpunimit aktiv e fason, që fillimisht u tërhoqën në Shqipëri nga barra e ulët fiskale, taksimi i sheshtë dhe krahu i lirë i punës, gjatë qeverisjes së mëparshme. Ata mund të japin një tjetër efekt bumerang në dëm të ekonomisë, zhvillimit, punësimit dhe vetë nivelit të inflacionit.

Sipas z. Erebara, që në mendimin tim ka plotësisht të drejtë, kjo reformë (nëse mund të quhet sado pak e tillë!) bëhet në prag të zgjedhjeve, deri duke ?gënjyer? me rritje rrogash në administratën publike, kur për 3 vjet radhazi nuk u dha asnjë qindarkë, bile as për të mbuluar inflacionin! Dhe e gjitha kjo në një administratë publike gati politike, sidomos mbas ?operacionit fshesë? në vjeshtë të vitit 2013 dhe atij të  ?dimrit të fundit? në fillim të vitit 2014, të shoqëruar me shkarkime masive, e pastrime të pajustifikuara në radhët e saj. Qëllimi ishte i qartë: për t?i zëvendësuar ata në shumicë me militantë rilindas (por jo socialistë), në shumicën e rasteve të paaftë, pa eksperiencë, pa shkollimin e duhur, pa plotësuar kriteret e nevojshme, deri dhe duke infiltruar në radhët e kësaj administrate edhe njerëz me precedentë penal apo, akoma, në kërkim nga drejtësia e vendeve fqinje.

Pra, kjo reformë (le të vazhdojmë, për rutinë, ta quajmë të tillë!) po vjen në një moment të mirë-llogaritur, pikërisht në shërbim të zgjedhjeve, pse jo dhe të manipulimit propagandistik të rezultatit. Ajo është thjesht një manovër politike, për të garantuar dhe njëherë besnikërinë e këtyre skalioneve rilindase dhe të afërmeve të tyre e gjitha në kurriz të stanjacionit, varfërisë e mjerimit vendas. Pa e vrarë shumë mendjen për efektet negative të pritshme në ekonomi, sidomos në terma afatgjatë. Sepse nënkuptohet se kur një qeveri rrit pagat pa u mbështetur tek zhvillimi ekonomik, ato nuk mund të ulen më nga një qeveri pasuese dhe kështu, të paktën, në vitet në vijim; përveç goditjes të sektorëve të mësipërm, ajo po bën dhe një të keqe tjetër: ajo po heq më shumë para nga sektori privat, sidomos pjesës për investime, zgjerim prodhimi e shërbimesh apo punësim. E thënë ndryshe, me një konceptim të tillë jo liberal, paratë që dalin nga puna reale dhe që janë në përputhje me efektivitetin e kësaj pune, i kalohen sektorit publik, ku ky efektivitet, në shumicën e rasteve, lë shumë për të dëshiruar…

Nuk përjashtohen dhe skenarë të tjerë makiavelianë në zhvillim, madje për shumë vëzhgues të brendshëm dhe të jashtëm, rilindja për sot e nesër po e var shpresën e kompensimit të këtyre reformave (gjithnjë e më negative në rolin e tyre), tek kultivimi, rritja e qarkullimi i narkotikëve (gjë që po theksohet dhe në media të huaja). Prandaj duhet bërë gjithçka për të zgjuar qytetarin, për t?ua bërë me dije votuesve që të mos e lejojnë sanksionimin e këtij rrugëtim të gabuar. Një përvojë e tillë nuk është e re në botë dhe ato vende, që e kanë ndjekur atë rrugëtim të rrezikshëm dhe që janë mbështetur tek kultivimi i drogave, sot, janë jo vetëm më të varfër se fqinjët e tyre, por janë dhe të mbytur në gjak e padrejtësi, në konflikte sociale e varfëri masive. Ata kanë një renditje në përkeqësim progresiv në indeksin e zhvillimit dhe kanë, po ashtu, një rritje të tmerrshme të varësisë nga drogat, kriminalizimi e konflikti i brendshëm, deri duke pasur numrin më të lartë të vrasjeve në botë për 100 mijë banorë, sipas një hulumtimi të revistës Monitor.

Kjo do të jetë e ardhmja e ?garantuar? nga një votë e gabuar dhe e përsëritur për ?rilindasit?; ajo nuk duhet lejuar tuaj në asnjë mënyrë?/Citynews

 

 





Lajmet e fundit nga